Të shtëna me armë në Shkodër/ Qëlloi në ajër pas sherrit, policia shpall në kërkim autorin
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Barbullush, në Vau i Dejës. Policia ka nisur kontrolle intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:15, pas një konflikti të çastit mes disa personave. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur kontrolle në zonë për identifikimin dhe kapjen e personit të përfshirë. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e saj dhe identifikimin e autorit.
Burimi:
syri.net