Adriatik BALLA
Performanca e Fisnik Asllanit të Kosovës gjatë javëve të fundit e ka vendosur atë në krye vitrinën kryesore të lojtarëve që janë në treg. Kështu, golat në Bundesliga 2, paraqitjet te Kosova, e sidomos golat e javëve të fundit në Bundesligë, kanë rritur ndjeshëm vlerën e sulmuesit Fisnik Asllani. Gradualisht, por me hapa të sigurt, Asllani po bën emër në futbollin evropian, e në të njëjtën kohë po shndërrohet në futbollistin më të çmuar të përfaqësueses së Kosovës. Amir Rrahmani ka dy tituj të Italisë me Napolin. Vedat Muriqi ka 39 gola e 10 asistime në 118 paraqitje në La Liga me Majorkën, ndërsa Edon Zhegrova tashmë është pjesë e Juventusit. Me suksesin në futboll, këtë treshe së shpejti pritet ta rivalizojë Asllani. Dhe ndoshta edhe ta kalojë. Shtatlarti tashmë është në radarin e shumë skuadrave të mëdha evropiane. Së fundi në garë për transferimin e Asllanit është futur gjiganti gjerman, Bajerni.
Klubet e tjera të interesuara
Barcelona është një tjetër klub që është përmendur si destinacion i ardhshëm i Asllanit. Nga Premier League interesim për kosovarin kanë shfaqur Çelsi, Aston Vila e Totenhemi. Emrat e këtyre klubeve tregojnë mjaftueshëm për vlerën gjithnjë në rritje të sulmuesit. Dhe nëse vazhdon me formë të mirë dhe me shënim të golave, numri i skuadrave të interesuara vetëm do të rritet. Dhe natyrisht edhe vlera e Asllanit. Ka shumë parakushte që Asllani brenda një periudhe të bëhet lojtari më i vlerësuar i Kosovës, e ndoshta edhe më i miri. Ai është ende 23-vjeçar dhe ka bërë ngritje të vazhdueshme në karrierë në vitet e fundit.
Karriera
I lindur në Berlin, ai ka nisur zhvillimin te skuadrat e këtij qyteti, Dinamo e Unioni. Në verën e vitit 2020 u transferua te Hofenheimi. Nisi në ekipin e dytë, kurse luajti dhjetë ndeshje në Bundesligë në edicionet 2021/2022 dhe 2022/2023. Por nuk ishte ende gati për futbollin e vështirë të Bundesligës. E kaloi edicionin 2023/2024 si i huazuar tek Austria Vjena. Në 19 paraqitje i shënoi katër gola. Më pas Hofenheimi e huazoi tek Elversbergu në Bundesliga 2, si hap tjetër në zhvillim. Shpërtheu edicionin e kaluar me 19 gola e dhjetë asistime në 37 paraqitje.
Kontrata me Hofenheimin
Derisa skuadra të tjera të Bundesligës po e kërkonin, Hofenheimi vendosi të përfitojë nga rritja e Asllanit si lojtar. Tashmë ai i ka gjashtë gola e dy asistime në nëntë paraqitje të këtij edicioni. Pesë gola e një asistim i ka në Bundesligë, ndërsa një gol e një asistim e ka në ndeshje për Kupë. Asllani ka kontratë me Hofenheimin deri në qershor 2029. Por me formën aktuale vështirë se do të luajë për këtë skuadër përtej verës së vitit të ardhshëm. Joshja e shumë skuadrave të mëdha evropiane zvogëlon gjasat e Hofenheimit për ta mbajtur gjatë. Në nivel përfaqësuesesh ai ka paraqitje për Kosovën U17, Gjermaninë U18 e U20 dhe Kosovën A. Për Kosovën i ka realizuar dy gola. Shënoi për fitoren e madhe ndaj Suedisë në Goteborg. Vlera e Asllanit në tregun e transferimeve tani është rritur në 18 milionë euro. Prej lojtarëve të Kosovës vetëm kartoni i Zhegrovës vlerësohet më shumë se i Asllanit. Por me ecurinë aktuale jo edhe shumë gjatë.
Fisnik Asllani i Kosovës shqiptari më i kërkuar i momentit në treg, e do edhe Bajerni
