Pak ditë më parë, në garat e Kupës së Shqipërisë në peshëngritje, sportisti Erkand Qerimaj jo vetëm fitoi garën në peshën e tij, por u shpall edhe sportisti më i mirë i aktivitetit, një vlerësim që tregon se pavarësisht moshës ai vijon të shkëlqejë në pedanë, duke vendosur rezultate të larta dhe duke thelluar triumfet e tij në sportin e shtangës. Nga ana tjetër, vëmendja e federatës tonë prej disa vitesh është fokusuar tek ecuria e sportistëve të rinj dhe dyshja që ka spikatur më shumë është Ertjan Kofsha nga meshkujt dhe Enkilejda Carja nga vajzat, sportistë që për moshat e tyre kanë thyer një sërë rekordesh europiane e botërore dhe kanë pritshmëri të larta.
Për të mësuar më shumë rreth objektivave të ekipit kombëtar të të rriturve në garat e ardhshme ndërkombëtare por edhe për situatën në peshëngritjen shqiptare, gazeta “SOT” intervistoi kryetrajnerin e ekipit përfaqësues, Leonard Toska, i cili u tregua edhe këtë herë entuziast për arritjet e sportistit të tij dhe shfaqi besimin se në Kampionatin Botëror të Forde në Norvegji muajin e ardhshëm, do të synojë rekordet europiane me sportistin e tij Ertjan Kofsha. Në këtë intervistë mësojmë edhe për mjaft zhvillime të tjera në shtangën shqiptare.
– Ju vazhdimisht jeni shprehur në media se sportisti juaj Ertjan Kofsha është sot për sot numri një në Shqipëri, duke e krahasuar atë me sportistë të niveleve botërore. Por në aktivitetin e fundit të organizuar nga federata e shtangës (Kupa e Shqipërisë), më i miri u shpall një sportist veteran si Erkand Qerimaj. A ishte kjo një dëshmi që të rinjtë ende nuk janë në gjendje të kapërcejnë brezin më të vjetër?
– Faleminderit për interesimin! Së pari më lejoni t’ju shpreh në emrin tim si trajner por edhe të sportistit Ertjan Kofsha se aktiviteti i para pak ditëve nuk ishte vlerësuar prej meje e sportistit për këtë fakt, pra për të qenë më i miri, por për të thyer disa rekorde kombëtare dhe kaq. Ne nuk e bëmë vlerësimin sa duhet përtej objektivit tonë dhe ndoshta kjo solli rezultatet që prodhuan garat e Kupës së Shqipërisë. Sportistët garojnë në pesha të ndryshme. Qerimaj me objektivat e veta e ne në peshën tonë në objektivat tona. Sportisti im theu rekorde me peshat e ngritura, 165 kg në shkëputje dhe 193 kg në shtytje dhe i parë në këtë formë rezultati ishte fantastik dhe premtues për garat e ardhshme ndërkombëtare. Sa për Qerimajn, mund të them se ai është emblemë e peshëngritjes shqiptare. Ai ishte dhe mbetet i tillë, sportist i dimensioneve të mëdha dhe krenari e shtangës tonë. Nuk besoj se do të mund të vijnë të rinj të tjerë në nivelet e Qerimajt e që ta zëvendësojnë atë. Erkand Qerimaj është legjendë e peshëngritjes shqiptare. Megjithatë, siç e thashë, aktivitetin e fundit unë e sportisti im e vlerësuam për rekordet dhe për të parë gjendjen para garave ndërkombëtare.
– Kur është gara e radhës që ju do ta testoni sportistin?
– Më 6 tetor ora 15:00 sportisti Ertjan Kofsha do të zbresë në pedanë në garën e tij në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Forde të Norvegjisë. Kujtoj që aktiviteti do të nisë më 2 tetor. Sportisti im do të garojë në peshën trupore 94 kg. Ne shkojmë atje për të vendosur rekorde europiane. Edhe pse është Kampionat Botëror, rezultati njihet edhe si rekord Europe nëse ne do ta realizojmë objektivin tonë. Kjo na motivon së tepërmi.
– Sa është rekordi aktual dhe çfarë synoni konkretisht?
– Rekordi aktual është 160 kg në shkëputje dhe 192 kg në shtytje. Qëllimi ynë është që të ngremë nga 1 kg më shumë në secilin stil, për të vendosur kështu rekord europian të trefishtë, domethënë në të dy stilet plus në dygarësh. Mendoj se rezultatet e fundit që ne shënuam në një aktivitet serioz si Kupa e Shqipërisë na bindin se mund t’ia dalim këtë herë për rekordet e mëdha europiane.
– Në tërësi garat kombëtare janë dëshmi më e mirë për ecurinë e sportistëve, ku mendoni ta testoni sërish sportistin?
– Siç e thashë, po përgatitemi për në Botërorin e Fordes në Norvegji. Më pas kemi Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Durrës në muajin nëntor. Europiani ishte planifikuar të zhvillohet në Tiranë, por është caktuar përfundimisht të mbahet në Durrës, duke nisur nga 1 nëntori. Edhe në Europianin e Durrësit sportisti im Ertjan Kofsha do të synojë tri medalje ari e tre rekorde europiane. Pas atij momenti na pret një tjetër aktivitet i rëndësishëm, që ne e kemi konfirmuar, pikërisht pjesëmarrja në Lojërat Islamike që nisin më 7 nëntor në Rijad të Arabisë Saudite.
– Na thoni dy fjalë për sportistët e tjerë. Ju më herët keni folur në media për një grup të rinjsh premtues. Çfarë bëhet me ta?
– Puna me të rinjtë vijon, por në këtë moment prioritet për mua si trajner është Kofsha, pasi kemi dy gara të mëdha përpara, si Botërori dhe Europiani, ku unë si trajner i tij synoj medalje në të dy aktivitetet. Natyrisht, ka plot elementë të rinj premtues dhe me ta po punohet në vijimësi. Por për Kofshën mund të them se është në nivele të larta dhe në garat e mëdha është potencialisht efiçent për të sjellë medalje, ndaj dhe synojmë rekorde këtë herë.
– Ju vazhdimisht insistoni për rekordet, por të gjithë e dimë se të shkosh te rekordi në gara të tilla si Europiani e Botërori është mjaft e vështirë…
– Jam dakord me ju, pasi është shumë e vështirë, duhet talent i madh dhe punë e madhe. Por unë kam besim te sportisti im. Rezultatet e deritanishme na bindin se mund të kapim majat e këtij sporti. Nuk ndodh shpesh të shohësh një sportist shqiptar të hyjnë në një garë me qëllim për të thyer rekorde europiane e botërore ndaj për këtë puna jonë meriton respekt.
– Në situatën aktuale, ju vetë me çfarë note do ta vlerësonit gjendjen dhe rezultatet e peshëngritjes?
– Jemi mirë, por puna duhet të vazhdojë. Me këtë rast duhet të përgëzojmë punën e federatës për mbështetjen e elementëve të rinj, me të cilët po bëhet një punë cilësore. Janë 12-13 elementë cilësorë tek të rinjtë, që kanë rezultate premtuese si Kofsha, Rrasa, Mullisi, Lagja etj, kurse tek vajzat spikat Enkileda Carja. Natyrisht, për nga niveli i rezultateve, bëjnë diferencë Carja e Kofsha që kanë medalje në moshat dhe peshat e tyre përkatëse. Siç thashë, qëllimi im në garën e radhës është për të thyer rekordin europian, por jo me shumë kilogramë, pasi dëshiroj që thyerjen e rekordeve ta vijoj me sportistin Kofsha edhe në garat e tjera të radhës. Me këtë sportist rekordet do të vijojnë.
– Cili është mendimi juaj për gjendjen e infrastrukturës së peshëngritjes në Shqipëri dhe nivelin e trajtimit të sportistëve?
– Infrastruktura është përmirësuar, ky është fakt. Ajo që na gëzon ka lidhje me bazën materiale, e cila nuk na mungon. Nga ana tjetër, shumë sportistë marrin trajtim ushqimor nga bashkitë. Jo të gjitha bashkitë kanë dhënë por Tirana, Peqini e ndonjë tjetër kanë qenë të rregullt. Kurse Shkodra e ndonjë qytet tjetër duhet të reflektojnë për këtë çështje. Dua të them që praktikisht ka bashki që japin, por ka edhe bashki që nuk japin. Sa i takon federatës, ajo jep shpërblime sipas rregulloreve të saj, më shumë falë insistimit e dashamirësisë së presidentit të federatës.
– Një nga mbështetësit tuaj dhe të sportistëve tuaj është Andis Salla, i cili nga kryetar i bashkisë u zgjodh tani së fundmi Ministër i Bujqësisë. A mendoni se tani do humbasë një nga pikat tuaja mbështetëse për ekipin?
– Jo, përkundrazi. Ai e ka ndihmuar peshëngritjen e Peqinit të arrijë në lartësitë e duhura. Ne kemi punuar dhe ai e ka vlerësuar punën tonë duke dhënë kontribut. Por kjo vjen ngaqë ai vetë ka qenë sportist kampion. Edhe si kryetar bashkie ishte kampion, si politikan kampion e po i tillë kampion do të jetë edhe si ministër. Meqë mu dha rasti, unë e takova dhe e urova për zgjedhjen si ministër. I kam dhuruar një kupë dhe medalje të peshëngritjes dhe ai më ka premtuar se dera e tij do të jetë e çelur për ne, pra nuk do të na mungojë mbështetja e tij.
Intervistoi: Adriatik BALLA
