Lind një tjetër derbi, Partizani- Vora prezantimi i parë 2025/26

Me startin e edicionit të ri futbollistik 2025/2026 të premten dhe dje, vetëm katër skuadra ende nuk e kanë thënë fjalën e parë. Teuta- Dinamo është shtyrë për në 5 shtator ndërsa Partizani dhe Vora luajnë sot në orën 20:00 në ‘Arena e Demave’.

Pikërisht ky takim mbyll këtë javë për t’i lënë radhën fundjavës së ardhësme teksa më 30 dhe 31 gusht zhvillohet raundi i dytë i edicionit të 87-të të futbollit elitar. Më pas radha e Kombëtares me Superioren e cila për afro dy javë do të jetë pushim.

Kthyer te Partizani- Vora duket se kjo ndeshje ofron një tjetër derbi (në fakt një mini-derbi) në Tiranë.

Të kuqtë kanë emëruar Mladen Milinkoviç si trajner të ri dhe me dështimin në turin e parë të Conference League (eleminuar nga Nome Kalju), tani e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në kampionat. Xhuliano Skuka, Vusal Isgandarli, Karlos Martinez, Judah Garsia, Viktor Da Silva, janë disa nga lojtarët që i janë bashkuar skuadrës 17 herë kampione të vendit e cila si gjithnjë futet në garë për objektivë titull dhe Kupë Shqipërie. Aktualisht Partizani është klubi shqiptar i Superiores me koeficentin më të lartë në UEFA (7.5).

Vora e promovuar për herë të parë në Superiore pozicionohet gjeografikisht pak km larg kryeqytetit ndërsa klubi me 36 vite ‘jetë’ (themeluar më 1989), duket se nuk do të jetë thjesht një skuadër kalimtare. Presidenca i ka besuar sërish trajnerit Arjan Bellai, teknikut gjirokastrit që e ngjiti në Abissnet Superiore edicionin e kaluar si kampione e Kategorisë së Parë. Jo vetëm aq por klubi ka operuar me emra të spikatur në merkato. Mjafton të nënvizohet se përpos emrave si Ruzgis (aktualisht i dëmtuar), Tabaku, Ruçi (portier), Dajan Shehu etj, janë afruar futbollistë si portieri Romeo Harizaj, Serjan Repaj, Henri Zuna, Luis Felipe, Bernard Karrica, Enis Fazlagiç, Adeloye Folahan, Uallas Almeida.

Vazhdo leximin