Burimi:
Vizionplus.tv

Foto © Vizionplus.tv
Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, ruhet kujtesa historike për shqiptarët që emigruan shekuj më parë në Itali
Për herë të parë në fshatin Vuno të Himarës do të ngrihet Muzeu i Arbëreshëve, në një prej zonave nga ku nisi eksodi historik i tyre drejt Italisë. Ky projekt synon të sjellë në Atdhe kujtesën, gjuhën dhe traditat e një komuniteti që ka ruajtur identitetin e vet për mbi 500 vjet. Muzeu do të ndërtohet në qendrën historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, të cilat do të restaurohen si pjesë e projektit. Përveçse një institucion kulturor, muzeu do të shërbejë si një urë lidhëse mes brezave dhe komuniteteve arbëreshe në itali, duke ofruar ekspozita, kujtime dhe programe edukative. Ky është një hap i rëndësishëm për rigjallërimin e Vunoit, pasurimin e turizmit kulturor dhe forcimin e identitetit shqiptar. /vizionplus.tv