Mançester Siti gati të shpenzojë 100 mln euro për talentin portugez të Milanit, Leao

Adriatik BALLA
Merkato e këtij sezoni do të mbyllet në fund të gushtit e një pjesë e vendeve e zgjasin edhe në dyjavëshin e parë të shtatorit. Klubet e mëdha po bëjnë lëvizjet e tyre, duke dashur të plotësojnë organikën para se të nisë zyrtarisht sezoni i ri. Në Premier League, Mançester Siti që zhgënjeu sezonin e shkuar dëshiron të bëjë kthesë, por për këtë nevojiten afrime të reja cilësore dhe trajneri Pep Guardiola është hedhur në sulm për të afruar elementë që bëjnë diferencë. Kështu, referuar vetë mediave sportive britanike, Mançester Siti po përgatit një lëvizje ambicioze për sezonin e ri dhe ka vënë në shënjestër një nga talentet më të mëdha të futbollit europian: Rafael Leao.
Anësori portugez i Milanit është kthyer në prioritet për Pep Guardiolën, i cili synon t’i shtojë skuadrës së tij një dozë shtesë shpërthimi në repartin ofensiv. Me disa ndryshime të planifikuara në skuadër, trajneri katalanas e sheh sulmuesin portugez si një pjesë kyçe për të ruajtur freskinë në vijën e sulmit. Leao ka shkëlqyer në Serie A falë aftësisë për të prishur ekuilibrin, forcës fizike dhe lehtësisë për të thyer mbrojtjet kundërshtare. Performanca e tij me “Rossonerët” ka tërhequr vëmendjen e shumë gjigantëve europianë, por është klubi nga Mançester që është më i gatshëm të bëjë hapin vendimtar. Fuqia financiare e kampionëve të Premier League mund të sjellë një ofertë afër 100 milionë euro për të bindur Milanin të lërë të lirë një nga lojtarët më të vlefshëm të saj.
Në “San Siro” nuk dëshirojnë të humbasin lojtarin më të spikatur, por janë të vetëdijshëm se një ofertë e tillë do të jetë e vështirë për t’u refuzuar. Megjithëse klauzola e tij e lirimit është e lartë dhe kontrata nuk përfundon së shpejti, presioni nga tregu anglez dhe fuqia ekonomike e Sitit mund të bëjnë diferencën. Nga ana e tij, lojtari nuk ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar, por mundësia për të punuar nën urdhrat e Guardiolës është një motivim që pak mund ta injorojnë. Milani ka nisur tashmë të shqyrtojë alternativa të mundshme në rast të një largimi të papritur. Ndërkohë, në Angli, ardhja e një profili si ai i Leaos shihet me entuziazëm, pasi ai pritet të përshtatet shpejt me ritmin e lartë të futbollit britanik. Javët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse ky transferim do të realizohet. Leao është superlojtar ndaj është i shtrenjtë një transferim drejt Anglisë, që do të thotë se për lëvizjen duhen shumë para.