Pulla postare e gazetës “Rilindja” i dhurohet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Pulla postare e gazetës “Rilindja” i dhurohet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është pasuruar me një dhuratë të veçantë kushtuar trashëgimisë së gazetës historike “Rilindja”. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, priti në takim drejtorin e Drejtorisë për Zhvillimin e Biznesit në Postën e Kosovës, Ferki Maxhuni, së bashku me kolegë të tij. Gjatë takimit, Maxhuni i dhuroi Bibliotekës pullën postare të gazetës “Rilindja”, e realizuar në shenjë të 80-vjetorit të themelimit të saj. Dhurimi u bë gjatë Javës së Bibliotekës në Kosovë, edicioni i së cilës i kushtohet trashëgimisë kulturore dhe historike të “Rilindjes”, nën temën bosht “Rilindja – Zëra në kujtesë”. Pulla postare do t’i shtohet fondit të Bibliotekës si një dëshmi e veçantë e historisë së gazetës dhe kujtesës kulturore të Kosovës./KultPlus.com