Presidenca sqaron vendimin për dekretimin e zgjedhjeve në Himarë, reagon sërish Bardhi: Nuk është vetëm shërbëtor i rëndomtë, por…

Presidenca sqaron vendimin për dekretimin e zgjedhjeve në Himarë, reagon sërish Bardhi: Nuk është vetëm shërbëtor i rëndomtë, por…

Presidenca ka reaguar duke shpjeguar përse nuk u prit afati prej 30 ditësh që Fredi Beleri ka për të ankimuar vendimin e KQZ-së, për heqjen e mandatit, përpara se të dekretonte datën për zgjedhjet e reja në Himarë.

Shpjegimi i Presidencës artikulon se, siç e përcakton sistemi ligjor shqiptar, në rast vakancash, Presidenti i Republikës vihet në lëvizje pas njoftimit dhe ka 48 orë kohë të veprojë.
Presidenca gjithashtu shton se dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja, nuk e pengon Belerin të ankimojë vendimin duke kërkuar të drejtën e tij në institucionet përkatëse.
Por pas këtij reagimi qe erdhi pas një reagimi të opozitës, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi ka reaguar sërish duke publikuar ligjin dhe duke etiketuar, presidentin Begaj jo vetëm si shërbëtor të Ramës, por edhe si injorant.
“Nuk është vetëm shërbëtor i rëndomtë, por edhe injorant. Pra sipas ushtarit të Edi Ramës, mqs Bashkia Kavajë drejtohet nga opozita, këtij i mjafton një letër nga Don Agacio i inceneratorëve dhe ky shpallë zgjedhje në Kavajë, pa verifikuar nëse ka realisht vakancë apo jo?! Ligji” shkruan Bardhi.

Reagimi i plotë i Presidencës:
Presidenti i Republikes caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ.
Presidenti vihet në levizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave.
Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë.
Zgjedhjet e pjeseshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese.
Procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative janë që të dyja ligjore dhe bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen.
Mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të ligjshme nuk shfuqizohen nga procedura e dekretimit të zgjedhjeve.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi