Matje gjeofizike në Trojas të Belshit për evidentimin e gjurmëve arkeologjike
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në bashkëpunim me Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, ka kryer matje gjeofizike në fshatin Trojas, pranë Belshit, për studimin e mëtejshëm të gjurmëve arkeologjike në këtë zonë. Sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ky proces vjen në vijim të punës së specialistëve të IKTK-së, të cilët kanë identifikuar më herët rrënoja arkeologjike në zonën e Trojasit. Përmes identifikimit të anomalive gjeofizike, synohet përcaktimi më i saktë i zonave me potencial arkeologjik, duke krijuar bazën për dokumentimin dhe studimin e mëtejshëm të strukturave të mundshme të ruajtura nën sipërfaqe. Rezultatet e matjeve do të shërbejnë si bazë për orientimin e kërkimeve të ardhshme në terren./atsh/KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com