Aksident në Malësi të Madhe, plagoset shoferi dhe pasagjeri

Aksident në Malësi të Madhe, plagoset shoferi dhe pasagjeri

Kronikë E Premte, 26 Dhjetor 2025 18:03 Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në qarkun e Shkodrës, me pasojë dy të plagosur. Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në fshatin Rrjoll, në Malësinë e Madhe. Burime zyrtare nga policia vendore thanë se shoferi N. P., duke drejtuar një automjet tip kamion, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe, si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar. “Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi N. P., si dhe pasagjeri G. P., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën”, bëri me dije policia pas hetimeve paraprake. Shkaku i aksidentit mbetet i panjohur, teksa pritet dëshmia e të dëmtuarve dhe ekspertimi auto-teknik.