
Dekodon sinjalet e trurit, implementohet te pacienti i tretë çipi Neuralink
Teknologjia duket se po ecën me ritme të paimagjinueshme në dekadat e fundit.
Së fundmi një lajm vjen nga kompania e neuroteknologjisë, Neuralink, e cila ka implementuar çipin e saj tek një pacient i tretë, ndërsa ka në plan të implantojë deri në 30 persona gjatë këtij viti.
Por çfarë është në të vërtetë Neuralink dhe si funksionon?
E themeluar nga miliarderi i teknologjisë Elon Musk në vitin 2016, Neuralink ka bërë implantimin e parë rreth një vit më parë. Teknologjia e saj punon duke synuar neuronet individuale dhe dekoduar sinjalet e trurit, duke mundësuar përdorimin e pajisjeve vetëm përmes mendimit.
Një nga pacientët, Noland Arbaugh, i paralizuar nga supet e poshtë pas një aksidenti, ka demonstruar se mund të luajë shah, video lojëra dhe të mësojë gjuhë të reja vetëm përmes kësaj pajisjeje.
Si implantohet çipi?
Çipi Neuralink, më i vogël se një monedhë, implantohet në kafkë me tela mikroskopikë që regjistrojnë dhe dekodojnë sinjalet nervore. Këto sinjale kthehen në një njësi marrëse përmes stimulimit elektrik, duke i lejuar përdoruesit të kontrollojnë pajisjet vetëm përmes mendimeve.
Implantimi kryhet nga një robot kirurgjik, dhe çipat e rinj janë përmirësuar me më shumë elektroda, kapacitet më të lartë të të dhënave dhe jetëgjatësi më të madhe të baterisë, sipas Musk.
Sa kushton një çip Neuralink?
Sipas Nasdaq, kostoja e një çipi Neuralink, duke përfshirë ekzaminimet dhe punën, është rreth 10,500 dollarë. Megjithatë, kostoja për siguruesit mund të arrijë deri në 50,000 dollarë për shkak të procedurave kirurgjikale dhe pajisjeve të nevojshme.
Përdorimet e ardhshme të Neuralink
Musk shpreson që në të ardhmen çipat të ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës dhe aftësive njohëse, si dhe në rikthimin e funksioneve motorike, shqisore dhe vizuale të përdoruesve. Gjithashtu, mund të ndihmojë në trajtimin e sëmundjeve neurologjike si epilepsia dhe Parkinsoni.
Edhe pse këto synime janë ambicioze, aplikimet mjekësore të teknologjisë pritet të zgjasin edhe pak kohë derisa të jenë gati për përdorim masiv.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Burimi