I kërkuar nga Gjermania për trafik droge, arrestohet 34-vjeçari në Morinë
Një 34-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës. Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ka ndaluar 34-vjeçarin në hyrje të territorit shqiptar. Arrestimi është kryer pas verifikimit të të dhënave dhe bashkëpunimit me Interpol Tiranën, ku rezultoi se ndaj tij kishte një kërkim ndërkombëtar. Sipas autoriteteve, Gjykata e Wiesbadenit në Gjermani kishte caktuar ndaj 34-vjeçarit masën e sigurisë “arrest në burg”, në lidhje me akuzat për trafikim të lëndëve narkotike. Pas arrestimit, kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, ku do të përballet me procedurat gjyqësore për çështjen për të cilën është shpallur në kërkim.
Burimi:
ntv.al