FSHF do të mbështesë modernizimin për “Arenën e Demave”, për ta përdorur për Euro U-21 2027
19 Nëntor 2026 22:20 Telesport Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027, Federata Shqiptare e Futbollit do të mbështesë modernizimin e stadiumit të Partizanit “Arena e Demave”, përmes pajisjes së tij me materiale dhe mjete të nevojshme për funksionimin dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi në mbledhjen e radhës financimin e këtij investimi, i cili synon të përmbushë nevojat organizative dhe teknike të aktivitetit europian, duke qenë se kompleksi sportiv dhe stadiumi i Partizanit do të përdoren gjatë EURO U-21 2027. Mbështetja e FSHF-së do të mundësohet përmes fondeve të Solidaritetit të UEFA-s që klubi përfiton, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e këtij kompeticioni madhor në Shqipëri.
Burimi:
telesport.al