Kërcënimet e Trump për Groenlandën/ BE pezullon marrëveshjen me SHBA, Unioni: Sovraniteti ynë është në rrezik
Parlamenti Evropian ka ngrirë procesin e zbatimit të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump vijon deklaratat e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Kryetari i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, konfirmoi se “marrëveshja BE–SHBA është pezulluar deri në një njoftim të dytë”, duke bërë të ditur se eurodeputetët kanë ndaluar përkohësisht punën për zbatimin e saj. Në një postim në rrjetet sociale, Lange shkroi se ekipi negociator ka vendosur të pezullojë punën për zbatimin ligjor të të ashtuquajturës Marrëveshje e Turnberry-t. “Janë në rrezik sovraniteti dhe integriteti ynë territorial. Vazhdimi i punës si zakonisht është i pamundur,” theksoi ai.
Burimi:
javanews.al