No Image Available

Bora zbardh Tropojën, reshjet e para në zonat e larta malore

Reshjet e para të borës janë regjistruar në zonat e larta malore të Tropojës, në qarkun e Kukësit. Gjatë orëve të mëngjesit, dëbora ka mbuluar pjesë të Bjeshkëve të Tropojës, ndërsa temperaturat në lartësi kanë shënuar rënie. Pamje nga zona e Markofçës, të publikuara në rrjetet sociale nga kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, tregojnë terrenin malor të mbuluar nga bora, ndërsa pemët kanë marrë pamje dimërore. Reshjet në zonat e larta shoqërohen me ulje të temperaturave, ndaj drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë drejt këtyre zonave këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të marrin parasysh kushtet atmosferike. Situata në akset rrugore dhe zonat malore vijon të monitorohet nga autoritetet.