Flakët pushtojnë Pukën: Zjarri del jashtë kontrollit, rrezikohen banorët e Gojanit të Vogël
Një situatë alarmante është krijuar në zonën e Pukës, ku një zjarr i përmasave të konsiderueshme vijon të përhapet prej ditësh në sipërfaqe pyjore. Flakët kanë përfshirë zona të Gojanit, Gjegjanit dhe Haxhiajve, duke djegur dhjetëra hektarë pyje dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në masivet e gjelbra. Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në Gojan të Vogël, në Njësinë Administrative Gjegjan, ku zjarri po afrohet me shpejtësi drejt zonës së banuar. Pamjet e siguruara tregojnë përmasat e vatrave të zjarrit, ndërsa tymi ka mbuluar sipërfaqe të mëdha. Strukturat e emergjencave dhe autoritetet vijojnë punën në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa situata mbetet dinamike. Zjarri përbën rrezik për zonat e banuara dhe vijon të shkaktojë dëme të mëdha në pyje.
Burimi:
javanews.al