Shpërthim pranë hidrocentralit Ritom në Zvicër, raportohet për disa të lënduar, të panjohura shkaqet
Një shpërthim është regjistruar paraditen e sotme pranë hidrocentralit Ritom, në zonën e Piotta-s, në Zvicër. Sipas raportimeve të mediave lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 me orën lokale, ndërsa autoritetet janë vënë menjëherë në alarm. Informacionet e para flasin për disa persona të lënduar, por deri në këto momente nuk ka ende të dhëna zyrtare për numrin e tyre apo për gjendjen shëndetësore. Autoritetet lokale kanë konfirmuar se në zonën e impiantit është duke u zhvilluar një operacion i gjerë i emergjencës. Forcat e shpëtimit dhe shërbimet e emergjencës ndodhen në terren, ndërsa rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta. Autoritetet pritet të japin më shumë informacion në vijim, ndërsa operacioni në zonë vijon.
Burimi:
javanews.al