Procedohen dy mjekë neurologë pas vdekjes së një 40-vjeçari, dyshohen për mjekim të pakujdesshëm
Dy mjekë neurologë të Spitalit Rajonal të Shkodrës janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë neglizhuar në trajtimin e një 40-vjeçari, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për G. N., 53 vjeç, dhe Dh. U., 68 vjeçe, të dy me profesion mjekë neurologë. Ndaj tyre kanë nisur procedimet për veprat penale “Mjekim i pakujdesshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Nga hetimet paraprake dyshohet se dy mjekët kanë kryer mjekim të pakujdesshëm dhe kanë neglizhuar në trajtimin e F. K., 40 vjeç. Pacienti është dërguar më pas në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ka ndërruar jetë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të rastit.
Burimi:
javanews.al