Përplasen në ajër dy avionë të vegjël në Itali, plagoset njëri nga pilotët –
Dy avionë të vegjël u përplasën në ajër të shtunën në provincën veriore të Modenës, në Itali, duke lënë të plagosur një pilot, raportoi agjencia e lajmeve ANSA. Përplasja ndodhi në një fushë aviacioni për avionë e lehtë në Sassuolo, një bashki në provincën e Modenës, sipas agjencisë së lajmeve. Njëri prej avionëve arriti të kryente një ulje emergjente, ndërsa tjetri u rrëzua në tokë, bëhet e ditur në raportim. Piloti i avionit që kreu uljen emergjente shpëtoi pa lëndime, ndërsa piloti i avionit që u rrëzua mbeti i plagosur dhe u transportua në spital. Zjarrfikësit dhe një helikopter i urgjencës mjekësore u dërguan në vendngjarje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e përplasjes në ajër.
Burimi:
javanews.al