Nisin xhirimet e filmit të shkurtër “Deltar”
Kanë nisur xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Deltar”, me regji të Ibër Dearit, ndërsa producent dhe skenarist është Afrim Muçaj. Filmi është i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. “Deltar” sjell historinë e një djaloshi që detyrohet të largohet nga shtëpia së bashku me familjen e tij, ndërsa qeni i tij mbetet pas, i lidhur në zinxhir. Përmes kësaj historie, filmi trajton temat e luftës, braktisjes, humbjes, ikjes dhe ndarjes, duke sjellë në qendër përjetimin e një fëmije që detyrohet të lërë pas shtëpinë, vendin dhe gjithçka që njeh e do. Në kastin e filmit janë Ledion Mulaki, Afrim Muçaj, Gentrit Shala, Mia Muçaj, Valon Nuhiu dhe aktorë të tjerë./KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com