Kurti pret Besiana Kadarenë, hapet ekspozita “Kosova e Kadaresë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur pasditen e sotme në takim Besiana Kadarenë, me rastin e hapjes së ekspozitës “Kosova e Kadaresë”, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Ekspozita prezanton për herë të parë arkivin personal të shkrimtarit, me letra të rralla drejtuar liderëve botërorë, dorëshkrime, objekte personale dhe materiale të tjera arkivore. Në mesin e tyre është edhe dorëshkrimi i ditarit të vetëm të Kadaresë, të mbajtur gjatë luftës në Kosovë dhe të botuar me titullin “Ra ky mort e u pamë”. Ky dorëshkrim po ekspozohet për herë të parë dhe i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ekspozita “Kosova e Kadaresë” është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe sjell në vëmendje lidhjen e veçantë të shkrimtarit me Kosovën./KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com