Zjarri përfshin masivin pyjor në Kukës, zjarrfikësit në terren për shuarjen e flakëve
Një zjarr ka rënë këtë të shtunë në masivin pyjor të zonës së quajtur “Suka e Mamëzit”, në Njësinë Administrative Kolsh, Bashkia Kukës. Në vendngjarje kanë ndërhyrë 8 punonjës të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSh) Kukës, së bashku me një mjet zjarrfikës, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve, të favorizuara edhe nga era. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me bar të thatë, shkurre dhe lëndë drusore, kryesisht lis. Ky shënon rastin e parë të një zjarri në masivet e larta pyjore të Kukësit për këtë vit. Deri më tani nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa shërbimet zjarrfikëse vijojnë punën në terrenin e vështirë malor për izolimin e plotë të vatrës.
Burimi:
syri.net