Goditi me grusht qytetarin gjatë tubimit, kryepolici Hita pezullon efektivin e “Shqiponjave”, nis edhe hetimi!
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra këtë të hënë, 14 shtator, një efektiv të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku ai shfaqet duke goditur me grusht një qytetar të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në “Rrugën e Durrësit”, në Tiranë. Siç njoftohet zyrtarisht, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi menjëherë pezullimin e efektivit, inspektor J. H. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor ndaj tij. Hetimi do të fokusohet te përdorimi i dyshuar i paligjshëm dhe i pajustifikuar i forcës. Policia e Shtetit deklaron se nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit dhe standardeve profesionale nga punonjësit e saj.
Burimi:
javanews.al