“Die Fledermaus” rikthehet në skenën e TKOBAP më 25, 26 dhe 27 shtator
13 September, 2026 - 23:00 Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor sjell në skenë operetën e njohur “Die Fledermaus” të Johann Strauss II, më 25, 26 dhe 27 shtator. E cilësuar si një nga veprat më të dashura të repertorit të operetës, “Die Fledermaus” rrëfen një histori plot keqkuptime, identitete të rreme, flirt, sekrete dhe situata komike. Në qendër të ngjarjeve është një festë me maska, ku hakmarrja shndërrohet në një sërë episodesh të paparashikueshme, të shoqëruara nga ritmet karakteristike të valsit vjenez. Me humor, elegancë dhe atmosferë festive, shfaqja premton një mbrëmje të mbushur me muzikë dhe argëtim, ku maskat bien njëra pas tjetrës dhe sekretet dalin në dritë. Biletat mund të gjenden pranë biletarisë së TKOBAP-së, nga e hëna në të diel, në oraret 10:00–14:00 dhe 16:00–20:00. Ditën e shfaqjes, biletaria do të jetë e hapur 10:00–14:00 dhe 16:00–19:30. “Die Fledermaus” është një ftesë për të përjetuar një festë ku asgjë nuk është ashtu siç duket dhe ku, deri në fund, askujt nuk mund t’i besohet plotësisht./KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com