Category: Politikë

  • Rama kritika për ‘Paketën e Maleve’, kryeministri: Kryebashkiakët të mos vonojnë hartat e zonave ku do investohet

    Rama kritika për ‘Paketën e Maleve’, kryeministri: Kryebashkiakët të mos vonojnë hartat e zonave ku do investohet

    Kryeministri Edi Rama priti me kritika kryebashkiakët e vendit që nuk kanë dorëzuar hartat me zonat prioritare ku mund të zhvillohet Paketa e Maleve.
    Gjatë një takimi me ta, kreu i qeverisë u shpreh se drejtuesit e bashkive nuk mund të tregohen neglizhentë pasi qytetarët kanë treguar interes për të investuar.
    “Kjo vonesë është dekurajuese për ata që e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në proces prej disa muajsh nuk kanë marrë përgjigje. Kjo është e kundërta e frymës me të cilën u konceptua dhe u aprovua kjo paketë”, tha Rama.

    Me batuta, nuk toleroi as kryebashkiakët e djathtë, teksa kërkoi një task-forcë që do të piketojë zonat ku mund të investohet.
    “Edhe Memaliaj e Fushë Arrëzi që janë hudhrat që na mbrojnë nga syri i keq me lëkurën e tyre blu, nuk na kanë sjellë gjë, kështu që iu kanë shpëtuar nga vënia në pozitë të vështirë. Kjo tregon që si majtas si djathtas, shqiptarët flenë gjumë. Brenda muajit tetor, duhet të vijnë të gjitha harta”, theksoi ai.
    Përsëriti sërish se me anë të Paketës së Maleve, qytetarët që më herët nuk kanë pasur tapitë e tokave të tyre do të kenë lehtësi në marrjen e dokumenteve.
    “Një pronë që e disponon defacto por nuk e disponon me letra, dhe për këtë arsye unë i kam thënë disa deputetëve që të bëjnë amendimet përkatëse të ligjit dhe me shpejtësi të lehtësohet ligjit nga ngarkesat e tepërta. Ngarkesat nuk kanë lidhje me vonesën nga ana juaj”, tha Rama.
    Sipas të dhënave, 4 mijë qytetarë kanë shprehur interesin për të përfituar nga paketa e maleve./vizionplus.tv

  • “Qeveria ndërhyri brutalisht në zgjedhje”, Berisha reagon për raportin e OSBE/ODIHR: U faktua farsa zgjedhore

    “Qeveria ndërhyri brutalisht në zgjedhje”, Berisha reagon për raportin e OSBE/ODIHR: U faktua farsa zgjedhore

    Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.

    Berisha thotë se raporti i OSBE/ODIHR ka faktuar farsën zgjedhore.
    “Edi Rama ka zgjedhur heshtjen dhe mashtrimin për të mbuluar dështimin e tij të plotë dhe total në ndryshimin e raportit fatal për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vëzhguesve ndërkombëtarë.Siç kisha paralajmëruar, siç kisha paraqitur dokumente zyrtare që faktonin ndërhyrjet brutale të qeverisë shqiptare pranë institucioneve të vëzhgimit dhe direkt vëzhguesve ndërkombëtarë për të ndryshuar termat e përdorura në raportin e tyre për zgjedhjet e 11 majit, janë bërë përpjekje, të cilat me kënaqësi të madhe u them shqiptarëve se patën zero efekt”-tha Berisha.
    Berisha shtoi se “është në meritën më të madhe të institucioneve që vëzhguan zgjedhjet, që i qëndruan fjalë për fjalë të gjitha konstatimeve që faktojnë një farsë të vërtetë elektorale më 11 maj. Raporti përfundimtar mbështet plotësisht tezat e raportit paraprak se në zgjedhjet e 11 majit u shkelën parimet themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve, të mishëruara në Kartën e Kopenhagenit, në platformën e Këshillit të Europës për zgjedhjet, në Kodin e Venecias, në dokumentet më serioze ndërkombëtare për zgjedhjet. Ato faktojnë se kodi zgjedhor në nenet e tij për përcaktimin e rregullave të fushatave elektorale u thye 4500 herë me evente të ndaluara gjatë fushatës elektorale. 4500 ngjarje, që po t’i llogarisësh, përbëjnë një shumë prej dhjetëra dhe qindra milionë eurosh, të përdorura këto ngjarje vetëm për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë gjer ditën e fundit 7 milionë euro për organizatën private të Giro D’Italia”.

    Top Channel

  • “Bëj autokritikë që nuk e ke sjellë hartën”, kryebashkiakja e Roskovecit me Ramën: S’e kemi përfunduar, faleminderit që nuk na…

    “Bëj autokritikë që nuk e ke sjellë hartën”, kryebashkiakja e Roskovecit me Ramën: S’e kemi përfunduar, faleminderit që nuk na…

    Majlinda Bufi ishte mes kryebashkiakëve që nuk kishte dorëzuar hartën e zonave për Paketën e Maleve, dhe kryeministri Edi Rama i kërkoi që të bënte autokritikë.

    Kryebashkiakia e Roskovecit pranoi të bënte autokritikë, duke premtuar se do e sjellë hartën.
    Pjesë nga diskutimi: 
    Edi Rama: Duhet të vijë harta për zhvillimet rurale, ke pasur Adamin e fermerëve në Pogradec. Mendoj se ti duhet t’i kesh sjellë hartat?
    Majlinda Bufi: E vërteta është se nuk i kam sjellë. Padyshim që është autorkitikë jo vetëm për mua, por edhe për ata që nuk i kanë sjellë.
    Edi Rama: Bëj autokritikë.
    Majlinda Bufi: Është autokritikë. Ne kemi nisur pak punën, por nuk e kemi finalizuar. Nuk ka vend për të thënë fjalë të tjera, më shumë prishet. Faleminderit që nuk na kritikove hapur.
    Edi Rama: Që të mbetesh në një rresht me Memaliajn dhe Fushë-Arrëzin, kjo nuk më pëlqen. Jepja pak atij mikut tim nga Fushë-Arrëzi.

    Top Channel

  • OSBE/ODIHR del me 25 rekomandime për reformën zgjedhore: Depolitizoni komisionet, merrni masa për keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje

    OSBE/ODIHR del me 25 rekomandime për reformën zgjedhore: Depolitizoni komisionet, merrni masa për keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje

    Misioni i OSBE/ODIHR ka bërë 25 rekomandime në përfundim të zgjedhjeve të 11 Majit që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, fushatën elektorale dhe parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve.

    “Këto rekomandime duhet të lexohen në lidhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it që ende nuk janë adresuar. ODIHR shpreh gatishmërinë për të ndihmuar autoritetet e Shqipërisë në përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor dhe për të adresuar rekomandimet e përfshira në këtë dhe në raportet e mëparshme”, thuhet në raport.
    REKOMANDIME PRIORITARE
    * Për të adresuar rekomandimet e papërmbushura të ODIHR-it, si dhe paqartësitë dhe mospërputhjet e ndryshme, korniza ligjore zgjedhore duhet të reformohet në mënyrë tërësore përmes një procesi konsultativ gjithëpërfshirës, shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.* Për të siguruar stabilitetin e administratës zgjedhore, duhet të konsiderohet depolitizimi i procedurës së emërimit të komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, si dhe kufizimi i zëvendësimeve arbitrare dhe në momentet e fundit të anëtarëve të komisioneve, për të garantuar trajnimin e duhur dhe në kohë për të gjithë anëtarët.* Për të forcuar kapacitetin dhe profesionalizmin e Grupeve të Numërimit të Fletëve të Votimit, KQZ duhet të organizojë sesione specifike trajnimi për procedurat e numërimit dhe të zhvillojë një kurrikul trajnimi të standardizuar, duke përfshirë manuale dhe fletëinformime të lehta për t’u kuptuar mbi procesin e numërimit.* Përpjekjet për edukimin e votuesve mbi votimin elektronik duhet të intensifikohen, me fokus në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve për procedurat e votimit elektronik dhe sigurimin që të gjithë votuesit të jenë në gjendje të votojnë në mënyrë të pavarur.* Për të eliminuar çdo paqartësi në legjislacion në lidhje me fushatën, përdorimi i burimeve administrative për qëllime elektorale duhet të ndalohet nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit.* Për të siguruar kushte të barabarta gare, autoritetet duhet të marrin masa për të parandaluar keqpërdorimin e funksionit dhe të burimeve shtetërore. Sanksione proporcionale dhe ndëshkuese duhet të vendosen me shpejtësi ndaj shkeljeve të tilla.* Në përputhje me praktikat e mira, ligji duhet të përcaktojë qartë cilat aktivitete paraelektorale përbëjnë shpenzime fushate, në mënyrë që ato të jenë subjekt i raportimit, mbikëqyrjes dhe sanksioneve përkatëse.* Materialet filmike të përgatitura nga partitë politike ose autoritetet qeveritare duhet të etiketohen qartë si reklama politike dhe për rrjedhojë të ndalohen në programet e lajmeve dhe në përmbajtjen editoriale. Duhet të jenë në fuqi masa efektive për të adresuar shkeljet dhe ato duhet të zbatohen në kohë.
    REKOMANDIME TË TJERAAdministrata Zgjedhore* Për të forcuar kapacitetin dhe profesionalizmin e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, KQZ duhet të zhvillojë një kurrikul të standardizuar trajnimi, duke përfshirë manuale dhe fletëinformime të thjeshta për proceset.* Gjatë përcaktimit të vendndodhjeve të qendrave të votimit, autoritetet zgjedhore dhe bashkitë duhet të marrin masa proaktive për të siguruar aksesueshmëri të plotë për personat me aftësi të kufizuara.* Për të siguruar pjesëmarrje më të gjerë të grave, KQZ duhet të garantojë që komisionet zgjedhore të niveleve të ulëta të jenë të balancuara gjinorisht, duke përfshirë edhe emërimin e grave në pozicione drejtuese.
    Përdorimi i Teknologjisë në Zgjedhje* Për të mbrojtur integritetin dhe për të rritur besimin publik, vendimet për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje duhet të respektojnë kuadrin ekzistues rregullator dhe të mos merren nën presion politik.* Nëse në të ardhmen merret në konsideratë zgjerimi i votimit elektronik, përdorimi i teknologjisë duhet të menaxhohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të integruar.
    Regjistrimi i Votuesve
    * Për të respektuar standardet ndërkombëtare dhe për të garantuar të drejtën universale të votës dhe trajtimin e barabartë para ligjit, të gjitha kufizimet e së drejtës së votës bazuar në aftësi të kufizuara intelektuale ose psikosociale duhet të hiqen, përfshirë ato të bazuara në vlerësime individuale nga gjykatat.
    Fushata Zgjedhore
    * Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse me palët e interesuara, aktivitetet e fushatës dhe reklamat politike në rrjetet sociale, përfshirë financimin e tyre, duhet të rregullohen duke respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes.* Për të mbrojtur shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve, organet e rendit duhet të bëjnë çdo përpjekje për të identifikuar dhe hetuar të gjitha akuzat për shkelje zgjedhore, në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente. Votuesit duhet të informohen sistematikisht për mekanizmat e raportimit të shkeljeve, përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe garancitë kundër hakmarrjeve.* Për të rritur pjesëmarrjen politike të grave, financimi publik mund të lidhet me masa konkrete gjithëpërfshirjeje. Partitë politike duhet të konsiderojnë reforma të mekanizmave të brendshëm për të rritur përfaqësimin e grave në strukturat e partive, përfshirë aksesin në fonde.
    Financimi i Fushatës* Për të siguruar kushte të barabarta gare, korniza ligjore duhet të përfshijë një tavan të arsyeshëm për shpenzimet e fushatës për kandidatët që garojnë në lista partie ose koalicioni.* Për të rritur transparencën, autoritetet duhet të konsiderojnë rregullimin e fushatave online dhe të palëve të treta, përfshirë entitetet e lidhura me partitë politike, si dhe përcaktimin e kushteve përkatëse për raportim dhe mekanizma sanksionues.* Për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien, KQZ-së duhet t’i jepen burime shtesë financiare dhe njerëzore, si dhe një mandat i zgjeruar, për të mundësuar auditim të plotë të raporteve financiare të fushatës, përfshirë fuqinë për të hetuar burimet e donacioneve.
    Media* Autoritetet shtetërore, për të përmbushur detyrimet e tyre pozitive sipas të drejtës ndërkombëtare, duhet të promovojnë një mjedis mediatik të pavarur dhe të larmishëm, të lirë nga ndikimi politik dhe ai korporativ. Duhet të miratohet një rregullore gjithëpërfshirëse për pronësinë e mediave dhe të forcohet zbatimi efektiv i saj. Gjithashtu, duhet të zbatohen masa për mbrojtjen e autonomisë editoriale nga ndikimet politike dhe të biznesit.* Ndryshimet ligjore duhet të sigurojnë depolitizim efektiv dhe pavarësi të vërtetë institucionale të transmetuesit publik dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare. Këto ndryshime duhet të përfshijnë konsultime të gjera publike me median e pavarur dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.* Shpifja duhet të dekriminalizohet plotësisht dhe dispozitat civile për shpifjen të përshtaten me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.* Rregullat e Kodit Zgjedhor për ndarjen e kohës televizive në mbulimin editorial duhet të ndryshohen për të reduktuar avantazhin e dhënë partive më të mëdha parlamentare dhe për të siguruar një ndarje më të drejtë të hapësirës për të gjithë garuesit.
    Dita e Zgjedhjeve* KQZ duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar frikësimin dhe ndikimin e padrejtë ndaj votuesve në qendrat e votimit, duke forcuar trajnimin dhe mandatin e koordinatorëve të sigurisë në qendrat e votimit, për të garantuar që ata të jenë politikisht të pavarur dhe të fuqizuar për të vepruar në mënyrë efektive në ditën e zgjedhjeve.

    Top Channel

  • Rama kritikon kryebashkiakët për Paketën e Maleve, cilët janë të zgjedhurit e PS që shënjestroi kryeministri (Batutat)

    Rama kritikon kryebashkiakët për Paketën e Maleve, cilët janë të zgjedhurit e PS që shënjestroi kryeministri (Batutat)

    Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të paketë së maleve, nuk ka kursyer kritikat dhe batutat për mungesën paraqitjes së hartave përcaktuese.

    Rama e nisi fillimisht me kryetarin e Bashkisë së Kuçovës, më pas i vijoi kritikat me Juliana Memën, Albert Halilajn, Majlinda Bufin, Gëzim Topçiun dhe Klement Ndonin.
    “E pranoj që paketa ka disa ngarkesa të tepërta, nga pikëpamja burokratike edhe pse është me lehtësuar seç ka qenë më parë. Unë i kam thënë edhe disa deputetëve, që të bëjnë amendimet përkatëse të ligjit. Vonesa nga ana juaj është e juaja. Pse nuk e ke dërguar në qeveri? Ku e ke dorëzuar? (I drejtohet kryetarit të Bashkisë së Kuçovës-Kreshnik Hajdari). Ta drejtova pyetjen, jo vetëm ty por edhe atyre që tundin kokën. Nëse ti pret përgjigje nga ASHK, nuk e ke kuptuar ligjin, nuk e ke kuptuar paketën e maleve.
    Njerëzit mund ta kenë tokën, por nuk kanë marrë dokumentin që i jep me letër atë që ka në zakon dhe duan të investojnë në tokën e tyre mirëpo të gjithë kemi ngritur duart lart se nuk kanë letrat. Bëmë ligjin 20/20 për të adresuar këtë problem. Ne kemi ndërtuar këtë paketë që t’i japë mundësi atij që ka tokën që të vijë në bashki e të thotë ‘dua të ndërtoj këtu’. As ti (I drejtohet kryebashkiakes së Dimalit-Juliana Mema) nuk e ke sjellë kështu mos pyet Ilir Xhakollin (Kryebashkiaku i Pogradecit). Po të them për paketën që paketa i jep përgjigje edhe asaj problematike që nuk ia jep ligji 20/ 20. Unë po them të njëjtën gjë. Unë e di që ke kapacitetet e Leninint që të flasësh me 7 veta në të njëjtën kohë (I drejtohet kryebashkiakes së Dimalit-Juliana Mema).
    Ajo që ne kemi pritur është që procesi të ngece, është hapi juaj që të përcaktoni zonat, që në këto zona duam të hapim rrugën e kësaj pakete, duke praktikisht përjashtuar vetëm ato pjesë që janë zona të mbrojtura. Pse nuk bëhet kjo? Çfarë e pengon këtë punë, që njerëzit të rrinë të presin t’u hapet rruga. Nuk kemi hartat e zonave të përcaktuara. Do të ju lutesha shumë që të përcaktoni zonat, duke përfshirë sa më shumë territore, përveç atyre pikave që për arsye ligjore është e pamundur të investohet.
    Më dëgjon ti kryetari i Bashkisë së Kukësit (Albert Halilaj)?!. Më dëgjon?! Por se di nëse më kupton?! Një nga shtysat për këtë paketë kanë qenë kuksianët, ku niveli i interesimit për të investuar është shumë i lartë nga ata që janë në emigracion. Sa herë kam ardhura atje zotrote ka ke ngritur si problem. Ka pesë muaj që i ke në dispozicion, të gjithë instrumentet, e ti koma nuk ke sjellë hartën”, tha Rama.
    Majlinda Bufi ishte mes kryebashkiakëve që nuk kishte dorëzuar hartën e zonave për Paketën e Maleve, dhe kryeministri Edi Rama i kërkoi që të bënte autokritikë. Kryebashkiakia e Roskovecit pranoi të bënte autokritikë, duke premtuar se do e sjellë hartën.
    Edi Rama: Duhet të vijë harta për zhvillimet rurale, ke pasur Adamin e fermerëve në Pogradec. Mendoj se ti duhet t’i kesh sjellë hartat?
    Majlinda Bufi: E vërteta është se nuk i kam sjellë. Padyshim që është autorkitikë jo vetëm për mua, por edhe për ata që nuk i kanë sjellë.
    Edi Rama: Bëj autokritikë.
    Majlinda Bufi: Është autokritikë. Ne kemi nisur pak punën, por nuk e kemi finalizuar. Nuk ka vend për të thënë fjalë të tjera, më shumë prishet. Faleminderit që nuk na kritikove hapur.
    Edi Rama: Që të mbetesh në një rresht me Memaliajn dhe Fushë-Arrëzin, kjo nuk më pëlqen. Jepja pak atij mikut tim nga Fushë-Arrëzi.
    Rama nuk i kurseu batutat as me kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiu, i cili ka shtatë mandate në këtë post.
    “Ju lutem shumë fokusohuni në këtë instrument sepse do t’ju japë shumë krah dhe mbi të gjitha është detyrimi që i keni atyre njerëzve që duan të investojnë në tokën e të parëve të tyre. Gëzim, por ti si më zhgënjeve sot. Është hera e parë që më zhgënjen, je legjenda e pushtetit vendor. Sa mandate ke, 7 apo 8? Jepja pak mikrofonin. Pas mandatit të 4 e vendos ti kur ik, sepse të harrojnë aty njerëzit, nuk të lëviz njeri. Ja 7 mandate ka ai”, tha kryeministri.
    Rama nuk i kurseu batutat as me Klement Ndonin, kryetarin e bashkisë së Këlcyrës. Kryeministri i kërkoi të bëjë një projekt, dhe nëse do e niste brenda muajit, tha me batutë se do e vendoste në vend të Ali Pashës dhe do e duartrokiste për 5 minuta.
    “Po Dropulli pse nuk ka sjellë akoma hartën. Brenda tre ditëve? Ç’a s’bëhet për tre vjet bëhet për tre ditë këtu. Dëgjove ti Klement? Se ta kam thënë qëkur jemi njohur, se kemi qenë në opozitë, se ti nuk ke qime në mjekër se je i ri, por flokët i ke të bardha, gjithë ajo që e bukur që ke atje, bëje një gjë të bukur.
    Je duke u marrë po (qesh), por nuk je Benjamin Button që shkon duke u bërë më i ri, kështu që bëje një projekt atje. Brenda muajit do ta fillosh, po e fillove atë brenda muajit, të gjithë këta që janë këtu do të më mirëkuptojnë të vijmë atje dhe atje dot ë shkojmë në Tepelenë, Tërmeti me dorën e vet do ta heqë Ali Pashën dhe pa të hipur tu atje që të rrish 5 minuta dhe ne do të duartrokasim 5 minuta, të jap fjalën. Monument nuk të bëjmë dot”, tha Rama.
     

    Top Channel

  • Firmosi shembjen e Teatrit Kombëtar, Rama shpërblen violinisten me postin e zëvendësministres së Arsimit

    Firmosi shembjen e Teatrit Kombëtar, Rama shpërblen violinisten me postin e zëvendësministres së Arsimit

    Shërbëtorët e bindur e të nënshtruar të Edi Ramës gjithmonë shpërblehen. Kushdo që i ka vënë fytyrën apo firmën punëve të pista të shefit të Rilindjes, ka marrë diçka prej pushtetit të tij.

    Kjo është një trajektore që ne kemi parë prej kohës kur ai ishte në bashki dhe deri më sot kur drejton Shqipërinë prej 13 vitesh.

    Siç mëson Lapsi.al, në mbledhjen e sotme të qeverisë, Herida Duro është emëruar zëvendësministre e Arsimit. Një violiniste me profesion që do të bëjë dhe implementojë politika në fushën e arsimit.

    Diçka që bën pak sens, por oborri i pushtetit të Ramës ka parë plot çudi të tilla. Është gati normalitet katapultimi i njerëzve në këtë formë. Por arsye thelbësore e emërimit të saj në postin e zëvendësministres, me siguri është kontributi që Herida Duro ka dhënë në shembjen e Tetarit Kombëtar.

    Asokohe ajo ka qenë drejtoreshë në Ministrinë e Kulturës dhe pjesë e grupit të punës që bënë vlerësimin e Teatrit Kombëtar, nëse duhej shembur apo jo.

  • “Futeni bashkinë në punë”/ Rama i ashpër me Kryebashkiakët: Boll morët lekë nga shteti

    “Futeni bashkinë në punë”/ Rama i ashpër me Kryebashkiakët: Boll morët lekë nga shteti

    Kryeministri, Edi Rama u bëri thirrje kryebashkiakëve të vendit që t’i fusni bashkitë në punë që të gjenerojnë lekë, dhe sipas tij, mos përdorin vetëm buxhetin e shtetit.
    Rama tha se shembull në këtë rast duhet të merren bashkitë në vendin fqinj, në Greqi.
    “Siç janë tërë bashkitë në jugun e këtij rajoni fqinjët tanë në Greqi. Që janë bashkitë partnere, në shumë struktura që janë mikpritëse.
    Po bëjeni një partneritet, futeni bashkinë që të nxjerrë lekë . Jo vetëm para të shteti apo buxhetit, por dhe të gjenerohen disa para.”, tha Rama.

  • “Konstatime tronditëse”/ OSBE-ODIHR, reagon Gjekmarkaj: Zgjedhjet u dominuan…

    “Konstatime tronditëse”/ OSBE-ODIHR, reagon Gjekmarkaj: Zgjedhjet u dominuan…

    Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka reaguar në lidhje me raportin e OSBE/ODIHIR-it për zgjedhjet e 11 majit.
    Në një mesazh në ‘Facebook’, Gjekmarkaj theksoi se Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë. Sipas tij, konstatimet tronditëse të OSBE-së mbi zgjedhjet, rrëzojnë pretendimet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
    REAGIMI I GJEKMARKAJT:
    Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet.
    Konstatimet tronditëse të raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, rrëzojnë përfundimisht çdo pretendim për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë. Ky raport ndërkombëtar, i hartuar nga një organizatë e paanshme dhe me autoritet të lartë, përbën një akt akuzë të qartë ndaj regjimit të Edi Ramës dhe mënyrës se si ai ka shkatërruar standardet demokratike në Shqipëri.
    OSBE/ODIHR konfirmon se zgjedhjet u dominuan plotësisht nga partia në pushtet, e cila përdori shtetin si mjet elektoral dhe jo si institucion publik. Administrata shtetërore u shfrytëzua për fushatë, burimet publike u keqpërdorën në mënyrë sistematike dhe punonjësit e shtetit u vendosën nën presion politik për të mbështetur mazhorancën.
    Vota e lirë u zëvendësua me votën e frikës dhe nënshtrimit. Raporti i OSBE/ODIHR evidenton gjithashtu kapjen totale të mediave, mbytjen e pluralizmit dhe zëvendësimin e informacionit të vërtetë me propagandë qeveritare. Në vend të një fushe të barabartë garimi, qytetarët u përballën me një realitet të kontrolluar, ku çdo burim publik, çdo ekran dhe çdo institucion u përdor për interesat elektorale të partisë në pushtet.
    Një tjetër shqetësim serioz që nënvizon raporti është ekzistenca e sistemit të patronazhistëve, që përbën një formë të organizuar të kontrollit politik mbi qytetarët dhe votuesit shqiptarë. Ky fenomen, i konsideruar i papranueshëm nga standardet ndërkombëtare, tregon se pushteti i Ramës ka ngritur një mekanizëm survejimi dhe frikësimi për të manipuluar procesin demokratik.
    Edhe dita e votimit, që propaganda e qeverisë e quajti “të qetë”, rezulton në raport të ketë qenë e mbushur me parregullsi dhe shkelje të rënda të ligjit. Strukturat lokale të pushtetit u përdorën për të ushtruar ndikim dhe për të kontrolluar procesin në çdo hallkë të tij.
    Ky raport i OSBE/ODIHR është dëshmia më e qartë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Ai konfirmon se procesi u zhvillua nën dominimin e plotë të partisë-shtet dhe se vullneti i qytetarëve shqiptarë u deformua përmes presionit, frikës dhe manipulimit.
    Mazhoranca aktuale është politikisht dhe moralisht ilegjitime. Shqipëria nuk mund të quhet demokraci për sa kohë vota nuk është e lirë dhe shteti përdoret kundër qytetarëve të vet. PD do të vazhdojë betejën për rikthimin e demokracisë reale, për zgjedhje të lira dhe për një shtet që i shërben popullit, jo partisë.

  • Para 5 muajsh shtinte fall për Ramën, aktorja e humorit bëhet e ‘pavarur’: Kandidoj në Tepelenë

    Para 5 muajsh shtinte fall për Ramën, aktorja e humorit bëhet e ‘pavarur’: Kandidoj në Tepelenë

    Aktorja e njohur Delinda Disha, e cila gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit kishte dhënë fall për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në një tubim elektoral në Fier, ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë Tepelenë.
    Përmes një postimi në Instagram Story, Disha shkroi:
    “Mirëmëngjes miq! Nga sot jam e lumtur të ndaj me ju lajmin si kandidate e pavarur për kryetare në Bashkinë Tepelenë! Me respekt, Delinda Zhupa Disha.”
    Me këtë njoftim, aktorja bëhet kandidatja e dytë nga bota e aktrimit që merr pjesë në zgjedhjet vendore, pas Florian Binajt, i cili garon si i pavarur për Bashkinë Tiranë.
    Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Tepelenë do të zhvillohen më 9 nëntor 2025, dhe Disha pritet të sfidojë kandidatët e partive kryesore në garën për kryetar bashkie.

  • Kontradikta më e fundit e Berishës para deputetëve të rinj demokratë

    Kontradikta më e fundit e Berishës para deputetëve të rinj demokratë

    Berisha ka shfaqur dhe njëherë kontradiksionin e tij të thellë në sjellje politike, që me gjasë është dhe tipari i tij karakterial e jo vetëm politik.
    Kështu, para deputetëve të rinj demokratë, në një lloj trajnimi për ta, ai pranoi teprimet e opozitës në sjellje, njëherësh duke pohuar se nuk do lejojë cenimin e parlamentarizmit, edhe pse vetë ai është cenuesi më i madh i saj.
    “Është e vërtetë se opozita mund ta teprojë në qëndrimet e saj. Por kjo nuk do të thotë kurrë të shkatërrohet parlamenti dhe parlamentarizmi. Dhe në fund të fundit, opozita nuk ka detyrë tjetër përveçse të qëndrojë opozitë. Është një fillim i frikshëm i parlamentit këtë vit”, tha Berisha.
    Janë 12 deputetë nga PD të cilët gjenden për herë të parë në parlament. Ata janë: Gjin Gjoni, Arjan Ndoja, Manjola Luku, Artan Luku, Kliti Hoti, Zija Ismaili, Denisa Vata, Bledi Himçi, Klodiana Çapja, Ivi Kaso, Fidel Kreka dhe Besart Xhaferi. Por jo të gjithë ishin prezent para Berishës për ta dëgjuar.
    Deri më tani, i vetmi që ka bërë diferencën ndër ta në cilësinë e fjalës së kumtuar ka qenë, çuditërisht, një tejet i përfolur si personazh, ish-prokurori i Durrësit Arjan Ndoja. /tesheshi.com/