Category: Politikë

  • Balliu në Astir: Qytetarët rrezikohen nga kabinat elektrike, mungon infrastruktura

    Balliu në Astir: Qytetarët rrezikohen nga kabinat elektrike, mungon infrastruktura

    Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, është takuar sot me banorët e Njësisë Administrative nr. 14, në zonën e Astirit, ku qytetarët kanë denoncuar mungesën e theksuar të infrastrukturës dhe një problem serioz që rrezikon jetën e tyre.
    Sipas banorëve, një kabinë elektrike është vendosur në hyrje të pallatit, duke bllokuar hyrjen dhe njëkohësisht rrezikuar jetën e fëmijëve dhe të gjithë banorëve të godinës.
    Deputeti Balliu u shpreh se situata është ‘e turpshme dhe e papranueshme’, duke theksuar se është absurde që ‘në mes të Tiranës, qytetarët të jetojnë me një infrastrukturë të tillë skandaloze, që i ngjan Mesjetës’.
    ‘Është një çmenduri që vetë qeveria dhe pushteti vendor vendosin Kabina elektrike në hyrje të pallateve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Kjo tregon papërgjegjshmëri dhe arrogancë ndaj qytetarëve të kësaj zone që paguajnë taksa por trajtohen si qytetarë të dorës së dytë,’ deklaroi Balliu.
    Deputeti demokrat theksoi se do të ndjekë këtë çështje deri në zgjidhjen përfundimtare dhe do të kërkojë mbajtjen përgjegjëse të institucioneve që kanë lejuar këtë shkelje të rëndë të sigurisë publike.

  • “Balluku shkaktoi dëme sa buxheti i shtetit” – zbulon Ahmetaj, Kopliku: Po hetohet vetëm maja e ajsbergut

    “Balluku shkaktoi dëme sa buxheti i shtetit” – zbulon Ahmetaj, Kopliku: Po hetohet vetëm maja e ajsbergut

    Drejtuesi i ri i departamentit “Brain Gain” në Partinë Demokratike, Ted Kopliku, ka komentuar në një studio televizive vendimin e SPAK-ut për të marrë nën hetim zv/kryeministren Belinda Balluku.
    Kopliku tha se hetimi ndaj numrit dy të qeverisë është një zhvillim i rëndësishëm, por sipas tij, tregon vetëm “majen e ajsbergut” të problemeve që ekzistojnë në drejtësinë shqiptare.
    “SPAK bën lajme. Kemi numrin dy të qeverisë tani, më parë kreun e Bashkisë së Tiranës. Këta sulmohen nga drejtësia, por nuk duhet të harrojmë se Balluku hetohet për majën e ajsbergut për supervizimin e tunelit të Llogarasë, as për tunelin në vetvete, por për supervizimin e tij,” u shpreh Kopliku.
    Ai theksoi se publikut po i jepet përshtypja se po bëhet drejtësi, ndërkohë që sipas tij, dëmet reale për ekonominë nuk po hetohen në mënyrë të plotë.
    “Jepet ideja sikur këtu po bëhet drejtësi, kur ish-zv/kryeministri akuzonte Ballukun se dëmi i saj në ekonomi përllogaritet sa buxheti i shtetit,” shtoi ai.
    Kopliku vuri në dukje se ndonëse është “thyer një tabu” përsa i përket ndjeshmërisë së drejtësisë ndaj figurave të larta politike, hetimet vijojnë të jenë të pjesshme dhe të orientuara.
    “Është thyer një tabu se politikanët nuk janë të paprekshëm, por ka mungesa në drejtësi. Nuk ka hetime për krimin zgjedhor, ndërkohë që OSBE flet për drejtësi të instrumentalizuar që ka goditur opozitën,” theksoi ai.

  • Dy raporte për Peleshin: Këshilli i Legjislacionit hap debat të ri

    Dy raporte për Peleshin: Këshilli i Legjislacionit hap debat të ri

    Përfaqësuesit e shumicës dhe ata të opozitës në Këshillin e Legjislacionit kanë dalë me dy raporte të ndryshme lidhur me kërkesën e demokratëve për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
    Socialistët nuk i shohin si shkelje që çojnë deri në shkarkim pretendimet e demokratëve. Këta të fundit, në dokumentin e hartuar nga relatori i tyre, Ivi Kaso, rreshtojnë 5 shkelje që Niko Peleshi ka bërë në dy seancat plenare, ekzaktësisht të 16 dhe 18 shtatorit, çka sipas demokratëve e bën legjitime kërkesën e tyre për shkarkimin e kryeparlamentarit.
    “Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi, ka thirrur mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16 shtator 2025, pa respektuar afatin e parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit, përkatësisht si rregull 7 ditë përpara. Për rrjedhojë, kjo mbledhje, ashtu si edhe çdo vendimmarrje e saj, është e pavlefshme.
    Kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe ka përfshirë për shqyrtim dhe miratim projektvendime për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, duke mos respektuar afatin e parashikuar nga neni 83, pika 2 e Kushtetutës dhe neni 28, pika 4 e Rregullores së Kuvendit.
    Kryetari i Kuvendit u ka hequr të drejtën deputetëve të Kuvendit për të diskutuar mbi përmbajtjen e projektvendimit, në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe me Rregulloren e Kuvendit.
    Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përsëritur, i ka mohuar Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të drejtën e fjalës për procedurë, në kundërshtim me Rregulloren.
    Kryetari i Kuvendit, në kundërshtim flagrant me nenin 97 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 110 të Rregullores së Kuvendit, nuk ka mundësuar paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga Kryeministri përpara procesit të votimit.
    Në këto kushte, Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, është në kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit për shkarkimin nga kjo detyrë.“
    Por socialistët nuk i shohin si shkelje që çojnë në shkarkimin e kryetarit të Kuvendit ato të relatuara nga demokratët. Në raportin e tij, relatori Damian Gjiknuri i referohet edhe vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Strasburgut për të hedhur poshtë pretendimet e opozitës.
    Deputetët e shumicës parlamentare vlerësojnë se Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, në drejtimin e seancave plenare të datave 16 dhe 18 shtatorit, nuk ka kryer asnjë shkelje të parashikuar në ndonjë dispozitë të Kushtetutës apo të Rregullores së Kuvendit.
    Seanca plenare e datës 16 shtator është thirrur në përputhje me Kushtetutën. Në seancën e datës 18 shtator nuk është Kryetari i Kuvendit që pengoi zhvillimin e debatit, por është situata në sallë që e bëri objektivisht të pamundur zhvillimin e tij.Zënia me dhunë e foltores së Kuvendit apo pengimi i marrjes së fjalës nga ana e deputetëve janë metoda që çojnë pikërisht në bllokimin e punës së Kuvendit.
    Anëtarët e mazhorancës në Këshillin për Legjislacionin i propozojnë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi.
    Këshilli i Legjislacionit ka vetëm rol këshillues, ndaj është seanca plenare e të enjtes që do të vendosë se për kë nga raportet do të votohet me shumicë votash. Mocioni për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit kërkon shumicë të thjeshtë prej 71 votash, por demokratët, të vetëdijshëm për fatin e kërkesës së tyre, e ndërmorën procedurën si një akt politik.

  • Paketa e Maleve, qeveria miraton zonat prioritare për zhvillim në 4 bashki të vendit

    Paketa e Maleve, qeveria miraton zonat prioritare për zhvillim në 4 bashki të vendit

    Foto ilustruese

    TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar në kuadër të ligjit për Paketën e Maleve, zonat prioritare për zhvillimin e ekonomisë malore në disa bashki të vendit. Konkretisht, janë miratuar hartat në bashkitë Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan.
    Një javë më parë, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryebashkiakët e vendit lidhur me Paketën e Maleve. Gjatë takimit, Rama kritikoi disa prej kryebashkiakëve, të clilët nuk kishin dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave hartën me zonat e përzgjedhura si prioritare për zhvillim, në bashkitë përkatëse. Për këtë, kreu i qeverisë vendosi si afatën datën 31 tetor të këtij viti, për dërgimin e hartave me zonat përkatëse që të mundësohet nisja e projekteve. 

    Rama urdhëroi për secilën bashki ngritjen e një task-force që të nxisin njerëzit të investojnë në Paketën e Maleve.
    “Duhet të krijoni një Task Forcë në çdo bashki, që të nxisin njerëzit të investojnë në Paketën e Maleve. 500 të parët që do të marrin kontratën, për 10 vjet nuk do të paguajnë asnjë tatim. Nëse kanë shprehur interes, duhet r’i rrini pronto, të ndihmoni ata që duan të investojnë që të jenë tek 500 të parët”, deklaroi Rama.
    Sipas Ramës ky projekt synon të lehtësojë investimet në zonat rurale dhe malore, duke përmirësuar aksesin në dokumentacion dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këto zona./ZËRI 

  • DENONCIMI i Sali Berishës: Dumani shkoi në shtëpinë e Kreshnik Farrukut, i ka marrë 5 milionë euro

    DENONCIMI i Sali Berishës: Dumani shkoi në shtëpinë e Kreshnik Farrukut, i ka marrë 5 milionë euro

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar së fundmi një informacion i cili ka të bëjë me eksponentin e krimit, Kreshnik Farrukun. Sipas denoncimit të bërë nga Berisha, i cili i referohet “qytetarit dixhital”, eskorta e kreut të Prokurorisë së Posaçme ka udhëtuar mëngjesin e kësaj të mërkure drejt Manzës.
    Në një moment, sipas Berishës, Altin Dumani, është ndarë nga eskorta dhe është drejtuar drejt shtëpisë së Farrukut. Ish-kryeministrit thotë se ky i fundit dyshohet se i ka dhënë 5 milionë euro për të manipuluar dosjen në ngarkim të tij.
    “Breaking News. Qytetari dixhital informon:
    Se Altin Troplinin sot në mëngjes me një eskortë të madhe ka shkuar në Manzë, aty ai vetëm me shoferin është ndarë nga eskorta dhe ka shkuar në shtëpinë e Kreshnik Farrukut për të cilin qytetari dixhital e denoncoi se ka marrë 5 milionë euro për të falsifikuar dosjen”, shkruan ai.

    Postimi i Berishes

    Kush është Kreshnik Farruku:
    I shumëkërkuari Kreshnik Farruku, i cili i konsideruar si një nga shqiptarët më të rrezikshëm të trafikut të kokainës në sasi të mëdha, dhe i dyshuar për disa vrasje mafioze të bujshme u vetëdorëzua në polici në janar të këtij viti.
    Farruku, i cili ka përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi dyshohej si koka e klanit mafioz që kishin kryer një sërë grabitjesh me dhunë. Por autoritetet spanjolle po e hetonin Farrukun që prej vitit 2007, kur gjatë një vale grabitjesh me dhunë mbeti i vrarë në vilën e tij biznesmeni spanjoll José Luis Moreno.
    Policia dyshoi se vrasja ishte kryer nga grupi i Farrukut, por nuk arriti ta provonte. Megjithatë aktiviteti kriminal i Farrukut nis në Shqipëri, me përplasjen e përgjakshme të fisit Farruku në Manëz të Durrësit dhe fisit Kërtalla në Shijak.
    Gjatë pesë viteve këto fise kanë pasur përplasje të shumta, në Tiranë, Durrës dhe Holandë, por prokurorët shqiptarë asnjëherë nuk kanë arritur të provojnë implikimin direkt të tyre në vrasje apo atentate, ndërsa kanë dyshuar se ata kanë përdorur vrasës me pagesë.
    Vetë Kreshnik Farruku, i cili ka ndryshuar mbiemrin duke marrë atë të gruas së tij, Bodlla, i ka shpëtuar disa herë atentateve, i fundit ishte ai i vitit 2015 në zonë e “Don Bosco” në Tiranë, ku mbeti e plagosur rastësisht një kalimtare.

    Kreshnik Farruku

    Atentat i është bërë edhe vëllait të tij Roland Farrukut, ndërsa në Shqipëri, prokuroria i ka sekuestuar Farrukut rreth 1 milion euro pasuri të dyshuar se ishte vënë përmes aktivitetit kriminal.
    Kreshnik Farruku dyshohej edhe për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës. Por pas hetimit, prokurorët spanjollë konkluduan se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, i cili mbeti i vrarë në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.
    Në maj të 2010-ës, Farruku u arrestua së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të bandës, gjatë tentativës për të transportuar në Itali rreth 20 kilogram kokainë. Në vitin 2014 Farruku arriti të arratiset nga burgu spanjoll dhe iu rikthye aktivitetit kriminal, kryesisht trafik droge me bazë në Amsterdam.

  • Marrëveshje Shqipëri-Itali, bashkëpunim në arsim, shëndetësi, energji dhe 7 fusha të tjera

    Marrëveshje Shqipëri-Itali, bashkëpunim në arsim, shëndetësi, energji dhe 7 fusha të tjera

    Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për bashkëpunim strategjik në 10 fusha. 
    Marrëveshja mes dy qeverive përfshin bashkëpunimin në kujdesin shëndetësor, energji, mbrojtjen e mjedisit, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente. 
    Sipas qeverisë, vendimi synon të formalizojë bashkëpunimin strategjik dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë, duke krijuar një kuadër të strukturuar për projekte dhe iniciativa të përbashkëta në fushat e sipërpërmendura. 
     

  • “Më tha kam frikë të auditoj punën e kryeministrit”/ Arben Shehu para deputetëve: Punonjësi i KLSH u largua nga puna

    “Më tha kam frikë të auditoj punën e kryeministrit”/ Arben Shehu para deputetëve: Punonjësi i KLSH u largua nga puna

    Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu është shprehur se punonjësit dhe institucioni që ai drejton duhet të ketë mbështetje ndërkombëtare, për shkak të natyrës së punës për të audituar institucionet më të larta të shtetit. 
    Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Shehu tregoi rastin e një punonjësi që i kishte thënë se kishte frikë të auditonte punën e kryeministrit Edi Rama, dhe më vonë për arsye të paqarta ishte larguar nga detyra. 
    “Kur e kam marrë detyrën jam hasur në momentet e para me shqetësimin e një audituesi për punën audituese. Ka qenë pjesë e stafit auditues në Ministrinë e Jashtme, që në atë periudhë drejtohej nga zv.ministri z. Gent Caka.  
    Ai më ka shprehur pamundësinë për të adresuar gjetjet dhe konstatimet tek ministri. I kam kërkuar shpjegime, një lloj sqarimi të shqetësimit dhe më ka thënë se “nuk është problemi që ne të adresojmë te personat përgjegjës, të cilët kishin vlerësuar si përgjegjës të shkeljeve të mundshme”. 
    Më tha se shqetësimi nuk është transmetimi i gjetjeve te Cakaj, por mungesa e mundësisë për t’ia transmetuar ato kryeministrit, sepse ai duhet të jetë autoriteti drejtues në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka treguar kreu i KLSH-së, Arben Shehu. 
    Rasti që ai ka treguan, bën fjalë gjatë periudhës së qeverisë “Rama 2”, kur Ilir Meta në cilësinë e presidentit të Republikës nuk pranoi të dekretonte Gent Cakaj si ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama mori vetë kompetencat e ministrit, të cilat më pas ia delegoi Cakaj. 
    Megjithatë, si titullar i institucionit njihej Edi Rama, ndërsa me delegim kompetencash detyrën e ushtronte Gent Cakaj. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ka treguar se për shkak të situatave të mëvonshme, punonjësi që kishte frikë të auditonte punën e kryeministrit, u largua nga puna. 
    “Për shkak të situatave të tjera që pasuan, punonjësi është larguar nga institucioni dhe për rrethanat e largimit unë jam i gatshëm që t’ju vë në dispozicion jo vetëm praktikën, por t’ju relatoj gërmë për gërmë historinë e problematikave që ka mbartur. Në vazhdimësi më ka dërguar shkresa të ndryshme. 
    Në një letër që më ka drejtuar, është shprehur se do t’iu kërkojmë institucioneve ndërkombëtare që mua personalisht (Kryetarit të KLSH) t’i jepet suporti i duhur për të audituar punën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, sepse siç shkruante “unë nuk kam mundësi për shkak të frikës që të auditoj punën e kryeministrit”. 
    Tani unë çfarë duhet të bëj në këto lloj situatash? Këto janë raste konkrete, unë i vlerësoj të gjitha. Unë e fus veten tek ata individë që në radhë të parë i frikësohen Zotit dhe zbatimit të ligjit dhe deri në minutën e fundit që do të jem pjesë e do të drejtoj KLSH me korrektesën më maksimale. Këtë e them me përgjegjshmëri të plotë dhe përballem në çdo moment”, tregoi Arben Shehu. 

  • Osmani ndan lajmin: Siria njeh pavarësinë e Kosovës

    Osmani ndan lajmin: Siria njeh pavarësinë e Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Republika Arabe e Sirisë ka njohur pavarësinë e Kosovës.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë Osmani përmes një postimi në rrjete sociale, ku njoftoi se marrëveshja është arritur sot në Riad.

    Ajo tha se njohja u bë e mundur me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

    “Sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” shkroi Osmani.

    Presidentja shtoi se kjo njohje është më shumë se një akt formal diplomatik, duke e quajtur “njohje të sakrificës së shumë brezave për liri”.

    “Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” theksoi ajo.

    Në fund, Osmani falënderoi Princin e Kurorës së Arabisë Saudite për ndërmjetësimin dhe theksoi se me këtë njohje, Kosova tani njihet nga 120 shtete të botës.

    “Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë,” përfundoi Presidentja Osmani.

    Siria është bërë kështu shteti i 119-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

  • A do jetë Sali Berisha afër jush në miting? Flet i ‘pavaruri’ i Bashkisë Vlorë: Jo sepse ….

    A do jetë Sali Berisha afër jush në miting? Flet i ‘pavaruri’ i Bashkisë Vlorë: Jo sepse ….

    Dionis Sota, i cili do të garojë si kandidatë i pavarur për të drejtuar Bashkinë e Vlorës, ndërsa mbështetet nga PD e Sali Berishës dhe parti të tjera opozitare, ka deklaruar se ka qenë zgjidhje e tija që të kandidonte si i pavarur në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit.
    I ftuar në një emision televiziv, i pyetur nëse Berisha do të jetë i pranishëm në fushatën që ai do të zhvillojë, Sota e mohoi këtë.
    ‘Sepse unë vijë nga shoqëria civile dhe nga biznesi. Unë kam qenë i qartë që do kandidoja i pavarur. Falenderoj të gjitha forcat politike duke nisur nga ‘Shqipëria Bëhet’ dhe PD që kanë besuar në këtë lloj formule për zgjedhjet e pjesshme. Kjo ishte një zgjedhje e qartë që në fillim që kështu do ishte dhe kështu u bë. Të gjitha partitë jo vetëm PD e kanë ofruar mbështetjen e tyre, por ka qenë zgjidhja ime që të dal si i pavarur dhe kjo është nismë e sinqertë dhe e drejtëpërdrejtë. Unë kam qenë i parti që kam shprehur kandidaturën time dhe asnjë kandidaturë tjetër nuk ishte bërë publike.
    Unë kam pasur disa takime dhe ne e kemi saktësuar që krahu politikë po bënë fushatën e tij në drejtimin politikë dhe nga ana tjetër ne po bëjmë fushatën tonë me takime me njerëzitë. Ne jemi pranë tyre, po shkojë në çdo derë, unë kam ngritur zërin për probleme, për mua janë të gjithë njësoj, profilet e tyre politikë janë personale. I kam miq dhe shokë të gjithë’, tha ai.
    Një koment e pati edhe lidhur me formularin e vetëdeklarimit të tij dorëzuar në KQZ, ku ka deklaruar se niveli më i lartë i arsimit të tij është arsim i mesëm, ndërsa figuron edhe me dy emra.
    ‘Unë vij nga familje ortokose dhe shumë nga familjarët tanë kanë dy emra, unë emri e kam Ervin që në fëmijëri dhe në atë kohë në gjendje civile, shkruhej me shkrim dore dhe për një gabim që është bërë më është vënë Erion. Unë jam pagëzuar me emrin Dionis dhe nga ai moment zgjodha që në dokumentet e mia të ishin me emrin Dionis. Nuk kam ndërruar emër, unë nuk kamë lëvizur asnjëherë jashtë përveçse takime pune dhe pushime të mia personale.
    Unë jam rritur në atë kohë kur diplomat bliheshin dhe s’kam pranuar që ti futem asaj valle, e kam nisur shkollën dhe e lashë. Kisha dëshirë që të vijoja juridikun, por prej punës se bëra. Për financim të fushatës, unë kam bërë publike llogarinë bankare, ky është detyrim ligjor, çdo parti e ka detyrim, por llogaritë e partive janë të deklaruara dhe unë jam i pavarur dhe jam i detyruar që ta shpallë këtë llogari bankare dhe shumë miq familjarë brenda dhe jashtë vendit kanë dashur që të kontribuojnë’, tha ai.
    Sota u ndal edhe tek problemet që janë urgjente për t’i dhënë një zgjidhje në qytetin e Vlorës si uji i pijshëm, infrastruktura rrugore dhe kanaliimet.
    ‘Lagjet në Vlorë kanë probleme që nga rrugët, kanalizimet, uji i pijshëm. Përmbytjet në Vlorë dhe mënyra më e shpejtë për të ndërhyrë është zgjerimi i kolektorëve të vjetër. Duhen stacione të pompimit të ujit që të shkarkohet në një mënyrë arificiale uji që akumulohet për të mos krijuar ato dëme që janë krijuar në qytet. Qytetarët janë të zhgënjyer nga qeverisja që kanë pasur në këto vite dhe është prekur autonomia e trye, është rasti i 3 i kryebashkiakëve që largohen’, tha ai.

  • Brunilda Mersini në garë për Bashkinë Vlorë, KQZ i jep mandatin Briseida Çakërrit

    Brunilda Mersini në garë për Bashkinë Vlorë, KQZ i jep mandatin Briseida Çakërrit

    Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin Briseida Çakërrit në radhët e Partisë Socialiste në Vlorë.
    Ajo zëvendëson Brunilda Mersinin, e cila la mandatin për të kandiduar në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Vlorës, që do të mbahen më 9 nëntor.
    Në mbledhjen e zhvilluar të mërkurën, KQZ konfirmoi se Çakërri mori mandatin e deputetes si pasuesja në listën e kandidatëve të 11 majit, me më shumë vota.
    Kujtojmë se në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit në Vlorë do të garojnë Brunilda Mersini nga PS dhe Dijonis Sota si kandidat i pavrur, por i mbështetur edhe nga opozita