Category: Bota

  • Mali i Zi: Do ta ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit rusë

    Mali i Zi: Do ta ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit rusë

    Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, njoftoi të premten se Podgorica “shumë shpejt” do ta ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit rusë, në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
    Ai theksoi se Mali i Zi e ndjek plotësisht politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë masat ndaj Rusisë.
    Duke ndjekur këtë politikë, Mali i Zi vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

    Megjithatë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar disa herë Podgoricën se harmonizimi i politikës së vizave është thelbësor për përparimin në bisedimet për anëtarësim dhe për qasjen në mjetet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
    Qëndrim deri në 30 ditë pa vizë
    Në Mal të Zi, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të dërguara Radios Evropa e Lirë, jetojnë mbi 21.100 shtetas rusë.
    Qytetarët rusë mund të qëndrojnë deri në 30 ditë pa vizë, sipas politikave të tanishme të Podgoricës.
    Megjithatë, prej vitesh është praktikë që shtetasit rusë, pas 30 ditësh, të largohen për pak kohë nga Mali i Zi – shpesh vetëm deri në pikën më të afërt kufitare – dhe në kthim të lejohen të qëndrojnë përsëri për 30 ditë pa vizë.
    Numri i këtyre “daljeve-hyrjeve” nuk është i kufizuar.
    Drejtoria e Policisë më herët ka sqaruar se marrëveshja për udhëtim me Rusinë nuk ka kufizim sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit të përgjithshëm brenda një periudhe të caktuar, gjë që në praktikë ka nënkuptuar se qëndrimi mund të zgjatet vazhdimisht.
    Cilat vende mbeten problematike?
    Mali i Zi, që vlerësohet si kandidati më serioz për anëtarësim në BE, është zotuar të vendosë gradualisht viza për të gjitha vendet të cilave BE-ja u ka vendosur viza.
    Komisioni Evropian, në raportin e fundit, konstatoi se Mali i Zi nuk po e harmonizon politikën e vizave me atë të BE-së, duke theksuar se duhet të vendosë viza për nëntë vende që nuk janë në listën e gjelbër:= Azerbajxhanin, Bahrejnin, Bjellorusinë, Kinën, Katarin, Rusinë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë.
    Mali i Zi së fundmi ka vendosur viza për shtetasit turq.
    Harmonizimi i plotë me politikën e vizave të BE-së është kusht përfundimtar në njërin nga dy kapitujt më të rëndësishëm – drejtësia, liria dhe siguria.
    “Harmonizimi i politikës së vizave është çështje urgjente”, theksoi Komisioni.
    Ndryshe, Qeveria e ka arsyetuar më herët mosndjekjen e plotë të politikës së vizave të BE-së me interesat ekonomike në turizëm, i cili përbën 26 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Malit të Zi.
    Sipas saj, Malin e Zi e vizitojnë çdo vit 230.000 shtetas rusë, si dhe 320.000 shtetas turq.
    Për Kinën ka theksuar se merr pjesë në projekte infrastrukturore, ndërsa për katër vendet e Lindjes së Afërt – rritjen e investimeve në Mal të Zi.
    Nga Brukseli disa herë kanë theksuar se interesat ekonomike nuk mund të ketë përparësi ndaj rregullave evropiane dhe detyrimeve të procesit të anëtarësimit.
    Autoritetet malazeze presin që harmonizimi i plotë i regjimit të vizave me rregullat e BE-së të përfundojë deri në fund të vitit 2027.
    Qeveria e Malit të Zi synon që deri në fund të vitit të ardhshëm t’i mbyllë të gjithë kapitujt dhe në vitin 2028 të bëhet anëtare e BE-së.

  • Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një burri për sulm kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një burri për sulm kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të premten kundër një burri të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.
    Në një njoftim për media, Prokuroria e identifikoi të dyshuarin vetëm si L.M., dhe tha se ai akuzohet për veprat penale, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.
    “I pandehuri L.M. akuzohet se më 29 maj 2023, në Zveçan, në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës, kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

    Në aktakuzë thuhet se nga dhuna e ushtruar ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjetet e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
    Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë.
    Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
    Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
    Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.
    Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan.
    Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
    Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
    NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./rel

  • Kryqi i Kuq përballet me krizë financiare, shkurton 3,000 vende pune dhe 17% të buxhetit

    Kryqi i Kuq përballet me krizë financiare, shkurton 3,000 vende pune dhe 17% të buxhetit

    Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka njoftuar se do të ulë buxhetin e tij për vitin 2026 me 17%, duke e çuar atë në 1.8 miliardë franga zvicerane (1.94 miliardë euro), si dhe do të shkurtojë rreth 2,900 vende pune.

    Lajmi u bë i ditur nga organizata në një deklaratë zyrtare. “Realitetet financiare po na detyrojnë të marrim vendime të vështira për të siguruar që të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë humanitare kritike për ata që kanë më shumë nevojë”, tha presidentja e KNKK-së, Mirjana Spoljaric, pas një mbledhjeje të asamblesë së organizatës. Ajo theksoi se, pavarësisht sfidave, “KNKK mbetet e përkushtuar të ndërhyjë në vijën e parë të konflikteve, aty ku pak organizata të tjera mund të operojnë”. Buxhetet globale të ndihmës po përballen me shkurtime të papara, pasi donatorët po e zhvendosin fokusin drejt mbrojtjes. Kjo situatë po i detyron agjencitë humanitare të marrin vendime të vështira se kë të ndihmojnë, në një kohë kur konfliktet e shumta dhe zhvendosjet rekord të popullsisë po rritin kërkesën për ndihmë.

    Top Channel

  • Çfarë dimë për draftin e planit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë

    Çfarë dimë për draftin e planit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë

    Drafti i planit të paqes SHBA-Rusi është publikuar gjerësisht dhe tani e dimë se ai propozon t’i dorëzojë ato zona të rajonit industrial lindor të Donbasit të Ukrainës, të cilat janë ende nën kontrollin ukrainas, kontrollit de facto të Rusisë së Vladimir Putinit.

    Versionet e fundit të tekstit bëjnë gjithashtu thirrje që Ukraina të zvogëlojë madhësinë e forcave të saj të armatosura në 600,000 njerëz.

    Por çfarë tjetër dihet rreth tekstit dhe kush do të përfitojë më shumë prej tij?

    Cilat janë pikat kryesore?

    Janë 28 pika kyçe dhe disa prej tyre, në pamje të parë, mund të jenë të pranueshme për Ukrainën. Të tjera duken të paqarta dhe të pasakta.

    Sovraniteti i Ukrainës do të ” konfirmohej” dhe do të kishte një “marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të plotë mossulmimi midis Rusisë, Ukrainës dhe Evropës” , me “garanci sigurie” të forta ose të besueshme për Kievin dhe një kërkesë për zgjedhje të parakohshme brenda 100 ditësh.

    Nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën, propozohet një “përgjigje e koordinuar ushtarake e fuqishme” së bashku me një rivendosje të sanksioneve dhe një anulim të marrëveshjes.

    Edhe pse zgjedhjet janë të pamundura në Ukrainë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, ato teorikisht mund të mbahen nëse nënshkruhet një marrëveshje paqeje.

    Por sa i përket garancive të sigurisë, nuk ka detaje se kush do t’i ofrojë ato dhe sa të forta mund të jenë. Kjo është shumë larg një angazhimi të Artikullit Pesë në stilin e NATO-s për ta trajtuar një sulm ndaj Ukrainës si një sulm ndaj të gjithëve. Kievi do të donte më shumë sesa një premtim të paqartë nëse do të nënshkruante.

    Ndër propozimet më të diskutueshme janë Ukraina që dorëzon territorin e saj të papushtuar dhe shkurton madhësinë e forcave të saj të armatosura.

    Dhënia e territorit ku jetojnë të paktën një e katërta e një milioni ukrainas – qytetet e “rripit të fortesës” të Donetskut, Slovyansk, Kramatorsk dhe Druzhkivka – nuk do të jetë e pranueshme për shumicën e ukrainasve. Rusia ka kaluar më shumë se një vit duke u përpjekur të pushtojë qytetin e Pokrovskut – Ukraina nuk ka gjasa të dorëzojë qendra kaq të rëndësishme strategjike pa luftë.

  • Mali i Zi ashpërson regjimin e vizave për shtetasit rusë! Kryeministri Spajiç: Do ndjekim politikat e BE-së

    Mali i Zi ashpërson regjimin e vizave për shtetasit rusë! Kryeministri Spajiç: Do ndjekim politikat e BE-së

    Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, njoftoi të premten se Podgorica “shumë shpejt” do ta ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit rusë, në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.

    Ai theksoi se Mali i Zi e ndjek plotësisht politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë masat ndaj Rusisë.

    Duke ndjekur këtë politikë, Mali i Zi vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

    Megjithatë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar disa herë Podgoricën se harmonizimi i politikës së vizave është thelbësor për përparimin në bisedimet për anëtarësim dhe për qasjen në mjetet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Qëndrim deri në 30 ditë pa vizë

    Në Mal të Zi, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të dërguara Radios Evropa e Lirë, jetojnë mbi 21.100 shtetas rusë.

    Qytetarët rusë mund të qëndrojnë deri në 30 ditë pa vizë, sipas politikave të tanishme të Podgoricës.

    Megjithatë, prej vitesh është praktikë që shtetasit rusë, pas 30 ditësh, të largohen për pak kohë nga Mali i Zi – shpesh vetëm deri në pikën më të afërt kufitare – dhe në kthim të lejohen të qëndrojnë përsëri për 30 ditë pa vizë.

    Numri i këtyre “daljeve-hyrjeve” nuk është i kufizuar.

    Drejtoria e Policisë më herët ka sqaruar se marrëveshja për udhëtim me Rusinë nuk ka kufizim sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit të përgjithshëm brenda një periudhe të caktuar, gjë që në praktikë ka nënkuptuar se qëndrimi mund të zgjatet vazhdimisht.
    Cilat vende mbeten problematike?

    Mali i Zi, që vlerësohet si kandidati më serioz për anëtarësim në BE, është zotuar të vendosë gradualisht viza për të gjitha vendet të cilave BE-ja u ka vendosur viza.

    Komisioni Evropian, në raportin e fundit, konstatoi se Mali i Zi nuk po e harmonizon politikën e vizave me atë të BE-së, duke theksuar se duhet të vendosë viza për nëntë vende që nuk janë në listën e gjelbër:= Azerbajxhanin, Bahrejnin, Bjellorusinë, Kinën, Katarin, Rusinë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë.

    Mali i Zi së fundmi ka vendosur viza për shtetasit turq.

    Harmonizimi i plotë me politikën e vizave të BE-së është kusht përfundimtar në njërin nga dy kapitujt më të rëndësishëm – drejtësia, liria dhe siguria.

    “Harmonizimi i politikës së vizave është çështje urgjente”, theksoi Komisioni.

    Ndryshe, Qeveria e ka arsyetuar më herët mosndjekjen e plotë të politikës së vizave të BE-së me interesat ekonomike në turizëm, i cili përbën 26 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Malit të Zi.

    Sipas saj, Malin e Zi e vizitojnë çdo vit 230.000 shtetas rusë, si dhe 320.000 shtetas turq.

    Për Kinën ka theksuar se merr pjesë në projekte infrastrukturore, ndërsa për katër vendet e Lindjes së Afërt – rritjen e investimeve në Mal të Zi.

    Nga Brukseli disa herë kanë theksuar se interesat ekonomike nuk mund të ketë përparësi ndaj rregullave evropiane dhe detyrimeve të procesit të anëtarësimit.

    Autoritetet malazeze presin që harmonizimi i plotë i regjimit të vizave me rregullat e BE-së të përfundojë deri në fund të vitit 2027.

    Qeveria e Malit të Zi synon që deri në fund të vitit të ardhshëm t’i mbyllë të gjithë kapitujt dhe në vitin 2028 të bëhet anëtare e BE-së./REL/

  • Kush është Kirill Dmitriev? Propagandist i Putinit apo çelësi i paqes me Ukrainën?

    Kush është Kirill Dmitriev? Propagandist i Putinit apo çelësi i paqes me Ukrainën?

    Kirill Dmitriev nuk është diplomati tipik rus. 50-vjeçari, i rritur në Ukrainë, i shkolluar në SHBA dhe me karrierë në financë, është shfaqur befas në qendër të diplomacisë së epokës Trump. Si kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte dhe partner i rregullt i të dërguarit amerikan Steve Witkoff, ai po luan rol kyç në përpjekjet e fundit për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
    Dmitriev kaloi tre ditë me Witkoff në Miami, dhe menjëherë pas kësaj doli në dritë një draft-marrëveshje që duket si “lista e dëshirave” e Putinit. Dmitriev dhe Witkoff, të cilët bashkëpunuan edhe në lirimin e një mësuesi amerikan nga burgu rus më herët këtë vit, duket se kanë krijuar një raport të fortë diplomatik. “Jemi në rrugën e paqes,” ka deklaruar Dmitriev në një forum në Arabinë Saudite. Ndërsa Witkoff e ka cilësuar “një gentleman nga Rusia”, që po shërben si një urë e rëndësishme lidhëse mes dy palëve.
    Nga një i ri që merrte pjesë në protesta pro-demokracisë në Kyiv, te një figurë që lëviz mes Moskës, Uashingtonit dhe Gjirit, karriera e tij ka qenë gjithmonë e ndërthurur me Perëndimin. Ai ka studiuar në Stanford dhe Harvard, ka punuar për McKinsey dhe shpesh ka qenë zëri i Kremlinit në televizionet amerikane, duke lavdëruar aftësitë diplomatike të Trump.
    Megjithatë qasja e drejtpërdrejtë me zyrtarët e Trump nuk e ka shpërblyer gjithmonë. Kur Trump njoftoi sanksione ndaj dy gjigantëve rusë të naftës, sekretari i Thesarit e etiketoi Dmitriev si “propagandist rus”, pasi ai sugjeroi se çmimet e naftës në SHBA do të rriteshin. Po ashtu, gjatë administratës Biden ai u godit fort. Thesari amerikan e quajti “aleat të njohur të Putinit” dhe sanksionoi fondin që ai drejtonte, të cilin e etiketoi si “kasafortë personale të Kremlinit”.
    Në Ukrainë, ku ka rrënjë dhe ku dikur fliste për “identitetin e pavarur ukrainas”, ai është sanksionuar për “krime kundër shtetit ukrainas”.
    Tani, ndërsa administrata Trump kërkon një fund të shpejtë të luftës, Kirill Dmitriev është kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm – dhe më të diskutueshëm – të diplomacisë së re ruso-amerikane.

  • Presioni i SHBA-së për të pranuar marrëveshjen e paqes me Rusinë, reagon Zelensky: Nuk do e tradhtoj kurrë Ukrainën

    Presioni i SHBA-së për të pranuar marrëveshjen e paqes me Rusinë, reagon Zelensky: Nuk do e tradhtoj kurrë Ukrainën

    Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi sot se “nuk do ta tradhtojë Ukrainën”, teksa SHBA po ushtron presion që Kievi të pranojë një marrëveshje paqeje.

    Në një fjalim drejtuar kombit, Zelensky tha se vendi po kalon “një nga momentet më të vështira” të historisë së tij.
    Sipas tij, Ukraina po përballet me një zgjedhje të vështirë: të rrezikojë humbjen e partnerit kryesor – Shteteve të Bashkuara – ose të cenojë dinjitetin kombëtar. Ai theksoi se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që bie ndesh me interesat kombëtare.
    Fjalimi vjen në kohën kur administrata Trump po e shtyn Kievin të nënshkruajë një plan paqeje me 28 pika për t’i dhënë fund luftës, një paketë që përfshin disa “vija të kuqe” për Ukrainën.

    Top Channel

  • “Goditet ndikimi i Putin në Ballkan”, Bloomberg analizon sanksionet e Donald Trump kundër industrisë së naftës ruse

    “Goditet ndikimi i Putin në Ballkan”, Bloomberg analizon sanksionet e Donald Trump kundër industrisë së naftës ruse

    Kur sanksionet e fundit të SHBA-së kundër industrisë së naftës në Rusi u shpallën muajin e kaluar, Bullgaria u gjend përpara një problemi urgjent: Një nga kompanitë e shënjestruara, Lukoil PJSC, zotëronte rafinerinë më të madhe të naftës në vend, një trashëgimi kjo e lidhjeve të ngushta me Moskën, shkruan Bloomberg.

    Qeveria vendosi të sekuestrojë objektin Neftohim pranë Detit të Zi dhe asetet e tjera të Lukoil. Aksi8onerëve iu hoq cdo e drejtë dhe e emërua një menaxher për të negociuar një shitje të mundshme. Një komisioni parlamentar iu deshën vetëm 26 sekonda për të anuluar 26 vjet pronësi dhe për të miratuar veprimin përpara një afati të afërt të SHBA-së për një zgjidhje. Dhe siç thotë media e njohur amerikane, kjo kthesë e papritur e ngjarjeve ka çuar në goditjen më të madhe ndaj “gjurmëve ekonomike” të Rusisë në Ballkan prej dekadash të tëra.
    Veprimi i presidentit Donald Trump kundër kompanive ruse të naftës “ka shkurtuar lidhjet” e pushtetit të Kremlinit në një rajon ku Lindja dhe Perëndimi janë përpjekur për ndikim për shekuj me radhë, shkruan Bloomberg. Në Serbi, për shembull, qeveria po shqyrton blerjen e kompanisë së naftës dhe gazit të vendit Naftna Industrija Srbije AD, NIS, duke marrë kontrollin nga pronari rus Gazprom PJSC.
    Në Bullgari, politikanët dhe analistët kanë ngritur shqetësime për vite me radhë në lidhje me pjesëmarrjen joproporcionale të Rusisë në ekonomi, dhe në veçanti në sektorin energjetik.
    “Thelbi i ndikimit të Rusisë është ndërtuar mbi dominimin e energjisë përmes naftës dhe gazit, mbetje të kohës sovjetike që nuk u thyen për vite me radhë”, tha Ruslan Stefanov, kryeekonomist në Qendrën për Studimin e Demokracisë në Sofje. “Shumica e kësaj tinfluence sipas tij, është zhdukur, dhe këto janë grahmat e fundit të saj, prandaj shkaktojnë kaq shumë ankth”.

    Top Channel

  • Po mbyllet lufta? SHBA i jep garanci Zelensky: Do të trajtoheni si vend i NATO-s

    Po mbyllet lufta? SHBA i jep garanci Zelensky: Do të trajtoheni si vend i NATO-s

    Volodymyr Zelensky u shpreh i gatshëm për atë që e quajti “punë të ndershme” me SHBA-në, pasi mori në dorë draftin e planit të paqes, që synon fundin e konfliktit të vendit të tij me Rusinë.

    Sipas disa mediave amerikane, plani parashikon që Kievi të heqë dorë nga zona e Donbasit në lindje të Ukrainës që ende kontrollon, të zvogëlojë madhësinë e ushtrisë dhe të angazhohet se nuk do të anëtarësohet në NATO.  Nuk është e qartë se sa e përfshirë ka qenë Ukraina në hartimin e planit, por sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se SHBA-ja është angazhuar “në mënyrë të barabartë me të dyja palët”.
    Në një deklaratë të veçantë, zyra e Zelenskyt tha se Ukraina kishte “rënë dakord të punojë mbi dispozitat e planit në një mënyrë që do të sillte një përfundim të drejtë të luftës”. Sipas një drafti të planit, i publikuar i plotë nga Financial Times dhe Axios, ushtria ukrainase do të kufizohet në 600,000 vetë personel, ndërsa në Poloni do të vendosen avionë luftarakë europianë për të mbrojtur Ukrainën në rast sulmesh të reja. Në Ukrainë nuk do të shkelin ushtarë të NATO-s, por sipas planit asaj do ti ofrohen garanci të forta sigurie. Kështu, çdo sulm i armatosur “i rëndësishëm, i qëllimshëm dhe i vazhdueshëm” i ardhshëm nga Rusia kundër Ukrainës “do të konsiderohet si një sulm që kërcënon paqen dhe sigurinë e komunitetit transatlantik” dhe do të shkaktojë një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, përfshirë një përgjigje ushtarake.
    Rusia, Ukraina dhe Europa ndërkohë do të nënshkruajnë një pakt mos-agresioni. Brenda 100 ditësh nga marrëveshja, në Ukrainë do të mbahen zgjedhjet. Plani parashikon gjithashtu që Rusia të “reintegrohet në ekonominë globale” përmes heqjes së sanksioneve dhe ftesës për t’iu bashkuar sërish G7-ës — duke e kthyer atë në G8. Analistët mendojnë se nëse konfirmohet plotësisht, kërkesat e planit duket se më shumë favorizojnë interesat e Moskës. Zelensky tha se pritet të flasë me presidentin amerikan Donald Trump në ditët në vijim për propozimet, të cilat përfshijnë edhe heqjen dorë nga një pjesë e madhe e armëve të Ukrainës. Por në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Leavitt hodhi poshtë sugjerimet se plani kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina, duke thënë se presidenti amerikan “e mbështet” atë. I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë punuar në heshtje për rreth një muaj mbi një propozim, dhe janë angazhuar me të dyja palët “për të kuptuar se për çfarë do të ishin të gatshme të angazhoheshin këto vende për të garantuar një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë”, pohoi zëdhënësja.
    “Është një plan i mirë si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën. Ne besojmë se duhet të jetë i pranueshëm për të dy palët. Dhe po punojmë shumë për ta finalizuar”, thotë Caroline Leavitt, zëdhënëse e Trump.
    Një zyrtar i lartë amerikan, që foli në kushte anonimiteti për CBS News, tha se plani “u hartua menjëherë pas diskutimeve me një ndër anëtarët më të lartë të administratës së Zelenskyt, Rustem Umerov, i cili ra dakord me pjesën më të madhe të planit, pas disa modifikimeve, dhe ia paraqiti atë presidentit Zelensky.

    Top Channel

  • Presidenti serb akuzohet se ishte pjesë e një grupi snajperistësh që vriste civilë boshnjakë në Sarajevë: S’kam vrarë

    Presidenti serb akuzohet se ishte pjesë e një grupi snajperistësh që vriste civilë boshnjakë në Sarajevë: S’kam vrarë

    Pamje që tregon Aleksandar Vuçiçin në Sarajevë në vitin 1995

    SERBI-Një gazetar investigativ kroat ka paraqitur një padi te prokurorët e Milanos kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i dyshuar për përfshirje në grup snajperësh në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës, në të cilat të huaj të pasur dyshohet se paguan shuma të mëdha parash për të qëlluar civilët boshnjak, në vitet 1990.
    Konkretisht The Guradian shkruan se prokurorët e Milanos nisën një hetim që synonte identifikimin e italianëve të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje, të akuzuar për vrasje me dashje të rënduar nga mizori dhe motive të shëmtuara. Sipas hetuesve, grupe “turistësh snajperë” dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjet masive pasi u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit – ish-liderit serb të Bosnjës i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit – për t’u transportuar në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të qëllonin mbi popullsinë për kënaqësi.
    Gavazzeni tha se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth turistëve të dyshuar si snajperë në shtypin italian në vitet 1990, por vetëm pasi pa Sarajevo Safari , një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniç, filloi të hetonte më tej. Të mërkurën, gazetari investigativ Domagoj Margetiç paraqiti padinë e tij kundër Vuçiçit te prokurorët që po hetojnë çështjen.
    Gazetari postoi prova në mediat sociale se Vuçiç, atëherë një vullnetar i ri, ishte i pranishëm në një nga postet ushtarake në Sarajevë nga e cila, sipas dëshmitarëve, shtetas të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin dhe vrisnin civilë në atë që është përshkruar si një “safari turistik” makabër. 
    Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet dhe të shtënat me snajper midis viteve 1992 dhe 1996 në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia. Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, sepse ata qëllonin pa dallim njerëzit në rrugë, përfshirë fëmijët.
    Vuçiç ka reaguar ndaj akuzave për një video të vitit 1993, në të cilën ai pretendohet se shfaqet duke mbajtur një pushkë snajperi pranë personave të armatosur në varreza.
    “Nuk kam mbajtur kurrë në jetën time një pushkë snajperi. Nuk kam pasur as armën për të cilën flisni, sepse ajo është stativ kamere. Nuk kam vrarë kurrë askënd, nuk kam plagosur askënd dhe nuk kam bërë asgjë të ngjashme”, tha Vuçiç para gazetarëve në një konferencë ekonomike rajonale Britani e Madhe–Ballkani Perëndimor, e mbajtur në Beograd.