Category: Aktualitet

  • U kap me uniformë policie, zbardhet dëshmia e 20-vjeçarit që hiqej si efektiv

    U kap me uniformë policie, zbardhet dëshmia e 20-vjeçarit që hiqej si efektiv

    20-vjeçari Ervis Brasha, i riu që u arrestua pak ditë më parë në Kamëz pasi hiqej si polic dhe mashtronte qytetarët ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor.
    Bëhet me dije se i riu ka deklaruar se e ka fiksim këtë uniformë dhe pasioni për policinë e ka bërë sipas tij që të lidhë kontakte me shumë oficerë.
    Burime për mediat bëjnë me dije se 20 vjeçari për 4 muaj ka punuar si punonjës i Policisë bashkiake në Tiranë dhe më pas ishte larguar dhe kishte aplikuar në Akademinë e Sigurisë. I riu nuk u shpall fitues duke ngelur në testin psikologjik.
    Sakaq gjatë kontrollit në banesë, të riut iu gjetën 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara, 1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra përkatës, uniformë e Policisë së Shtetit, 16 stema dhe grada të ndryshme, si dhe 3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

  • Anuloi vizitën në Bruksel, Paloka ironizon Ramën: Si do e lesh Evropën sot pa leksionet e tua!

    Anuloi vizitën në Bruksel, Paloka ironizon Ramën: Si do e lesh Evropën sot pa leksionet e tua!

    Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar me një shënim në faqen e tij në facebook pas anulimit të pjesëmarrjes nga Rama në një konferencë në Bruksel.
    “Të thuash që të iku avioni…prapë se thua dot se ti ke charter dhe shkon kur e si te duash!”, shkruan ndër të tjera deputeti i PD.
    “Atëherë çfare ndodhi “o mret”?!”
    Postimi:
    E pra , çfarë ndodhi o “mret”?!
    Si do e lesh Evropën sot pa leksionet e tua ?!
    E di që keni ndejt në mbledhje qeverie deri në 4 të mëngjesit, po ti këtë se ke problem, i fut dy viza dhe je prapë “në formë”.
    Të thuash që të iku avioni…prapë se thua dot se ti ke charter dhe shkon kur e si të duash!
    Atëherë çfarë ndodhi “o mret”?!

  • Punoi te Air Albania, por s’mori pagën, dëshmon inxhinieri i mirëmbajtjes së avionëve/ Prapaskenat e një skandali ndërkombëtar

    Punoi te Air Albania, por s’mori pagën, dëshmon inxhinieri i mirëmbajtjes së avionëve/ Prapaskenat e një skandali ndërkombëtar

    Ali Osman Yildirim është një inxhinier me përvojë të gjatë në mirëmbajtjen e avionëve Airbus. Për një periudhë kohe ai ka shërbyer si inxhinier mirëmbajtjeje në kompaninë Air Albania, pas ngritjes së saj si një bashkëpunim mes shtetit shqiptar, Turkish Airlines dhe biznesmenit Sinan Idrizi.
    Prej disa muajsh, kompania po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke u përfshirë në procese gjyqësore për shkak të mosrespektimit të kontratave të qirasë me kompanitë e avionëve.
    Inxhinieri Ali Osman Yildirim, gjate kohes qe mirembante avionet e Air Albania ne Tirane
    Siç mëson Skyweb.al, një pjesë e punonjësve nuk janë paguar ende, ndërsa të tjerë kanë dhënë dorëheqjen.
    Në një intervistë për Skyweb.al, inxhinieri turk Ali Osman Yildirim konfirmon se “një pjesë e motorëve janë hequr nga përdorimi për shkak të problemeve teknike ose mbarimit të afatit të qirasë”, duke shtuar se vonesat në sigurimin e motorëve të rinj kanë çuar në nxjerrjen e flotës nga përdorimi. Rregullat ndërkombëtare të fluturimit nuk lejojnë fluturimin e avionëve nëse kanë kaluar orët e shërbimit dhe nuk është bërë mirëmbajtje.
    Sipas tij, “Air Albania po operon vetëm me një avion të marrë me qira në formën wet lease, çka e bën të vështirë që një kompani të jetë fitimprurëse në këto kushte.”
    Avioni Airbus A320, “Fishta” me kod ZA-MMK, pa motore ne aeroportin turk “Sabiha Gokçen”
    Fotot e siguruara nga Skyweb.al tregojnë dy avionët e kompanisë, ZA-MMK dhe ZA-ASM, të parkuar në aeroportin “Sabiha Gökçen” në Stamboll, të cilëve u janë hequr motorët.
    Sipas Yildirimit, ata “kanë përfunduar ciklin e shërbimit dhe duhet të kalojnë në mirëmbajtje.”
    Kompania aktualisht po operon kryesisht në linjën Tiranë–Stamboll me një Airbus A320 të marrë me qira nga Fly2Sky, ndërsa një tjetër Airbus A319 i saj është përdorur më parë si charter qeveritar për udhëtimet e Kryeministrit Edi Rama.
    Avioni Airbus A320, “Migjeni” me kod ZA-ASM, pa motore ne aeroportin turk “Sabiha Gokçen”
    Yildirim thekson gjithashtu se pjesë e stafit kanë mbetur pa paga prej muajsh, ndërsa disa punonjës “kanë frikë të flasin sepse disa prej tyre i janë drejtuar gjykatës dhe mendojnë se kjo mund të ndikojë në procesin e tyre ligjor.”
    Skyweb.al kontaktoi me kompaninë Air Albania për të marrë një reagim zyrtar lidhur me këto zhvillime, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk patëm përgjigje.
    INTERVISTA E PLOTË
    Skyweb.al: Për sa kohë keni punuar në Air Albania dhe cila ishte detyra juaj si inxhinier?Ali Osman Yildirim: Kam punuar për një periudhë të caktuar në Air Albania si inxhinier mirëmbajtjeje. Detyrat e mia përfshinin mirëmbajtjen e përditshme të linjës, inspektimet e planifikuara dhe sigurimin e gatishmërisë operative të avionëve.
    Skyweb.al: Çfarë saktësisht çoi në situatën aktuale të Air Albania dhe çfarë nënkuptoni me “motorë që mungojnë”? Nga sa di, ata po operojnë me avionë të marrë me qira nga Sky2Fly.Ali Osman Yildirim: Kjo është e saktë. Një pjesë e flotës përbëhet nga avionë të marrë me qira. Megjithatë, gjatë muajve të fundit disa motorë kanë përfunduar afatin e qirasë ose janë kthyer për shkak të problemeve teknike. Vonesat në sigurimin e motorëve zëvendësues kanë çuar në ndalimin e një pjese të flotës, duke ulur ndjeshëm kapacitetin operacional.
    Skyweb.al: A ndikon kjo situatë, sipas jush, në sigurinë e fluturimeve apo në besueshmërinë operative, apo kriza financiare ka dobësuar standardet e mirëmbajtjes?Ali Osman Yildirim: Për momentin, standardet e sigurisë ajrore vazhdojnë të respektohen, por mungesa e burimeve mund të ndikojë në cilësinë e mirëmbajtjes në afat të gjatë. Moral i ulët i stafit dhe vonesat në furnizimin me pjesë këmbimi po e vështirësojnë tashmë funksionimin normal.
    Skyweb.al: Përmendët staf të papaguar. Për sa kohë po ndodh kjo dhe si po përballen punonjësit me situatën?Ali Osman Yildirim: Vonesat në pagë po vazhdojnë prej disa muajsh. Disa punonjës po mbështeten në kursimet e tyre personale, ndërsa të tjerë po kërkojnë punë në kompani të tjera ajrore. Morali është ulur ndjeshëm.
    Skyweb.al: Në aviacionin civil, çfarë të drejtash kanë punonjësit kur nuk paguhen? A mund të ndërmarrin hapa ligjorë dhe në rastin e Air Albania, ku duhet t’i drejtohen?Ali Osman Yildirim: Punonjësit mund të ndërmarrin veprime ligjore bazuar në kontratat e punës dhe ligjet kombëtare të punës. Në rastin e Air Albania, ankesat duhet t’i drejtohen Ministrisë së Punës ose gjykatave përkatëse të punës. Megjithatë, këto procese zakonisht zgjasin.
    Skyweb.al: Si e vlerësoni bashkëpunimin midis Air Albania dhe Turkish Airlines?Ali Osman Yildirim: Fillimisht, partneriteti u pa si një mundësi e madhe. Por kohët e fundit, vështirësitë financiare dhe problemet operative e kanë ulur efektivitetin e tij. Koordinimi mes të dyja palëve është dobësuar.
    Skyweb.al: Pse mendoni se drejtuesit dhe autoritetet heshtin për këto çështje?Ali Osman Yildirim: Më së shumti për shkak të shqetësimeve për imazhin. Ata duan të mbrojnë reputacionin e kompanisë dhe të sektorit ajror. Megjithatë, kjo heshtje nuk i zgjidh problemet; përkundrazi, e thellon humbjen e besimit te punonjësit.
    Ata po operojnë vetëm me një avion të marrë me qira në formën “wet lease”. Mendoni vetë sa fitimprurëse mund të jetë një kompani që funksionon me vetëm një avion të tillë. Përveç kësaj, punonjësit që vazhdojnë të punojnë aty kanë frikë.
    Skyweb.al: A ka ndonjë punonjës tjetër që dëshiron të flasë për këtë situatë?Ali Osman Yildirim: Të gjithë kanë frikë për momentin. Disa kanë paraqitur padi në gjykatë dhe përsëri kanë frikë. Nëse flasin për kompaninë, kjo mund të ndikojë në rezultatin e çështjes gjyqësore. /skyweb.al

  • “SPAK i vë ‘kërbaçin’ Veliajt”, Hoxha: I shton 3 dosje të reja, inceneratorët dhe…

    “SPAK i vë ‘kërbaçin’ Veliajt”, Hoxha: I shton 3 dosje të reja, inceneratorët dhe…

    Gazetari Artan Hoxha ka parashikuar se pas vendimit të marrë dje nga Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme pritet të shtojë akuza të reja për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliajt.
    Ai u shpreh se Veliaj në paraburgim mbahet si në një “epruvetë” pa asnjë të drejtë, ndaj dhe shijoi ato momente lirie kur u paraqit në Gjykatën Kushtetuese ditën e premte, ku edhe kreu mbrojtjen e tij para trupës gjykuese.
    “SPAK do t’i shtojë akuzat, do t’i fusë tre dosje të tjera. E ka në hetim nuk e ka futur as te 6D as te inceneratorët, ato d t’ia shtojnë kërbaçin.
    Ai që e ka çuar Veliaj atje dhe i ka shtuar akuzën se i mori telefonin e gardianit, ata që e kanë mbyllur në epruvetë dhe nuk e lënë të bëjë xhap, ndaj ai e shijoi atë daljen në Kushtetuese, pas 9 muajsh iu dha vetëm një e drejtë…”, tha ai.

  • Seanca për inceneratorin e Tiranës, Bllako në GJKKO: Të shpallem i pafajshëm, të merren parasysh problemet familjare

    Seanca për inceneratorin e Tiranës, Bllako në GJKKO: Të shpallem i pafajshëm, të merren parasysh problemet familjare

    Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, ka kërkuar në seancë që të shpallet i pafajshëm.
    Bllako argumenton se fëmija i tij ka probleme shëndetësore dhe për këtë arsye ka kërkuar që GJKKO ta marrë parasysh gjendjen familjare.
    “Kërkoj të shpallem i pafajshëm. I kërkoj gjykatës të marrë parasysh edhe gjendjen time familjare, sidomos të njërit prej fëmijëve, ku sipas mjekëve mungesa e prindit po rëndon gjendjen e tij”.
    Prokuroria e Posaçme kërkoi 5 vite burg për ish-zyrtarin për dy raste korrupsioni pasiv për aferën e inceneratorit të Tiranës.
    Pritet që Gjykata e Posaçme të japë vendimin sot në orën 13:30.

  • Vlora Marina, nga vizioni në realitet

    Vlora Marina, nga vizioni në realitet

    Punimet për njësitë e para përfundojnë në 2027
    Punimet për ndërtimin e Vlora Marina kanë hyrë në një fazë vendimtare, duke shënuar hapa konkretë drejt realizimit të një prej investimeve më të rëndësishme në bregdetin shqiptar. Aktualisht, në disa prej nukleve të para, progresi i punimeve shkon deri ne 25% dhe me ritmin aktual, brenda 2027 pritet të përfundojnë plotësisht punimet për njësitë e para. Çdo fazë e punimeve po kryhet me kujdes të veçantë ndaj cilësisë dhe qëndrueshmërisë. Për këtë arsye, Vlora Marina u vlerësua pak kohë më parë nga IFC dhe Ëorld Bank Group me certifikimin EDGE në fazë dizajni, bazuar në eficiencën e energjisë elektrike, kursimin e burimeve ujore dhe përdorimin e materialeve që reduktojnë emetimin e karbonit në mjedis, duke synuar vendosjen e standardeve të reja në ndërtimin e projekteve bregdetare.

    Progresi i punimeve përbën një hap të madh drejt zhvillimit urban dhe turistik të Vlorës. Ky zhvillim modern pritet të gjenerojë përfitime të rëndësishme ekonomike për qytetin dhe vendin, duke nxitur turizmin cilësor dhe duke tërhequr vizitorë, investitorë dhe banorë të rinj. Vlora Marina do të sjellë për herë të parë në Shqipëri një marinë të standardeve botërore, me mbi 400 vende ankorimi për jahte dhe megajahte, nën konsulencën e rrjetit prestigjioz D-Marin, të pranishëm në Mesdhe dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Përveç marinës, projekti përfshin ndërtimin e mbi 800 apartamenteve premium buzë detit, të konceptuara për një stil jetese modern, me shërbime ekskluzive dhe hapësira për relaks, argëtim dhe mirëqenie. Një tjetër element i rëndësishëm është hoteli i parë Marriott në bregdetin shqiptar, i cili do të shoqërohet edhe me 150 apartamente të branduara. Këto njësi do të kombinojnë rehatinë e jetesës së përditshme me luksin dhe shërbimet e një hoteli ndërkombëtar.

    Me vizionin e qartë dhe ritmin e qëndrueshëm të punimeve, Vlora Marina po shndërrohet me shpejtësi në realitet, duke e pozicionuar Vlorën si një pol të ri turizmi dhe investimesh, të aksesueshëm lehtësisht nga deti, toka dhe ajri.

  • ‘Derra’, Reagon ashpër motra e të miturës që u vra në Itali

    ‘Derra’, Reagon ashpër motra e të miturës që u vra në Itali

    Gjykata e të Miturve në Bolonja dënoi me 17 vite burg adoleshentin 16-vjeçar, autor i vrasjes së rëndë të Aurora Tilës, vajzës shqiptare 13-vjeçare që humbi jetën më 25 tetor 2024, pasi u hodh nga ballkoni i shtëpisë së saj në Piacenza.

    Pas vendimit, motra e viktimës shpërtheu në dhimbje dhe zemërim, duke reaguar ashpër në rrjetet sociale.
    “Vetëm 17 vite. Një jetë e tërë u shkatërrua. Ky m*t do të dalë nga burgu 30 vjeç dhe ka mundësinë të nisi një jetë të re. Motrën time nuk mund të ma rikthejë askush. Në djall ai dhe lloji i tij. Derra”, shkruan motra e Aurorës.

  • Morën peng dhe dhunuan Ilir Topçiun, lihen në burg vëllai i deputetit të PD dhe dy të tjerët

    Morën peng dhe dhunuan Ilir Topçiun, lihen në burg vëllai i deputetit të PD dhe dy të tjerët

    Gjykata lë masën ‘Arrest në burg’ me afat 40 ditë për Alti Nallbatin, Marsel Buçin dhe Trajan Çelikun të cilët akuzohen se morën peng dhe dhunuan Iilir Topçiun.

    Prokuroria kërkoi këtë masë dhe u pranua nga gjykata.
    Të tre u arrestuan disa ditë më parë pasi morën peng Ilir Topçiun në Devoll, duke e dhunuar në ambientet e një biznesi pasi e nxorën nga shtëpia. Topçiu ishte me arrest shtëpie, u telefonua nga autorët për të dalë jashtë në oborr dhe u mor me forcë nga tre personat.

  • “Zgjedhjet konkurruese, por pati mangësi”/ Zbardhet progres-raporti i BE për Shqipërinë: Kuvendi pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar mbi ekzekutivin

    “Zgjedhjet konkurruese, por pati mangësi”/ Zbardhet progres-raporti i BE për Shqipërinë: Kuvendi pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar mbi ekzekutivin

    Komisioni Europian ka hartuar progres raportin për Shqipërinë ku kryefjalë e tij janë zgjedhjet e 11 majit.

    Në draftin e siguruar nga Top Channel thuhet se zgjedhjet ishin konkurruese, megjithëse pati mangësi ndaj procesit.
    Brukseli vë theksin se Parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar mbi ekzekutivin, “ndërsa politizimi i emërimeve parlamentare në pozicione të larta në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze”.
    Pjesë nga raporti
    Korniza e përgjithshme lejon zgjedhje përgjithësisht të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025, të cilat pasuan një reformë të pjesshme zgjedhore, sollën mandatin e katërt radhazi për partinë në pushtet. Përfundimet paraprake të misionit vëzhgues të zgjedhjeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) / Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) vunë në dukje se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por identifikuan disa mangësi, përfshirë mungesën e një fushe të barabartë gare dhe abuzimin me burimet publike. Reforma e pjesshme zgjedhore ndryshoi Kodin Zgjedhor, por nuk arriti të adresojë një numër rekomandimesh të kahershme nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore.
    Parlamenti mund të ushtrojë kompetencat e tij në mënyrë pjesërisht efektive. Polarizimi politik, mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe përplasjet ndërmjet shumicës në pushtet dhe pjesëve të opozitës vazhduan të ndikojnë në aktivitetin e Parlamentit, ndërkohë që proceset e konsultimit publik mbetën të kufizuara. Parlamenti gjithashtu pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar mbi ekzekutivin, ndërsa politizimi i emërimeve parlamentare në pozicione të larta në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze. U ngritën shqetësime lidhur me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit ad hoc parlamentar për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Pas zgjedhjeve të 11 majit, numri i komisioneve të përhershme u rrit nga tetë në njëmbëdhjetë, prej të cilave katër kryesohen nga opozita.
    Qeveria vazhdoi të tregojë angazhimin e saj për integrimin në BE. Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një qeveri e re mori detyrën në shtator 2025. Ndarja e përgjegjësive midis qeverisjes lokale dhe qendrore mbetet një çështje.
    Organet e Shqipërisë përgjegjëse për procesin e integrimit në BE janë në funksion. Ato koordinuan me sukses pozicionet kombëtare, duke çuar në hapjen e negociatave për pesë nga gjashtë grupimet tematikë gjatë periudhës së raportimit. Ekspertiza për integrimin në BE, planifikimi dhe mekanizmat ndërinstitucionalë do të duhet të forcohen më tej për të mbështetur ambicien e Shqipërisë për të përshpejtuar reformat e kërkuara nga procesi i anëtarësimit në BE. Procesi i integrimit në BE duhet të jetë më gjithëpërfshirës, të mbështetet nga palët politike dhe të mbështetet nga mekanizma efektivë konsultimi. Përpjekjet e komunikimit për integrimin në BE duhet të intensifikohen.
    Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) operojnë në një mjedis pjesërisht mundësues. Ato përballen me sfida sa i përket kërkesave të regjistrimit dhe fondeve të kufizuara publike, bashkë me një rritje të narrativave negative dhe fushatave shpifëse online.

    Top Channel

  • Emri/ Lëvizte me armë zjarri në qytetin e Lushnjës, arrestohet 33-vjeçari

    Emri/ Lëvizte me armë zjarri në qytetin e Lushnjës, arrestohet 33-vjeçari

    Shtetasi Enrik Çela është arrestuar në Lushnjë, pasi lëvizte i armatosur në qytet.

    Sipas uniformave blu, 33-vjeçari, u ndalua në lagjen “Loni Dhamo”, ndërsa iu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë automatike, së bashku me një krehër me 11 fishekë.
    Njoftimi:
    Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 72”.
    Kapet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale një shtetas që lëvizte me armë zjarri me vete, në qytetin e Lushnjës.
    Si rezultat i informacioneve të siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur në Lushnjë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit “Operacionalja 72”, lokalizuan dhe kapën në lagjen “Loni Dhamo” shtetasin E. Ç., i cili mbante me vete një armë zjarri pistoletë automatike, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me një krehër me 11 fishekë.
    Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 33 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

    Top Channel