Komisionerja Kos anulon vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve politike

Komisionerja Kos anulon vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve politike

Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e saj në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe krizës institucionale ku vendi është futur sërish. Lajmin për anulimin e vizitës, Kos ia ka komunikuar kryeministrit Albin Kurti, thanë zyrtarët e Komisionit Evropian. Zyra e shtypit e Komisionit Evropian njoftoi se komisionerja Kos synon të udhëtojë për në Prishtinë sa më shpejt të jetë e mundur. Vizita e saj ishte parashikuar për mesin e kësaj jave. Zyrtarët evropianë, ndërkohë, kanë shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ata nuk dëshirojnë të prononcohen më tej, pasi janë në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes Osamani.