Ambulanca përplas të moshuarin në Korçë, shoferi nën efektin e alkoolit përfundon në pranga

Ambulanca përplas të moshuarin në Korçë, shoferi nën efektin e alkoolit përfundon në pranga

Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia pasi, duke drejtuar një ambulancë nën efektin e alkoolit, ka aksidentuar një të moshuar mbrëmjen e së premtes. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të bibliotekës së qytetit. Sipas të dhënave paraprake, i moshuari po kalonte rrugën me biçikletë kur është përplasur nga ambulanca. Përplasja ka shkaktuar dëmtimin e të moshuarit, i cili është transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve të para, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në një situatë të pazakontë, pas aksidentit, vetë drejtuesi i ambulancës ka transportuar të dëmtuarin drejt spitalit. Policia i ka kryer testin e alkoolit drejtuesit të ambulancës, 44-vjeçarit me inicialet E.Q., dhe rezultati ka konfirmuar se ai ishte nën efektin e alkoolit. Pas veprimeve të para hetimore, 44-vjeçari është arrestuar dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur dhe shkaktimin e aksidentit. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e aksidentit.