Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, i ka kërkuar ministrisë së Jashtme të Greqisë t’i vërë në dispozicion listën e personave të padëshiruar në Greqi, pas shpalljes “non grata” të gazetarit Artan Hoxha.
Bido ka bërë me dije se ka kërkuar po ashtu edhe arsyet ligjore që kanë çuar autoritetet greke në këtë vendim.
“Sot, i jam drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë, për të kërkuar publikimin e listës së personave shqiptarë që janë të ndaluar të hyjnë në territorin grek dhe arsyet ligjore që kanë çuar në këtë vendim.
Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë, qartësi dhe trajtim të drejtë në çdo procedurë që lidhet me lëvizjen e tyre të lirë. Kjo çështje ka krijuar prej vitesh pasiguri dhe është koha që të sqarohet zyrtarisht“, shkruan ai.
Më poshtë, letra e tij zyrtare:
Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë
Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë
Kërkesë për publikimin e listës së personave të ndaluar të hyjnë në territorin grek
Me anë të kësaj letre ju drejtohem në mënyrë zyrtare për një çështje që ka rëndësi për qytetarët shqiptarë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Prej vitesh në opinionin publik shqiptar përflitet se ekziston një listë shtetasish shqiptarë ndaj të cilëve autoritetet greke kanë vendosur masën të ndalimit të hyrjes në territorin grek. Mungesa e informacionit zyrtar ka krijuar pasiguri dhe shqetësim, sidomos te qytetarët që udhëtojnë rregullisht për punë, vizita familjare apo arsye të tjera të ligjshme.
Për këtë arsye, ju kërkoj që të bëni të ditur:
Transparenca mbi këtë çështje i shërben qytetarëve, forcon besimin midis institucioneve dhe ndihmon në shmangien e çdo keqkuptimi.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Greqisë, mbetem në pritje të një përgjigjeje zyrtare.
SHPALLJA “NON GRATA” E ARTAN HOXHËS
Autoritetet e Republikës së Greqisë, shpallën më 23 nëntor 2025 me statusin “non grata”, gazetarin investigativ Artan Hoxha, duke e cilësuar “të padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik, duke ndaluar përjetësisht për të mos shkelur në territorin grek.
Gazetari Hoxha, ka qenë duke udhëtuar drejt qytetit të Janinës, kur është ndaluar nga policia greke e kufirit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Në sportelin e policisë kufitare, ku kryhet kontrolli i pasaportave për qytetarët që hyjnë në territorin grek, gazetarit Hoxha, i është komunikuar, se nuk mund të hyjë në Republikën e Greqisë, pasi përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të këtij shteti.
Pasi i është marrë pasaporta, ai është mbajtur për rreth një orë në policinë greke. Rreth orës 10:30 me orën lokale, i është komunikuar vendimi i autoriteteve greke, që e shpall “non grata” për një afat të pacaktuar.
Në vendimin që policia greke i ka dorëzuar gazetarit Hoxha, thuhet se:
1) është karakterizuar si person i padëshirueshëm.
2) konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian.
Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek.
Ky është një rast i përsëritur nga autoritetet greke ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët kanë denoncuar apo ekspozuar aktivitete të paligjshme në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë apo në dëm të interesave kombëtare shqiptare.
Një vendim i tillë është marr më parë për gazetarin Marin Mema, i cili nuk është lejuar më të shkel në territorin grek.
Pavarësisht se është një vend anëtar i Bashkimit Europian, shteti grek ka dëshmuar se vazhdon të njëjtën rrugë të penalizimit dhe diskriminimit ndaj gazetarëve shqiptarë, që “dëmtojnë” sipas tyre interesat kombëtare greke.
Gazetarit Hoxha i është komunikuar, se ky vendim është marrë në fillimin e vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian, kur në listën për eurodeputet të partisë në pushtet Nea Dimokratia (Demokracia e Re) e kryeministrit Qiriakos Mitsotaqis, kandidonte Fredi Beleri me shtetësi shqiptare dhe greke.
Për më shumë 23 vite, gazetari Artan Hoxha ka publikuar në media, kryesisht në Gazetën Shqiptare dhe televizionin News24, artikuj investigativ dhe dokumentare në lidhje aktivitete në dëm të interesave shqiptare, duke filluar nga skandali i ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në territorin e Shqipërisë, skandali i zhvarrimeve të eshtrave të fshatarëve të Kosinës për ti paraqitur ata, si martirë të ushtrisë greke të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
Gazetari Hoxha ka publikuar një seri të gjatë ndër vite investigime në lidhje me Masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur më vitin 1994. Kjo masakër u krye nga një komando e ardhur nga territori grek, e cila sulmoi repartin kufitar të Peshkëpisë në Gjirokastër, duke marrë peng për disa orë, 130 rekrutë të Ushtrisë Shqiptare dhe duke vrarë “Dëshmorët e Atdheut”, komandantin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini.
Gazetari Hoxha, në vijimësi ka sjellë prova dhe fakte, se në këtë ngjarje kanë qenë të përfshire pjesëtarë të policisë greke, shtetas shqiptarë anëtarë në organizatën paraushtarake ultranacionaliste MAVI(Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit).
Në vitin 2018, gazetari Hoxha publikoi ekskluzivisht pamjet e ngjarjes së Bularatit, ku tregohej se shtetasi shqiptar me kombësi greke, Konstandinos Kacifas, nuk ishte një martir që po sulmohej pse mbronte simbolet kombëtarë greke, për një terrorist i armatosur me kallashnikov, i cili hapi zjarr frontal kundër policisë së Dropullit.