Kjo nuk është kimioterapi, por mbijetesë’/ Denoncimi me FOTO i gazetarit për kushtet në Onkologjik
Gazetari Osman Stafa ka vijuar me denoncimet për kushtet në Spitalin Onkologjik, ku sipas tij gratë që luftojnë kancerin po trajtohen në kushte të papranueshme.
Në një status në Facebook, ai përshkruan një realitet të dhimbshëm ku shihen paciente të ulura në karrige të zakonshme, pa poltronë, pa pajisje të përshtatshme, duke marrë kimioterapi me metoda të viteve ’80 me rrezik mbidozash, nën-dozimesh dhe komplikacionesh serioze.Reagimi i gazetarit
Kjo nuk është kimioterapi.
Kjo është mbijetesë.
Në Spitalin Onkologjik
Në vitin 2025, gratë që luftojnë kancerin trajtohen kështu: të ulura në karrige të zakonshme, pa poltronë, pa privatësi, pa kushte minimale dinjiteti.
Asnjë shiringë elektrike.
Asnjë pompë infuzioni.
Kimioterapia jepet me gravitet, një praktikë e viteve ’80, me rrezik mbidoze, nën-doze, bllokimi, reaksione alergjike pa asnjë alarm. Jetë në rrezik për shkak të varfërisë teknike.
Asnjë port-cat.
Pacientët shpojnë venat çdo herë, me dhimbje, me rrezik ekstravazimi, me indet që digjen e shkatërrohen. Ndërkohë që në çdo vend normal porti vendoset që në fillim të trajtimit, për siguri, dinjitet dhe jetë.
Këto gra nuk po marrin trajtim.
Këto gra po durojnë një sistem që është dorëzuar.
Ky është realiteti i Onkologjikut sot.
Dhe çdo ditë që heshtet, pacientët trajtohet në kushte të papranueshme për një vend që pretendon të jetë europian.
Kjo nuk është historia e tyre.
Kjo është përgjegjësia e shtetit.
Tag: onkologjik
-

Kjo nuk është kimioterapi, por mbijetesë’/ Denoncimi me FOTO i gazetarit për kushtet në Onkologjik
-

Pritja që kushton jetë: Gratë me kancer gjiri në Shqipëri, peng i sistemit shëndetësor
SPITALI ONKOLOGJIK
TIRANË- Ishte nëntor, viti 2023, kur Vera* shkoi për të bërë kontrollin rutinë të gjirit. Ndryshe nga herët e tjera, ku ajo kthehej në shtëpi e qetë me përgjigjen se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, ajo ditë vjeshte ia ndryshoi jetën përgjithmonë.
Mjeku, nga ekzaminimi, i konstatoi një masë në gji duke dyshuar kështu për tumor dhe i kërkoi të bënte një skaner për të shuar çdo pikëpyetje.
Me tronditjen e një diagnoze të mundshme dhe frikën që përhapej me çdo minutë që kalonte, Vera nxitoi në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUNT) për të rezervuar një orar për ta bërë skanerin, por situata me të cilën u përball nuk ishte aspak optimiste.
Siç kujton ajo, kur mori përgjigjen se duhej të priste 6 muaj për skanerin, opsioni i radhës ishte të shkonte në spital privat.
“Skanerin do ta bëja vetëm pas gjashtë muajsh. Në atë moment isha e alarmuar dhe doja ta bëja sa më shpejt,” kujton Vera, e cila më tej vijon duke treguar se menjëherë u nis në një prej spitaleve private, e vetëdijshme se do t’i duhej të paguante shumë, por ishte i vetmi opsion për të mos rrezikuar shëndetin e saj.
Pasi kreu të gjitha procedura dhe ekzaminimet e kërkuara nga mjeku brenda ditës, ajo mori diagnozën e kancerit të gjirit, për të cilën spitali publik do t’ia përcaktonte pas gjysmë viti. Kjo kohë pritjeje, për një pacient me sëmundje tumorale, përkthehet në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, deri në rrezikim të jetës.
Pas diagnozës, Vera vijon edhe trajtimet e para në spitalin privat, duke kryer edhe ndërhyrjet kirurgjikale. Pasi gjendja e saj u stabilizua, ajo vendos që të rikthehet në Spitalin Onkologjik për vijimin e trajtimit, pasi kostot në privat ishin të larta dhe me shpresën se sistemi shëndetësor publik nuk do ta linte sërish në baltë.
Por, historia u përsërit. Vera kujton se i duhej të priste për orë të tëra për të bërë seancat e kimioterapisë dhe se jo gjithmonë kishte medikamente.
“Përveç se përherë do të duhej të mbaja radhën duke pritur 2-3 orë për të bërë seancat e kimioterapisë, jo gjithmonë kishte medikamente. Duhej t’i siguroja privatisht dhe t’i injektoja në shtet,” tregon ajo. Përballë kësaj situate, Vera u detyrua të vijonte trajtimin sërish në spital privat.
Rasti i Verës nuk është i izoluar. Qindra në Shqipëri gra të diagnostikuara me kancer të gjirit përballen çdo vit me të njëjtin realitet: mungesën e barnave onkologjike në sistemin publik duke e detyruar të kërkojnë shpëtim dhe trajtim në sistemin privat ose jashtë vendit.
Nga pyetësori online rreth sfidave të pacienteve me kancer të gjirit në Shqipëri, nga 45 respondentë -29 prej të cilave gra të prekura me kancer gjiri, 14 të afërm të pacienteve si dhe dy profesionistë të shëndetit – rezulton se vetëm 3 në 5 gra pranojnë që marrin trajtim vetëm në sistemin publik, ndërsa pjesa tjetër trajtohen në spitalet private, jashtë vendit ose të kombinuar.
“Këtu (Shqipëri) është shumë vështirë,” tha një nga pacientet që merr trajtim jashtë shtetit por që dëshiroi të mbetej anonime.
Pyetësori nxori se 37.2% e pacienteve të përfshira deklarojnë se kanë më shumë se tre vite që trajtohen për kancer gjiri, një kalvar i gjatë jo vetëm personal, por edhe familjar që i përball këto gra me sfida të rënda sociale dhe ekonomike, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e pjesëmarrësve kanë pranuar se janë përballur me vonesa në marrjen e trajtimit. Por kjo nuk ka ndodhur falë shërbimeve të plota që ofrohen në sistemin publik, pasi të kontaktuara për të treguar historinë e tyre, ato kanë deklaruar se për të shmangur vonesat, janë detyruar të marrin trajtimin duke paguar nën dorë, duke siguruar në mënyrë private medikamentet ose duke iu drejtuar spitaleve private.
I tillë është rasti i Alinës, e cila tregon se është detyruar të paguajë nën dorë në Spitalin Onkologjik, për të përshpejtuar përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm.
“Stafin e kam paguar nën dorë për të marrë shpejt letrat”, kujton ajo, duke treguar se tashmë ndiqet në një spital privat dhe thekson se në 5 muaj ka shpenzuar rreth 6,000 euro për trajtimin.
Mungesa e barnave, plagë e vjetër e Onkologjikut
Mungesa e barnave antitumorale dhe të gjithë problematikat komplekse të Spitalit Onkologjik janë pranuar nga vetë ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala.
Në daljen e saj të parë publike, më 20 shtator 2025, ministrja premtoi rimbursim 100% të barnave onkologjike, duke e cilësuar këtë “sfidë personale dhe profesionale”.
“Unë do të fokusohem tek rimbursimi i plotë i barnave të Onkologjikut. Është sfidë e detyrës dhe e karrierës sime, por besoj se është e realizueshme dhe në përputhje me vizionin e qeverisë,” deklaroi ajo në prezantimin e saj para QSUNT.
Ky premtim, edhe pse i mirëpritur, vjen si pranim i heshtur se pacientët onkologjikë prej vitesh kanë qenë të detyruar të paguajnë nga xhepi për barnat që, sipas ligjit, duhet të garantohen falas nga shteti.
Por hendeku mes pacientëve me sëmundje tumorale dhe një shërbimi të drejtë dhe të barabartë shëndetësor, është më i madh se kaq.
Këto ilaçe, që janë “arma e vetme” në përballjen me kancerin, shpesh mungojnë në farmacinë spitalore. Këtë problematikë e ka dokumentuar Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në auditimin për periudhën 2021–2025.
Sipas raportit, janë regjistruar 49 raste vonesash në furnizimin me barna jetike, ndërsa për disa medikamente thelbësore, si Actinomycin D dhe Phesgo (ky i fundit i domosdoshëm për gratë me kancer gjiri), nuk ka ekzistuar kontratë aktive furnizimi.
“Këto mungesa përbëjnë risk serioz për ndërprerjen e trajtimeve, duke ndikuar negativisht në efektshmërinë klinike dhe në përmbushjen e standardeve të trajtimit onkologjik,” thuhet në raport.
Sipas KLSH, kjo situatë tregon pasiguri në funksionimin e zinxhirit të furnizimit farmaceutik dhe dobësi në mekanizmat mbikëqyrës të institucioneve përgjegjëse për garantimin e qasjes së barabartë në barna për pacientët me sëmundje tumorale.
Pavarësisht këtyre fakteve kokëforta, Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUNT), në një përgjigje për Gazetën Shëndeti, mohon të ketë patur mungesë medikamentesh për gratë me kancer gjiri, duke thënë se kjo kategori pacientësh ka mbulimin më të gjerë me trajtime në krahasim me tumoret e tjerë.
“Kanceri i gjirit ka mbulimin më të gjerë me trajtime në krahasim me tumoret e tjerë dhe QSUNT siguron trajtimin më të mirë në vendin tonë për këtë patologji. Çdo medikament është marrë sipas kërkesave dhe planifikimeve të shërbimeve përkatëse.”
Trajtimi në kohë, çelësi për të fituar betejën për jetën
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) 2.3 milionë gra janë diagnostikuara me kancer gjiri në botë përgjatë vitit 2022 dhe nga këto raste, janë regjistruar 670 000 vdekje. Përgjatë po të njëjtit vit, në Shqipëri janë regjistruar 830 raste, një shifër që tregon se vëmendja ndaj kësaj sëmundjeje shumë të përhapur te gratë, duhet të jetë maksimale.
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza janë diagnostikuar 391 raste të reja me kancer gjiri, sipas të dhënave që Gazeta Shëndeti i siguroi nga QSUNT.
Të gjitha këto paciente meritojnë trajtim në kohë dhe të duhur, por në Spitalin Onkologjik realiteti flet ndryshe.
KLSH ka konstatuar se ka patur raste të ngatërresave të pacientëve dhe dhënie të medikamenteve ndryshe nga ajo e përshkruara në recetë për tumorin e gjirit.
“Janë evidentuar raste të recetave të dublikuara dhe të ngatërrime mes pacientëve. Gjithashtu janë evidentuar raste të përdorimit/ shkarkimit të barit Trastuzumab (“Herceptin”) në raste kur është kërkuar në recetë Pertuzumab + Trastuzumab (“Phesgo”). Rezulton se nuk ka një përcaktim/ ndarje të qartë në protokollin zyrtar të mjekimit të kancerit të gjirit lidhur me shkallën e efektivitetit të njërit bar në krahasim me tjetrin”, thuhet në raport.
Gjendur përballë këtyre fakteve, edhe përgjegjësi i Njësisë së Radioterapisë pranë QSUT, Dr.Orges Spahiu thekson nevojën për forcimin e strukturës së të dhënave të pacientit.
“Një prioritet thelbësor është forcimi i strukturës së të dhënave përmes digjitalizimit të kartelës së pacientit, e cila duhet të përfshijë jo vetëm të dhënat klinike, por edhe informacionin mbi strategjinë e trajtimit. Kjo do të krijonte parashikueshmëri më të mirë për nevojat terapeutike, si në medikamente ashtu edhe në elementë të tjerë të trajtimit, duke informuar planifikimin dhe menaxhimin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë”, thotë ai për Gazetën Shëndeti.
Deputetja e opozitës, Erisa Xhixho shprehet se shërbimet shëndetësore dhe aksesi në shërbim shëndetësor është një e drejtë themelore për qytetarët, ndërsa thekson se në mënyrë urgjente duhet të investohet në barna dhe pajisje mjekësore.
“Investimi në barna dhe pajisje mjekësore është emergjente dhe kjo padyshim të respektohen protokollet për shërimin e kësaj sëmundjeje. Nëse nuk e merr medikamentin në ditën e caktuar, pasojat për pacientin janë shumë të mëdha”.
Kështu pohon edhe Dr. Orges Spahiu, i cili thekson se trajtimi i menjëhershëm pas diagnozës është thelbësor për mbijetesën dhe efektshmërinë terapeutike.
“Pas vendosjes së diagnozës, një rol vendimtar ka trajtimi i koordinuar dhe i shpejtë, pa vonesa të panevojshme. Sa më herët të nisë terapia, aq më të mëdha janë gjasat për ta kontrolluar sëmundjen dhe për të ofruar opsione trajtimi më efektive,” shpjegon mjeku onkolog.
Por nënës së Artës*, paciente me tumor në gji, i është dashur disa herë të presë që të marrë shërbim dhe trajtim, sepse aparatura e skanerit ishte prishur, ndërsa në disa raste ilaçet mungonin.
“Mamaja ka patur vonesa në trajtim edhe për shkak të prishjes së skanerit, kur bënte skanere me kontraste. Jemi detyruar të presim. Një herë tjetër ishe prishur aparatura dhe sërish pritëm. Një ilaç tjetër për mbirjen e flokut që na duhej me urgjencë nuk gjendej fare në Shqipëri. E bleva në Gjermani, ka kushtuar mbi 1 mijë euro”, kujton ajo.
Rritje statistikash, ulje buxheti
Edhe pse buxheti i alokuar për Ministrinë e Shëndetësie dhe Mbrojtjes Sociale në fillim të vitit është i ulët, poshtë 3% të GDP-së, shqetësues është fakti që me rishikimet e herëpashershme gjatë vitit të buxhetit të qeverisë, sektori i shëndetësisë sërish pëson ulje të pajustifikuara dhe arsyetuara nga institucioni përgjegjës.
Në vitin 2025, shpenzimet për shëndetësinë regjistrohen në vlerën 80,730 milionë lekë. Por në vitin pasardhës, sipas PBA këto shpenzime bien në 80,613 milionë lekë, duke reflektuar një ulje prej rreth 117 milionë lekësh, një sinjal i qartë ky i mungesës së prioritetit të Qeverisë për këtë sektor.
Në projektbuxhetin afatmesëm 2026-2028, parashikohet ulje progresive e shpenzimeve në raport me PBB-në dhe me shpenzimet e përgjithshme të qeverisë, si dhe mosrealizimi i objektivave të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë.
Ulja e buxhetit ngre pikëpyetje serioze mbi angazhimin afatmesëm të institucioneve përgjegjëse për të garantuar financim të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm për shëndetësinë.
Kjo do të thotë më shumë shpenzime nga xhepi i qytetarëve për shëndetin e tyre. Siç tregon edhe Vera, ilaçin që duhej ta siguronte nga spitali, e blinte në sektorin privat duke bërë që shpenzimet për trajtimin e saj ka shpenzuar rreth 5 mijë euro.
“Nuk është se kurseje shumë si pacient në spitalin shtetëror. Prandaj vendosa qe mjekimin dhe ilaçet t’i blija aty ku isha, sepse injeksioni nuk kushtonte, ilaçi kushtonte. Një seancë mua më shkonte 180 mijë lekë të vjetra (të vjetra)”, kujton ajo.
Pra, përveç shokut emocional dhe fizik, pacientët me tumor në gji duhet të përballojnë edhe kostot e trajtimit, veçanërisht ata që vijnë në QSUNT nga rrethet, si Arta me nënën e saj.
“Babi u shpërngul në Tiranë sepse mamaja nuk e përballonte dot rrugën. Jemi detyruar të marrim një shtëpi në Tiranë përballë Onkologjikut, ku kemi jetuar për 6 muaj. Radha ishte e tmerrshme në Onkologjik. Kishte raste ku ajo duhej të priste edhe në këmbë”.
Rastet e këtyre grave janë qindra prej mijëra pacientëve të diagnostikuar çdo vit me sëmundje tumorale dhe nevojitet financim. Nëse nuk ka një rishikim të buxhetit, rrezikohet thellimi i problematikave që cenojnë drejtpërdrejtë të drejtën për shëndetësi cilësore të barabartë për të gjithë qytetarët.
Çdo ditë vlen, për jetën tënde!
Çdo vit, gjatë muajit tetor, Shqipëria i bashkohet fushatës globale kundër kancerit të gjirit.
Nën moton “Çdo ditë vlen, për jetën tënde!”, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) zhvillon fushata dhe aktivitete ndërgjegjësuese, me synimin për t’i inkurajuar gratë dhe vajzat të kryejnë kontrolle të rregullta për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Në bashkëpunim me drejtoritë rajonale të shëndetit publik, ISHP ofron gjithashtu ekzaminime falas me mamografi lëvizëse në të gjitha qytetet që nuk disponojnë pajisje të tilla.
Gjatë këtij viti, janë kryer 4096 ekzaminime, ndërsa në vitin 2024 u realizuan 3678 ekzaminime, një rritje që dëshmon efektin pozitiv dhe rëndësinë e këtyre fushatave për ndërgjegjësimin e grave se zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Muaji tetor nuk duhet të shërbejë vetëm për rritjen e vëmendjes ndaj kancerit të gjirit, por edhe për të forcuar zërat, për të ndarë histori frymëzuese dhe për të nxitur ndryshimin.
Çdo jetë vlen, por edhe çdo grua e prekur nga kanceri i gjirit meriton mbështetjen dhe kujdesin e nevojshëm për ta përballuar këtë sfidë.
*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e pacienteve. /BIRN -

‘Protesta te Onkologjiku’, Aktivistja: Nuk keni shpërdoruar vetëm detyrën. Ju jeni bashkëpunëtorë në vrasjen e pacientëve
Gjatë protestës së zhvilluar përpara Ministrisë së Shëndetësisë, në mbështetje të pacientëve onkologjikë dhe në reagim ndaj krizës së thelluar në sistemin publik shëndetësor, aktivistja Sidorela Vatnikaj mbajti një fjalë të fortë, emocionale dhe të drejtpërdrejtë.
E rikthyer për herë të dytë brenda një viti në të njëjtin vend, ajo dëshmoi me dëshpërim se situata në spitalin onkologjik jo vetëm që nuk ka njohur përmirësim, por vijon të jetë alarmante dhe çnjerëzore për mijëra pacientë që vuajnë nga kanceri.
Me tone të ashpra dhe një thirrje të qartë për përgjegjësi institucionale, Vatnikaj denoncoi mungesën e barnave jetike, aparaturave diagnostike dhe kushteve minimale për trajtim, duke e quajtur sistemin aktual një “vrasje me neglizhencë”, të ushtruar mbi njerëzit më të pambrojtur të shoqërisë. Ajo vuri në qendër të fjalës së saj kontrastin e dhimbshëm mes propagandës qeveritare për shëndetësi “të reformuar” dhe realitetit të dhunshëm që përjetojnë çdo ditë pacientët në Onkologjik.
Duke e kthyer fjalën e saj në një akt të fuqishëm publik ndëshkimi moral dhe politik ndaj autoriteteve përgjegjëse, ajo kërkoi hetim, ndëshkim dhe mbi të gjitha: trajtim dinjitoz për çdo të sëmurë. Më poshtë përmbledhja e pikave kryesore nga fjala e saj.
Pjesë nga deklarata:
“Jemi rikthyer përballë Ministrisë së Shëndetësisë pas një viti dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Ndryshimi i vetëm është emri i ministres. Situata në Onkologjik është dramatike: nuk ka ilaçe, nuk ka poltrona, mamografia nuk punon.
Gratë që shohin fushatat për “Tetorin Rozë”, në realitet përballen me një sistem të falimentuar. Shëndeti është kthyer në treg, jo e drejtë njerëzore. Pacientët udhëtojnë nga rrethet, qëndrojnë në radhë, dhe kthehen pa u trajtuar. I thuhet: “S’ka ilaçe, kthehu nesër”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dokumentuar dhjetëra shkelje: barna të skaduara, mungesë pajisjesh, trajtime në kushte çnjerëzore. Shumë pacientë trajtohen nëpër korridore, në stola, jo si njerëz, por si “kafshë në fund të jetës”. Shteti nuk është kujdesur për të sëmurët me kancer. Të mbijetuarit dhe familjarët kërkojnë drejtësi dhe dinjitet.
Spitali publik onkologjik i vetmi në Shqipëri është kthyer në simbolin e neglizhencës totale. Propaganda për reformën në shëndetësi bie ndesh me realitetin. Mosfunksionimi i sistemit nuk është më vetëm neglizhencë është bashkëpunim në krim. Shpërdorimi i detyrës ka bërë që shumë pacientë të humbasin jetën.
Aktivistja kërkon që drejtësia të veprojë ndaj çdo zyrtari përgjegjës – nga kryeministri, ministrat, deri te drejtuesit e QSUT dhe farmaceutikës. Mesazhi final: “Nuk keni shpërdoruar vetëm detyrën. Ju jeni bashkëpunëtorë në vrasjen e pacientëve”.
-

PD kërkon mocion me debat në Kuvend për “krizën në shërbimin onkologjik të QSUT-së”
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit zhvillimin e një mocioni me debat për situatën e krijuar në shërbimin onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në kërkesë thuhet se raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet sot shëndetësia, veçanërisht shërbimi onkologjik.
“Raporti i KLSH-së evidenton dhe fakton shqetësimet e ngritura vazhdimisht në media dhe denoncimet e të sëmurëve me kancer për mungesën e barnave, përdorimin e barnave të skaduara, mungesën e kontrolleve laboratorike, si dhe ofrimin e shërbimit në kohë”, thuhet nga PD.
Kërkesa zyrtare drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është firmosur nga deputetët: Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo. -

Raporti i KLSH-së për Onkologjikun/ PD kërkon mocion me debat në Kuvend
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka bërë kërkesë zyrtare Kuvendit për zhvillimin e një mocioni me debat për shërbimin onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së thuhet se raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar situatën në të cilën ndodhet shëndetësia dhe veçanërisht shërbimi onkologjik.
Sipas tyre, raporti i KLSH-së evidenton dhe fakton shqetësimet e ngritura dhe denoncimet e të sëmurëve me kancer për mungesën e barnave, përdorimin e barnave të skaduara, mungesën e kontrolleve laboratorike, si dhe ofrimin e shërbimit në kohë.
Kërkesa zyrtare është firmosur nga deputetët: Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo.
-

Raporti nga KLSH/ Spitali onkologjik, fundi i tmerrshëm i të sëmurëve me kancer
Raporti nga KLSH/ Spitali onkologjik, fundi i tmerrshëm i të sëmurëve me kancerNjë vit pas raportit tronditës që nxori në pah mangësitë në trajtimin e pacientëve me kancer, Kontrolli i Lartë i Shtetit rikthehet me një auditim po aq shqetësues. Shumica e rekomandimeve të dhëna nga KLSH vijojnë të jenë të pazbatuara plotësisht ose të mbetura përgjysmë. Kjo situatë, sipas audituesve shtetërorë, sjell pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e pacientëve me kancer dhe minon besueshmërinë e institucioneve.
Esmeralda Topi
Në Shqipëri, protokollet klinike të kujdesit paliativ për pacientët me kancer janë të vitit 2014. Trajtimi i të prekurve nga tumoret në fazën më të vështirë të sëmundjes është i njëjtë me atë të një dekade më parë. Kohë kur lista e barnave ishte shumë më e kufizuar, kur mjekësia onkologjike nuk kishte hyrë në fazën e imunoterapive dhe trajtimeve të kombinuara.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë nuk ka miratuar ende një rregullore bazike, që përcakton kriteret dhe normat shëndetësore për pacientët onkologjikë në burgje.
Këto janë dy nga rekomandimet që Kontrolli i Lartë i Shtetit i kishte adresuar autoriteteve përgjegjëse si masa urgjente për tu zbatuar një vit më parë, por që sot e kësaj dite rezultojnë të pazbatuara.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut nga raporti i ri tronditës që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar mbi situatën e trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale në Shqipëri. Shumica e rekomandimeve të dhëna një vit më parë janë vonuar.
Raporti verën se në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë mungojnë raportet e monitorimit. Drejtoria e Përgjithshme e spitalit nuk ka prodhuar asnjë dokument që të masë cilësinë e shërbimit, asnjë analizë mbi efektivitetin e trajtimit, asnjë tregues që të ndihmojë mjekët dhe pacientët të kuptojnë ku janë dhe ku duhet të shkojnë.
Programi i patronazhit ndërspitalor, i menduar për të përhapur njohuri nga Tirana drejt spitaleve rajonale, nuk ka funksionuar. Raportimi i detyrueshëm dy herë në vit pranë Ministrisë nuk është bërë.
19 poltrona për 80 pacientë në ditë
Referuar raportit, spitali Onkologjik nuk ka rritur buxhetin përballë një fluksi të pandalshëm pacientësh.
Shpenzimet kanë mbetur të njëjtat, ndërsa numri i të diagnostikuarve dhe të trajtuarve është rritur. Ka mungesa të stafit me burime njerëzore, për rrjedhojë shtohen ditët e gjata të pritjes për pacientët, duke ulur efektivitetin e shërbimit të trajtimit si dhe duke shtuar kostot financiare të pacientëve dhe familjarëve.
Vetëm 19 poltrona përballë 80 pacientëve që bëjnë kimioterapi në ditë. Një llogari e thjeshtë që tregon ngarkesën e rëndë mbi çdo pacient dhe çdo familje që udhëton nga rrethet për të marrë kimioterapi.
Shumica e pacientëve nuk kanë as mundësinë e shtrimit, sepse spitali nuk i ka shtretërit. KLSH nxjerr në pah se spitali Onkologjik e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë, pasi shërbimi me radioterapi është i centralizuar. Vetëm 9% e të sëmurëve me tumor përfitojnë hospitalizim. 91% të tjerët detyrohen të shkojnë e të vijnë, çdo ditë, me kosto financiare dhe fizike.
Po kështu, pranë Spitalit Onkologjik, mungon njësia palliative një strukturë që duhet të ofronte kujdes të specializuar për pacientët në fazat terminale. Sot, pacientët në fund të jetës vazhdojnë të vuajnë në shtëpitë e tyre, pa mbështetje mjekësore të specializuar dhe pa infrastrukturë që të lehtësojë dhimbjen, duke u lënë ata dhe familjarët e tyre të përballojnë një vuajtje fizike dhe emocionale të paimagjinueshme.
Në pavijone mungon ajri i kondicionuar, lagështira gërryen muret e disa dhomave dhe bodrumi është kthyer në një depo të pistë pajisjesh të amortizuara.
Dezinfektimi e pastrimi i këtyre ambienteve ishte një tjetër rekomandim i “menjëhershëm”, por që rezulton vetëm pjesërisht i zbatuar.
Spitalet rajonale me mungesaEdhe në spitalet rajonale situata mbetet problematike. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se në Lezhë, njësia e kimioterapisë nuk funksionon fare, ndërsa në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat, njësitë ekzistojnë, por nuk ofrojnë shërbimin e plotë që kërkon një trajtim cilësor. Detyrat funksionale të këtyre njësive nuk pasqyrohen në rregulloret e brendshme të spitaleve, stafi është i pamjaftueshëm, mungojnë mjekët onkologë, pajisjet dhe materialet mjekësore, dhe nuk ka shtretër të dedikuar për të përballuar skemat e trajtimit të kimioterapisë.
Mungojnë sistemet e informatizuara, regjistrat mbahen manualisht dhe nuk rakordohen me të dhënat e Spitalit Onkologjik në Tiranë. Në Shkodër, Elbasan dhe Berat, stafi nuk harton plane kujdesi për pacientët paliativë, ndërsa spitalet nuk mund të planifikojnë numrin e pacientëve të rinj apo skemat e trajtimit të deleguara nga Tirana.
Audituesit e KLSH-së rekomandojnë që spitalet rajonale të pasqyrojnë detyrat funksionale të njësive të kimioterapisë në rregulloret e brendshme dhe të përgatisin plane të kujdesit paliativ për pacientët. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë duhet të bashkëpunojë me spitalet rajonale për plotësimin e vendeve të punës me mjekë dhe infermierë, shtretërve të dedikuar dhe të krijojë një sistem informatizimi online për të monitoruar në kohë reale ecurinë e pacientëve me sëmundje tumorale.
PërfundimNga 12 rekomandime të dhëna një vit më parë, KLSH thotë se janë zbatuar plotësisht vetëm 4. Të tjerat janë të zvarritura ose të lëna pas dore. Disa nuk kanë nisur fare. Kontrolli i lrtë i Shtetit i ka dhënë afat institucioneve deri në fund të këtij viti për t’i përmbushur rekomandimet. Por koha nuk është një luks që e kanë pacientët me tumor, pasi ata jetojnë me diagnozën e një sëmundjeje që përparon çdo ditë./Faktoje.al
Në Shqipëri, protokollet klinike të kujdesit paliativ për pacientët me kancer janë të vitit 2014. Trajtimi i të prekurve nga tumoret në fazën më të vështirë të sëmundjes është i njëjtë me atë të një dekade më parë. Kohë kur lista e barnave ishte shumë më e kufizuar, kur mjekësia onkologjike nuk kishte hyrë në fazën e imunoterapive dhe trajtimeve të kombinuara.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë nuk ka miratuar ende një rregullore bazike, që përcakton kriteret dhe normat shëndetësore për pacientët onkologjikë në burgje.
Këto janë dy nga rekomandimet që Kontrolli i Lartë i Shtetit i kishte adresuar autoriteteve përgjegjëse si masa urgjente për tu zbatuar një vit më parë, por që sot e kësaj dite rezultojnë të pazbatuara.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut nga raporti i ri tronditës që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar mbi situatën e trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale në Shqipëri. Shumica e rekomandimeve të dhëna një vit më parë janë vonuar.
Raporti verën se në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë mungojnë raportet e monitorimit. Drejtoria e Përgjithshme e spitalit nuk ka prodhuar asnjë dokument që të masë cilësinë e shërbimit, asnjë analizë mbi efektivitetin e trajtimit, asnjë tregues që të ndihmojë mjekët dhe pacientët të kuptojnë ku janë dhe ku duhet të shkojnë.
Programi i patronazhit ndërspitalor, i menduar për të përhapur njohuri nga Tirana drejt spitaleve rajonale, nuk ka funksionuar. Raportimi i detyrueshëm dy herë në vit pranë Ministrisë nuk është bërë.
19 poltrona për 80 pacientë në ditë
Referuar raportit, spitali Onkologjik nuk ka rritur buxhetin përballë një fluksi të pandalshëm pacientësh.
Shpenzimet kanë mbetur të njëjtat, ndërsa numri i të diagnostikuarve dhe të trajtuarve është rritur. Ka mungesa të stafit me burime njerëzore, për rrjedhojë shtohen ditët e gjata të pritjes për pacientët, duke ulur efektivitetin e shërbimit të trajtimit si dhe duke shtuar kostot financiare të pacientëve dhe familjarëve.Vetëm 19 poltrona përballë 80 pacientëve që bëjnë kimioterapi në ditë. Një llogari e thjeshtë që tregon ngarkesën e rëndë mbi çdo pacient dhe çdo familje që udhëton nga rrethet për të marrë kimioterapi.
Shumica e pacientëve nuk kanë as mundësinë e shtrimit, sepse spitali nuk i ka shtretërit. KLSH nxjerr në pah se spitali Onkologjik e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë, pasi shërbimi me radioterapi është i centralizuar. Vetëm 9% e të sëmurëve me tumor përfitojnë hospitalizim. 91% të tjerët detyrohen të shkojnë e të vijnë, çdo ditë, me kosto financiare dhe fizike.
Po kështu, pranë Spitalit Onkologjik, mungon njësia palliative një strukturë që duhet të ofronte kujdes të specializuar për pacientët në fazat terminale. Sot, pacientët në fund të jetës vazhdojnë të vuajnë në shtëpitë e tyre, pa mbështetje mjekësore të specializuar dhe pa infrastrukturë që të lehtësojë dhimbjen, duke u lënë ata dhe familjarët e tyre të përballojnë një vuajtje fizike dhe emocionale të paimagjinueshme.
Në pavijone mungon ajri i kondicionuar, lagështira gërryen muret e disa dhomave dhe bodrumi është kthyer në një depo të pistë pajisjesh të amortizuara.Dezinfektimi e pastrimi i këtyre ambienteve ishte një tjetër rekomandim i “menjëhershëm”, por që rezulton vetëm pjesërisht i zbatuar.
Spitalet rajonale me mungesa
Edhe në spitalet rajonale situata mbetet problematike. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se në Lezhë, njësia e kimioterapisë nuk funksionon fare, ndërsa në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat, njësitë ekzistojnë, por nuk ofrojnë shërbimin e plotë që kërkon një trajtim cilësor. Detyrat funksionale të këtyre njësive nuk pasqyrohen në rregulloret e brendshme të spitaleve, stafi është i pamjaftueshëm, mungojnë mjekët onkologë, pajisjet dhe materialet mjekësore, dhe nuk ka shtretër të dedikuar për të përballuar skemat e trajtimit të kimioterapisë.
Mungojnë sistemet e informatizuara, regjistrat mbahen manualisht dhe nuk rakordohen me të dhënat e Spitalit Onkologjik në Tiranë. Në Shkodër, Elbasan dhe Berat, stafi nuk harton plane kujdesi për pacientët paliativë, ndërsa spitalet nuk mund të planifikojnë numrin e pacientëve të rinj apo skemat e trajtimit të deleguara nga Tirana.Audituesit e KLSH-së rekomandojnë që spitalet rajonale të pasqyrojnë detyrat funksionale të njësive të kimioterapisë në rregulloret e brendshme dhe të përgatisin plane të kujdesit paliativ për pacientët. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë duhet të bashkëpunojë me spitalet rajonale për plotësimin e vendeve të punës me mjekë dhe infermierë, shtretërve të dedikuar dhe të krijojë një sistem informatizimi online për të monitoruar në kohë reale ecurinë e pacientëve me sëmundje tumorale.
Përfundim
Nga 12 rekomandime të dhëna një vit më parë, KLSH thotë se janë zbatuar plotësisht vetëm 4. Të tjerat janë të zvarritura ose të lëna pas dore. Disa nuk kanë nisur fare. Kontrolli i lrtë i Shtetit i ka dhënë afat institucioneve deri në fund të këtij viti për t’i përmbushur rekomandimet. Por koha nuk është një luks që e kanë pacientët me tumor, pasi ata jetojnë me diagnozën e një sëmundjeje që përparon çdo ditë./Faktoje.al



