Zelensky u takua me Papa Leo XIV dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni në Romë të martën, ndërkohë që shprehu refuzimin e tij për t’i dorëzuar territor Moskës, pavarësisht presionit nga Uashingtoni për lëshime territoriale.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua të martën në Romë me Papa Leo XIV dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, ndërsa vazhdoi të mbledhë mbështetjen evropiane për Ukrainën, ndërkohë që i rezistoi presionit të SHBA-së për të bërë lëshime territoriale ndaj Rusisë.
Të hënën, Zelensky zhvilloi bisedime në Londër me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz për të diskutuar versionin e fundit të një plani paqeje të propozuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Rusisë, i cili tani ka hyrë në vitin e katërt.
Të hënën në mbrëmje, Zelenskyy u takua për darkë në Bruksel me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Pas bisedimeve në Gjenevë, Moskë dhe Miami gjatë dy javëve të fundit, plani fillestar i paqes prej 28 pikash i paraqitur Kievit nga negociatorët amerikanë është rishikuar në 20 pika, tha Zelenskyy të hënën.
Negociatorët amerikanë dhe ukrainas përfunduan të shtunën tre ditë bisedime, që synonin ngushtimin e dallimeve mbi propozimin e administratës Trump.
“Ne do të punojmë mbi këto 20 pika”, tha Zelenskyy në një konferencë për shtyp online. Ai tha se plani ende përmban çështje të pazgjidhura rreth kontrollit territorial dhe garancive të sigurisë për Ukrainën.
‘Për këtë po luftojmë’
Në një bisedë në WhatsApp me gazetarët të hënën vonë, Zelensky riafirmoi refuzimin e tij të vendosur për t’i lëshuar ndonjë territor Rusisë. “Pa dyshim, Rusia këmbëngul që ne të heqim dorë nga territoret. Ne, qartë, nuk duam të heqim dorë nga asgjë. Kjo është ajo për të cilën po luftojmë”, tha ai.
“A e shqyrtojmë mundësinë e heqjes dorë nga ndonjë territor? Sipas ligjit nuk e kemi një të drejtë të tillë. Sipas ligjit të Ukrainës, kushtetutës sonë, ligjit ndërkombëtar dhe, për të qenë i sinqertë, nuk kemi as të drejtë morale.”
Propozimi i administratës Trump, përfshin një kërkesë që Ukraina të dorëzojë rajonin Donbas në Ukrainën lindore, ku Rusia ka pushtuar pjesë të territorit, por jo të gjithë. Ukraina dhe aleatët e saj evropianë, kanë hedhur poshtë me vendosmëri çdo lëshim toke.
Trump ka sugjeruar që Rusia të mbajë ushtarakisht “dorën e sipërme”, dhe se Putini është “dakord” me propozimin. Megjithatë, Kremlini ka këmbëngulur se dëshiron të gjithë Donbasin, jo vetëm territorin që aktualisht e pushton.
Trump ka bërë thirrje gjithashtu që Ukraina të mbajë zgjedhje presidenciale, edhe pse ligji ushtarak nuk i lejon ato.
Përpara se të nisej për takimin e tij në orën 15:00 me Melonin në Palazzo Chigi, Zelensky u tha gazetarëve italianë se ishte “gjithmonë gati për zgjedhje”, në përgjigje të akuzës së Trump se po “përdorte luftën” për të shmangur mbajtjen e tyre.
I pyetur për kryeministren italiane, Zelenskyy tha: “Unë i besoj asaj, ajo do të na ndihmojë.”
‘Do të bëjmë çmos’
Të martën, Zelenskyy u takua me Papa Leo XIV në Castel Gandolfo, një rezidencë papnore jashtë Romës.
Vatikani tha se Papa “përsëriti nevojën për vazhdimin e dialogut dhe shprehu dëshirën e tij urgjente, që iniciativat aktuale diplomatike të sjellin një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Të dy diskutuan gjithashtu për të burgosurit e luftës dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
Papa Leo XIV, i cili është takuar me Zelenskyn tri herë dhe ka folur në telefon të paktën një herë me Presidentin rus Vladimir Putin, ka bërë thirrje për armëpushim dhe i ka kërkuar Moskës në veçanti të bëjë një gjest drejt paqes.
Qeveria italiane javën e kaluar shtyu një vendim për rinovimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, me autorizimin aktual që skadon më 31 dhjetor.
Një nga partnerët e koalicionit të Melonit, partia Lega ose Liga e Matteo Salvinit, është më skeptike ndaj mbështetjes së vazhdueshme.
Roma ka dërguar armë në Ukrainë, por vetëm për përdorim brenda vendit. Meloni gjithashtu ka përjashtuar dërgimin e trupave, në një forcë të mundshme monitorimi të propozuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
Megjithatë, Meloni këmbënguli javën e kaluar se “për sa kohë që ka luftë, ne do të bëjmë çmos, siç kemi bërë gjithmonë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet”./ Euronews.