Tag: india

  • Putin dhe Modi bisedojnë për tregtinë dhe paqen në takimin në Nju Delhi

    Putin dhe Modi bisedojnë për tregtinë dhe paqen në takimin në Nju Delhi

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i filluan bisedimet në takimin e tyre në Nju Delhi të premten, duke folur për tregtinë mes vendeve të tyre dhe për paqen në Ukrainë.
    India e priti liderin rus me tapet të kuq dhe Modi i tha atij se India i mbështet përpjekjet për paqe në Ukrainë.
    Kjo është vizita e parë e Putinit në Indi pas katër vjetësh, dhe synimi i tij është ta rrisë tregtinë me blerësin kryesor të armëve dhe naftës së transportuar përmes detit nga Rusia, në një kohë kur sanksionet perëndimore po ushtrojnë trysni mbi lidhjet e tyre shumëvjeçare.

    Vizita po ndodh në një kohë kur Nju Delhi është i angazhuar në bisedime me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje tregtare që synon uljen e tarifave ndëshkuese të vendosura nga presidenti Donald Trump mbi mallrat indiane për shkak të blerjes së naftës ruse nga India.
    Moska ka qenë furnizuesi kryesor i armëve për Indinë prej dekadash dhe ka thënë se dëshiron të importojë më shumë mallra indiane në përpjekje për ta çuar tregtinë në 100 miliardë dollarë deri në vitin 2030, tregti e cila deri më tani ka qenë kryesisht në favor të Rusisë për shkak të importeve indiane të energjisë.
    Qëkurse vendet evropiane ulën varësinë ndaj energjisë ruse pas pushtimit të Ukrainës pothuajse katër vjet më parë, India rriti blerjet e naftës ruse me zbritje, para se t’i ulte sërish këtë vit si pasojë e trysnisë së tarifave dhe sanksioneve amerikane.
    “India nuk është neutrale, India ka një qëndrim, dhe ky qëndrim është për paqe”, i tha Modi Putinit në hapje të bisedimeve.
    “Ne mbështesim çdo përpjekje për paqe dhe qëndrojmë krah për krah me çdo nismë të ndërmarrë për paqe”, shtoi ai.
    Putin, në përgjigje, e falënderoi Modin për vëmendjen dhe përpjekjet e tij për ta gjetur një zgjidhje për konfliktin.
    “Ne patëm mundësi, dhe ju ma dhatë këtë mundësi, të flasim në hollësi për atë që po ndodh në drejtimin ukrainas dhe për hapat që po ndërmarrim së bashku me disa partnerë të tjerë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, drejt një zgjidhjeje të mundshme paqësore të kësaj krize”, tha Putin.
    “Ndërsa vendet dhe ekonomitë tona rriten, edhe mundësitë për bashkëpunim po zgjerohet”, shtoi ai.
    India dhe Rusia pritet të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh në fund të bisedimeve zyrtare.
    Modi dhe Putin pritet të diskutojnë gjithashtu çështje që përfshijnë fuqinë punëtore dhe energjinë bërthamore civile.
    Putin mbërriti në Indi një ditë pasi zhvilloi bisedime me të dërguarit kryesorë të Trumpit për një marrëveshje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ata nuk arritën ndonjë kompromis.
    India nuk ka pranuar ta dënojë Rusinë për luftën dhe ka bërë thirrje për paqe përmes dialogut dhe diplomacisë, ndërkohë që ka thënë se lidhjet e saj me Moskën janë vënë padrejtësisht në shënjestër nga vendet perëndimore, të cilat, sipas Indisë, kanë vazhduar të bëjnë biznes me Moskën kur ka qenë në interesin e tyre.

  • Analiza e BBC/Nafta, mbrojtja dhe gjeopolitika. Pse Putini po viziton Modin në Indi?

    Analiza e BBC/Nafta, mbrojtja dhe gjeopolitika. Pse Putini po viziton Modin në Indi?

    Vladimir Putin mbërriti në Indi për një vizitë dyditore, ku u prit nga kryeministri Narendra Modi përpara samitit vjetor Rusi–Indi.
    Të dy vendet pritet të nënshkruajnë marrëveshje të reja ekonomike dhe të sigurisë, në një moment kur SHBA po rrit presionin ndaj Indisë për blerjen e naftës ruse.
    Sipas ‘BBC’, India dhe Rusia kanë qenë aleatë për dekada, dhe marrëdhëniet e tyre mbeten jetike për të dyja palët. Për Moskën, India është një treg gjigant me rritje të shpejtë ekonomike dhe një importues i madh i naftës. Pas pushtimit të Ukrainës, pjesa e naftës ruse në importet e Indisë u rrit nga 2.5% në rreth 35%, falë çmimeve të ulëta. Por administrata e presidentit amerikan Donald Trump vendosi tarifa të reja mbi mallrat indiane, duke e akuzuar Delhin se ndihmon financiarisht Kremlinin. Si rezultat, blerjet e naftës ruse nga India kanë rënë, diçka që Putini shpreson ta rikthejë.
    Rusia shpreson gjithashtu të forcojë bashkëpunimin në mbrojtje, një fushë ku tradita e gjatë e furnizimit me armë është dobësuar vitet e fundit për shkak të diversifikimit të Indisë dhe kufizimeve teknike të Rusisë. Megjithatë, forcat indiane ende varen shumë nga pajisjet ruse, si avionët Sukhoi-30 dhe sistemet S-400. India po shqyrton mundësinë e blerjes së sistemeve S-500 dhe avionëve Su-57, por kërkon garanci për afatet e dorëzimit, të vonuara nga sanksionet dhe lufta.
    Nga ana tjetër, Modi kërkon të zvogëlojë deficitin tregtar me Rusinë, i cili është zgjeruar ndjeshëm për shkak të importeve masive të naftës. India synon të rrisë eksportet e produkteve konsumatore dhe industriale në tregun rus dhe të zgjerojë bashkëpunimin përtej sektorëve të naftës dhe mbrojtjes.
    Në aspektin gjeopolitik, vizita vjen në një moment të ndjeshëm për Indinë. Marrëdhëniet me SHBA janë tensionuar për shkak të tarifave, ndërsa vendet kryesore evropiane po e shtyjnë Nju Delhin të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj Rusisë. Modi përpiqet të ruajë “autonominë strategjike”, duke balancuar partneritetin tradicional me Moskën dhe lidhjet e rëndësishme me Perëndimin.
    Sipas analistëve, vizita e Putinit është një test për këtë ekuilibër delikat. Një rezultat modest do të përfshijë marrëveshje për naftën dhe mbrojtjen; një rezultat më ambicioz mund të riformësojë marrëdhëniet tregtare dhe pozicionin e Indisë në arkitekturën ekonomike rajonale.

  • Analiza e BBC/ Nafta, mbrojtja dhe gjeopolitika. Pse Putini po viziton Modin në Indi?

    Analiza e BBC/ Nafta, mbrojtja dhe gjeopolitika. Pse Putini po viziton Modin në Indi?

    Top Channel

  • Thikë me dy presa! India mes SHBA-vë dhe Rusisë, çfarë do të sjellë takimi Putin-Modi

    Thikë me dy presa! India mes SHBA-vë dhe Rusisë, çfarë do të sjellë takimi Putin-Modi

    Kur avioni i Presidentit rus Vladimir Putin do të zbarkojë në New Delhi, ai do të pritet me ceremoninë tipike të një partneri të vjetër strategjik. Por kryeministri Narendra Modi ndodhet përballë një dileme të madhe e delikate: të ruajë një aleancë tradicionale me Rusinë, ndërsa njëkohësisht kërkon të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.
    India mes dy fuqive

    Nga Rusia, India kërkon armë, naftë të lirë dhe një partneritet të ngushtë të trashëguar në fakt që prej Luftës së Ftohtë. Ndërsa nga SHBA-të kërkon teknologji, investime dhe mbi të gjitha, uljen e tarifave të ashpra që presidenti amerikan Donald Trump i vendosi Indisë, pjesërisht si ndëshkim për blerjen e naftës ruse.
    Modi po tenton të mbajë të dyja palët afër duke shfrytëzuar pozitën e Indisë si ekonomi e madhe dhe si aktor kyç në rajonin Indo-Paqësor. Por Putini ndodhet në një moment kur marrëdhëniet me Washingtonin i ka të tensionuara.
    “Partner i vjetër, sfida të reja”

    Marrëdhënia e Indisë me Rusinë është e provuar përgjatë kohës.
    Moska ka qenë furnizuesi kryesor i armëve për Indinë për dekada, veçanërisht përballë kërcënimeve nga Kina dhe Pakistani. Edhe sot, bisedimet për blerjen e avionëve luftarakë rusë mbeten në agjendë.
    Por lufta në Ukrainë e ka sjellë Indinë në qendër të kritikave, pasi ajo shfrytëzoi çmimet e ulëta të naftës ruse për të furnizuar ekonominë e saj gjigante. Kjo solli kundërpërgjigje nga Perëndimi, SHBA-të vendosën tarifa 50% dhe sanksione të reja ndaj kompanive ruse, duke e mbajtur Indinë në pozitë të vështirë.
    Tarifat amerikane e shtynë Modin të kërkojë rrugë të reja balancimi. Gjatë këtyre muajve India uli importet e naftës ruse dhe firmosi marrëveshje për blerje gazi nga SHBA-të, ky një sinjal pajtimi.
    Nga ana tjetër, presioni amerikan çoi në një zbutje të marrëdhënieve me Kinën.
    Modi zhvilloi vizitën e parë në 7 vjet në Pekin, në një samit ku mori pjesë edhe Putini, duke treguar se India ka alternativa dhe po i përdor ato për t’i treguar Perëndimit se nuk është e varur vetëm nga Washingtoni.
    Një ekuilibër i brishtë

    India po ecën në një litar tejet të tendosur. Po pse?
    Së pari, Rusia mbetet furnizuesi kryesor i armëve në një rajon ku marrëdhëniet me Kinën dhe Pakistanin janë të tensionuara.
    Së dyti, SHBA-të janë partneri kryesor ekonomik, teknologjik dhe strategjik kundër ndikimit kinez!
    Vizita e Putinit dhe negociatat për kontrata të mëdha ushtarake do të shihen me vëmendje të madhe nga Washingtoni, sidomos teksa India dhe SHBA-të ende nuk kanë arritur një marrëveshje tregtare.
    Në këtë situatë, Modi përpiqet të ruajë balancën e vështirë mes dy fuqive, duke treguar se India ka hapësirë manovrimi dhe se nuk do të rreshtohet plotësisht me asnjërën palë.
    Analizë e CNN, e përshtatur në shqip

  • Analizë: Si po bëhet India një qendër e teknologjisë globale

    Analizë: Si po bëhet India një qendër e teknologjisë globale

    Punimet po ecin me shpejtësi për ndërtimin e fabrikës së parë të mirëfilltë për çipa të gjysmëpërçuesve me teknologji 300 mm (12 inç) në zonën industriale të Dholera, në perëndim të Indisë. Ky është një projekt nga kompania “Tata Electronics”, pjesë e grupit “Tata”, ndër më të mëdhenjtë e Indisë, në bashkëpunim me Powerchip Semiconductor Manufacturing Corporation (PSMC) nga Tajvani. Investimi arrin në vlerën e 11 miliardë dollarëve, gjysma e të cilit është subvencion nga qeveria e Indisë.
    “Kjo është mundësia e artë për gjysmëpërçuesit, teksa konsumi i brendshëm për këtë produkt po rritet, në një kohë që prodhimi i tij është përqendruar në pak vende dhe klientët po kërkojnë diversifikim”, tha Uptal M.Shah, Zv.drejtor i strategjisë dhe zhvillimit të biznesit i “Tata Electronics” në një takim me gazetarë nga Europa, që ishin në një vizitë njohëse në Indi.
    Ai shton se konsumi i gjysmëpërçuesve, që përdoren nga automjetet, pajisjet elektronike, pajisjet industriale, robotikë, telekomunikacion, mjekësi, pritet të dyfishohet në vend deri në vitin 2030 duke arritur në 110 miliardë dollarë, i nxitur nga rritja e shpejtë e ekonomisë.
    Industria e gjysmëpërçuesve sot është e përqendruar në SHBA, Tajvan, Japoni, Kinë. Në Indi ka shumë fabrika për montimin, por “Tata” është projekti i parë që do të realizojë cikël të mbyllur.
    Fabrika do të mundësojë krijimin e një zinxhiri të qëndrueshëm të furnizimit. Avantazhi kryesor konkurrues pritet të jetë çmimi i lirë.
    Këta çipa janë të qëndrueshëm dhe shumë më të lirë për t’u prodhuar dhe kërkohen në sasi gjigante nga industria automobilistike, industriale dhe elektronika bazë.
    Kjo është arsyeja pse vendet si India dhe kompani si “Tata” investojnë pikërisht në këto teknologji, ku kërkesa, jo vetëm e brendshme, por edhe ajo globale, është e madhe dhe e vazhdueshme.
    “10% e gjysmëpërçuesve globalë do të konsumohen vetëm në Indi, por dhe tregu ndërkombëtar është në rritje”, pohon M.Shah.
    “‘Tata’ është pioniere për gjysmëpërçuesit dhe India është e pozicionuar në mënyrë unike.
    Një nga arsyet e rritjes së shpejtë të ekonomisë është digjitalizimi i shpejtë dhe zgjerimi i tregut konsumator”. Ai shton se pesha e industrisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), nga 17% në vitin 2025 pritet të arrijë në 25% deri në vitin 2030.
    Ky sektor po merr mbështetje të madhe nga qeveria indiane. Skema për ndërtimin e fabrikave të gjysmëpërçuesve parashikon subvencione prej 50% të kostos së projektit (bashkëfinancim) nga qeveria qendrore.
    Një agjenci qendrore e krijuar nga qeveria indiane në vitin 2021, “India Semiconductor Mission” (ISM) udhëheq dhe koordinon zhvillimin e plotë të industrisë së gjysmëpërçuesve në Indi, nga prodhimi, te dizajni, kërkim-zhvillimi dhe ekosistemi mbështetës, me synim që India të bëhet një qendër rajonale për prodhim dhe R&D në gjysmëpërçues dhe të ulë varësinë nga importi.
    M.Shah thotë se subvencionet e qeverisë në këtë sektor pritet të arrijnë 25 miliardë dollarë.
    Fabrika, godinat e të cilit po marrin gradualisht formë, pritet të jetë funksionale në fund të 2026-s dhe të ngrihet plotësisht në vitin 2027. Kapaciteti prodhues pritet të jetë 50,000 peta gjysmëpërçuese në muaj dhe ka një potencial punësimi prej 20 mijë punonjësish.
    Fabrika në ndërtim e Tata Electronics, një investim prej 11 miliardë dollarësh për prodhimin e gjysmëpërçuesve. Foto: Sandra Carić Herceg
    Pranë fabrikës në ndërtim të “Tata” prej disa vitesh ushtron aktivitetin ReNew një nga kompanitë më të mëdha të energjisë së pastër në Indi, me një portofol të instaluar mbi 13.5 GW dhe mbi 9.5 GW kapacitet në operim.
    Kompania prodhon module diellore në fabrikën e saj të re në Jaipur, me kapacitet mbi 16 mijë module në ditë.
    Të dyja fabrikat janë pjesë e parkut industrial “greenfield” të Dholera, që i ka fillesat në vitin 2009, me një akt që rregulloi zonat e veçanta me synim nxitjen e investimeve në një hapësirë prej 920 kilometrash që ishte vetëm fushë.
    Kjo është një sipërfaqe më e madhe se ajo e Singaporit dhe është jo vetëm zona industriale më e madhe në Indi, por edhe në botë. “Avantazh ishte disponueshmëria e lartë e tokës.
    Pas miratimit të akteve, u përgatitën planet e zhvillimit, qeveria qendrore dhe lokale filloi ndërtimin e infrastrukturës, u promovuan investitorët, u bënë takimet me investitorët potencialë. Edhe pronarët e tokës u bënë pjesë e zhvillimit, pasi do të jenë partnerë”, thotë Aditi Goyal, menaxhere e marketingut dhe markës në qytetin industrial të Dholera.
    Fokusi ishin projektet e gjysmëpërçuesve dhe investimet elektronike, po njëkohësisht po zhvillohen parqe të mëdha diellore dhe infrastrukturë energjetike. Incentivat varen nga sektorët, por përparësi kanë gjysmëpërçuesit.
    “Qyteti po ndërtohet nga e para, me konceptin e një ‘smart city’, me ndërlidhje rrugore, aeroport e hekurudhë, trajtim të ujërave e mbetjeve”, thotë Goyal.
    Një pjesë e rëndësishme e projektit është dhe ngritja e infrastrukturës sociale, me komplekse rezidenciale, hotele, shkolla, hapësira tregtare, argëtimi.
    “Projekti do të nxisë punësimin dhe do të ndihmojë të rinjtë me trajnime dhe arsim”. Deri në fazën e plotë të zhvillimit pritet të hapen rreth 800,000 vende pune direkt dhe indirekt, në industri, teknologji dhe shërbime.
    Projekti parashikon që faza kryesore të jetë funksionale deri në vitin 2030-2032 dhe zhvillimi të përfundojë në mënyrë të plotë rreth vitit 2040.
    Zona industriale do të përfshijë fabrikën e gjysmëpërçuesve, terminale logjistike, fabrikë automjetesh elektrike, park diellor, aeroport ndërkombëtar dhe korridore transporti, së bashku me qytetin smart rezidencial.
    Dholera është nyja e parë dhe më e madhe e korridorit industrial Delhi–Mumbai, pjesë e Programit Kombëtar për Zhvillimin e Korridoreve Industriale, i cili përfshin 32 projekte Smart City në 4 faza përgjatë 11 korridoreve të reja industriale për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Indi, i cili po zbatohet gradualisht nga viti 2014 e në vijim, me afat të plotë realizimi deri në vitet 2035–2040.
    Si u bë India, ekonomia me rritjen më të madhe në botë
    India ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare vitet e fundit për shkak të ritmeve të shpejta të rritjes ekonomike, me 6.5-7.5% në vit.
    Këto nivele kanë qenë ndër më të lartat në botë gjatë viteve të fundit, duke e konsoliduar vendin si ekonominë kryesore me zgjerimin më të shpejtë ndër shtetet e mëdha.
    Parashikimet e FMN-së dhe agjencive të vlerësimit tregojnë se rritja pritet të qëndrojë rreth 6.5% edhe gjatë 2026–2027.
    FMN pret që deri në mars të vitit të ardhshëm, India të tejkalojë Japoninë duke u bërë ekonomia e katërt më e madhe në botë, pas SHBA-së, Kinës e Gjermanisë. Fondi parashikon se deri në vitin 2030 do të renditet vetëm pas SHBA-së dhe Kinës.
    Në fillim të këtij shekulli, India nuk renditej as në dhjetëshen e parë.
    Ashwini Vaishnaw, ministër i Hekurudhave, Informimit dhe Komunikimit Publik, si dhe i Elektronikës dhe Teknologjisë së Informacionit, shpjegon se strategjia e qeverisë indiane mbështetet tek investimet masive në infrastrukturë, zhvillimi gjithëpërfshirës që synon të ulë pabarazitë dhe të forcojë kapitalin njerëzor, zgjerimi i kapaciteteve prodhuese dhe industrializimi, si dhe thjeshtimi i legjislacionit për të krijuar një klimë më të favorshme për biznesin dhe investimet.
    Ministri argumenton se kombinimi i këtyre katër shtyllave ka ndihmuar Indinë të arrijë ritmet më të larta të rritjes në botë vitet e fundit, të tërheqë investime të mëdha të huaja dhe të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e varfërisë, duke e shndërruar vendin në një nga ekonomitë më dinamike të dekadës.
    “Në kohën e pandemisë, vendet e pasura dhanë cash për popullatën, që krijoi më shumë probleme se zgjidhi për shkak se rriti inflacionin. Ne vendosëm të hidhnim kapital që sjell zhvillim afatgjatë dhe sot mund të shikohen rezultatet, me inflacionin që mbeti i ulët dhe rritjen që ishte e lartë”, tha ai në takimin me gazetarët nga Europa.
    Ai shton se në 11 vjet u shtuan 59 mijë kilometra infrastrukturë rrugore, 37.5 mijë kilometra hekurudha, 92 aeroporte, si dhe u elektrifikuan hekurudhat, ndërsa trenat prodhohen në vend. U realizuan investime në infrastrukturë sociale, ku ndër të tjera u ndërtuan 40 milionë shtëpi të përballueshme.
    Një fokus i veçantë ishte arsimi. “Çdo javë hapet një universitet i ri”, pohon ai. “Po trajnohen studentë në 295 universitete me format më moderne të financuara nga shteti për gjysmëpërçuesit dhe për të projektuar çipat.
    “Çipat më të avancuar prodhohen në Indi. Ky do të jetë një avantazh i madh i vendit në të ardhmen”, tha ministri. “Eksportet elektronike janë të tretat më të mëdha në botë dhe këtë vit pritet të eksportojmë më shumë sesa Kina”.
    “Duhet të shikoni se ku e keni avantazhin”, këshillon z. Vaishnaw, duke shtuar se fokusi duhet të mbetet te talentet dhe zhvillimi i sistemit arsimor.
    Ashwini Vaishnaw, ministër i Hekurudhave, Elektronikës dhe IT, duke shpjeguar faktorët që kanë nxitur rritjen ekonomike të Indisë
    “Ajo që po ndodh në Indi është një histori e paprecedentë për shkallën e transformimit.
    Në tetë vjet kemi qenë ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë. Nuk ka ekonomi që ka ecur kaq shpejt”, thotë Depak Bagla, drejtor misioni i ATAL, një program qeveritar për të nxitur kulturën e inovacionit dhe sipërmarrjes në të gjithë vendin.
    Inovacioni ka qenë në themel të zhvillimit dhe rritjes së shpejtë. “Para 10 vitesh u hartua një program i madh inovacioni dhe platforma për krijimin e ekosistemit”, thotë Bagla.
    Në këtë program u regjistruan 350 mijë shkolla dhe 2.5 milionë studentë. Vendi, që ka numrin më të lartë të banorëve në botë, me 1.45 miliardë, shfrytëzoi disponueshmërinë e burimeve njerëzore, ku 65% e popullsisë është nën 35 vjeç.
    “Digjitalizimi ka qenë forma më e lartë e modernizimit të Indisë”. Nga 400 startup në vitin 2015, numri i tyre sot ka arritur në rreth 180 mijë, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
    Një pjesë e madhe e tyre janë nga qytete të vogla.
    “Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë zemra e zhvillimit që tani janë bërë motori i ekonomisë. Ato kanë nevojë për financim e digjitalizim. Është rritur aksesi në financa dhe mikrofinanca është e përhapur. Ky motor rritje po jep efekte që sjellin rreth 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
    Digjitalizimi, thotë z. Bagla, sjell gjithëpërfshirje dhe fuqizim. Sot edhe kompanitë europiane po i delegojnë shërbimet te bizneset indiane. “Investitorët vijnë për aftësitë dhe koston e ulët.
    Kur rritesh shpejt, edhe kostot ndryshojnë e të japin avantazh tjetër. Çdo investitor sot kërkon ekonomi elastike”.
    Z. Bagla thotë se një llogaritje që ata bëjnë është se për sa shpejt ekonomia arrin të prodhojë 1 trilion dollarë.
    Në vitin 2020, PBB e Indisë është 3 trilionë dollarë. Trilioni i katërt pritet të arrihet për 4-5 vjet, pra në fund të 2025-s, PBB do të arrijë në 4 trilionë. “Kur të arrijmë te trilioni i shtatë, ekonomia do të jetë në gjendje të shtojë 1 trilion dollarë në vit”.
    Ai shton se kërkesa është ajo që tërheq ofertën. “Tregu e përcakton ku do jetë rritja, sistemi e mbështet. Do të bëhemi ekonomia e katërt në disa muaj dhe po e katërta për kapitalizimin e tregut, duke qenë performuesja më e mirë në botë”.
    Zhvillimi, shton ai, ka ndryshuar jetën e çdo individi. Në 10 vjet kanë dalë 350 mijë banorë nga varfëria.
    Megjithatë, sfidat për vendin mbeten, që ka ende shumë për të ecur përpara. Sipas Bankës Botërore, të ardhurat për frymë në Indi janë rreth 2,700 dollarë, ndërsa mesatarja globale llogaritet mbi 13,000 dollarë dhe vendet e zhvilluara kanë mbi 45,000 – 60,000 dollarë për frymë.
    Në raport me varfërinë, India ka bërë përparime të mëdha gjatë dekadës së fundit, por sfida mbetet serioze në krahasim me mesataren globale. Sipas Bankës Botërore, varfëria shumëdimensionale në Indi ka rënë në mënyrë të ndjeshme, nga mbi gjysma e popullsisë një dekadë më parë në rreth 16% në vitet e fundit.
    Sidoqoftë, krahasuar me nivelin global, ku varfëria ekstreme është rreth 10% e popullsisë së botës, India vazhdon të ketë një pjesë më të madhe njerëzish që jetojnë nën nivelin ndërkombëtar të varfërisë, për shkak të pabarazive të thella rajonale, urbanizimit të fragmentuar dhe zonave të mëdha të popullsisë rurale me produktivitet të ulët.
    Në ambientet e IIMA (Indian Institute of Management Ahmedabad), inxhinierët po i japin dorën e fundit një sistemi satelitor me rezolucion të lartë për 200 km, që do të jetë strategjik për bujqësinë dhe agjencitë e hapësirës dhe komunikacionin.
    Kur produkti të marrë formë përfundimtare, ai do të testohet në Agjencinë e Hapësirës që është në të njëjtin qytet dhe do të prodhohet po në Ahmedabad dhe do të dalë në treg me një teknologji unike, që do të shërbejë për satelitët dhe komunikimin me 6G.
    IIMA, të cilin “Financial Times” në renditjen “Global MBA Ranking 2025”, e pozicionin në vendin e 31 në botë për programin MBA, ka nxjerrë 30 deri në 40% të liderëve të korporatave në Indi.
    Edhe guvernatori aktual i bankës qendrore e shumë anëtarë Parlamenti janë produkt i këtij universiteti, që i ka fillesat në vitin 1961 dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 100 hektarësh.
    Edhe pse njihet kryesisht për programet MBA, ai ka ndërtuar një ekosistem kërkimi dhe inovacioni që e vendos ndër shkollat më të avancuara të menaxhimit në rajon.
    Drejtuesit e institucionit theksojnë se misioni i IIMA-s shkon përtej arsimit tradicional, ai synon të krijojë inovacion të matshëm dhe të zgjidhë probleme reale të biznesit.
    Një prej pikave të forta të shkollës është ekosistemi i sipërmarrjes. Përmes akseleratorëve dhe qendrës CIIE.CO, IIMA mbështet start-up-e në fazat e hershme duke ofruar mentorim, akses në treg, investime dhe hapësira zhvillimi — jo vetëm për studentë, por edhe për inxhinierë, shkencëtarë dhe profesionistë.
    Fushat ku shkolla po krijon ndikim të thellë përfshijnë teknologjitë “deep tech”, robotikën, space-tech dhe shkencat e avancuara. Sot, mbi 40% e unicorn-ëve indianë kanë lidhje me IIMA, një arritje që lidhet me kulturën e hershme të sipërmarrjes: që para dy dekadash, instituti krijoi një platformë të posaçme për startup-et dhe programe akselerimi.
    Me mbi 20 vite aktivitet, IIMA Ventures ka mbështetur 2200+ start-up-e, duke gjeneruar më shumë se 3 miliardë dollarë kapital. Fushat e mbështetjes shtrihen nga teknologjitë “deep-tech”, space-tech, robotika dhe kërkimi shkencor, deri te produktet e inovacionit social.
    Ndikimi i IIMA shtrihet edhe në nivel kombëtar: sipas të dhënave të paraqitura nga drejtuesit e universitetit, një në gjashtë unicorn në Indi është themeluar nga një ish-nxënës i IIMA-së, ndërsa nga themeluesit me MBA, një në katër unicorn-ë ka lidhje me këtë institut.
    Pjesë e ADN-së së institucionit është edhe kërkimi. Fakulteti i IIMA boton në revista të njohura ndërkombëtare dhe autorë të saj publikojnë libra që përdoren gjerësisht në fusha si ekonomia, menaxhimi i operacioneve, politikat publike dhe inovacioni. Drejtuesit theksojnë se një nga synimet kryesore është forcimi i sistemit të kërkimit në Indi dhe rritja e pranisë ndërkombëtare përmes cilësisë së publikimeve.
    Përvoja e të nxënit mbetet po aq e rëndësishme. IIMA fokusohet në analizën e çështjeve reale të biznesit, përmes “rasteve studimore” dhe ndërveprimeve që nuk mund të zëvendësohen nga teknologjitë e Inteligjencës Artificiale.
    IIMA është e para shkollë indiane që përdori metodologjinë e rasteve studimore të Harvard Business School, duke krijuar sot një arkiv me 3000+ raste reale biznesi.
    Në procesin e ndërtimit të satelitit me rezolucion të lartë
    Si po ngrihet qyteti financiar “GIFT CIty”
    Nga korridoret nëntokësore me tubacione inteligjente, deri te qiellgërvishtësit që ngrihen çdo muaj, qyteti i parë financiar i Indisë po merr formë si një eksperiment ambicioz urban, ekonomik dhe teknologjik.
    Ajo që dy dekada më parë ishte një zonë bosh mes Ahmedabad dhe Gandhinagar, sot po shndërrohet në një qendër tërësisht të re ndërkombëtare për financën, teknologjinë dhe shërbimet globale.
    “Qendra financiare ishte e nevojshme, pasi u pa që pas rritjes së shpejtë ekonomike kishte kërkesë për shërbime dhe sipërmarrësit po shkonin në shtete të tjera.
    Kjo na ekspozoi që të mendonim se kishte shumë rregullore që po i pengonin dhe kjo po bënte që paratë të shkonin jashtë”, thotë Dr. Dipesh Shah, drejtor ekzekutiv i zhvillimit i Autoritetit të Shërbimeve Financiare Ndërkombëtare.
    “Pamë shumë modele, si Londrën, Singaporin, Tokion dhe vendosëm për një ndërthurje të tyre për krijimin e një qyteti modern për financën dhe teknologjinë dhe ekosistemin ku mund të marrin shërbimet financiare brenda vendit”.
    Qyteti që po ngrihet quhet GIFT City (Gujarat International Finance Tec-City). Ai është konceptuar si projekt me faza të shumta dhe afatgjatë.
    Zhvillimi i tij nisi me godinën e parë në 2013, rregulloren në 2015 dhe krijimin e Autoritetit Mbikëqyrës (International Financial Services Centres Authority- IFSCA) në 2019, që ka shënuar fazën më të rëndësishme të rritjes.
    Sot panorama mbizotërohet nga kulla të larta në ndërtim e sipër, vinça që lëvizin pa pushim dhe fasada qelqi që reflektojnë dritën e pasdites. Sipas planit, deri në vitin 2030, këtu do të ngrihen 100 kulla, dhe rreth 40 janë tashmë në ndërtim.
    Brenda zonës funksionojnë 25 godina, ndërsa 47 të tjera po planifikohen ose ndërtohen. Ky ritëm e bën GIFT një nga projektet urbane më dinamike në Indi.
    Në sipërfaqe, kontrasti mes kullave të biznesit dhe gjelbërimit të zgjeruar krijon pamjen e një qyteti që synon një ekuilibër mes modernitetit dhe jetës së përditshme. GIFT është i ndarë në dy zona të mëdha: Zona rezidenciale — me banesa, hapësira sociale dhe shërbime — dhe Zona Ekonomike Speciale, ku ndodhet International Financial Services Centre (IFSC), zemra e projektit.
    “Në dallim nga qendrat e tjera financiare, modeli ynë ka përfshirë dhe qendrat e banimit, si një lehtësi që punonjësit të mos humbasin kohë në udhëtim nga puna në shtëpitë e tyre”, thotë Dr.Shah. “Synojmë të tërheqim talentet nga rajonet që janë në shtet afër dhe duan të punojnë këtu”.
    Sot, GIFT City ka tërhequr 18 banka të huaja, 17 banka indiane dhe disa nga fondet më të mëdha të investimeve në rajon. Mbi 1,000 zyra janë tashmë funksionale dhe 27,000 profesionistë punojnë brenda qytetit, nga të cilët 6,000 vetëm në qendrën financiare.
    Synimi është të arrihet në 100 mijë punonjës deri në vitin 2030, me paga që në sektorët kryesorë mund të arrijnë deri në 100,000 dollarë në vit, duke e kthyer GIFT në një magnet të ri për talentet indiane dhe ndërkombëtare.
    Qyteti po shndërrohet në një shembull të zhvillimit urban të integruar, me distrikt biznesi, zona rezidenciale të posaçme, infrastrukturë sociale, qendra argëtimi dhe një peizazh që ndërthur punën me jetesën moderne.
    Sistemi i trajtimit të mbeturinave në Gift City
    GIFT City funksionon me konceptin “smart city”, ku edhe mbledhja e mbetjeve bëhet në mënyrë të automatizuar: ato tërhiqen nga ndërtesat përmes një sistemi tubacionesh të mbyllura, pa pasur nevojë për grumbullim tradicional nëpër rrugë.
    Nga pikëpamja ligjore, zona financiare e GIFT City trajtohet si një juridiksion i veçantë ndërkombëtar brenda territorit indian.
    Për shumë shërbime financiare, ajo konsiderohet si “zonë jorezidente”, çka lejon regjim tatimor më konkurrues, procedura më të thjeshtuara për kapitalin e huaj, kontrata ndërkombëtare të standardizuara dhe rregulla që përafrohen me qendrat globale si Dubai DIFC dhe Singapore IFSC.
    Në këtë kuptim, një kompani që operon brenda IFSC-së së GIFT City trajtohet ndryshe nga një kompani brenda juridiksionit të zakonshëm indian.
    Sipas planifikimit aktual, ndërtimi dhe operacionalizimi i fazës kryesore pritet të përfundojë deri në 2030, me ngritjen e rreth 100 kullave. Brenda dekadës së ardhshme, GIFT City synon të pozicionohet si një qendër e plotë financiare ndërkombëtare e rangut të Singaporit dhe Dubait, e mbështetur nga një sistem ligjor tërësisht i dedikuar./ Monitor

  • India, si po bëhet një qendër e teknologjisë globale

    India, si po bëhet një qendër e teknologjisë globale

    Projekti i Dholera Smart City

    Pa arsim nuk ka zhvillim

  • Gjendet i braktisur, pas 13 vitesh zhdukjeje avioni Boeing 737-200

    Gjendet i braktisur, pas 13 vitesh zhdukjeje avioni Boeing 737-200

    Një Boeing 737-200 i Air India, i konsideruar prej vitesh i zhdukur, është gjetur në një zonë të largët të aeroportit të Kalkutës, duke zbuluar një nga skandalet më të çuditshme të administrimit të ish-kompanisë shtetërore.
    Sipas “Telegraph India”, drejtori ekzekutiv Campbell Wilson u shpreh se kompania “as nuk e dinte që avioni ekzistonte”, deri para pak kohësh.
    Historia nis në vitin 1982, kur Indian Airlines mori avionin dhe e përdori për transport mallrash, përpara se ai t’i kalonte India Post. Pas bashkimit të linjave ajrore, Boeing-u vijoi shërbimin si avion mallrash derisa u tërhoq në vitin 2012 dhe u la i braktisur në Kalkutë deri në vitin 2022.

    Kur Air India u privatizua dhe u mor nga grupi Tata, avioni nuk figuronte më në regjistrat zyrtarë. Hetimet tregojnë se administrimi i dobët ka bërë që ai të “zhdukej” gradualisht nga dokumentacioni.

  • Shpërthimi në Nju Delhi/ India shpall gjendje gatishmërie të lartë në kufirin me Pakistanin

    Shpërthimi në Nju Delhi/ India shpall gjendje gatishmërie të lartë në kufirin me Pakistanin

    India ka shpallur gjendje gatishmërie të lartë në kufirin e saj me Pakistanin dhe Bangladeshin pas një shpërthimi në New Delhi, raportoi India Today TV.

    Forcat e sigurisë kufitare kanë rritur vigjilencën dhe kanë shtuar patrullimet për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm, tha kanali televiziv.

    #WATCH | Delhi: Blast near Red Fort Metro Station | Union Home Minister Amit Shah arrives at the spot.A blast took place in a Hyundai i20 car near the Red Fort in Delhi today at around 7 pm. Due to the blast, eight people have died so far. pic.twitter.com/QiDQrTJHXs— ANI (@ANI) November 10, 2025

    Kryeministri indian Narendra Modi u informua për shpërthimin në lagjen e Delhit të Vjetër të kryeqytetit indian, e cila është e njohur për turistët. Ai foli me Ministrin e Punëve të Brendshme Amit Shah.

    Të hënën në mbrëmje, një makinë shpërtheu në një semafor pranë Fortesës historike të Kuqe në Nju Delhi. Dhjetë persona u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën. Shkaku i shpërthimit nuk është përcaktuar ende. Policia po heton incidentin.

    Agjencitë e sigurisë gjithashtu kanë shpallur gatishmëri të lartë në të gjithë kryeqytetin kombëtar . Një gatishmëri e lartë u dha për Aeroportin Ndërkombëtar Indira Gandhi (IGI), si dhe për stacionet e metrosë dhe hekurudhave në Delhi dhe Rajonin Kombëtar të Kryeqytetit (NCR).

  • “Është mrekulli që jam gjallë, por po vuaj”, flet i mbijetuari i vetëm i tragjedisë së Air India

    “Është mrekulli që jam gjallë, por po vuaj”, flet i mbijetuari i vetëm i tragjedisë së Air India

    I mbijetuari i vetëm nga rrëzimi i avionit të Air India qela të vdekur 241 persona në qershor e ka përshkruar jetën e tij që nga tragjedia si një luftë të vazhdueshme dhimbjeje dhe pikëllimi.
    39-vjeçari Vishwaskumar Ramesh arriti të dilte i gjallë nga rrënojat e Boeing 787 që po fluturonte për në Londër nga aeroporti i Ahmedabadit në Indinë perëndimore. Imazhet që bënë xhiron e botës në atë kohë e treguan atë duke u larguar nga vendi i rrëzimit, pothuajse i padëmtuar, ndërsa tymi i dendur ngrihej në ajër pas tij.
    Duke folur për BBC-në, Ramesh tha: “Unë jam i vetmi i mbijetuar. Ende nuk mund ta besoj. Është një mrekulli.”
    Megjithatë, siç shtoi ai, kjo mrekulli u shoqërua me një humbje të papërshkrueshme.
    “Humba vëllanë tim. Ai ishte forca ime, personi që më mbështeti gjatë gjithë këtyre viteve.”
    Ai përshkroi përpjekjen e tij dramatike për t’u çliruar nga ulësja e tij dhe për të shpëtuar nga rrënojat. “Po vuaj fizikisht dhe mendërisht. Kam dhimbje në këmbë, shpatull, gju dhe shpinë. Nuk po flas me askënd, madje as me gruan dhe djalin tim. Dua vetëm të jem vetëm”, tha ai.
    Sipas BBC, Ramesh vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe nuk ka marrë kujdes mjekësor që nga kthimi i tij në Britani.
    Air India i ofroi 39-vjeçarit një kompensim të përkohshëm prej 21,500 paundësh, i cili u pranua, por këshilltarët e tij thonë se kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e tij të menjëhershme.
    Sipas raportit paraprak të Degës Indiane të Hetimit të Aksidenteve Ajrore, furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre disa sekonda pas ngritjes.
    Hetimi për shkakun e rrëzimit është duke vazhduar, ndërsa Air India siguroi se “kujdesi për Ramesh dhe të gjitha familjet e prekura mbetet përparësi absolute“. Nga 241 të vdekurit, 169 ishin shtetas indianë, 52 ishin britanikë dhe 19 persona ishin në tokë.

  • I mbijetoi aksidentit ku humbën jetën 241 persona, rrëqeth 39-vjeçari: Jam njeriu më me fat që ka mbetur gjallë, por po vuaj

    I mbijetoi aksidentit ku humbën jetën 241 persona, rrëqeth 39-vjeçari: Jam njeriu më me fat që ka mbetur gjallë, por po vuaj

    Viswashkumar Ramesh, i vetmi person që mbijetoi në aksidentin ajror të Air India-s ku humbën jetën 241 persona, ka rrëfyer dramën e tij të rëndë fizike dhe psikologjike.

    39-vjeçari, i cili u pa duke ecur i gjallë mes flakëve dhe tymit nga rrënojat e avionit Boeing 787 në Ahmedabad, thotë se ndihet “njeriu më me fat”, por njëkohësisht “i thyer në shpirt”.
    Fluturimi me destinacion Londrën u përfshi nga flakët vetëm pak sekonda pas ngritjes nga pista, duke shkaktuar një tragjedi që tronditi botën. Mes jetëve të humbu
    ra ishte edhe vëllai i tij, Ajay, i cili ndodhej vetëm disa vende larg tij.
    Në një intervistë për BBC, Ramesh, me sytë e mbushur me lot,  tha se ende nuk e beson që është gjallë. “Jam i vetmi që shpëtova… ende nuk më besohet. Është një mrekulli. Por humba vëllain tim… ai ishte shtylla ime, njeriu që më mbështeste çdo ditë”, tha ai.
    Që prej kthimit në Leicester, ku jeton me familjen, Ramesh vuan nga stresi i fortë post-traumatik (PTSD). Ai nuk flet me gruan dhe djalin e tij 4-vjeçar, ndërsa ditët i kalon i izoluar në dhomë.
    “Jam vetëm… nuk dua të flas me askënd. Natë për natë mendoj. Jam duke vuajtur. Çdo ditë është e dhimbshme për familjen time”, rrëfen ai mes lotësh.
    Ramesh pësoi dëmtime në këmbë, shpatull, gju dhe shpinë, dhe thotë se ende ecën me vështirësi. Ai nuk ka mundur të punojë as të drejtojë makinën që nga qershori, ndërsa biznesi familjar i peshkimit në Diu është mbyllur.
    Mamaja e tij, sipas familjarëve, nuk ka folur për muaj të tërë pas lajmit tragjik.
    Ndërkohë, këshilltarët e tij akuzojnë Air India-n se ka dështuar t’i ofrojë kujdesin e duhur psikologjik dhe financiar pas aksidentit.
    Air India ka ofruar vetëm 21,500 paund si kompensim të përkohshëm, shumë që familja e konsideron të pamjaftueshme.
    Sipas këshilltarëve, kompania ajrore ka refuzuar tre kërkesa për takim me familjen.
    Ndërkohë, hetimi për aksidentin vazhdon, pasi raporti paraprak ka zbuluar se furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre vetëm sekonda pas ngritjes.

    Top Channel