foto nga vendngjarja
MALIQ- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Maliq, ku një banesë u përfshi nga flakët, brenda së cilës ndodheshin një nënë me dy fëmijët e saj.
Fqinjët janë shprehur për mediat se nëna, Mejreme Azisllari, dhe djali 14-vjeçar, Luka Azisllari, kanë mbetur të bllokuar brenda banesës, ndërsa vajza 6-vjeçare ka arritur të shpëtojë duke u hedhur nga dritarja. Mësohet se një fqinje i ka ardhur në ndihmë vajzës, pasi dëgjoi të bërtiturat dhe zhurmën e derës që goditej me shkelma. Benereta Pashollari, në një prononcim për mediat, rrëfen momentet tragjike dhe jep detaje tronditëse mbi ngjarjen.
“Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi fqinja, doli dhe fqinja tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur,” tha Pashollari.
Për fat të keq, nëna dhe djali nuk kanë mundur të mbijetojnë për shkak të plagëve të marra, ndërsa vajza e vogël ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë soba me dru. Fqinjët po ashtu tregojnë se familja përballej me kushte të vështira ekonomike dhe se të dy fëmijët vuanin nga autizmi./ZËRI









