Tag: borges

  • Borges: E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha, s’kam qenë i lumtun!

    Borges: E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdha, s’kam qenë i lumtun!

    Jorge Luis Borges

    Pendimi, poezi nga Jorge Luis Borges

    E kam bâ nji prej mëkateve ma t’mëdhaqë nji njeri mundet me bâ: s’kam qenëi lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë,m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.

    Prindët m’lindën që ta lu’jnji lojë t’rrezikshme e t’bukur në kët’ botë,për tokë, ajër, zjarm e ujë.I mashtrova. S’qeshë i lumtun. Qe e kotë

    dëshira e tyne e rinisë. Trunin timia fala me vullnet e kâmbënguljesimetrive t’artit gjithë lajlelule.

    Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim.Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’hija e të qenit nji mjeran.

    Përktheu: Orjela Stafasani

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    JORGE LUIS BORGES: LIBRI ËSHTË ZGJATIM I KUJTESËS DHE IMAGJINATËS!

    JORGE LUIS BORGES: AMANETI QË DUA T’JU LË LEXUESVE…

  • Dy minitregime nga Jorge Luis Borges

    Dy minitregime nga Jorge Luis Borges

    Jorge Luis Borges

    Nga Jorge Luis Borges

    Një ëndërr

    Në një vend të shkretë në Iran ndodhet një kullë jo shumë e lartë prej guri, pa derë e dritare. Në dhomën e vetme (dyshemeja e së cilës është prej dheu dhe ka formën e një rrethi) ka një tavolinë prej druri dhe një stol. Në atë qeli rrethore, një njeri që më ngjan mua, shkruan me ca shkronja të pakuptueshme një poezi të gjatë për një njeri që në një qeli tjetër rrethore shkruan një poezi për një njeri që në një qeli tjetër rrethore… Procesi nuk ka fund dhe askush nuk do të mund të lexojë çfarë shkruajnë të burgosurit.

    Dialog për një dialog

    A – Të shpërqendruar prej arsyetimit mbi pavdekësinë, kishim lënë të na zinte terri pa e ndezur llambën. Nuk ia shihnim fytyrat njëri-tjetrit. Me një indiferencë dhe një ëmbëlsi më bindëse se sa zelli, zëri i Masedonio Fernandesit përsëriste se shpirti është i pavdekshëm. Më siguronte se vdekja e trupit është krejtësisht e parëndësishme dhe se të vdesësh duhet të jetë ngjarja më e pavlerë që mund t’i ndodhë një njeriu. Unë luaja me biçakun e Masedonios; e hapja dhe e mbyllja. Një fizarmonikë e afërt shpërhapte pafundësisht “Komparsitën”, atë kotësi të pikëlluar që iu pëlqen plot njerëzve, pasi i kanë gënjyer se është melodi e moçme… Unë i propozova Masedonios që të vetëvriteshim, për të vazhduar diskutimin pa bezdisjen e zhurmave.Z (tallës) – Por ma ha mendja se, më në fund, nuk vendosët të vetëvriteshit.A (tashmë krejtësisht mistik) – Sinqerisht, nuk më kujtohet nëse e vramë veten atë natë.Në shqip: Bajram Karabolli

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    JORGE LUIS BORGES DHE HISTORIA E PERANDORIT QË DOGJI LIBRAT PËR T’U BËRË “I PAVDEKSHËM”

  • Borges e urrente futbollin duke e konsideruar “estetikisht të shëmtuar”!

    Borges e urrente futbollin duke e konsideruar “estetikisht të shëmtuar”!

    Jorge Luis Borges

    Në pamje të parë, neveria e shkrimtarit argjentinas përkundrejt “lojës së bukur”, duket se pasqyron qëndrimin e urrejtësit tipik të futbollit të sotëm, për të cilin sloganet janë shndërruar gati në një refren: futbolli është i mërzitshëm; rezultati varet nga shumë faktorë; s’i duroj dot simulimet në fushë.

    Nga Shaj Mathew

    Dhe është e vërtetë: Borges e quante futbollin “estetikisht të shëmtuar”. Ai thoshte:”Futbolli është një nga krimet më të mëdha të Anglisë!”. Dhe me sa duket, ai madje planifikonte një nga leksionet e tij mbi këtë temë, në mënyrë që të përkonte qëllimisht me ndeshjen e parë të Argjentinës në Kupën e Botës 1978.

    Por, zhgënjimi i Borges me këtë sport, buronte nga diçka shumë më shqetësuese sesa estetika. Problemi i tij ishte me kulturën e fansave të futbollit, të cilin e lidhi me llojin e mbështetjes së verbër popullore, që mbështeste drejtuesit e lëvizjeve politike më të tmerrshme të shekullit XX-të.

    Gjatë jetës së tij, ai pa elementë të fashizmit, peronizmit dhe madje edhe antisemitizmit, të shfaqeshin në sferën politike argjentinase, kështu që dyshimi i tij i madh ndaj lëvizjeve politike dhe kulturës masive popullore – kulmi i të cilës në Argjentinë është futbolli – ka shumë kuptim. “Në futboll ekziston një ide e supremacisë, e pushtetit, që mua më duket e tmerrshme”- shkroi ai në një rast. Borges e kundërshtoi dogmatizmin në çdo lloj shfaqje apo forme.

    Kështu, ai ishte natyrshëm dyshues ndaj përkushtimit të verbër që bashkatdhetarët e tij kishin ndaj çdo doktrine apo religjioni, madje edhe ndaj kombëtares së tyre të dashur Albiceleste. Futbolli, është i lidhur pazgjidhshmërisht me nacionalizmin, ishte një nga kundërshtimet e tjera të Borgesit ndaj këtij sporti.

    “Nacionalizmi lejon afrmimin, dhe çdo doktrinë që hedh poshtë dyshimin, negacionin, është një formë fanatizmi dhe marrëzie”- thoshte ai . Ekipet kombëtare, gjenerojnë “zjarrin” nacionalist, duke krijuar mundësinë për formimin e një qeverie të paskrupullt  që përdor një yll të futbollit si një zëdhënës për të legjitimuar veten.

    Në fakt, pikërisht kjo ndodhi me një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit: Pele. “Edhe pse qeveria e tij arriti deri tek disidentët politikë, ajo prodhoi një poster gjigand të Peles, të shoqëruar me sloganin ‘Ninguém mais segura este país’: Askush s’mund të ndalojë tani këtë vend!”- shkruan Dejv Zirin në libër i ri “Vallja e Brazilit me Djallin”.

    Qeveritë, si p.sh diktatura ushtarake braziliane në të cilin luajti Pele, mund të përfitojnë nga lidhja që tifozët kanë me ekipet e tyre kombëtare, për të forcuar mbështetjen popullore, dhe kjo është ajo që i druhej apo edhe neveriste Borgesi.

    Tregimi i tij i shkurtër , “Esse Est Percipi” (që në latinisht do të thotë “Të jesh, do të thotë të perceptohesh”), mund të shpjegojë gjithashtu urrejtjen e tij për futbollin. Nësë shfleton pak histori, mund të zbulosh se futbolli në Argjentinë pushoi në një moment së qeni një sport, dhe hyri në sferën e spektaklit.

    Në këtë univers imagjinar, përfaqësimi i sportit ka zëvendësuar sportin aktual. “Këto sporte nuk ekzistojnë jashtë studiove televizive dhe redaksive të gazetave”- thotë një president i një klubi futbolli. Futbolli frymëzon një fanatizëm aq të thellë, sa që mbështetësit do të ndjekin ndeshjet jo-ekzistente në televizione dhe radio pa pyetur një gjë: Stadiumet kanë kohë që janë të dënuara, dhe po rrënohen. Në ditët e sotme, gjithçka është shfaqet në televizion dhe radio. Ndjesia ekzaltuese e sportistit , a nuk ju ka bërë ndonjëherë të dyshoni se gjithçka është një trillim? Hera e fundit që një ndeshje e vërtetë futbolli u zhvillua në Buenos Aires, ishte më 24 qershor 1937.

    Që nga ai moment, futbolli, së bashku me tërë gamën e sporteve, i përket zhanrit të dramës, të aktruar nga një njeri i vetëm në një kabinë, ose nga aktorë që shtirren para kamerave televizive.

    Kjo histori shkon nga shqetësimi i Borgesit me lëvizjet masive: ”Esse Est Percipi” akuzon median për pjesëmarrje në krijimin e një kulture masive që himnizon futbollin, dhe për rrjedhojë krijon hapësirë për demagogjinë dhe manipulimin.

    Sipas Borgesit, njerëzit ndjejnë nevojën t’i përkasin një plani të madh universal, diçkaje më të madhe se vetja. Feja e bën atë për disa njerëz, futbolli për disa të tjerë. Personazhet në korpusin Borgesian, ballafaqohen shpesh me këtë dëshirë, duke u rikthyer tek ideologjitë ose lëvizjet me efekte katastrofike: Rrëfimtari i historisë “Deutsches Requiem” bëhet nazist, ndërsa në “Lotaria në Babiloni” dhe “Kongresi”, “organizime të vogla, në dukje të parrezikshme, transformohen shpejt në burokraci të mëdha, totalitare, të cilat nisin ndëshkimin fizik të njerëzve, ose djegin libra”.

    Ne duam të bëhemi aq shumë pjesë e diçkaje më të madhe, sa që e verbojmë veten me të metat që zhvillohen në këto plane të mëdha – ose të metat që ishin të natyrshme për ta gjatë gjithë kohës. E megjithatë, siç na kujton tregimtari i “Kongresi”, joshja e këtyre tregimeve të mëdha flet shpesh shumë: “Ajo që ka realisht rëndësi, është të kesh ndjerë që plani ynë, me të cilin dikur jemi tallur, të ketë ekzistuar në fshehtësi, dhe ka qenë bota dhe vetja jonë”.    

    Kjo fjali mund të përshkruajë me saktësi, se si miliona njerëz në botë ndihen rreth futbollit./“New Republic”

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    BORGES: VEÇ MUJ ME T’DASHTË ASHTU SIÇ JE…

  • Bisedë mes gjigantëve Borges dhe Rulfo: Ç’fatkeqësi po të ishim të pavdekshëm!

    Bisedë mes gjigantëve Borges dhe Rulfo: Ç’fatkeqësi po të ishim të pavdekshëm!

    Në 1973, Jorge Luis Borges vizitoi qytetin e Meksikos. Shkrimtari argjentinas pati atje edhe një takim të shkurtër me presidentin e Meksikës, Luis Echeverría.

    Disa muaj më pas, gazetari kolumbian Miguel Cantero e pyet Borgesin për përshtypjet e këtij takimi dhe ai iu përgjigj:

    «Kurrë nuk e mora seriozisht. Por nëse ai është vërtet president, preferoj të mos imagjinoj qeverinë».

    Borgesi i madh, në atë vizitë, u kërkoi të zotëve të shtëpisë një favor: «Dua të takoj shkrimtarin Juan Rulfo». Ata, të gatshëm për t’ia plotësuar dëshirën, i sugjeruan që të dy shkrimtarët të sëllinin së bashku. «Ju lutem, – u thotë Borgesi, – preferoj mbrëmjet. Mëngjeset më shkatërrojnë. Nuk i kam më as gjallërinë dhe as forcën për t’i dhënë ditës atë që meriton. Tashmë, gjatë muzgjeve ndihem më mirë. Dua vetëm të bisedoj me mikun tim Rulfo».

    Të dy gjigantët e realizmit magjik dhe të “bumit latinoamerikan” u takuan dhe darkuan bashkë. Biseda e tyre, pak a shumë, ishte kjo:

    Rulfo: Mjeshtër, unë jam Rulfo. Sa mirë që erdhët. Ju e dini sa shumë ju admirojmë dhe ju nderojmë.

    Borges: Më në fund, Rulfo. Unë nuk mund ta shikoj një vend* , por mund ta dëgjoj atë. Dhe e dëgjoj me plot përzemërsi. Pothuaj e kisha harruar dimensionin e vërtetë të këtij zakoni të madh. Por mos më thërrisni Borges, dhe aq më pak “mjeshtër”. Më quani thjesht Jorge Luis.

    Rulfo: Sa i këndshëm! Atëherë, edhe ju më thërrisni thjesht Juan.

    Borges: Le të jem i sinqertë. Mua më pëlqen më shumë emri Juan se Jorge Luis. Emri juaj me katër shkronja është sa i shkurtër dhe domethënës. Një nga parapëlqimet e mia kanë qenë përherë gjërat lakonike.

    Rulfo: Jo, jo. Në këtë rast nuk është ashtu. Juan mund të jetë kushdo, por Jorge Luis është vetëm Borgesi.

    Borges: Si gjithmonë, jeni tepër i sjellshëm. Më thoni, si keni qenë kohët e fundit?

    Rulfo: Unë? Për të vdekur, pothuaj, duke vdekur.

    Borges: Domethënë, gjërat po shkuakan mirë.

    Rulfo: Si kështu?

    Borges: Imagjinoni, don Juan, ç’fatkeqësi do të ishte po të ishim të pavdekshëm.

    Rulfo: Po, vërtet. Sepse mund të na kalojë një i vdekur këtu e të bëjë sikur është i gjallë.

    Borges: Do t’ju tregoj një sekret. Gjyshi im, gjenerali, thoshte se nuk quhej Borges, se mbiemri i tij i vërtetë ishte tjetër, por ishte sekret. Dyshoj se quhej Pedro Páramo*. Atëherë, unë jam një ribotim i asaj që keni shkruar ju për Komalan.

    Rulfo: Ashtu?! Tani mund të vdes seriozisht.

    ———————————

    *Borgesi atëherë ishte gjysmë i verbër.

    *Personazhi kryesor i romanit të Rulfos, “Pedro Paramo”

    Përktheu: Bajram Karabolli

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    SALMAN RUZHDIE: BORGES HAPI CA DYER MAGJIKE NË MENDJEN TIME

    Në historinë e njerëzimit, e shenjta ka qenë gjithmonë një mënyrë për të heshtur njerëzit. E shenjta do të thotë: “Ne e tregojmë historinë, jo ju”. Dhe nga ideja e së shenjtës vijnë inkuizicionet, ajatollahët dhe të gjitha ato gjëra. Toka nën këmbët tuaja është një roman i parespektueshëm sepse privilegjon fjalën e individit, autorit të librit, mbi zërin e të tjerëve.

    Rilexojmë libra dhe na duken interesante sepse në to dhe në veprat e artit gjejmë zërin e krijuesit, i cili i përket vetëm atij.

    Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

    ObserverKult

  • Borges: Gjërat më të mira të jetës ndodhin kur më së paku i pret!

    Borges: Gjërat më të mira të jetës ndodhin kur më së paku i pret!

    JORGE LUIS BORGES: MË E MIRA ËSHTË NË TË ARDHURNë shqip: Manjola Brahaj Halili

    Nga humbjet e shumta mësova të fitoj;nga lotimi i shumtë m’u pikturua kjo buzëqeshje që kam.

    Njoh aq mirë dyshemenë saqë shoh veç qiellin.

    Kam pekur aq herë fundin saqë, sa herë që bie, e di se nesër do ngrihem.

    Aq shumë habitem si është qenia njerëzore, saqë mësova të jem vetvetja.

    M’u desh të ndjeja vetminë për të mësuar që të rrija me veten dhe të mësoja që isha shoqëri e mirë. U përpoqa shumë herë t’i ndihmoja të tjerët, saqë mësova se duhej të më kërkonin ndihmë.

    U përpoqa gjithmonë që gjithçka të ishte e përsosur dhe kuptova se në të vërtetë çdo gjë është aq e papërsosur sa ç’duhet të jetë (duke më përfshirë mua). Bëj vetëm atë që duhet, në mënyrën më të mirë që mundem e të tjerët të bëjnë ç’të duan.

    Kam parë aq shumë qen duke vrapuar pa kuptim, saqë mësova të jem breshkë dhe të vlerësoja rrugëtimin.

    Mësova se në këtë jetë asgjë nuk është e sigurtë, vetëm vdekja…prandaj e shijoj momentin dhe atë që kam.

    Mësova se askush nuk më përket, dhe mësova që do të jenë me mua kohën që ata duan dhe duhet të jenë, dhe kush me të vërtetë është i interesuar për mua do të ma bëjë me dije në çdo çast dhe kundra kujtdo qoftë. Se shoqëria e vërtetë ekziston, por nuk është e lehtë ta gjesh. Se kush të do, do të ta dëshmojë gjithmonë pa pasur nevojë që ti t’ja kërkosh. Se të jesh besnik nuk është detyrim, por një kënaqësi e vërtetë kur dashuria është zotëruesi yt.

    Kjo është të jetosh… Jeta është e bukur me ikjen dhe ardhjen e saj, me shijet dhe jo shijet…mësova të jetoj dhe të shijoj çdo detaj, mësova prej gabimeve po nuk jetoj duke menduar për to, se gjithmonë zakonisht janë një kujtim i hidhur që të pengon për të vazhduar përpara, epo, ka gabime të pakorrigjueshme. Plagët e forta kurrë nuk fshihen nga zemra jote, por gjithmonë do jetë dikush i gatshëm për t’i shëruar me ndihmën e Zotit.

    Ec me Zotin për dore, dhe çdo gjë do përmirësohet gjithmonë. Mus u sforco tepër sepse gjërat më të mira të jetës ndodhin kur më së paku i pret. Mos i kërko, ato të kërkojnë. Më e mira është në të ardhur.”

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    Borges: Kam kryer më të tmerrshmin e mëkateve, s’isha i lumtur…

    Borges: Veç muj me t’dashtë ashtu siç je…

  • Borges: Politikanët nuk i respektoj! Janë të paturpshëm!

    Borges: Politikanët nuk i respektoj! Janë të paturpshëm!

    Jorge Luis Borges

    Teksti i mëposhtëm është pjesë nga bashkëbisedimi mes gazetarit Bernardo Neustadt dhe gjeniut të letrave, Jorge Luis Borges. Borgesi përgjigjet në pyetjet se çfarë është demokracia dhe si duhet të jetë shteti.

    – Zoti Borges, çfarë është për ju demokracia?Borges: Për mua, demokracia është një abuzim me statistikat. Dhe përveç kësaj, nuk mendoj se ka ndonjë vlerë. Ju besoni vërtet se për të zgjidhur një problem matematikor apo statistikë duhet të konsultoheni me shumicën e njerëzve? Unë do të thosha jo. Atëherë, pse të supozojmë që shumica e njerëzve e kupton politikën? E vërteta është se ata nuk e kuptojnë atë dhe mashtrohen nga një sekt të poshtërish, të cilët në përgjithësi janë politikanët e çdo kombi. Këta zotërinj politikanë që shesin portretin e tyre, duke bërë premtime, herë-herë edhe kërcënime, me një fjalë: korruptojnë.Për mua, të jesh politikan është një nga punët më të trishtueshme për qeniet njerëzore. Nuk po e them këtë kundër ndonjë politikani të veçantë, por në përgjithësi. Një person që përpiqet ta popullarizojë veten te gjithë të tjerët, sigurisht, duhet të jetë i paturp. Politikani mua nuk më frymëzon asnjë respekt.– Ç’mendim keni për shtetin, si duhet të jetë ai?Borges: Më kanë mësuar se individi gjithmonë duhet të jetë i fortë, ndërsa shteti duhet të jetë i dobët. Kurrë nuk më ka pëlqyer teoria se shteti duhet të jetë më i rëndësishëm se individi.Në shqip: Bajram Karabolli

    ObserverKult

    LEXO EDHE:

    Jorge Luis Borges: Kurthi

    Lexo edhe;

    JORGE LUIS BORGES: AMANETI QË DUA T’JU LË LEXUESVE…

  • “Jetojmë në një epokë shumë torollake”… ja pse mendonte kështu Borges!

    “Jetojmë në një epokë shumë torollake”… ja pse mendonte kështu Borges!

    Jorge Luis Borges

    Një prej figurave më unike letrare të shekullit XX, Jorge Luis Borges, lindi në Argjentinë më 24 gusht 1899.

    Borges do ta ndiente veten të tërhequr nga filozofia e Heideggerit, Sartrit, Juan Ruflos. Duke e kthyer shkrimin në një mjet për të zbuluar botën dhe qenien njerëzore, Borges ka lënë pas një trashëgimi të çmuar letrash, ku çdokush mund të endet dhe t’i japë përgjigje pyetjeve që i enden rreth vetes.

    Si një prej shkrimtarëve më të mirë të Amerikës Latine, shumëkush mendon se është padrejtësi që ai nuk mori Çmimin Nobel për letërsinë.

    “Ndihem pakëz i turpëruar që marr Nobelin, sidomos duke patur parasysh që Borgesi nuk e mori asnjëherë”, ka thënë shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa pasi e fitoi çmimin në vitin 2010.

    Më poshtë mund të lexoni disa prej thënieve më të njohura të Borgesit:

    • Diktaturat sjellin shtypjen, diktaturat sjellin robërinë, diktaturat sjellin mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato sjellin idiotësinë!

    • Mos fol, nëse nuk ke për ta përmirësuar heshtjen!

    • Lëri të tjerët të krenohen se sa shumë faqe kanë shkruar. Preferoj të mburrem për ato që kam lexuar!

    • Të shkruarit nuk është asgjë më shumë se sa një ëndërr e udhërrëfyer!

    • Ne e pranojmë me kaq shumë gatishmëri realitetin. Ndoshta sepse ndjejmë që asgjë nuk është reale!

    • Çdo jetë është bërë nga një moment i vetëm, momenti në të cilin njeriu gjen njëherë e përgjithmonë kush është!

    • Kam përfytyruar gjithmonë se parajsa do të jetë njëfarë biblioteke!

    • Të jesh i pavdekshëm është e zakonshme; përveç njeriut të gjitha krijesat janë të pavdekshme, sepse ato nuk e njohin vdekjen; hyjnore, e tmerrshme, e pakuptueshme, është ta dish se je i pavdekshëm!

    • Jetojmë në një epokë shumë torollake; për shembull, njerëzit blejnë prodhime, shkëlqimi i të cilave mburret nga vetë njerëzit që e shesin.

    E përgatiti A. S.- ObserverKult

    Jorge Luis Borges

    Lexo edhe:

    JORGE LUIS BORGES: SA ZGJAT VRAMJA E NDËRGJEGJES, ZGJAT FAJI!

  • Cikël me poezi nga Jorge Luis Borges: Parajsa do të jetë diku edhe nëse nuk ekziston për mu…

    Cikël me poezi nga Jorge Luis Borges: Parajsa do të jetë diku edhe nëse nuk ekziston për mu…

    Jorge Luis Borges

    Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Jorge Luis Borges të përkthyera nga Kujtim Morina:

    Adami i parë në kohë

    A kishte një kopsht apo kopshti ishte ëndërr?Pyes veten, ngadalë në dritën e mbrëmjes,Pothuaj për ngushëllim, pa ngazëllimNëse ajo e kaluar ishte reale apo më duket muaashtu tani në mjerim, një iluzion?Jo më shumë se një shfaqje magjikeTë një zoti që nuk e njohPor e ëndërrova dhe ajo parajsë, e vagullt tani,vegim i rremë?Por e di se ajo Parajsë do të jetë dikuedhe nëse nuk ekziston për mua.Incesti ndërluftues i Kainëve dhe Abelëveështë një lojë e ashpër tokësore që më mundon.Megjithatë është një gjë e mirë të kem diturpër lumturinë apo të kem prekur dashurinë,Kopshtin e gjallë, qoftë edhe për një ditë.

    Gjumi

    Nëse gjumi është armëpushim, siç thuhetNjë kohë e përkryer e mendjes për pushim dhe shërimPse, kur të zgjojnë papritur, të duketsikur të kanë vjedhur gjithçka?Pse është kaq e trishtueshme të zgjohesh në dalë-dritë?Kjo na zhvesh nga një dhunti aq e çuditshme, aq e thellëqë mund të kujtohet vetëm sapo na del gjumi/Momente jermie që shkëlqejnë dhe stolisinmendjen që zgjohet me ëndrra, që mund të jenëveçse imazhe të thyera të thesarit të natës.Një botë e pakohë që nuk ka as emër as masëdhe thyhet në pasqyrat e ditës.Kush do të jeni ju sonte, në mbërthimin e errët të gjumitKur i përvidheni mureve të tij?

    Shkruar në një kopje të poemës epike Beowulf

    Pyes veten kohë pas kohe çfarë më shtynTë studioj ndërsa terri afrohet,pa shpresë për mjeshtëri apo përpikmëri.Gjuha e anglëve dhe saksonëve të ashpër,e humbur ndër vite, kujtesa ime.I lë të bien fjalët e përsëritura më kotDhe më së shumti kështu, jeta ime vazhdonDuke endur dhe çendur historinë e saj të rrëgjuarMbase (i them vetes), është ajo që shpirti e njehnë një farë mënyre të fshehtë dhe të mjaftueshme,Atë, të paracaktuarën, ashtu siç është, për të mos vdekur kurrëSfera e varrit gjigant e kaplon të tërënPërtej kësaj përpjekje të mundimshme, përtej këtij varguPret, i pashterrshëm, universi.

    * I referohet një poeme të vjetër epike angleze

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    REKOMANDIME LEXIMI NGA KUJTIM MORINA

  • “Dashuria sjell më shumë vuajtje se kënaqësi”, ja pse mendonte kështu Jorge Luis Borges

    “Dashuria sjell më shumë vuajtje se kënaqësi”, ja pse mendonte kështu Jorge Luis Borges

    Jorge Luis Borges

    Nga: Jorge Luis Borges

    Fatkeqësisht, mendoj se dashuria sjell më shumë dhimbje sesa kënaqësi. Tani është e qartë se lumturia që të jep dashuria është aq e madhe sa është më mirë të jesh i pakënaqur shumë herë për të qenë i lumtur pak herë.

    Unë besoj se të gjithë ne kemi qenë shumë të lumtur me dashurinë, ndonjëherë, por, gjithashtu, besoj se të gjithë kemi qenë të pakënaqur, shumë herë.

    Dashuria i ofron njeriut pasigurinë, atë pasiguri që të bën të kalosh nga lumturia absolute në mjerim; por edhe të mund të kalosh nga fatkeqësia në befasi, në lumturi të papritur. Mendoj se është një përvojë dhe njeriu nuk duhet ta refuzojë përvojën.

    Në shqip: Bajram Karabolli

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    CIKËL POETIK NGA RRAHMAN DEDAJ: KALORËSIT E ERËRAVE

  • Lazër Stani: Fantazma e paraardhësit

    Lazër Stani: Fantazma e paraardhësit

    Nga: Lazër Stani

    Nëse ka një shkrimtar erudit, një shkrimtar që ka lexuar më shumë libra se të tjerët, ky është Jorge Luis Borges. Letërsia e krijuar prej tij, në poezi dhe në prozë, duket sikur vjen prej librave, vjen nga letërsia. Ky arsyetim i cekët të çon te një analogji që lidhet me veprën madhështore të Ajnshtajnit (Albert Einstein), i cili në një moshë fare të re krijoi teorinë e tij të relativitetit.

    Teoria e relativitetit, që më vonë pushtoi botën dhe e klasifikoi Ainshtajnin si mendjen më gjeniale të shekullit të njëzetë, erdhi si rezultat i riinterpretimit të informacionit të grumbulluar nga shkencëtarët paraardhës nëpërmjet vrojtimit, eksperimentimit dhe teorive të krijuara gjatë shekujve. Shkenca e Ajnshtajnit, mund të thuhet me plot gojën se është një shkencë e ardhur nga shkenca, një dije e ardhur nga dija. U deshën dekada të tëra që shkencëtarë të tjerë pasardhës, të provonin eksperimentalisht dhe nëpërmjet fakteve të mbledhura, vërtetësinë e teorisë së Ajnshtajnit.

    Edhe Letërsia e Borges-it, duket si një letërsi e ardhur nga letërsia, çka në një farë mënyre e ka pohuar edhe vetë. Në librin e tij “El oro de los tigres” Borges shkruan: “Sa janë ndikimet që mund të dallohen në këtë vëllim… Në vend të parë shkrimtarët që pëlqej, kam veçuar tashmë Robert Browning; pastaj ata që kam lexuar dhe rilexuar; pastaj ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje”.Pavarësisht kësaj deklarate fisnike Jorge Luis Borges nuk është as Homer, as Robert Browning as William Blake, dhe as Franz Kafka. Ai, është vetëm dhe vetëm Jorge Luis Borges.Të njëjtën gjë mund ta thuash edhe për Gabriel Garcia Marquez. Në njërën prej intervistave të tij ai thotë se më ka bërë shkrimtar “Metamorfoza” e Kafkës. Pasi ka lexuar këtë libër të dhuruar nga një mik i tij nga rrethet intelektuale të Bogota-s, Marquez kuptoi se mund të shkruhej edhe ndryshe, nga ç’ ishin shkruar librat që kishte lexuar deri atëherë. Kontakti me letërsinë e Kafkës qe një shtysë aq e fuqishme për shkrimtarin e ri, sa e ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Efekti ishte çlirues.“Unë i thashë vetes se nuk kam njohur askënd që i ka lejuar vetes të shkruajë gjëra si këtë. Nëse do ta kisha ditur, unë do të kisha filluar të shkruaja shumë kohë më parë”, thotë Marquez.

    Nga shkrimet joserioze të botuara në media dhe nga rrëfimet që i shkruante vetëm për t’ua lexuar miqve të tij intelektualë, Marquez kalon shumë shpejt te letërsia e tij e madhe që ne e njohim sot, duke filluar me romanin “Gjethurinat”, të botuar në vitin 1955.Edhe Nikos Kazantzakis flet me krenari për paraardhësit e tij, për “guru”-të e tij shpirtërorë, pavarësisht se mirëbërësit e tij të mëdhenj ai cilëson udhëtimet dhe ëndrrat. “Ndër njerëzit, të gjallë e të vdekur, shumë pak më ndihmuan në luftën e në përpjekjet e mia. Por nëse do kërkoja se kush prej tyre la gjurmë të thella në shpirtin tim, do të veçoja, ndoshta, tre-katër: Homerin, Bergsonin, Niçen dhe Zorban”, ka shkruar Kazantzakis.

    Nga këto pak referenca, duket sikur arrijmë në një përfundim pak a shumë të trishtuar që e zbeh dhe e çshenjtëron aktin e krijimit, që e paraqet atë si një cikël zinxhir, ku secili ndez nga një zjarr të vogël, herë të dallueshëm e herë të padukshëm në pafundësinë e ciklit që ripërsërit vetveten në një qerthull të mbyllur. Termi origjinalitet në këtë rast bëhet i pakuptimtë dhe e gjithë letërsia botërore të ngjan me një kështjellë të vjetër, me shumë labirinte e kthina të panumërta, ku ndodh një trafikim i vazhdueshëm emocionesh, ndjesish, imazhesh , historish, nga një kthinë te tjetra, që në fund të fundit nuk sjell asgjë që është “hera e parë”. Çështja që shtrohet këtu është fort tronditëse: nëse vërtet janë shkruar të gjithë librat, nëse vërtet tashmë asgjë nuk është “hera e parë”, atëherë përse vazhdohet të shkruhet?Është e qartë se letërsia jonë nuk vjen nga hiçi, është e qartë se kjo letërsi ka paraardhësit e vet të ndryshëm te secili shkrimtar, herë të padukshëm e të heshtur, e herë sfidues e shkatërrues. Dhe duke mos ardhur nga hiçi, është e kotë të flitet për një origjinalitet të plotë e rrënjësor në letërsi. Origjinaliteti, sikurse shkruan Ernesto Sabato “nuk ekziston as në art dhe as në ndonjë vepër tjetër të njeriut: gjithçka ngrihet mbi një gjë të mëparshme”.

    Çështja e origjinalitetit, çështja e identitetit të veprës letrare, ka qenë një nga çështjet që më ka shqetësuar gjithmonë, qysh në rininë time të hershme. Nga librat që lexonim në rini, me gjithë kufizimet në informacion që kishim për shkak të mbylljes dhe izolimit, herë pas here më ndodhte të gjeja një shkrimtar tjetër, një shkrimtar paraardhës tek libri që po lexoja. Ndikimi i Majakovskit dhe i poetëve të tjerë rusë në poezinë shqipe të viteve gjashtëdhjetë të shekullit që shkoi ishte aq i dukshëm, sa kjo poezi shpesh më dukej pa identitet dhe dalëngadalë filloi të krijohej brenda meje ndjenja e refuzimit.

    Fantazma e shkrimtarit paraardhës, ose e shkrimtarëve paraardhës, zuri të më shfaqej si prani e shkrimtarit paraardhës te një shkrimtar tjetër pasardhës në një interferencë që në rastet më të mira as plagjiaturë nuk ish, por as origjinalitet në kuptimin tim të parë nuk mund të quhej.Kur lexoja, për shembull, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, atëherë si nxënës shkolle, ndjeja herë – herë praninë e Ernest Hemingway-t, sidomos të romanit “Lamtumirë armë”, ashtu sikurse ndjeva shumë vite më vonë praninë e hermetistëve italianë, në veçanti të Giuseppe Ungaretti-t dhe Eugenio Montale-s, në poezinë e Martin Camajt. Edhe te shkrimtarët e tjerë më të mirë e më të lexuar origjinaliteti i tekstit më vihej vazhdimisht në dyshim, edhe pse kur e kur ishte e vështirë të gjeje shkrimtarin paraardhës, me ato mundësi të kufizuara që kisha për të lexuar. Çështja kryesore që më mundoi për shumë kohë ishte se a shkruhej letërsi origjinale, letërsi që shfaqej e ekzistonte si një krijesë e re, si krijesë e ardhur në këtë tokë për herë të parë.

    Shumë vite më vonë, duke lexuar Ernesto Sabato-n, hasa në të njëjtin shqetësim dhe në një shpjegim pak a shumë bindës. Për Sabaton, “origjinaliteti nuk qëndron tek mungesa e paraardhësve, por në tonin dhe në shtytjen që shfaq kjo trashëgimi te pasardhësit”. Kjo tezë e Sabatos me nxiti të rilexoj sërish Camajn, duke e rizbuluar poetin dhe duke e rivlerësuar poetin pikërisht për ato cilësi që në njohjen time të parë e pata refuzuar në një farë mënyre, edhe pse vepra e tij kishte shijen e “mollës së ndaluar” për lexuesin shqiptar. S’ka dyshim se në poezinë e Camajt ndihet shkolla e hermetizmit italian, e në veçanti poeti i tij i dashur Giuseppe Ungaretti. Megjithatë, ai është një poet i shpëtuar.

    Në poezitë e tij ndihet fort edhe poeti, që Camaj nuk e kishte lexuar kurrë më parë e që ishte brenda tij, siç shprehet Borges-i. Ky poet me imazhet, arketipin, ndjeshmërinë dhe sistemin e vet konceptual, e ka shpëtuar poezinë e Camajt, pavarësisht pranisë së paraardhësve, të cilët shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë për zemër t’i përmendin.Nëse e shmangim diskutimin për plagjiaturë, që është një kopjim i rëndomtë, çështja e raportit të shkrimtarëve tanë me paraardhësit është një nga çështjet më delikate jo vetëm për atë letërsi të dështuar, që njihet si “letërsi e realizmit socialist”, por edhe për letërsinë që është shkruar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit dhe vazhdon të shkruhet edhe sot e kësaj dite.

    Krijuesit që hynë në letërsi pas viteve nëntëdhjetë, u gjendën në një situatë entuziazmi grotesk midis refuzimit të gjithçkaje që ishte shkruar në letërsinë shqipe dhe në veçanti refuzimit total të letërsisë së realizmit socialist dhe kontaktit me autorë dhe letërsi të mëdha të kulturave të tjera. Midis autorëve tanë të këtyre viteve paraardhësit shfaqën aq fuqishëm sa në letërsinë tonë mund të gjeje Borges në Durrës e në Prishtinë, Joseph Brodsky, Wallace Stevens e Allen Ginsberg në Tiranë e Gjirokastër, Franz Kafka në Shkodër e Lushnjë. Hapja, kontakti me letërsitë e tjera, botimi i librave të përkthyer dhe etja e marrë për të shkruar poezi dhe prozë gjeniale, zbuloi brishtësinë e autorëve tanë dhe mungesën e identitetit në letërsinë e tyre.

    Këtu s’kemi të bëjmë thjeshtë me prani të ndikimeve të paraardhësve, por me një trafikim të pastër të emocioneve, të imazheve, të arkitekturës dhe herë – herë edhe të strukturës së tekstit. Kjo letërsi mund të quhet mirëfilli letërsi referenciale, pasi në shumicën e rasteve, poezive, romaneve apo tregimeve të botuara në këto vite, mund t’ua gjesh referencat në autorë të mëparshëm ose bashkëkohës. Në shumicën e autorëve të këtyre viteve gjen shkrimtarët më të pëlqyer prej tyre, gjen shkrimtarët e lexuar më parë po prej tyre. Ajo që nuk gjen tek një pjesë e këtyre shkrimtarëve, është shkrimtari i pa takuar e i pa lexuar më parë, shkrimtari që duhej të ishte brenda tyre, sikurse e cilëson këtë Borges.Në shkencë referencialiteti është një kriter i pashmangshëm, kusht sine qua non për një punim apo studim të mirëfilltë shkencor. Kjo përcaktohet në metodologjinë e shkencës. Le të marrim si shembull librin “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, të Abaz Ermenjit. Ky libër në vetvete është shkruar bukur dhe lexohet me endje. Por ky libër ka një të metë të madhe; nuk ka asnjë referencë shkencore, asnjë dokument apo libër tjetër të cituar. Shkurt ky libër ka karakter propagandistik, sepse historia pa dokument nuk është histori, është propagandë. Librit të Ermenjit nuk mund t’i referohesh në asnjë punim shkencor, pikërisht për shkak të mungesës së referencave dhe dokumenteve. Por ai që është kusht në shkencë është fatal në letërsi. Nëse një libri me poezi ia gjen referencat në shumicën e poezive të tij, atëherë ai nuk është më libër poetik, po thjeshtë një viktimë e referencialitetit, një viktimë e trafikimit të emocioneve, të imazheve, të ndijimeve të tjetërkujt. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prozën.

    Shembujt e tillë nga letërsia jonë nuk janë të paktë. Në letërsinë e shkruar në Kosovë, por edhe në Tiranë, ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare u bë shkatërrues për disa shkrimtarë që u futën në këtë qorrsokak, pa pasur mundësi të dalin prej andej as sot e kësaj dite. Pasardhësit shkrimtarë të Kadaresë mbetën përgjithësisht shkrimtarë të dështuar, proza e të cilëve në asnjë rast nuk u ngjit në nivelin e prozës së Kadaresë.

    Edhe shkrimtarë të tjerë si Borges, Kafka, Hemingway, Sartre kanë krijuar pas vetes modele të dështuar, jo vetëm në letrat shqipe, por edhe në letërsitë e tjera. Është kjo arsyeja që e bën shumë të ndërlikuar raportin e shkrimtarit me shkrimtarët paraardhës, me shkrimtarët e pëlqyer, ose të lexuar dhe të rilexuar, raport që herë – herë është armiqësor, idhnak, aq sa pasardhësi kërkon të mos ia zërë emrin në gojë paraardhësit, kërkon ta asgjësojë, jo thjeshtë te publiku, por, së pari, e kryesisht te vetvetja. Duket sikur procesi i shkrimit është një dyluftim midis shkrimtarit paraardhës të pëlqyer, shkrimtarit të lexuar dhe rilexuar, dhe shkrimtarit të patakuar e të palexuar më parë. Tek shumë prej autorëve të botuar gjatë këtyre viteve ky shkrimtar i tretë, ose nuk ekziston, ose është aq i dobët dhe i trembur sa nuk guxon të hyjë në fushëbetejë gjatë procesit krijues. Mungesa e shkrimtarit “të patakuar e të palexuar” më parë në procesin krijues, apo prania shumë e dobët e tij vetëm me disa pëshpërima, sa për të prishur punë, u krijon hapësirë paraardhësve, aq sa teksti letrar i dalë nga ky proces krijues është një tekst referencial, pra nuk është tekst i mirëfilltë letrar.

    Librat me tekst referencial, qoftë në poezi, qoftë në prozë, janë të pranishëm te një pjesë e mirë e autorëve tanë “të kulturuar”. Kjo ka bërë që të kemi shumë autorë, shumë libra, lista të gjata me emra prozatorësh e poetësh, madje të shpallur edhe “Élite” e që në vetvete nuk janë kurrgjë tjetër veçse elita referenciale dhe natyrisht disa poetë dhe prozatorë , të cilët gjithsesi kanë sjellë një standard të ri në letrat shqipe me ngjyrimin e vet origjinal dhe të papërsëritshëm. Trauma e realizmit socialist është duke u tejkaluar me vështirësi, ndërkohë që liria ka mbushur tregun me shkrimtarë që nuk janë.

    Në këtë kaos mbretërues, në këtë botë të zhvillimit të lartë teknologjik dhe të komunikimit të shpejtë, krijimi i identiteteve të ndryshëm nga modelet nuk është i lehtë. Aq më tepër që edhe qënia njerëzore është një qënie komunikuese, një qënie e brishtë dhe e ndikueshme. Në përgjithësi globalizimi i shoqërisë njerëzore dikton modat dhe modelet e suksesshme, jo vetëm në veshje, krehje flokësh e kuzhinë, por edhe në pikturë, letërsi, muzikë, kinematografi, duke krijuar një standard të ngurtësuar për qenie standarde.Pozicioni anti-shkollë, anti-standard, ndoshta është i vetmi pozicion real për shkrimtarin, edhe pse një pozicion i tillë rebel e kërkues, mbart me vete rrezikun e vazhdueshëm, të dështimit, të asgjësimit, të mospërfilljes dhe përbuzjes nga bashkëkohësit që në fund të fundit është e njëjta gjë. Në këtë pozicion është gjendur vazhdimisht Franz Kafka në të gjallë të tij, por edhe poetë e shkrimtarë të tjerë, që pasvdekja i ka bërë të mëdhenj.

    Nga biologjia dimë se çdo qenie njerëzore është gjenetikisht e papërsëritshme, është një histori që ndodh vetëm njëherë, pavarësisht se vjen prej paraardhësve të ngjashëm njerëzorë dhe trashëgohet te pasardhës po të ngjashëm njerëzorë. Pra, ne biologjikisht nuk jemi të pandotur, përderisa mbajmë në trup gjenet e paraardhësve, e megjithatë jemi origjinalë, të përvetshëm, të papërsëritshëm, jemi secili një histori unike.E tillë është edhe letërsia, kur ajo është letërsi, i tillë është edhe shkrimtari, kur ai është shkrimtar.

    Nga libri “Rrugë pa krye”

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    LAZËR STANI: ÇFARË MË KA BËRË NJERI TË LIRË?