Nga Julia Vrapi
Grupe muzikore me artistë shqiptarë dhe të huaj në koncertet e “Balkan Jazz Showcase”, që këtë vit zhvillon edicionin e pestë të tij. Festivali që vjen i fokusuar te artistët dhe muzika xhaz sjell një program të pasur muzikor. Festivali nis nga teatri i Vlorës, për të vijuar dhe me të tjerë grupe artistësh në netët e tij në Universitetin e Arteve.
Jo vetëm muzikantë të njohur janë pjesë e këtij festivali, por një hapësirë e veçantë i kushtohet edhe artistëve të rinj. “Balkan Jazz Showcase 2025 (25-28 shtator) thuhet në njoftim për këtë edicion përfaqëson identitetin e një festivali gjithnjë e më ndërkombëtar, i cili mbi bazat e muzikës jazz ndërton një program të larmishëm, të hapur ndaj ideve të reja dhe në gjendje të përmbushë shijet e një publiku që rritet vit pas viti. “Ky organizim muzikor është i vetmi i këtij lloji në hapësirën ballkanike. I fokusuar totalisht tek artistët dhe Jazz-i ballkanik. Krahas promovimit të muzikës së artistëve të njohur të rajonit, një ndër qëllimet kryesore është krijimi i hapësirave për debutimin e muzikantëve të rinj. Vendosja e urave të komunikimit që marrin jetë edhe në projekte të tjera të përbashkëta. Në çdo edicion këto lloj bashkëpunimesh nuk kanë munguar. Çdo vit artistët shqiptarë vijnë me projekte të përbashkëta me muzikantë nga Ballkani dhe më gjerë. Veçanti e këtij edicioni të “Balkan Jazz Showcase 2025” është se zhvillohet në kuadër të veprimtarive që mbahen në Tiranë, si kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut”, thuhet në njoftimin e festivalit ndër të tjera. Festivali mirëpret yje ndërkombëtarë, talente në ngritje, virtuozë të muzikës jazz, muzikës etno-jazz ballkanike dhe ndërdisiplinore, performues eksperimentalë dhe inovatorë. Në materialin rreth festivalit thuhet se “Jazz in Albania” në edicionin e tij të 15-të dhe projekti “Balkan Jazz Showcase” në edicionin e pestë do t’i japin vendit, sidomos qendrës së Tiranës, atë atmosferë që i shkon për shtat natyrës mikpritëse të kryeqytetit. Dy tipare janë karakteristike dhe mbeten të pandryshuara për organizatorët, cilësia e programit dhe formula që është konsoliduar ndër vite.
Pjesëmarrësit në “Balkan Jazz Showcase 2025”
“Adriatik Jazz Ensemble” nga Italia në festival është një formacion që ofron një mozaik tingujsh dhe një dialog të hapur ndërmjet dy kulturave (Itali-Shqipëri) ku muzika jazz merr trajta të reja, duke i mbajtur rrënjët në traditë, por edhe duke u frymëzuar nga jazz-i bashkëkohor dhe eksplorimi. Në vijim është “Argalios” nga Greqia. Një trio muzikore bashkëkohore që përzien rrënjët tradicionale me eksperimentime të guximshme. “Argalios” është vetë personifikimi i “Balkan Jazz Showcase”, sepse nuk paraqet thjesht traditën e Ballkanit, por i jep asaj një shpirt të ri, për ta ringjallur në kohët moderne. Pjesëmarrës në festival edhe Muhamed Ibrahimi nga Maqedonia e Veriut, një instrumentist dhe kompozitor, i cili vjen në skenën e “Balkan Jazz Showcase” me një prani të rrallë dhe origjinale. Me kitarë akustike, mandolinë, saze dhe instrumente të tjera me tela, ai krijon një gjuhë muzikore unike. İZ / ARA / SEYİR, Turkish Modal Music & Jazz, është një udhëtim muzikor që bashkon thellësinë e makame-ve turke me lirinë shprehëse të jazz-it dhe fuqinë e improvizimit. Në muzikën turke, arabe ose indiane modaliteti është thelbësor: makam-et ose raga-t përcaktojnë strukturën e melodisë, intervalet, lulet dhe strukturën që krijohet. “Just Trio” nga Shqipëria është një hapësirë eksperimentale muzikore, ku secili prej instrumentistëve kontribuon me stilin dhe idetë e tij personale, duke krijuar një tingull unik që ndërthur folklorin ballkanik me ritmet dhe harmonitë e jazz-it modern. “UART Combo” është në vijim në programin e festivalit. Një ansambël i përbërë nga studentë të Degës së Muzikës Jazz në Universitetin e Arteve, i udhëhequr nga mentorët Andi Kongo (piano) dhe Emiljan Dhimo (bateri). Repertori i grupit përfshin kompozime të njohura standarde të jazz-it. Për organizatorët pjesëmarrja e këtij grupi në Balkan Jazz Showcase (Jazz in Albania) është shumë e rëndësishme, sepse u ofron studentëve të Universitetit të Arteve Tiranë të degës së muzikës jazz dhe jo vetëm- mundësinë për të përmirësuar aftësitë e tyre me profesorë që përfaqësojnë një nga metodat më prestigjioze të mësimdhënies në botë.
Tag: balkan
-

“Balkan Jazz Showcase” në edicionin e pestë në Universitetin e Arteve, një festival që po merr përmasa ndërkombëtare
-

Përmbyllet me sukses edicioni i 24-të i DokuFest në Prizren, shpallen fituesit e çmimeve prestigjioze
Sonte u mbyll me sukses edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe Ballkan. Për më shumë se një javë, qyteti historik i Prizrenit u shndërrua në një kinema të hapur, ku u shfaqën rrëfime kinematografike nga e gjithë bota, duke rikthyer vëmendjen ndërkombëtare në kinematografinë e rajonit.
“DokuFest” vazhdon të jetë pikë referuese për filmat dokumentarë dhe të shkurtër, duke promovuar tematika të rëndësishme shoqërore dhe artistike dhe duke mbështetur artistët e rinj dhe të afirmuar.Filmi “SOS” nga Anita Morina u shpall fitues i kategorisë kombëtare, duke marrë çmimin kryesor të festivalit.
Në ceremoninë përmbyllëse u shpallën fituesit e çmimeve të ndryshme:
Çmimi i distribuimit: “Ndera”, nga Endrit Qarolli
Çmimi i publikut: “Palace of Youth”, nga Maddie Gwin
Çmimi për filmin më të mirë nga të rinjtë: “Coexistence My Ass”, nga Amber Fares
Mirënjohje speciale në kategorinë “The Green Dox”: “May the Soil Be Everywhere”, nga Yehui Zhao
Çmimi i kategorisë “The GREEN DOX”: “Shifting Baselines”, nga Julien Elie
Çmimi për të drejtat e njeriut: “My Dear Theo”, nga Alisa Kovalenko
Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër: “Blue Heart”, nga Samuel Suffren
Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar: “We Were the Scenery”, nga Christopher Radcliff
Çmimi për filmin e gjatë dokumentar: “Action Item”, nga Paula Ďurinová
Mirënjohje speciale në kategorinë “Balkan Dox”: “Antigona”, nga Ibër Deari dhe Mirsad Abazi
Çmimi në kategorinë “Best Balkan Short Dox”: “Merging Bodies”, nga Adrian Paci
Mirënjohje speciale në kategorinë “Balkan Dox”: “Soil and Wings”, nga Stefan Malesheviq
Çmimi në kategorinë “Balkan Dox”: “A Strange Colour of Dream”, nga Yasemin Akinci
Çmimi i kategorisë kombëtare: “SOS”, nga Anita Morina
Ky festival i konsoliduar ka rikthyer Prizrenin në hartën kulturore ndërkombëtare dhe ka nxjerrë në pah talentet më të mira të dokumentarit, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e industrisë së filmit në rajon./KultPlus.com
-

Blenard Azizaj, koreograf i veprës më të madhe të karrierës së Marina Abramovic
Këtë vjeshtë, artistja e njohur Marina Abramović do të sjellë në skenë një shfaqje provokuese që bashkon seksin, ritualin dhe mbinatyroren, përmes një rikrijimi skenik të riteve erotike ballkanike.
Balkan Erotic Epic (2025) është vepra më e re e saj, e porositur nga Factory International – organizata kulturore me bazë në Manchester, Angli, që organizon edhe Manchester International Festival.
Shfaqja do të ketë premierën më 9 tetor në Aviva Studios dhe do të qëndrojë në skenë deri më 25 tetor.
Me mbi 70 performues, kjo do të jetë vepra më e madhe e Abramović deri më sot, dhe për koreograf ka koreografin shqiptar Blenard Azizaj, i cili do të jetë edhe pjesë e performancës.
Balkan Erotic Epic është e rrënjosur në folklorin dhe zakonet e lashta ballkanike, duke eksploruar tema si dëshira, spiritualiteti dhe trupi.
Përmes 13 skenave të koreografuara dhe vignetave interaktive, performuesit – kërcimtarë, këngëtarë dhe muzikantë – do të shpalosin një përvojë të thellë emocionale dhe fizike.
Pamja nga arkiva e Marina Abramovic
“Në kulturën e sotme, gjithçka erotike e etiketojmë si pornografi,” tha Abramović në një deklaratë për shtyp. “Balkan Erotic Epic është vepra më ambicioze e karrierës sime. Kjo më jep mundësinë të rikthehem tek rrënjët dhe kultura ime sllave, të shoh pas tek ritualet e lashta dhe të përballem me seksualitetin në lidhje me universin dhe pyetjet pa përgjigje të ekzistencës sonë. Me këtë projekt, dua të shfaq poezinë, dëshpërimin, dhimbjen, shpresën, vuajtjen – dhe të reflektoj mbi vdekshmërinë tonë.”
Ritualet që do të performohen përfshijnë skena si “Riti i Pjellorisë”, ku performuesit do të përdridhen mbi tokë si një thirrje për pjellori, apo “Të Frikësosh Perënditë”, që rikrijon një rit ku njeriu zhvesh trupin ndaj qiellit për të larguar stuhitë. Në një tjetër skenë të titulluar “Masazhimi i Gjirit”, gratë performuese do të realizojnë gjeste simbolike për të “zgjuar tokën” pranë vendeve të varrimit, sipas njoftimit për shtyp.
Abramović do të mbajë një ligjëratë më 11 tetor në Aviva Studios, për të shënuar premierën botërore të shfaqjes. Pas kësaj, Balkan Erotic Epic do të udhëtojë në vende të tjera, duke nisur nga Barcelona në janar 2026.
“Kjo vepër e re performative ofron një mundësi që nuk duhet humbur për publikun – për të përjetuar kapitullin e radhës të jetës krijuese të Abramović: e guximshme, përfshirëse dhe në një shkallë krejt të paprecedentë,” tha John McGrath, drejtor artistik dhe CEO i Factory International. Ndërkohë, Abramović ka në plan edhe projekte të tjera, përfshirë lançimin e një projekti të ri NFT, për të cilin foli në The Artsy Podcast./ KultPlus.com