Aksident tragjik! Shtatë tifozë të PAOK-ut humbasin jetën…
Një aksident tragjik ka ndodhur mesditën e sotme në Rumani, duke marrë jetën e shtatë tifozëve të PAOK-ut, konfirmoi ambasada e Greqisë në Rumani. Automjeti, i cili mbante 10 pasagjerë, ishte nisur nga Greqia dhe po udhëtonte për në Francë, ku tifozët planifikonin të ndiqnin ndeshjen e së enjtes të Europa League midis Lyon-it dhe PAOK-ut. Sipas raportimeve, shtatë të rinj humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë dhe po luftojnë për jetën. Një person tjetër ka mbijetuar me plagë të lehta. Aksidenti ndodhi pasi mini-furgoni me tifozët u përplas gjatë një manovre parakalimi, ndërsa shkaqet e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Ngjarja ka tronditur botën e futbollit në Greqi dhe jo vetëm.
Burimi:
sportekspres.com