Category: Politikë

  • Gara e 9 nëntorit, regjistrohen partitë dhe 6 kandidatë të pavarur

    Gara e 9 nëntorit, regjistrohen partitë dhe 6 kandidatë të pavarur

    Në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në 5 bashki të vendit do të ketë 6 kandidatë të pavarur. Nga regjistrimet e bëra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përveç subjekteve politike, kanë depozituar kërkesat e tyre edhe 6 komisione nismëtare për mbledhjen e firmave për kandidatët e pavarur në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.
    Përveç kandidatëve të opozitës që do të regjistrohen si të pavarur dhe do të mbështeten nga PD, surpriza vjen nga bashkia Mat, ku do të ketë dy kandidatë të pavarur përballë kandidatit të regjistruar me logon e PS.
    Bëhet fjalë për kryetare e Forumit të Gruas së PS, Suzana Hoti, e cila ka regjistruar në KZAZ-në e Matit Komitetin Nismëtar për të kandiduar si e pavarur. Mësohet se Hoti ka mbetur e pakënaqur me kandidatin e që PS ka propozuar si pasardhës të Agron Malaj, Altin Bojni i cili u prezantua nga Blendi Klosi pas mbledhjes së kryesisë së PS javën e shkuar.
    Pas kësaj kërkesë për regjistrim Komitetet Nismëtare kanë marrë formularët përmes të cilit duhet të mbledhin firmat e nevojshme të zgjedhësve të zonës së tyre, si kusht që të regjistrohen si kandidatë për garën e 9 nëntorit.
    Burime bëjnë me dije se regjistrimi partive opozitare në këtë proces është bërë me qëllim për të pasur komisioner dhe numërues gjatë procesit zgjedhor, pasi kandidatët e mbështetur prej tyre nuk do kenë logo partiake në fletën e votimit.

  • Zekthi merr në mbrojtje Leskajn: E pisët të ngrihet stuhi ndaj një deputeti pse ka pirë alkool

    Zekthi merr në mbrojtje Leskajn: E pisët të ngrihet stuhi ndaj një deputeti pse ka pirë alkool

    Nga Fitim Zekthi
    Manifestimi për të mbështetur drejtuesit e UÇK-së dhe për të mbrojtur pafajësinë e tyre ndaj akuzave për krime lufte në vitet 1998–2000 është i mrekullueshëm dhe ka qenë i tillë gjithmonë. Është marrëzi ose ligësi të ruash inatin politik ndaj drejtuesve të UÇK-së që u bënë qeveritarë të Kosovës pas viteve 2000 dhe të shash, kritikosh apo bojkotosh manifestimin.
    Është marrëzi dhe ligësi të bësh llogari politike se çfarë fiton një parti apo një politikan nga ai manifestim dhe ta shash apo bojkotosh mbi këto llogari. Është e ulët dhe e poshtër të vësh një çështje kaq të madhe dhe kaq historike, si nderi dhe lufta e drejtë e UÇK-së  e simbolizuar në luftën e një populli të masakruar për një shekull në funksion të llogarive apo inateve politike të ditës.
    Dhe është qesharake, por edhe e pistë, të ngrihet një stuhi kundër një deputeti që merr pjesë në manifestim dhe ka konsumuar alkool. Nuk është ndonjë krim penal pija, as ndonjë vepër shkatërruese ndaj qytetarëve të tjerë. Sigurisht që është një gjë e keqe që dëmton vetë personin që e pi, por asgjë për të sulmuar, lincuar apo masakruar dikë. Veprat shkatërruese ndaj shoqërisë dhe vendit, përgjithësisht, i kanë qeveritaret apo pushtetarët dhe ato nuk janë pirja e alkoolit.

  • Saimir Vishaj shpall kandidaturën për Avokat Populli: Deri tani kanë firmosur 52 deputetë

    Saimir Vishaj shpall kandidaturën për Avokat Populli: Deri tani kanë firmosur 52 deputetë

    Kuvendi pret deri në fund të muajit që juristë apo aktivistë të të drejtave të njeriut të kandidojnë për Avokat Populli.
    Ndër të parët që ka shprehur interes, është avokati i njohur Saimir Vishaj. Ai njoftoi në rrjetet sociale, se deri tani, për emrin e tij, kanë firmosur 52 deputetë nga PD dhe PS.
    “Mirënjohje për këta deputetë që firmosën për një kandidaturë nga shoqëria civile në këto 35 vite demokracie. Gjithmonë kam mbajtur vijën e prindërve të mi dhe asnjëherë nuk kemi marrë pjesë në ndonjë forcë politike, por kemi qenë të përkushtuar vetëm ndaj ligjit dhe legjislacionit në fuqi”, thotë avokat Vishaj.
    Ai shpall edhe platformën e tij për Avokat Populli, me moton “Askush nuk është mbi ligjin dhe barazinë gjinore”.
    Zgjedhja e kreut të këtij institucioni me 3 vjet vonesë, kërkon 84 vota, dhe në këtë rast, topi është pa pengesa në duart e Partisë Socialiste.
    Deri tani kanë firmosur 52 deputet nga PD dhe PS. Mirënjohje për keta deputet që firmosën për një kanidaturë nga shoqëria civile në këto 35 vite demokracies. Gjithmonë kam mbajtur linjën e prindërve të mi dhe as nuk kemi marrë pjesë ndonjë forcë politike, por duke qenë striktë vetëm me legjislacionin në fuqi.
    Kjo është platforma ime si kandidat për pozicionin e Avokatit të Popullit. Askush nuk është mbi ligjin dhe barazinë gjinore.
    Mbështetje për atë qytetarin e thjeshtë të pa mbrojtur përballë administratës së egër politikisht apo e vakët në moral e ndërgjegje të ulët.

  • Berisha bojkotoi protestën pro-UÇK, Gucati: Do jetë në ndërgjegjen e tij pse nuk na mbështeti, as me një deklaratë në Facebook

    Berisha bojkotoi protestën pro-UÇK, Gucati: Do jetë në ndërgjegjen e tij pse nuk na mbështeti, as me një deklaratë në Facebook

    Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë intervistës për Report TV, u pyet edhe për mungesën e Sali Berishës në protestën pro ish-krerëve të UÇK-së.
    Ai tha se Këshilli Organizativ iu ka dërguar ftesa të gjitha partive politike në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa shprehu keqardhjen që lideri i PD-së, Sali Berisha nuk bëri qoftë edhe një deklaratë mbështetjeje.
    “Unë e argumentoj me fakte se u kemi dërguar si këshill organizativ të gjitha partive politike në Kosovë dhe Shqipëri ftesat për të na mbështetur për protestën. Berishës ia kemi dërguar ftesën. Do të jetë në ndërgjegjen e Berishës pse nuk ka dalë me na mbështetur të paktën me një deklaratë në facebook apo në mjete elektronike. Kështu që nuk ka bërë mirë por do të jetë në ndërgjegjen e tij. Mua më vjen keq pse Berisha nuk ka dalë me na mbështetur ndërsa deputetë dhe njerëz të tij erdhën për të na mbështetur në protestë”, tha Gucati.
    Një ditë më parë, pas mbylljes së protestës, PD u mjaftua vetëm me një reagim pas protestës. Zyra e shtypit e partisë reagoi gjithashtu duke thënë se nuk ka pasur asnjë urdhër për të mos marrë pjesë në protestë, megjithëse më herët ishte vetë Berisha që me zë e figurë tha se vendimi për të mos marrë pjesë ishte politik.

  • Butrinti sipas japonezit Kuma, Rama: Projekt i shkëlqyer me standard të ri menaxhimi

    Butrinti sipas japonezit Kuma, Rama: Projekt i shkëlqyer me standard të ri menaxhimi

    Projekti për qendrën e vizitorëve në qytetin antik të Butrintit, është dizajnuar me një ndërthurje mes pranimit të vizitorëve dhe integrimit me peizazhin natyror dhe trashëgiminë arkeologjike të zonës.
    Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga projekti më i ri për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit, një projekt model që i shtohet kolonës së objekteve kulturore.
    I konceptuar nga mjeshtri i njohur japonez i arkitekturës, Kengo Kuma, ky projekt po realizohet nën kujdesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe synon transformimin rrënjësor të mënyrës së menaxhimit të parkut arkeologjik të Butrintit.
    Kryeministri vlerësoi kontributin e AADF në kthimin e Butrintit nga një problem menaxherial, në një shembull rrezatues për të gjitha institucionet kulturore të vendit, si edhe po ve në jetë hap pas hapi një plan strategjik promovimi global të këtij xhevahiri të Trashëgimisë sonë Kulturore
    “Një projekt i shkëlqyer që i jep jetë një standardi të ri në menaxhimin dhe promovimin e pasurive tona kulturore”, u shpreh Kryeministri Rama.
    “Është radha tashmë e Martinit dhe Aleksandrit ta ndërtojnë. Nuk është e lehtë, është një prekje japoneze që kërkon cilësi, përsosmëri. Është e jashtëzakonshme dhe besoj që mund të shndërrohet a të bëhet një prej qendrave më të mira, në mos më e mira, për vizitorët në botë”, shkruan Rama.
    Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në krahun tjetër, u shpreh se “qendra e re do të shërbejë si porta hyrëse e Butrintit, duke i orientuar vizitorët drejt një përvoje më të thellë të këtij thesari botëror të mbrojtur në UNESCO”.
    “Kjo qendër është një mënyrë e re për të përjetuar historinë me kujdes, respekt dhe ndjeshmëri për çdo shtresë të këtij siti unik. Arkitektura e saj ndërthur natyrën, kulturën dhe bashkëkohoren, pa mbizotëruar peizazhin, por duke u bërë pjesë organike e tij.
    Druri, drita natyrale, hapësirat e qeta dhe ndërtimi mbi themele të cekëta mbrojnë shtresat arkeologjike nën tokë, duke ndjekur standardet më të avancuara ndërkombëtare të ruajtjes. Një projekt që i flet historisë me gjuhën e së sotmes dhe brezave të ardhshëm”, shkruan Gonxhja në një postim të tij.
    Qendra është në një vend strategjik, që lidh shtigjet malore, zonat me lagunë, liqenin e Butrintit dhe Kanalin e Vivarit. Kjo mundëson përvoja të ndryshme për vizitorin: natyrë, arkeologji, pamje panoramike.
    Qendra e re në hyrjen kryesore të zonës arkeologjike ndihmon në menaxhimin më të mirë të fluksit të vizitorëve, ndërsa përfshin rimodelimin e zonës së biletave, ankorimet dhe shërbimet për mbështetjen e vizitorëve.
    Studioja e arkitektit japonez me famë botërore “Kengo Kuma” u shpall fituese e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
    Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.
    Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar.

  • PS kërkon përjashtimin e Bardhit/ “30 ditë jashtë Kuvendit”, të hënën mblidhet etika

    PS kërkon përjashtimin e Bardhit/ “30 ditë jashtë Kuvendit”, të hënën mblidhet etika

    Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon përjashtimin me 30 ditë të deputetit demokrat Gazment Bardhi nga Kuvendi.
    Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, socialistët argumentojnë se Bardhi ishte shkaktar i kaosit në seancën publike ditën e enjte gjatë raportit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
    “Gazment Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone agresive, duke ndërprerë folësin, duke përdorur fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, veprime këto që përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare”
    Sipas shkresës, Bardhi është paralajmëruar disa herë, në fillim me vërejtje, më pas me heqjen e fjalës, në fund përjashtim nga seanca, por ai refuzoi të largohej nga salla duke çuar parlamentin në anormalitet.
    Kështu, Bardhi bëhet deputeti më i padisiplinuar i Kuvendit, pasi në 2 muaj, kërkohet për herë të dytë përjashtimi i tij.
    Të hënën, është thirrur Komisioni i Etikës për të shqyrtuar përjashtimin e Bardhit me 30 ditë nga Kuvendi.

  • Protesta pro UÇK në Tiranë/ Gucati: Do mblidhemi edhe para Parlamentit Evropian!

    Protesta pro UÇK në Tiranë/ Gucati: Do mblidhemi edhe para Parlamentit Evropian!

    Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati foli për protestën e mbajtur në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, për të cilën tha se arriti që të ishte një zë i fuqishëm që “depërtoi” përtej kufijve. Në një intervistë për Report TV, Gucati theksoi se mesazhi më i mirë që përcollën ishte ai i bashkimit të të gjithë shqiptarëve sidomos për një kauzë të tillë.
    Ai njoftoi se do të mbajnë edhe dy protesta të tjera, njëra prej të cilave në AShkup dhe tjetra para Parlamentit Evropian në Strasburg, por ende nuk janë caktuar datat.
    “Protesta ishte një zë i fuqishëm i të gjithë shqiptarëve, duke iu treguar ndërkombëtarëve se dimë të protestojmë, të ruajmë identitetin tonë kombëtar dhe jemi në mbrojtje të çlirimtarëve dhe djemve tanë që mbahen padrejtësisht që prej 5 vitesh. Jam i prekur se e kam vuajtur dënimin vetë, kam ndjenjur mbi tre vite në atë burg dhe e di se çfarë do të thotë të jesh aty brenda.
    Kemi arritur çdo pritshmëri dhe sukses, është i të gjithë shqiptarëve. Mesazhi më i mirë ishte vetë grumbullimi i qytetarëve shqiptarë. E kemi quajtur protestë kombëtare se pati shqiptar nga të gjitha viset, mbi 80 autobusë kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova. Mesazhi më i mirë ka qenë se ne u bashkuam në sheshin Skënderbej, Skënderbeu i bashkoi në Lezhë shqiptarët dhe ne na bashkoi prapë një kauzë e tillë. Mesazhi që dhamë para ndërkombëtarëve, ambasadave. Sot janë mediat e huaja duke shkruar shumë. “, u shpreh ai.
    Gucati kritikoi edhe sulmin e Albin Kurtit ndaj Edi Ramës teksa tha se deklarata e tij ishte një “thikë me dy tehe”, së pari sepse tregoi mosmbështetje ndaj protestës dhe së dyti sepse sulmoi kryeministrin Rama. Ai tha se Kurti gënjen kur thotë se ka qenë kundër Gjykatës Speciale sepse në të vërtetë, nëse do të ishte kështu, do të votonte në parlament kundër saj në vitin 2015. Këtë retorikë kundër Speciales, shtoi Gucati, Kurti e bën thjesht për qëllime politike, për të marrë vota dhe mashtruar qytetarët.
    Ai theksoi se Kurti dhe drejtuesit e tjerë të dy shteteve duhet të ishin në protestë si qytetarë të thjeshtë.
    “Iu kam bërë thirrje publike të gjitha partive pa dallim bindjeje politike. Ne jemi qytetarë të Kosovës, dje është dashur të jetë edhe kryeministri i Kosovës, edhe presidenti i Shqipërisë dhe ajo e Kosovës si qytetarë të dy shteteve. Të lënë inatet politike më vete. Ka qenë kauzë e madhe. Kemi kërkuar drejtësi ndaj krerëve të UÇK. E kam thënë dhe do e them prapë, Kurti e ka UÇK-në vetëm në majë të gjuhës dhe jo me zemër. Deklarata e Kurtit ka qenë thikë me dy teha, duke mos mbështetur protestën dhe kritikat ndaj Ramës. Kurti thotë që nuk e ka votuar Specialen, përkundrazi ai është njeriu që e shtyu. Po të ishte Kurti kundër Speciales ai do të ishte në parlament në vitin 2015 dhe do ta ngrinte dorën kundër gjykatës. Por ai nuk ndenji në parlament me votuar kundër, doli jashtë.
    Domethënë se është një gënjeshtër e tij që e përdor si ushqim ditor për një grusht votash duke mashtruar qytetarët. Kurti nuk ka bërë mirë. I kam bërë ftesë publike që eja se po protestojnë qytetarët e tu. E dua apo nuk e dua Albin Kurti është kryeministri në detyrë i vendit tim. Kështu që i ka pasur hije të vinte, por mund të çonte edhe përfaqësuesit e partisë së tij LVV“, u shpreh Gucati.
    Gucati tha se ish-krerët e UÇK-së po mbahen peng, ndërsa shtoi se shpreson shumë në pafajësinë dhe lirimin e tyre dhe që më pas të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbej” për të festuar bashkë me ta.

  • ‘Mbi 100 miliardë euro nga trafiku i kokainës’, Çollaku: Shqipëria është kthyer në një fuqi narkotike!

    ‘Mbi 100 miliardë euro nga trafiku i kokainës’, Çollaku: Shqipëria është kthyer në një fuqi narkotike!

    Për gazetarin Basir Çollaku, Shqipëria është kthyer në një fuqi narkotike, kjo falë miliarda eurove të gjeneruara nga kartelet shqiptare të drogës dhe që janë investuar në vendin tonë.

    I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv, Çollaku tha se institucionet ligjzbatuese evropiane dhe ato amerikane, i kanë vënë në dijeni autoritetet shqiptare, lidhur me trafikun e madh të kokainës nga Amerika Latine në Portin e Durrësit.

    Sipas Çollakut, është zyrtare tanimë, lidhja e karteleve shqiptare me kartelin famëkeq meksikan, Sinaloa, duke bërë që të ardhurat nga biznesi i narko-trafikut të arrijnë në mbi 100 miliardë euro, të cilat më pas janë investuar në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe biznese, me bekimin dhe mbështetjen e politikës.

    Nëse Trump ka angazhuar CIA në agjendën e saj kundër karteleve, tregon sa i thellë është problem. Maduro është shënjestra për sasinë e drogës dhe CIA është autorizuar për të marrë veprime ushtarake, luftarake, e s’ka kthim pas. Rama konkurron me Maduron e Noriegën. Lënda e parë 3-vjeçare e DEA-s, që ka 3 vite këtu, e vendeve evropiane, FBI, CIA, i ke të përqendruara dhe në Shqipëri, në Tiranë. Urdhri i Trump është që CIA të jetë në krye të këtyre operacioneve.

    Mos jemi dyshues se mund të ndodhë dhe me Edi Ramën. Ne dimë që është prodhuar nga dosjet e huaja, lidhjet e mafies shqiptare me Ndraghetën. Dimë lidhjen me Sinaloan, është zyrtare. Sa kartele duhen tjetër. Ke 160 mld eruo të gjeneruara nga kartelet. Kartelet shqiptare i kanë fituar nga kokaina dhe i formalizojnë me leje ndërtimi në Shqipëri, e s’i jep Meksika këto leje. Kush i lejon këto probleme të eksportohen dhe i lënë të gjenerojnë miliarda euro në Shqipëri.

    Është pak vonë për Ramën, është mes dy zjarresh. Klani Soros, që hetohet nga Trump. Ky financim është në Shqipëri, reforma në drejtësi. Është grup terrorist për projektin që është bërë. Janë bërë veprime hetimore për McGonigal, çfarë pret nga SHBA. Do kishte mbërritur edhe breshka për 4 vjet, e jo më një letër-porosi.

    Aruba është një pjesë e shqiponjës së zezë, dumani është në dijeni të kësaj. Po gjykohet në Belgjikë, janë 40 të pandehur, kolumbianë e shqiptarë. Kokat e organizatës janë dy shqiptarë Artur Shehu dhe Osmani. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Përmendet ora 400 mln euro, udhëtimet e zyrtarëve të lartë në Aruba, janë në dosje. E kanë vënë në dijeni të gjitha shtetet për këtë çështje e fakteve hetimore.

    Me gjithë këtë mbështetje të SPAK, këta s’paskan dijeni? Sigutrisht që kanë, i dinë edhe emrat, paratë që janë investuar në Shqipëri. Kush i ka firmosur këto leje? Nuk kalojnë pa lejen e firmën e Ramës. Adresa e partnerëve të SHBA për Ramën, është dijenia e madhe. Janë 6 vjet batërdi kokaine nga Amerika Latine në Durrës dhe ata s’kanë vetëm lëndën që shesin e investojnë, kanë pushtet politik, e ka shndërruar Shqipërinë në fuqi narkotike. Kjo vjen me leje, e jo pa dijeni, bekim e mosveprim nga ana e SPAK.

  • Pushteti i injorantëve, Balluku mesazh për turqit: Na pushtoni siç bënë sulltanët tuaj

    Pushteti i injorantëve, Balluku mesazh për turqit: Na pushtoni siç bënë sulltanët tuaj

    Një deklaratë e paprecedentë e zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka shkaktuar një skandal gjatë fjalimit të saj në samitin e biznesit me investitorë turq në Tiranë. Në përpjekje për të nxitur bashkëpunimin ekonomik, Balluku befasoi dje të pranishmit duke lavdëruar sulltanët osmanë – pushtuesit e dikurshëm të Shqipërisë – dhe duke i marrë ata si shembull frymëzimi për sipërmarrësit e sotëm turq. “Arsyet pse një sipërmarrje turke duhet të vijë të investojë në Shqipëri… nuk kanë ndryshuar shumë nga arsyet pse Bajaziti, Murati, Mehmeti, Fatihu, donin të instaloheshin në Shqipëri,” tha Balluku, duke shkaktuar tronditje dhe reagime të ashpra për glorifikimin e figurave që simbolizojnë pesë shekuj pushtim e robëri.
    “Ju uroj mirëseardhjen dhe siguroj veçanërisht ata që kanë vizituar për herë të parë Tiranën që duhet të jenë pak ndër ju se në këto pak ditë që do të qëndroni në Tiranë apo do të vizitoni Shqipërinë, padyshim do të bini në dashuri me këtë vend dhe do ta keni të vështirë të shkëputeni. Ky samit ekonomik është jo vetëm një platformë për të diskutuar investimet, por edhe një pasqyrë e gjallë e marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Turqisë. Partneriteti mes Shqipërisë dhe Turqisë është ndërtuar mbi besimin dhe vizionin e përbashkët për zhvillim dhe stabilitet në rajon.
    Sot jam këtu për të forcuar më tej këto ura bashkëpunimi, për të eksploruar mundësi të reja investimi dhe për t’i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve tona ekonomike. Arsyet pse një sipërmarrje turke duhet të vijë të investojë në Shqipëri pa dashur ta blasfemoj historinë me këtë krahasim nuk kanë ndryshuar shumë nga arsyet pse Bajaziti, Murati, Mehmeti, Fatihu, donin të instaloheshin në Shqipëri. Shqipëria ka një treg dinamik që sjell avantazhe të pakrahasueshme për të gjithë ata që investojnë paratë në këto 28 mijë kilometra katrorë. Ne jemi një vend i vogël në hartë për nga sipërfaqja, por i madh në mundësi. Por bizneset turke, investitorët turq, e kanë zbuluar këtë që në rastin e parë kur Shqipëria hapi dyert në vitet ’90”, deklaroi dje Balluku.

  • Mitingu madhështor dhe Berisha planprishës, “harron” urdhrin që dha në parlament për mospjesëmarreje në protestë

    Mitingu madhështor dhe Berisha planprishës, “harron” urdhrin që dha në parlament për mospjesëmarreje në protestë

    Meaculpa e Berishës pas shuplakës në shesh. Bojkoti i tij u tret në detin kuqezi në sheshin Skënderbej. Por për të mos mbetur në histori, si i vetmi lider i politikës shqiptare që nuk e përshëndeti Protestën Pro-UÇK, doktori u detyrua të shkruajë disa rradhë.
    “Partia Demokratike përshëndet protestën paqësore të bashkëluftëtarëve të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe të Kosovës, sikundër dënon çdo përpjekje për manipulim të saj nga albanofobë shqipfolës, armiq të damkosur të Kosovës.”
    Por pasi ra në kurthin e Ramës për mungesën në protestë, doktori  ra edhe në kurthin e fjalëve të veta.
    “Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, në proces gjyqësor në Hagë. Spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesa e skenarit të përhershëm anti-opozitar te Ramaduros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë.”
    Por çfarë deklaroi Berisha një ditë para protestës.
    “Ky është një vendim politik i Partisë Demokratike. Për ne kjo çështje nuk zgjidhet më protesta.”
    Megjithatë, Doktori e humbi mundësinë të bëhej lajm. Lajmi i vetëm do të ishte nëse ai do të merrte pjesë në protestë.
    Kësaj radhe e ndihmoi edhe Rama, me mungesën e tij. Sepse prezenca e kryeministrit, nuk ishte jusitifikim disa muaj më parë, kur në ceremoninë mortore për Janullatos, i ndante vetëm greku Mitsotakis.
    Atëhere ishte lajm, kurse mungesa e doktorit përbën vetëm një rutinë.