Progres raporti i BE për Shqipërinë ka dhënë një vlerësim kritik ndaj qeverisë shqiptare për lirinë e shprehjes dhe qasjen në internet, duke e cilësuar vendimin për mbylljen e platformës “TikTok” dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit si një veprim të diskutueshëm dhe të pajustifikuar plotësisht.
Në raportin zyrtar thuhet se, “Në mars të vitit 2025, qeveria vendosi të pezullojë aksesin në një platformë të madhe të mediave sociale në të gjithë vendin për 12 muaj, me arsyetimin e mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme”. Megjithatë, siç thekson dokumenti, ndonëse nuk pati asnjë njoftim zyrtar për heqjen e ndalimit, “TikTok” është aktualisht i aksesueshëm në gjithë Shqipërinë pas një marrëveshjeje që parashikon filtra për gjuhën e urrejtjes në shqip.
Raporti vëren gjithashtu se kapacitetet e sigurisë kibernetike në vend mbeten të dobëta dhe gjatë periudhës së raportimit janë regjistruar disa sulme ndaj mediave online.
Opozita, në atë kohë, e cilësoi mbylljen e “TikTok”-ut si një përpjekje për të heshtur zërat kritikë ndaj qeverisë gjatë fushatës elektorale, duke akuzuar Kryeministrin Rama për ndërhyrje politike në hapësirën digjitale.
Në pjesën që lidhet me median, Progres-raporti ngre shqetësime serioze për mungesën e vetërregullimit, polarizimin e skajshëm dhe presionin ndaj gazetarëve, veçanërisht në mediat online.
“Vetërregullimi në sektorin e medias mbeti i dobët dhe i penguar nga burimet e kufizuara, peizazhi i polarizuar dhe përdorimi i retorikës nxitëse në debatin publik. Mbetet e rëndësishme të promovohet respektimi i kodeve etike në të gjithë sektorin”, thuhet në raport.
Një tjetër pjesë e raportit ndalet te kushtet e punës dhe siguria profesionale e gazetarëve shqiptarë. BE thekson se pagat e ulëta, ngarkesa e lartë e punës dhe presioni politik kanë ushqyer autocensurën, e cila “mbetet e përhapur në media”.
“Siguria e kufizuar në punë dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët, të kombinuara me vetëcensurë dhe presion nga aktorët politikë dhe pronarët e mediave, vazhduan të paraqesin sfida serioze. Problemet mbeten me pagat e papaguara, ngarkesat e tepërta të punës dhe pasigurinë, veçanërisht në mediat lokale dhe online,” nënvizon raporti.
Category: Aktualitet
-

Raporti i BE: Mbyllja e TikTok, veprim i diskutueshëm
-

Drogë dhe armë, aksion në Elbasan
Katër persona u arrestuan dhe dy të tjerë u proceduan penalisht nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Elbasanit.Operacioni i koduar “Terreni”, i finalizuar sot, goditi grupin e të rinjve që ishte dedikuar kryesisht në shitjen e hashashit në doza, teksa si provë përveç drogës u sekuestrua edhe një armë e ftohtë.
Policia vendore tha se aksioni u nda në tre raste të ndryshme të goditjes së aktivitetit të paligjshëm.
Në rastin e parë u arrestuan O. Ç., 21 vjeç, H. B., 20 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin me të cilin ata lëviznin në lagjen “5 Maji”, u gjet sasi kanabisi e ndarë në doza dhe gati për shitje.
I katërti u prangos G. M., 36 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 33 vjeç, pasi nga kontrollet fizike, në lagjen “Beqir Dardha”, të arrestuarit iu gjet 1 armë e ftohtë thikë, që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen, si dhe një sasi hashashi.
I fundit u procedua në gjendje të lirë S. S., 36 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte në lagjen “Partizani”, u gjet një sasi kanabisi. -

“Palloshi i gjatë” nën lupën e SPAK: Zbardhen bisedat e fshehta
Disa komunikime që shkojnë përtej formatit zyrtar, janë shkëmbyr mes ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi, zv/kryeministres Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë që tashmë janë marë të pandehur nga prokuroria e posaçme SPAK.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se mesazhe pakënaqësie shkëmbehen për një zyrtar të lartë, të cilin ata e çuajnë “Palloshi i gjatë” dhe që dyshohet shumë se i referohen kryeministrit aktual të vendit, Edi Rama.
Këto mesazhe janë rikuperuar pikërisht në telefonat e sekuestruar Evis Berberit, i cili thuajse çdo ditë ka komunikuar me Belinda Ballukun, por edhe me zyrtarët e tjerë, ku ndër të tjera janë lëshuar sharje dhe fyerje për kryeministrin e vendit, Edi Rama.
Këto mesazhe pakënaqësie dhe fyese për “Palloshin e gjatë” tashmë janë në dosjen e SPAK dhe administruar si prova materiale.
Mesashet fillimisht janë ekstraktuar për nevojat e hetimit të dosjes penale me Nr. 214/1, ku janë marë 24 të pandehur dhe më pas komunikimet në aplikacionin “Whats app”, i janë bashkuar dy dosjeve të tjera me Nr. 167 dhe Nr.181 të vitit 2024, të cilat aktualisht po hetohen në një procedim të vetëm me Nr.136 të vitit 2025 që për momentin janë zyrtarizuar 6 të pandehur mes të cilave dhe Belinda Ballukut.
Këto komunikime telefonike të Evis Berberit, zbulojnë rolin e zv/kryeministres Belinda Balluku, në ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në paracaktimin e kompanive fituese në disa tendera, përfshirë këtu dhe rastin për supervizimin e punimeve që kryheshin në tunelin e Llogarasë nga një kompani turke dhe kompania Shqiptare “Gjoka Konstruksion”.
Deri në këtë fazë, hetimi është orientuar në provimin e një fakti penal, atë të “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike”. Ndërsa episode të tjera të dyshuara kriminale dhe që ka vend për dyshime të arsyeshme janë veprat penale të “Korrupsionit”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Fshehja apo mosdeklarimi i pasurisë”. -

Fund parkimeve kaotike/ Bashkia dhe Policia nisin aksionin për lirimin e rrugëve kryesore
Për të gjithë drejtuesit e pabindur të cilët parkojnë në vende që nuk lejohet, policia ka gjetur si përgjigje përdorimin e karroatrecit.
Sipas bluve, në vijim të zbatimit të masave për lehtësimin e qarkullimit rrugor në Tiranë, kanë nisur kontrollet e shumta për moslejimin e zënies së hapësirave publike, ndalimin e parkimeve të dyfishta, apo parkimet në korsitë e emergjencave dhe të urbanëve.
Automjetet e konstatuara në shkelje janë ndëshkuar me gjobë, ndërsa ato të parkuara në korsitë e dedikuara janë zhvendosur me karrotrec.
Policia shprehet se këto masa ndërmerren me qëllim lirimin e trafikut, rregullimin e qarkullimit në zonat me fluks të lartë dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. -

Bien në prangat e policisë dy të rinjtë/ Qarkullonin të armatosur dhe me automjet të blinduar, kapen në flagrancë dhe..
Qarkullonin me automjet të blinduar dhe të armatosur, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me krehër me fishekë, automjeti i blinduar, një targë ruse e falsifikuar, një shumë parash dhe 3 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për 2 shtetas që qarkullonin me armë zjarri në automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blindi”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e blinduar me drejtues shtetasin E. D. dhe pasagjer shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me fishekë, një targë ruse e dyshuar e falsifikuar dhe një shumë parash.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. D., 28 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-E. B., 29 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. -

Çfarë ndodhi në Elbasan? Bien në pranga katër persona, dy të shpallur në kërkim, ja akuzat që rëndojnë mbi ta
Policia në Elbasan ka arrestuar katër persona, në kuadër të operacionit të koduar “Terreni”, ku u goditën katër raste të shtijës së kanabisit dhe armës së ftohtë.
Nga ky aksion i Policisë janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë.
Njoftimi i Plotë i Policisë së Shtetit:
DVP Elbasan/Punë operative dhe operacionale, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, në çdo formë të shfaqjes së tyre.Finalizohet operacioni policor i koduar “Terreni”.Goditen 4 raste të shitjes së Canabisit dhe armës së ftohtë.
Procedohen penalisht 6 autorët e këtyre paligjshmërive (në pranga, 4 prej tyre).
Si rezultat i monitorimit 24/7, të të gjithë territorin e qarkut, si dhe i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë policore, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit “Terreni”, goditën 3 raste të shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa dhe 1 rast të shitjes së armës së ftohtë. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:
-u arrestuan shtetasit O. Ç., 21 vjeç, H. B., 20 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin me të cilin ata lëviznin në lagjen “5 Maji”, u gjet sasi lënde narkotike Cannabis Sativa e ndarë në doza gati për shitje;
-u arrestua shtetasi G. M., 36 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 33 vjeç, pasi nga kontrollet fizike, në lagjen “Beqir Dardha”, të arrestuarit iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë) që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen, ndërsa të proceduarit iu gjet një sasi Cannabisi;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. S., 36 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte në lagjen “Partizani”, u gjet një sasi Cannabisi.
Lënda narkotike dhe arma e ftohtë, të gjetura në këto raste, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
#angazhimpërkushtimsakrificë#tëvendosurkundërkrimit#nëçdoskajtëvendit🇦🇱#nëshërbimtëqytetarëve -

Abuzimet në zgjedhje, shpopullimi dhe krimi i organizuar, raporti i KE ‘nxin’ qeverinë shqiptare
Abuzimet në zgjedhje, shpopullimi dhe krimi i organizuar, raporti i KE ‘nxin’ qeverinë shqiptare
Komisioni Evropian (KE) ka publikuar këtë të martë progres-raportin për Shqipërinë, teksa ka nxjerrë në pah disa problematika serioze në fushën e funksionimit të institucioneve demokratike, ekonomisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Nga zgjedhjet e 11 Majit, te emigrimi masiv dhe sfidat sociale, raporti evidenton një sërë problematikash, teksa thekson se reformat kyçe mbeten të pjesshme dhe sfidat strukturore të pazgjidhura.
Zgjedhjet dhe Polarizmi politik
Referuar zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit dhe raportit të publikuar nga OSBE/ODIHR, raporti vlerëson se ishin zgjedhje konkurruese, por të karakterizuara nga abuzimet me burimet publike nga qeveria.
Raporti thekson se reforma zgjedhore mbetet e pjesshme, polarizimi politik dhe mungesa e dialogut pengojnë funksionimin efektiv të Parlamentit, dhe politizimi i institucioneve kushtetuese vazhdon të jetë shqetësues.
Sipas raportit shoqëria civile përballet me sfida në regjistrim, financim dhe sulme online, ndërsa ndarja e përgjegjësive midis qeverisjes qendrore dhe lokale mbetet e paqartë.
“Korniza e përgjithshme lejon zgjedhje përgjithësisht të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025, të cilat pasuan një reformë të pjesshme zgjedhore, sollën mandatin e katërt radhazi për partinë në pushtet. Përfundimet paraprake të misionit vëzhgues të zgjedhjeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) / Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) vunë në dukje se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por identifikuan disa mangësi, përfshirë mungesën e një fushe të barabartë gare dhe abuzimin me burimet publike. Reforma e pjesshme zgjedhore ndryshoi Kodin Zgjedhor, por nuk arriti të adresojë një numër rekomandimesh të kahershme nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore.
Parlamenti mund të ushtrojë kompetencat e tij në mënyrë pjesërisht efektive. Polarizimi politik, mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe përplasjet ndërmjet shumicës në pushtet dhe pjesëve të opozitës vazhduan të ndikojnë në aktivitetin e Parlamentit, ndërkohë që proceset e konsultimit publik mbetën të kufizuara. Parlamenti gjithashtu pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar mbi ekzekutivin, ndërsa politizimi i emërimeve parlamentare në pozicione të larta në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze. U ngritën shqetësime lidhur me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit ad hoc parlamentar për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Pas zgjedhjeve të 11 majit, numri i komisioneve të përhershme u rrit nga tetë në njëmbëdhjetë, prej të cilave katër kryesohen nga opozita.
Qeveria vazhdoi të tregojë angazhimin e saj për integrimin në BE. Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një qeveri e re mori detyrën në shtator 2025. Ndarja e përgjegjësive midis qeverisjes lokale dhe qendrore mbetet një çështje.
Organet e Shqipërisë përgjegjëse për procesin e integrimit në BE janë në funksion. Ato koordinuan me sukses pozicionet kombëtare, duke çuar në hapjen e negociatave për pesë nga gjashtë grupimet tematikë gjatë periudhës së raportimit. Ekspertiza për integrimin në BE, planifikimi dhe mekanizmat ndërinstitucionalë do të duhet të forcohen më tej për të mbështetur ambicien e Shqipërisë për të përshpejtuar reformat e kërkuara nga procesi i anëtarësimit në BE. Procesi i integrimit në BE duhet të jetë më gjithëpërfshirës, të mbështetet nga palët politike dhe të mbështetet nga mekanizma efektivë konsultimi. Përpjekjet e komunikimit për integrimin në BE duhet të intensifikohen.
Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) operojnë në një mjedis pjesërisht mundësues. Ato përballen me sfida sa i përket kërkesave të regjistrimit dhe fondeve të kufizuara publike, bashkë me një rritje të narrativave negative dhe fushatave shpifëse online”,- thekson raporti.
Punësimi, Emigracioni dhe Sfidat Sociale
Një tjetër shqetësim që raporti nxjerr në pah është emigrimi i të rinjve dhe informaliteti në tregun e punës.
Në raport theksohet se “punësimi informal vazhdon të jetë një problem i madh, me shumë punëtorë që nuk kanë kontrata formale, sigurime shoqërore dhe mbrojtje ligjore.” Sipas raportit, mos raportimi i pagave reale është i përhapur, gjë që dëmton sistemin e pensioneve dhe ul besimin në tregun e punës.
Një tjetër pikë kritike është emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve dhe punëtorëve të kualifikuar, që, sipas raportit, “përkeqëson mungesën e fuqisë punëtore në sektorët kyç dhe kontribuon në një ikje të trurit”.
Komisioni vëren gjithashtu se politikat aktive të tregut të punës janë të pamjaftueshme, duke penguar aftësinë e punëtorëve për t’u përshtatur me kërkesat e reja të ekonomisë dhe për të gjetur punë më cilësore.
Raporti nënvizon gjithashtu se mbulesa e sistemit të asistencës sociale mbetet e kufizuar, ndërsa bashkëpunimi midis Inspektoratit të Punës, Shërbimeve Sociale, sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve “vazhdon të jetë i dobët”.
Krimi i Organizuar dhe Pastrimi i Parave
Përsa i përket krimit dhe hetimit financiar, raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë nënvizon se vendi ynë rrezikohet nga pastrimi i parave me anë të kriptomonedhave.
“Teknikat e hetimit financiar duhet të përmirësohen, duke përfshirë identifikimin, analizën dhe ruajtjen e provave digjitale për kriptovaluta dhe asete virtuale. Duhet të sigurohet përdorimi sistematik i hetimeve financiare paralelisht me rastet e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe pastrimit të parave. Niveli i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive mbeti i qëndrueshëm midis 2023 dhe 2024. Shqipëria raportoi rreth 21 milionë euro pasuri të sekuestruara (21 milionë euro në 2023) dhe 10 milionë euro pasuri të konfiskuara (11 milionë euro në 2023)”.Raporti thekson se “ekziston nevoja për të garantuar menaxhimin në kohë dhe të duhur të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshirë asetet virtuale dhe kriptovalutat, pasi nuk ekziston ende një portofol digjital shtetëror”.
Sipas raportit “ende nuk ekziston një qasje strategjike apo sistematike për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale që ndodhen jashtë vendit ose janë të paarritshme”.
“Në vitin 2024, SPAK ka dhënë shtatë vendime për sekuestrime parandaluese të pasurive që lidhen me veprimtari të krimit të organizuar. Megjithatë, Shqipëria duhet të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme rregullat për konfiskim të zgjeruar dhe ngrirje paraprake të pasurive, për të shmangur humbjen e vlerës ekonomike të tyre. Rishfrytëzimi i pasurive të konfiskuara për qëllime sociale mbetet kryesisht joefektiv”, vijon raporti.
Një tjetër udhëzim i raportit është që “autoritetet shqiptare duhet të forcojnë kapacitetet për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe të zbatojnë plotësisht Mekanizmin Kombëtar të Referimit për viktimat e trafikut. Në vitin 2024, u identifikuan 178 viktima, përfshirë 113 gra e vajza dhe 96 fëmijë”.
Siguria ushqimore
Sa i takon fushës së sigurisë ushqimore KE vlerëson se Shqipëria ende nuk e ka fituar plotësisht besimin e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe politikës fito-sanitare.
Në progrestraportin për vendin tonë, KE thekson se kemi “një nivel të caktuar përgatitjeje” në këto fusha, por gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar.
Sipas dokumentit, janë miratuar ligjet për shëndetin e kafshëve dhe bimëve, por mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të përputhjes së legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së dhe zbatimit praktik të tyre.
Komisioni rikujton se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërsa nënvizon nevojën që Shqipëria të përforcojë strukturat inspektuese.
“Gjatë periudhës së raportimit është bërë progres i kufizuar. Janë miratuar ligjet për Shëndetin e Kafshëve dhe Shëndetin e Bimëve. Megjithatë, janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për përputhjen e legjislacionit të këtij kapitulli me acquis-in e BE-së dhe për zbatimin e tij. Shqipëria duhet të zbatojë politikën kombëtare të miratuar për sigurinë ushqimore”, konstatohet në progres-raport. -

Brukseli kritikon Shqipërinë për mungesë progresi në lirinë e medias
Brukseli kritikon Shqipërinë për mungesë progresi në lirinë e medias
Sipas raportit vjetor të Komisionit Evropian, institucionet shqiptare kanë bërë progres të kufizuar në arritjen e standardeve të BE-së për lirinë e shprehjes, ndërsa vendi mbetet në një nivel të moderuar përgatitjeje në këtë sektor të rëndësishëm të të drejtave themelore.
Megjithëse aktorët e shoqërisë civile dhe të akademisë u përfshinë në një proces dialogu me qeverinë, duke dhënë rekomandime konkrete për përmirësimin e lirisë së shprehjes dhe të medias në vend, qeveria shqiptare ka bërë progres të kufizuar drejt reformimit të sektorit, nënvizon Komisioni Evropian në raportin e tij vjetor mbi Shqipërinë.
“Situata mbetet kryesisht e pandryshuar, me pavarësinë dhe pluralizmin në media të ndikuar nga mbivendosja e interesave politike dhe atyre të biznesit, mungesa e transparencës së burimeve financiare, përqendrimi i lartë i pronësisë, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët,” shkruan Komisioni Evropian.
Komisioni thekson se qeveria shqiptare ka bërë “vesh të shurdhër” ndaj rekomandimeve të bëra nga ky institucion për forcimin e lirisë së shprehjes gjatë tre viteve të fundit, ndërsa shton se dëbimi i televizionit News 24 nga hapësirat publike ku ushtronte aktivitetin, ngriti shqetësime lidhur me ligjshmërinë dhe respektimin e procedurave.
Sipas Komisionit, gjatë vitit të fundit Shqipëria nuk ka bërë përparim në përafrimin e kornizës ligjore me acquis-në e BE-së dhe standardet evropiane, veçanërisht për sa i përket sfidave kryesore që lidhen me lirinë e medias në vend – përfshirë përqendrimin e lartë të tregut dhe mungesën e transparencës mbi pronësinë mediatike, burimet e financimit dhe interesat ekonomike, si edhe përdorimin e fondeve publike, të cilat vazhdojnë të ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe pluralizmin e medias.
Shpifja mbetet vepër penale e dënueshme me gjoba të rënda,” shkruan Komisioni.
“Kodi Penal ende nuk parashikon mbrojtje të posaçme për gazetarët ndaj dhunës, sulmeve apo kërcënimeve gjatë ushtrimit të profesionit. Korniza ligjore nuk ofron garanci kundër padive strategjike (SLAPP),” shton ai.
Sipas Komisionit, edhe zbatimi i kornizës ligjore aktuale lë për të dëshiruar, ndërsa problematike mbetet edhe pavarësia e institucioneve mbikëqyrëse të tregut mediatik. Komisioni thekson se pavarësia e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) vihet në pikëpyetje nga ndikimi korporativ dhe politik në procedurat e emërimit të anëtarëve të bordit nga Kuvendi, ndërsa shton se ka mangësi në zbatimin e Kodit të Transmetimit për mediat që transmetojnë përmbajtje politike të regjistruara gjatë fushatave zgjedhore.
Megjithëse Shqipëria ka një ligj për të drejtën e informimit në përputhje me standardet evropiane, zbatimi i tij mbetet i dobët, ndërsa autoritetet publike vazhdojnë të mos japin informacion.
Në një notë pozitive, në korrik 2025 Shqipëria miratoi Strategjinë e parë Kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit. Komisioni thekson se zbatimi i kësaj strategjie duhet të garantojë respektimin e standardeve të lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe pluralizmit – në përputhje me acquis-në e BE-së dhe praktikat më të mira.
Megjithëse në Shqipëri ekziston një kornizë ligjore për mbrojtjen e gazetarëve, ata përballen rregullisht me sulme verbale e fizike, fushata shpifjesh dhe padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) – në disa raste nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe punonjës policie. Sulmet dhe frikësimet shënjestrojnë kryesisht gazetarët investigativë dhe ato gra. Sipas raportit, është vërejtur një rritje e numrit të kërcënimeve ndaj gazetarëve në hapësirën dixhitale, përfshirë fushata shpifjesh, shkelje të privatësisë dhe ngacmime online.
“Situata përkeqësohet nga mungesa e mekanizmave institucionalë për raportim, trajtim dhe zbutje të këtyre kërcënimeve dixhitale,” thekson raporti.
Ndër hapat e marrë nga institucionet për mbrojtjen e gazetarëve gjatë vitit 2024, raporti nënvizon caktimin e zyrtarëve të kontaktit për raportimin e sulmeve ndaj gazetarëve në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Brendshme dhe në polici.
Sa i përket faktorëve ekonomikë që ndikojnë tregun mediatik në Shqipëri, Komisioni thekson se përqendrimi i lartë i pronësisë dhe praktikat jotransparente të financimit vazhdojnë të kompromentojnë pavarësinë dhe pluralizmin mediatik.
“Korniza ligjore ende nuk përfshin dispozita për rregullimin e shpërndarjes së subvencioneve të tërthorta apo të reklamave shtetërore, as për zgjerimin e kërkesave të transparencës për mediat online,” shkruan Komisioni. “Vazhdojnë shqetësimet mbi ndikimin e grupeve të biznesit të lidhura politikisht, veçanërisht gjatë periudhave parazgjedhore,” shton ai.
Komisioni thekson se problemet e profesionalizmit, etikës dhe cilësisë në media nuk adresohen ende përmes vetërregullimit, i cili mbetet i dobët dhe pengohet nga polarizimi i peizazhit mediatik.
“Siguria e kufizuar e punës dhe kushtet e dobëta të punës për gazetarët, të kombinuara me autocensurën dhe presionin nga aktorët politikë dhe pronarët e mediave, vazhdojnë të përbëjnë sfida serioze,” thekson raporti i BE-së.
“Autocensura mbetet e përhapur, e nxitur nga presioni politik, kërcënimet ligjore dhe varësia ekonomike,” përfundon Komisioni./BIRN -

Bela & Lali, a e ka humbur Rama pushtetin mbi drejtësinë
Bela & Lali, a e ka humbur Rama pushtetin mbi drejtësinë
Nga Andi Bushati
Të dyja këto ngjarje, si ajo për të hequr qafe Lalin me anë të zgjedhjeve të parakohëshme, si edhe tjetra për të shpëtuar Belën ka zgjedha e SPAK, mund të kenë ndryshuar planet e Ramës, mund ti kenë prishur atij humorin, por në asnjë çast nuk kanë cënuar aspak prej pushtetit të tij
Dy ngjarje të ditëve të fundit, ku në të dyja përfshihen personazhet më të larta të qeverisjes së Edi Ramës në vitet e fundit, kanë ringritur edhe njëherë pikpyetjen nëse sistemi i drejtësisë ka arritur ti shpëtojë zgjedhës së kryeministrit.
Fjala është për përballjen e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, ku ai kundërshtoi shkarkimin si kryebashkiak dhe për marrjen të pandehur të Belinda Ballukut nga SPAK. Ajo që, në pamje të parë, konstatojnë të gjithë është fakti se të dyja këto episode kanë ndodhur jashtë dëshirës dhe vullnetit të Edi Ramës.
Nga njëra anë ai u angazhua personalisht për largimin e Veliajt nga zyra, shpalli zgjedhjet e parakohëshme në qytet, caktoi datën dhe pasardhësen që do të konkuronte në to. Pra, duke vendosur që i gjithë ky proces të bëjë prapakthehu duket sikur kushtetuesja ka marrë vendim kundër direktivës së dhënë nga kryeministri; sikur ajo ka sfiduar gjithpushtetshmërinë e tij dhe përdorimin e turpshëm që ai i bëri një zari si Bajram Begaj. Konkluzioni më i thjeshtë që mund të nxirrjej është se Rama ka dalë i humbur.
E njëjta gjë mund të thuhej edhe për rastin Balluku. Kjo jo vetëm për faktin se shefi nuk donte të humbiste në këtë moment numrin 2 të qeverisë, të cilës i kishte deleguar të gjitha kompetencat e punëve të përditshme. As sepse Ballukun e kishte caktuar si prijëse të fushatës elektorale në Tiranë. Por mbi të gjitha, se ndryshe nga më parë, duke vendosur ta marë të pandehur atë, prokuroria e posaçme ka lënë të kuptohet sikur po shkon në thelbin e një çështjeje, ku është direkt i implikuar Edi Rama.
Këto dy episode, pra anullimi i zgjedhjeve të prakohshme për Tiranën dhe kullotja e SPAK-ut, pa leje, në livadhet e ndaluara të qeverisë i kanë dhënë hov të gjithë idhtarëve të drejtësisë së re, ti tundin si shembuj të sukseseve dhe pavarësisë së saj. Ata po nxitojnë të thërasin fitore.
Pse, ju duket e vogël që Gjykata Kushtetuese ti thyejë hundët gjithë mekanizmit (PS, Këshill Bashkiak, Kryeministri, Presidencë, Ogerta Manastrliu), pyesin ata? A mund të ndodhë kjo në një vend ku sistemi është i kapur? Ata shkojnë edhe më tej. Po nëse SPAK-u s’do kishte liri veprimi, a do mundte ti’a rrëmbente Ramës, Belindën? A do guxonte të bënte atë për të cilën është akuzuar deri tani, se e ka të pamundur, hetimin e procedurave? Po edhe nëse do donte të godiste zv/kryeministren, a do shkonte drejtpërdrejt tek 190 milonë eurot e tunelit të Llogarasë, gjë që se ka bërë as me inceneratorët, as me koncesionet në shëndetësi?
Në fakt, panorama nuk është kaq rozë sa e përshkruan kjo luzmë optimistësh të pandreqshëm. Në rastin më të mirë është ende shumë shpejt për të bërtitur: “fitore”. Për ta kuptuar këtë ia vlen ti kalosh të dyja ngjarjet e mësipërme në filigran, përtej përshtypjes së rreme që krijon impakti i parë me to.
Le ta nisim me rastin Veliaj. Po është e vërtetë që Edi Rama dëshëronte ti lante njëherë e mirë hesapet me të duke e nxjerrë përfundimisht nga zyra për të ulur në vend të tij Ogertën. Por pyetja që shtrohet është kjo: Sa të domosdoshme dhe të panegociueshme e kishte këtë?
Këtu nuk po i hyjmë teorive konspirative që po gëlojnë mes kundërshtarëve të tij, se ai ishte friksuar për rezultatin e Tiranës, se Manastirliu nuk po ngjiste, se opozita po rritej. Pra se në fund qe vetë Rama që e urdhëroi kushtetuesen që ta anullonte garën e Tiranës. Ndonëse një version i tillë nuk është i palogjikshëm, atë po e lëmë menjanë, pasi nuk disponojmë fakte për ta mbështetur.
Prandaj rikthehemi tek dilema: sa punë i prishte Ramës nëse zgjedhjet anulloheshin? A nuk vijon të ketë ai kontroll të plotë mbi bashkinë? A nuk e ka zhveshur tashmë ai Veliajn nga çdo kompentencë, deri në pikën që nuk vendos dot më në punë as një punonjëse gjelbërimi? A nuk e detyroi ai të griste nga burgu urdhërin për delegimin e kompetencave tek Sara Goxhaj dhe ta linte drejtimin në duart e atyre që donte shefi? Pra ndonëse Rama mund të ketë dashur të mbyllë kapitullin e Lalit dhe të hapë atë të Ogertës, kjo që ndodhi, në thelb, atij nuk i prish as një punë. Kaq i rëndë është vendimi i kushtetueses kundër tij.
Të njëjtin mirazh të rremë ka reflektuar edhe vendimi për të marrë Belën të pandehur. Ndonëse, në dukje, ndryshe nga rastet e tjera, ajo nuk po hetohet për “kumbllat dhe dardhat e ngrëna pas shpine”, por për një aferë që e ka kryer në bashkëpunim me shefin, ngjarjet e deritanishme dëshmojnë për një kujdes të tepruar në trajtimin e saj.
Në raste të ngjashme, madje për akuza jo kaq të rënda, edhe për Berishën edhe për Ahmetajn, edhe për Metën apo Veliajn, SPAK-u ka zgjedhur masat e kufizimit të lirive. Balluku është ende e lirë, mban në duart e saj pashaportën për udhëtime, madje vijon të shkojë në zyrë, ndonëse është dëshmuar me fakte, si nxjerrja e lejes së punimeve për tunelin, tri vjet pasi ai kishte mbaruar dhe pasi denoncimet ishin bërë, se ajo ka mundësi të manipulojë provat.
Ajo që të bën përshtypje është: pse ky standart i dyfishtë? I njëjti standart vërehet edhe në trajtimin që Ballukut po i bëjnë prokurorët. Boll të shihet komunikata e thatë dhe korrekte e SPAK për penalizimin e saj, shumë me e qetë sesa ato ku përgojoheshin të pandehurit e tjerë. Boll të krahasohet mbajtja e saj në godinë vetëm 15 minuta, ndërkohë që prokurorët, në rastin Veliaj, arritën të prodhojnë tituj bombastikë lajmesh se ai u pyet për plot shtatë orë. Ky trajtim i veçantë si dhe heqja dorë nga metoda e ndjekur deri tani nga SPAK “denigroje moralisht para se ta marrësh të pandehur”, dëshmojnë se fati i Belindës nuk është vendosur. Për të ende po negociohet.
Por më kryesorja, mbi të gjitha, edhe sikur personalisht asaj nesër ti rezervohet fati më i keq i mundshëm, a kemi ne deri më tani ndonjë sinjal se kjo histori do shkojë deri lart, tek njeriu që realisht ka marrë vendim, për tunelin e Llogarasë? A rrezikohet realisht Rama nga drejtësia, kur të gjithë tashmë janë të bindur se është pikërisht ai që qëndron pas skandaleve më të mëdha në këtë vend? Deri më tash për këtë nuk kemi asnjë indicie.
Kështu që deri më tani, të dyja këto ngjarje, si ajo për të mos hequr dot qafe Lalin me anë të zgjedhjeve të parakohëshme, si edhe tjetra për të shpëtuar Belën nga zgjedha e SPAK, mund të kenë ndryshuar planet e Ramës, mund ti kenë prishur atij humorin, ndoshta mund ta kenë yshtur ti bjerë me pëllëmbë tavolinës, por në asnjë çast, nuk kanë cënuar aspak prej pushtetit të tij. Ai e ka në kontroll të plotë bashkinë dhe do ta ketë po ashtu dhe qeverinë edhe në rastin me fatkeq të largimit të zv/kryeministres.
Në një sistem autokratik, nuk ndodh asnjë traumë nëse bie një ingranazh i ndryshueshëm por makineria vijon të punojë njësoj. Ai quhet i tillë, pikërisht se autokrati mbetet i paprekshëm. Prandaj është krejtësisht absurde dhe ilogjike të shpjegosh ngazëllimin e atyre që shpallën fitore për aktet që kushtetuesja dhe SPAK-u ndërmorrën “kundër” Ramës.Lapsi.al -

Përgjimet/ Si e mësoi SPAK që Balluku e thërriste Ramën “palloshi i gjatë”
Gazeta Standard është portali zyrtar i gazetës se përditshme “Standard”. Parimi ynë është informimi i thelluar i mbeshtetur ne objektivitet dhe investigim. “Behu pjese e lajmit”- eshte motoja jone kryesore qe fton lexuesit te jene pjese e jona