Author: Top-Channel.tv

  • PD kërkon shkarkimin e Peleshit/ “Ik para votimit e jep dorëheqjen”, Gjiknuri i përgjigjet Kasos: Kjo është ‘recetë’ për kaos

    PD kërkon shkarkimin e Peleshit/ “Ik para votimit e jep dorëheqjen”, Gjiknuri i përgjigjet Kasos: Kjo është ‘recetë’ për kaos

    Po shqyrtohet këtë të enjte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, kërkesa e deputetë të opozitës për shkarkimin nga detyra të kryeparlamentarit Niko Peleshi.

    Fjalën i pari nga radha e opozitës, e mori deputeti i PD, Ivi Kaso, i cili renditi argumentet që dhe pikat që sipas tyre janë shkelur nga kryetari i Kuvendit, për çka ata kërkojnë dhe shkarkimin e tyre.
    E ndërsa listonte shkeljet sipas PD, ai iu drejtua Peleshit duke i thënë që të largohet nga salla para se të nisë votimi dhe të japë dorëheqjen.
    “Ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin tënd përpara detyrës së partisë. Ti je ai që ke tentuar të heshtësh opozitën në sallën e Sovranit.
    Do ikësh pa dinjitet, por do çlirosh Kuvendin nga drejtimi i një kryetari që nuk diti të drejtojë këtë institucion. Do ikësh pa dinjitet, por do t’u kesh kursyer kolegëve të maxhorancës të të mbrojnë me votë një muaj pasi ke marrë karrigen e numrit dy të Shtetit”, tha Kaso ndër të tjera.
    Deklaratave të Kasos iu përgjigj deputeti i PS Damian Gjiknuri, iu cili edhe një herë u shpreh se kryetari i Kuvendit nuk ka bërë asnjë shkelje, dhe nuk duhet të shkarkohet.
    Ndërkohë komentin e Ivi Kasos kur i tha Peleshit “ik dhe jep dorëheqjen”, Gjiknuri e cilëson si një “recetë për kaos”.
    “Shkelja nuk ekziston, nuk ka shkelje, receta ‘ik ti se s’po e drejton  mirë Kuvendit’ është recetë për kaos. Në fund prevalon rregulli. Niko ka bërë maksimumin e tij, dhe për me natyrën tij, e njoh prej vitesh, nuk hyn te miqtë e mi më të ngushtë, por as të armiqtë. Ai është njeriu që di të përballet me debatet dhe diskutimet, me qetësi”, tha Gjiknuri duke bërë thirrje kolegëve të tij që të votojnë kundër shkarkimit të tij.
     
     
     

    Top Channel

  • EMRAT/ Falsifikim dokumentesh te Rana e Hedhun dhe shpërdorim detyre/ Pas urdhrit të Gjykatës, arrestohen 9 personat e përfshirë

    EMRAT/ Falsifikim dokumentesh te Rana e Hedhun dhe shpërdorim detyre/ Pas urdhrit të Gjykatës, arrestohen 9 personat e përfshirë

    Ekzekutohen masa sigurie për 9 shtetas, të cilët akuzohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrave, janë implikuar në një rast të ndërtimit të paligjshëm, në Ranë të Hedhun.

    Masat u ekzekutuan nga strukturat e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Shkodër-Lezhë, në zbatim të vendimit të vendimit të Gjykatës së Lezhës, të datës 27.10.2025.
    Konkretisht, ndaj shtetasve:
    -Pjeter Tuci, 67 vjeç, banues në fshatin Shënkoll, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikim i vulave dhe stampave”;
    -Gentian Malotai 34 vjeç, banues në Shëngjin, ish drejtor i AShK, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”;
    -Artur Shabaku, 37 vjeç, banues në Lezhë, ish përgjegjës për legalizimet i AshK, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”;
    -Artmir Maxhuni 35 vjeç, banues në Lezhë, ish përgjegjës për legalizimet i AshK, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”;
    -Luiza Bala, 65 vjeçe, banuese në Tiranë, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
    -Hekuran Xhina 65 vjeç, banues në Elbasan, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
    -Kol Mala, 66 vjeç, banues në Tiranë, ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT, u ekzekutua masa e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
    -Flor Gjini 41 vjeç, banues në Lezhë, ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT, u ekzekutua masa e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
    -Martin Ndoka, 50 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

    Top Channel

  • Spiropali në Kopenhagen, takim me Ministren për Europën dhe Ministrin e Jashtëm: Zgjerimi i BE-së objektiv strategjik

    Spiropali në Kopenhagen, takim me Ministren për Europën dhe Ministrin e Jashtëm: Zgjerimi i BE-së objektiv strategjik

    Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës me synim avancimin e agjendës së integrimit europian të Shqipërisë dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.

    Mëngjesin e sotëm, Spiropali është takuar me Ministren për Europën, Marie Bjerre, mbi objektivat për avancimin e mëtejshëm të agjendës së integrimit të Shqipërisë në BE.
    Spiropali shkruan se Danimarka mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
    Ministrja thekson se “nën Presidencën daneze të BE, mbështetja e së cilës ka qenë faktor përcaktues në progresin e deritanishëm, presim të çelim brenda Nëntorit grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit”.
    Postimi i plotë:
    Kënaqësi të rikthehem në Kopenhagen të Danimarkës, pak pas Samitit të Komunitetit Politik Europian, për të ndarë me Ministren e Çështjeve Europiane, Marie Bjerre, objektivat për avancimin e agjendës së integrimit të Shqipërisë në 🇪🇺.
    Nën Presidencën Daneze të BE mbështetja e së cilës ka qenë faktor përcaktues në progresin e deritanishëm, presim të çelim brenda Nëntorit grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit. Po brenda kësaj Presidence besojmë fuqimisht se do të nisim me mbylljen e grupkapitujve ku kemi plotësuar kriteret, duke filluar me grupkapitullin 6 – “Marrëdhëniet me Jashtë”, për të prekur një tjetër moment vendimtar në rrugëtimin tonë historik drejt Europës.
    Me Ministren Bjerre iu bashkuam tryezës së Institutit Rasmussen Global për ndikimin e procesit të zgjerimit në të ardhmen e Europës, në prezencën e Dhomave të Tregtisë daneze, ku theksova se për Shqipërinë, rruga drejt anëtarësimit është histori e një transformimi të thellë politik, ekonomik e shoqëror.
    Gjatë kësaj vizite, Ministrja Spiropali do të takohet gjithashtu me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen.
    Ministrja Spiropali do të zhvillojë gjithashtu një takim me Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit danez, të kryesuar nga kryetari Christian Friis Bach, si dhe do të mbajë një fjalë në Universitetin e Kopenhagës me temë: “Navigimi i zgjerimit: zëri i Shqipërisë në Evropë”, e cila do të fokusohet në arkitekturën e reformave të ndërmarra nga Shqipëria për përafrim me acquis dhe në vlerën përbashkuese që këto reforma i shtojnë dinamikave të zgjerimit të BE-së.
    Gjatë ditës, Spiropali do të takohet me ish Kryeministrin danez dhe ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
    Vizita në Kopenhagë vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Danimarkës, duke pasqyruar përkushtimin e përbashkët për forcimin e dialogut dhe mbështetjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë.

    Top Channel

  • “Problemi nuk jam unë”, Peleshi i përgjigjet kërkesës së PD-së për shkarkim: Është përpjekje për të kthyer Kuvendin pas në kohë

    “Problemi nuk jam unë”, Peleshi i përgjigjet kërkesës së PD-së për shkarkim: Është përpjekje për të kthyer Kuvendin pas në kohë

    Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi iu përgjigj nga foltorja e Parlamentit kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e tij, më pak se dy muaj nga marrja e postit.

    Peleshi tha se nuk është ai problemi, por mocioni i opozitës është një përpjekje për ta kthyer Kuvendin pas në kohë.
    “Vetëm në dy seancat e fundit maxhoranca ka folur 291 minuta, kundër 480 minuta të opozitës. Shkaku që na ka sjellë në këtë procedurë është fryma përçarëse, nga e cila nuk heqin dot dorë. Problemi nuk jam, unë mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike. Kultura që shpesh kultivohet këtu vret shpresat e të rinjve, vret optimizmin. Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vet edhe në dhunën në shoqëri. Parlamenti i formëson shoqërinë. Çdo fjalë e shqiptuar në këtë sallë, jehon përtej këtyre mureve. Kur merremi me sulme denigruese, personale, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse i kthejmë në normë shoqërore këto sjellje”, tha Peleshi.
    “E kemi transformuar Parlamentin në një arenë lufte. Reagimi juaj me këtë mocion është përpjekja për ta vendosur kryetarin e Kuvendit në presionin e të shkuarës. Do të bëj gjithçka që kam në dorë që ky Parlament, ti ngjasojë një Parlamenti të BE-së. Atë që nuk ia kam lejuar vetes në gjithë jetën time politike dhe që përkon edhe me frymën e kodit të sjelljes, nuk kam se si ta lejoj për të tjerët. Nga kjo foltore nuk kam sulmuar personalisht askënd. Nuk kam shkelur mbi personalitetin e askujt”.

    Top Channel

  • Trump: Marrëveshje “pothuajse për gjithçka” pas takimit historik me presidentin kinez Xi Jinping

    Trump: Marrëveshje “pothuajse për gjithçka” pas takimit historik me presidentin kinez Xi Jinping

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është larguar nga Koreja e Jugut pas një takimi historik me presidentin kinez, Xi Jinping, duke deklaruar se të dyja palët kanë arritur një marrëveshje për “pothuajse gjithçka”.

    Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, pas përfundimit të një turi me tre ndalesa në Azi, Trump vlerësoi pozitivisht bisedimet e nivelit të lartë midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Sipas tij, është bërë përparim në fusha si tregtia, metalet e rralla dhe lufta kundër rrjedhës së fentanilit drejt SHBA-së. Presidenti amerikan shtoi se planifikon të vizitojë Pekinin në prill.
    Nga ana tjetër, delegacioni kinez nuk ka dhënë ende detaje mbi përmbajtjen e takimit. Xi Jinping pritet të qëndrojë në Korenë e Jugut për një vizitë shtetërore dhe për të marrë pjesë në samitin e liderëve të APEC-ut.
    Ndërkohë, përpara takimit në qytetin jugor të Busanit, Trump njoftoi se ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes të nisë “menjëherë” testimet e armëve bërthamore në baza të barabarta, si përgjigje ndaj testimeve të fundit të armëve të avancuara nga Kina dhe Rusia.

    Top Channel

  • Zbardhet vendimi i Strasburgut për Kastriot Ismailaj: Duhet të dëmshpërblehet

    Zbardhet vendimi i Strasburgut për Kastriot Ismailaj: Duhet të dëmshpërblehet

    Është zbardhur vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Strasburgut) për çështjen e Kastriot Ismailajt.

    Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Strasburgu ka vlerësuar mënyrën se si drejtësia shqiptare ka gjykuar mbi pasuritë e tij, dhe ka kërkuar që ish-bisnesmeni të dëmshpërblehet.
    Vendimi është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
    Ndërkohë, një tjetër çështje e tij, ajo që lidhet me kërkesën për shfuqizimin e dënimit me 11 vite burg,  është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese para dy javësh dhe ende nuk është depozituar në Strasburg.

    Top Channel

  • Ish-deputeti i PS në krye të Postës Shqiptare, Balluku prezanton Etjen Xhafajn: Profesionist i sprovuar me eksperiencë

    Ish-deputeti i PS në krye të Postës Shqiptare, Balluku prezanton Etjen Xhafajn: Profesionist i sprovuar me eksperiencë

    Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka prezantuar ditën e sotme, drejtorin e ri të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj.

    Xhafaj, i cili do të mbajë detyrën e Administratorit të Postës Shqiptare, një prej institucioneve më të vjetra në vend, ka qenë deputet i Partisë Socialiste.
    “Etjeni është bashkëpunëtor i hershëm i imi. Kemi punuar bashkë në disa institucione. Ka mbajtur një mandat të qarkut të Tiranës.
    Sot drejtimi i Postës shkon në duart e një profesionisti të sprovuar që ka eksperiencë në disa fusha. Në bashkëpunim me Admirin (ish drejtori i Postës Shqiptare) do të optimizohet procesi i Postës Shqiptare. Për ne është e rëndësishme që Posta të performojë duke optimizuar shërbimet. Digjitalizimi është në bazën e tyre.“, u shpreh Balluku.

    Top Channel

  • SHBA hoqi nga lista e zezë Millorad Dodik, DASH: Vendimet e fundit të Republikës Sërpska patën rol kyç…

    SHBA hoqi nga lista e zezë Millorad Dodik, DASH: Vendimet e fundit të Republikës Sërpska patën rol kyç…

    Dodik, presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë për shkak shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.
    Sanksionet ndaj tij, anëtarëve të familjes së tij, kompanive dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, u hoqën të mërkurën.
    DASH theksoi në një përgjigje për REL-in se veprimet e Asamblesë së entitetit serb të Bosnjës “duhet të ndihmojnë në përmirësimin e stabilitetit në Bosnjë dhe të mundësojnë një partneritet me Shtetet e Bashkuara të bazuar në interesa të përbashkëta, potencial ekonomik dhe prosperitet”.
    “Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me aktorë politikë në të gjithë Bosnjën për të vendosur prioritete të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.
    Përveç Dodikut – të cilit iu hoq mandati si president i entitetit serb pas dënimit me burgim për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje – nga lista e zezë amerikane u hoqën edhe anëtarja e Presidencës së Bosnjës, Zheljka Cvijanoviq.
    Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime pse i hoqi ata nga lista e sanksioneve në njoftimin e saj të mërkurën.
    Çfarë vendimesh mori Asambleja e Republikës Sërpska?
    Më 18 tetor, Asambleja e Përgjithshme e entitetit serb e miratoi një ligj për shfuqizimin e ligjeve që tashmë ishin shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
    Ato përfshijnë Ligjin për Pronën e Paluajtshme të Përdorur për Funksionimin e Autoriteteve Publike, Ligji për Moszbatimin e Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, Ligji Zgjedhor i Republikës Sërpska, Ligji për Ndalimin e Aktiviteteve të Institucioneve Jashtëkushtetuese të Bosnjës, Ligji për Ndryshimet në Kodin Penal të Republikës Sërpska dhe Ligji për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska.
    Dodiku ishte dënuar nga gjykata e Bosnjës për nënshkrimin e një ligji që bënte thirrje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në entitetin e udhëhequr nga ai.
    Përveç dënimit më një vjet burgim, të cilin e zëvendësoi më vonë me gjobë, Dodikut iu ndalua edhe ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet.
    Asambleja e Përgjithshme gjithashtu i beri të pavlefshme 12 konkluzione parlamentare të dhjetorit 2024, të cilat disa ambasada perëndimore i përshkruan në një deklaratë të përbashkët si “qëndrime kundër marrëveshjes së Dejtonit”.
    Asambleja gjithashtu e emëroi Ana Trishiq-Babiq, ish-këshilltaren e Dodikut, si presidente në detyrë të Republikës Sërpska.

  • Forumi i Paqes në Paris/ Marrëveshja Armeni-Azerbajxhan, Rama batuta me drejtuesin e konferencës: Do të zemërosh presidentin tënd, ai nuk ia doli

    Forumi i Paqes në Paris/ Marrëveshja Armeni-Azerbajxhan, Rama batuta me drejtuesin e konferencës: Do të zemërosh presidentin tënd, ai nuk ia doli

    Drejtuesi i Forumit: Ju keni zgjidhur një konflikt afatgjatë me rivalin tuaj historik, keni shkruar marrëveshjen Armeni-Azerbajxhan…
    Kryeministri Edi Rama: Do të zemërosh presidentin tënd jo mua, se është përpjekur për shumë kohë ta bëjë, por nuk ia doli.
    Drejtuesi i Forumit: Si e ndjeni gjithë këtë trazim që po ndodh çfarë po ndryshon në rendin global?
    Kryeministri Edi Rama: Unë sapo vij nga Riadi, ku pata nderin të ftohem në formonin e investimeve për të ardhmen, kur ke mundësi të gjendesh në atë pjesë të botës kupton që në këtë pjesë këtu ne duhet të bëjmë një dush përulësie, sepse sot edhe pse po ekspozohen tërësisht ujërat që ziejnë në marrëdhëniet mes vendeve dhe qasjet, ne vijojmë të mendojmë se ka diçka që nuk po shkon me botën.
    Unë besoj që ajo që ka ndodhur në SHBA në krye të këtij viti, po flas për atë që Trump e përshkoi si plani preciz i Zotit për ta shpëtuar në mënyrë që të shpëtonte Amerikën është sipas meje diçka që nëse Zoti kishte vërtet një plan pjesë të këtij plani, të zgjonte Europën.

    Top Channel

  • SHBA planifikon të reduktojë numrin e trupave në Evropë: Shenjë pozitive e rritjes së aftësive dhe përgjegjësisë evropiane

    SHBA planifikon të reduktojë numrin e trupave në Evropë: Shenjë pozitive e rritjes së aftësive dhe përgjegjësisë evropiane

    Ministri i Mbrojtjes i Rumanisë ishte i pari që njoftoi masën, duke deklaruar se SHBA kishin informuar aleatët e NATO-s.

    Ushtria amerikane e quajti “një shenjë pozitive të rritjes së aftësive dhe përgjegjësisë evropiane”
    Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë njoftoi të mërkurën se disa trupatë SHBA që janë tërhequr nga vendi nuk do të zëvendësohen pasi Shtetet e Bashkuara planifikojnë të reduktojnë numrin e trupave të vendosura në krahun lindor të NATO-s në Evropë.
    Sipas autoriteteve të Bukureshtit, kjo masë do të prekte forcat e stacionuara në bazën ajrore rumune Mihail Kogalniceanu. “Vendimi amerikan është të ndalojë rotacionin në Evropë të një brigade që kishte elementë në disa vende të NATO-s”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes.
    Ministri rumun i Mbrojtjes Ionut Mosteanu vuri në dukje gjithashtu se numri i përgjithshëm i trupave në krahun lindor të NATO-s edhe pas ndryshimeve do të mbetet më i lartë se përpara sulmit rus ndaj Ukrainës.
    Anëtarja e BE dhe NATO-s ndan një kufi prej 650 kilometrash (rreth 400 milje) me Ukrainën dhe është përballur me disa inkursione të dronëve rusë muajt e fundit. Zyrtarët amerikanë konfirmuan planet, por thanë se ndryshimet ishin pjesë e planeve të gjata dypartiake të Uashingtonit për t’u “orientuar drejt Azisë”, si dhe një shenjë e përmirësimit të gatishmërisë evropiane në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës.
    Ushtria amerikane i quan planet “shenjë pozitive” të rritjes së aftësive evropiane
    “Kjo nuk është as një tërheqje amerikane nga Evropa dhe as një shenjë e një angazhimi më të vogël ndaj NATO-s dhe Nenit 5,” tha në një deklaratë Ushtria Amerikane për Evropën dhe Afrikën me qendër në Gjermani, duke iu referuar klauzolës së mbrojtjes reciproke të NATO-s. “Përkundrazi, është një shenjë pozitive e rritjes së kapacitetit dhe përgjegjësisë evropiane,” tha ai.
    Ushtritë evropiane në NATO, veçanërisht Gjermania, po përpiqen të rrisin rekrutimin dhe prokurimin, si dhe shpenzimet e përgjithshme të mbrojtjes, në përgjigje të luftës në Ukrainë.
    Ushtria tha se rreth 1000 trupa amerikane do të mbeten në Rumani, nga rreth 1700 në prill të këtij viti. Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, tha në mënyrë të ngjashme, planet tregojnë se si Rumania dhe aleatët e tjerë të NATO-s po rrisin aftësitë e tyre mbrojtëse, ndërsa Evropa kërkon të forcojë aftësitë e saj në mes të luftës në Ukrainë.
    “Për më shumë se 20 vjet si aleate e NATO-s, Rumania ka bashkëpunuar vazhdimisht me Shtetet e Bashkuara për të përmbushur objektivat tona të përbashkëta të mbrojtjes,” tha Whitaker. “Ky partneritet mbetet më i fortë se kurrë.”
    Analistët gjermanë të mbrojtjes nuk shohin “arsye për panik”
    Në varësi të operacioneve dhe stërvitjeve, Shtetet e Bashkuara zakonisht kanë midis 80.000 dhe 100.000 trupa të stacionuara në Evropë në çdo kohë, duke përfshirë rreth 9000 trupa në Ramstein në Gjermaninë perëndimore.
    Një avion transporti ushtarak C-17 Globemaster që ngrihet nga baza ajrore Ramstein në Gjermani. 23 qershor 2025.
    Selia e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe Afrikë ndodhet në Ramstein, Gjermania perëndimore.
    Titujt e së mërkurës, natyrisht, tërhoqën vëmendjen e komentuesve të politikës së mbrojtjes në Gjermani, me ish-ambasadorin gjerman në Shtetet e Bashkuara dhe ish-kreun e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Wolfgang Ischinger, duke deklaruar se njoftimi “nuk ishte shkak për alarm”.
    Analisti i mbrojtjes, autori dhe podkasteri Carlo Masala i Universitetit të Bundeswehrit në Mynih iu përgjigj Ischingerit duke thënë: “Unë mbështet vlerësimin e tij. Por ajo që asnjëri prej nesh nuk di është nëse do të ketë hapa të tjerë në të ardhmen”.
    Administratat e njëpasnjëshme amerikane, të paktën që nga Barack Obama, nëse jo më parë, kanë folur për planet dhe nevojën taktike për të zhvendosur disa nga asetet ushtarake të SHBA në rajonin Indo-Paqësor.
    Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto e vuri në dukje këtë në një intervistë për Sky: “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për konkurrencën me Kinën dhe Evropa duhet të krijojë mbrojtjen e saj.”
    Megjithatë, lajmet për plane të tilla gjatë presidencës së Trumpit mund të ngrenë më shumë pasiguri, duke pasur parasysh komentet e tij ndonjëherë kontradiktore për NATO-n, shpenzimet ushtarake evropiane, Ukrainën dhe Rusinë.
    /rel

    Top Channel