Author: Top-Channel.tv

  • E rëndë në Itali/ Xhaxhai i jep nipit 4-vjeçar biskota me kanabis, i mituri dërgohet me urgjencë në spital

    E rëndë në Itali/ Xhaxhai i jep nipit 4-vjeçar biskota me kanabis, i mituri dërgohet me urgjencë në spital

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Arezzo të Italisë, ku një fëmijë 4-vjeçar u sëmur rëndë dhe humbi ndjenjat pasi konsumoi biskota të përgatitura me kanabis.

    Biskotat ishin pjekur nga xhaxhai i tij, i cili nuk kishte njoftuar askënd për përbërësit.
    Fëmija u dërgua menjëherë në spital, ku analizat zbuluan nivel të lartë kanabisi si në gjak, ashtu edhe në urinë. Nëna e të miturit u tha mjekëve se djali kishte qenë në shtëpinë e gjyshërve dhe kishte ngrënë disa biskota të gjetura në qilar, të pjekura disa ditë më parë.
    Pas njoftimit të mjekëve, policia kreu një kontroll në banesën e xhaxhait, i cili kishte precedent të pastër penal, por ishte i njohur për përdorim droge. Në një kasolle pas shtëpisë, oficerët zbuluan një serë profesionale me llamba, ventilatorë dhe pajisje për kultivimin e kanabisit, si dhe rreth 600 gramë marihuanë të tharë. Në një frigorifer u gjetën edhe 20 biskota me kanabis, me peshë totale rreth 500 gramë.
    Burri u arrestua dhe akuzohet për posedim, kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike, si dhe për sulm të pakujdesshëm. Të martën, gjatë gjykimit të shkurtuar, gjykata konfirmoi arrestimin dhe seanca u shty për një datë tjetër.
    Sipas Corriere Fiorentino, fëmija tani ndodhet jashtë rrezikut dhe gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

    Top Channel

  • Të enjten mbledhja e parë Itali-Shqipëri/ Zbardhen detaje nga takimi, cilat do të jenë ‘shtyllat’ e diskutimeve

    Të enjten mbledhja e parë Itali-Shqipëri/ Zbardhen detaje nga takimi, cilat do të jenë ‘shtyllat’ e diskutimeve

    Mbrojtja, industria dhe emigrantët, janë tre çështjet kryesore në tryezën e samitit Itali-Shqipëri, që zhvillohet të enjten, ku për herë të parë në Romë do të bëhen bashkë qeveritë e dy vendeve fqinje, me në krye kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni.

    Mediet taliane kanë zbuluar detaje nga Samiti i Romës, që vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit, teksa shkruajnë se “Tirana është në listën e pritjes për anëtarësim në BE dhe po bën hapa të rëndësishëm për të mbushur boshllëqet strukturore”.
    “Mbledhja e parë ndërqeveritare Itali-Shqipëri e mbajtur në Romë do të jetë një mundësi për të shqyrtuar bashkëpunimin dypalësh dhe për të rënë dakord për nisma të mëtejshme që synojnë forcimin e partneritetit strategjik midis Romës dhe Tiranës, duke identifikuar sektorë kyç si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, dhe duke u përqendruar në trajnimin profesional në secilin prej këtyre sektorëve të bashkëpunimit”, shkruajnë mediat në Itali.
    Më tej, thuhet se në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, dhe infrastruktura detare do të vendoset në Shqipëri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.
    Në sektorin e energjisë, po punohet për zgjerimin e bashkëpunimit bazuar në marrëveshjen trepalëshe midis Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe një ndërlidhje nëndetëse për energjinë e rinovueshme që lidh Italinë dhe Shqipërinë”.
    Duke iu drejtuar migracionit, mediat shkruajnë se “do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër imigracionit të parregullt dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë”.
    Në fokus të takimit dypalësh, thuhet se do të jenë edhe shumë fusha të tjera, përfshirë dhe kujdesin shëndetësor, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor.

    Top Channel

  • Kushner kthehet në Izrael/ Bisedime të vështira për fazën e re të armëpushimit në Gaza, pengesat mbeten të shumta

    Kushner kthehet në Izrael/ Bisedime të vështira për fazën e re të armëpushimit në Gaza, pengesat mbeten të shumta

    I dërguari amerikan dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, u kthye të hënën në Izrael, ndërsa ndërmjetësit po përballen me sfida të reja në përpjekjet për të çuar përpara negociatat për fazën tjetër – edhe më komplekse – të marrëveshjes së brishtë të armëpushimit në Gaza.

    Pikat kyçe mbeten ende të pazgjidhura: çarmatimi i Hamasit, rindërtimi dhe qeverisja e ardhshme e Gazës, si edhe vendosja e një force ndërkombëtare sigurie në territor, shkruan BBC.
    Nuk ka asnjë afat për këto bisedime, të cilat kërkojnë lëshime të mëdha si nga Izraeli, ashtu edhe nga Hamasi, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mundësinë e arritjes së progresit.
    Një pengesë tjetër ka dalë në dritë së fundmi: dhjetëra luftëtarë të Hamasit që besohet se ndodhen në tunelet nën qytetin jugor të Rafahut, përtej “Vijës së Verdhë”, zonë që ndodhet nën kontrollin izraelit.
    Javën e kaluar, i dërguari special amerikan Steve Witkoff tha se mund të ofrohej amnisti për luftëtarët që dorëzojnë armët – një “model” që SHBA shpreson ta aplikojë edhe në pjesën tjetër të Gazës. Ai përmendi shifrën 200 luftëtarë të bllokuar, por numri nuk është konfirmuar zyrtarisht.
    Sipas mediave, çështja u diskutua gjatë takimit që Kushner zhvilloi të hënën në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Hamasi ka deklaruar më herët se luftëtarët nuk do të dorëzohen dhe ka kërkuar garantimin e kalimit të sigurt – kërkesë e refuzuar deri tani nga Izraeli.
    Një zëdhënëse e qeverisë izraelite tha se Netanyahu dhe Kushner diskutuan “fazën e parë, ku ende ndodhemi, për kthimin e pengjeve të mbetura, si edhe perspektivat e fazës së dytë, e cila përfshin çarmatosjen e Hamasit, demilitarizimin e Gazës dhe garantimin që Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në të ardhmen e Gazës”.

    Top Channel

  • Nesër mbledhja e parë Itali-Shqipëri/ Zbardhen detaje nga takimi, cilat do të jenë ‘shtyllat’ e diskutimeve

    Nesër mbledhja e parë Itali-Shqipëri/ Zbardhen detaje nga takimi, cilat do të jenë ‘shtyllat’ e diskutimeve

    Mbrojtja, industria dhe emigrantët, janë tre çështjet kryesore në tryezën e samitit Itali-Shqipëri, që zhvillohet të enjten, ku për herë të parë në Romë do të bëhen bashkë qeveritë e dy vendeve fqinje, me në krye kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni.

    Mediet taliane kanë zbuluar detaje nga Samiti i Romës, që vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit, teksa shkruajnë se “Tirana është në listën e pritjes për anëtarësim në BE dhe po bën hapa të rëndësishëm për të mbushur boshllëqet strukturore”.
    “Mbledhja e parë ndërqeveritare Itali-Shqipëri e mbajtur në Romë do të jetë një mundësi për të shqyrtuar bashkëpunimin dypalësh dhe për të rënë dakord për nisma të mëtejshme që synojnë forcimin e partneritetit strategjik midis Romës dhe Tiranës, duke identifikuar sektorë kyç si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, dhe duke u përqendruar në trajnimin profesional në secilin prej këtyre sektorëve të bashkëpunimit”, shkruajnë mediat në Itali.
    Më tej, thuhet se në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, dhe infrastruktura detare do të vendoset në Shqipëri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.
    Në sektorin e energjisë, po punohet për zgjerimin e bashkëpunimit bazuar në marrëveshjen trepalëshe midis Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe një ndërlidhje nëndetëse për energjinë e rinovueshme që lidh Italinë dhe Shqipërinë”.
    Duke iu drejtuar migracionit, mediat shkruajnë se “do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër imigracionit të parregullt dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë”.
    Në fokus të takimit dypalësh, thuhet se do të jenë edhe shumë fusha të tjera, përfshirë dhe kujdesin shëndetësor, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor.

    Top Channel

  • Takimet në Tinder që u bënë ferr për dhjetëra gra, si shpëtoi pa u ndëshkuar një përdhunues për vite me radhë

    Takimet në Tinder që u bënë ferr për dhjetëra gra, si shpëtoi pa u ndëshkuar një përdhunues për vite me radhë

    E gjitha filloi si çdo histori në Tinder, një çift, që prej disa javësh shkëmbenin mesazhe dhe pastaj takohen për një darkë.

    Por kur Nadia, atëherë 27 vjeç, shkoi në apartamentin e Christopher për të shkuar së bashku në restorant, gjërat morën një kthesë që ende i shkakton të dridhura, shtatë vjet më vonë.
    Ajo nuk është e vetme. Gjashtë gra kanë ndarë përvojat e tyre në një podcast të BBC- së rreth Christopher Harkins, një mashtrues serial i cili jo vetëm që zhvatte para, por gjithashtu përdorte dhunë fizike dhe ekstreme psikologjike, sulme seksuale, kërcënime dhe madje edhe përdhunim. Pavarësisht ankesave të bëra në policinë e Skocisë që në vitin 2012, autoritetet filluan hetimin e Harkins, tani 38 vjeç, vetëm në vitin 2019. Policia u përqendrua në aspektin financiar dhe, për shkak se nuk kishte ankesa për kërcënime ose dhunë, ata i trajtuan rastet si civile (mashtrim) dhe jo si penale. Për më tepër, ankesat iu bënë departamenteve të ndryshme të policisë në Skoci dhe sulmet u hetuan veçmas nga njëra-tjetra. Ajo që më në fund i bëri autoritetet ta merrnin çështjen më seriozisht ishte iniciativa e një gruaje për t’iu drejtuar medias në tetor 2019 për të denoncuar Harkins. Policia e kishte refuzuar atë pavarësisht ankesës së saj se Harkins i kishte zhvatur 3,247 paund për një paketë pushimesh që nuk ekzistonte.
    Sot, Nadia thotë se shenjat paralajmëruese filluan kur ajo i ra ziles së derës së apartamentit të tij në vitin 2018. Harkins hapi derën me tuta sportive dhe i tha se ishte shumë i lodhur për të dalë. Ai i tha se mund të merrnin ushqim për të ngrënë në shtëpinë e tij. Nadia hyri brenda dhe gjeti një apartament bosh – madje edhe televizori ishte në kuti. Ai i ofroi vodka, por ajo preferoi të hidhte një pije të gazuar për vete. Kjo e zemëroi atë, madje edhe më shumë kur ajo aksidentalisht derdhi pak pije të gazuara në dysheme. “Sa e ngathët je, nuk po e respekton pronën time,” do t’i thoshte ai me inat. Por Nadia e cila kishte qëndruar vetëm 20 minuta me të doli menjëherë nga apartamenti me makinën e saj.Harkins menjëherë filloi ta bombardonte me mesazhe: “Si guxon dikush si ty të ketë guximin të dalë në një takim me mua,” shkroi ai, përpara se ta kërcënonte pak kohë më vonë se do të hidhte një koktej Molotov në makinën e saj, do ta vriste dhe pastaj do ti sulmonte të atin. Shënjestra tjetër e ofendimeve të Harkins ishte pamja e saj: “Lopë e shëndoshë, dukesh si derr, ke shumë grim.” Ai i shkruante deri në agim, duke shkatërruar vetëvlerësimin e Nadias, të cilin ajo kishte luftuar aq shumë për ta rifituar pas një periudhe të vështirë që kishte kaluar.
    “Nëse nuk do kisha pasur vajzën time, do t’i kisha dhënë fund jetës sime”, thotë ajo sot. Edhe pse menjëherë i raportoi kërcënimet e Harkins në polici, asaj iu tha se “nuk kishte asgjë që mund të bënim”. Nuk kishte kërcënime të drejtpërdrejta kundër saj, kishte thënë policia.
    E paaftë për të bërë shumë, Nadia bllokoi numrin e tij, por Harkins vazhdoi ta ngacmonte në rrjetet sociale përmes njerëzve që e njihnin. Më vonë, Nadia lexoi dëshminë e një gruaje që u përdhunua nga Harkins dhe kuptoi se kjo mund të ishte parandaluar nëse policia do të kishte ndërmarrë veprime kundër tij . Harkins e përdhunoi atë dy muaj pas takimit me të, “vajza mund të ishte shpëtuar”, thotë ajo.
    Harkins u burgos më në fund në vitin 2024, pas pothuajse një dekade “veprimi”. Dënimi është 12 vjet për 19 vepra penale të dhunës fizike dhe seksuale kundër 10 grave. Midis tyre ishin kërcënime dhe frikësime kundër Nadias dhe familjes së saj.
    Përveç këtyre, Harkins pranoi akuzat për mashtrim. Ai kishte nxjerrë një total prej 214,000 paundësh (rreth 240,000 euro) nga gratë, përfshirë edhe skema investimi të rreme, por edhe duke përdorur identitete grash për të marrë kredi bankare. Hetimi i BBC zbuloi se ai kishte zhvatur edhe 70,000 paund të tjera nga gratë. Në total, viktimat e tij ishin të paktën 30 gra.
    Megjithatë, autoritetet nuk duken veçanërisht të gatshme t’u kërkojnë falje viktimave që nuk u kanë dhënë vëmendjen që meritonin. Shtatë vjet më vonë, Nadia thotë se është rikthyer. “Jam shumë mirë, krejtësisht ndryshe dhe me shumë më tepër vetëbesim. Nuk kam frikë të flas hapur dhe nuk do t’i injoroj më kurrë sinjalet e forta.”

    Top Channel

  • Pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës, arrestohet në aeroportin e Veronës bosi shqiptar i drogës që kërkohej në gjithë Europën

    Pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës, arrestohet në aeroportin e Veronës bosi shqiptar i drogës që kërkohej në gjithë Europën

    Policia Shtetërore Italiane ka arrestuar një 32-vjeçar shqiptar sapo ai mbërriti nga Tirana në Aeroportin “Valerio Catullo” të Veronës.

    Gjatë kontrollit të pasaportave, oficerët e Policisë Kufitare zbuluan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Bashkuar për trafik ndërkombëtar kokaine, shkruajnë mediat italiane.
    Sipas autoriteteve britanike, i arrestuari ishte pjesë e një organizate kriminale që vepronte në bregdetin jugor të Anglisë, ku luante rol kyç në përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës. Hetimet kanë treguar se 32-vjeçari jo vetëm paketonte kokainën, por edhe drejtonte anëtarë të tjerë të grupit.
    Gjatë operacioneve të policisë në Mbretërinë e Bashkuar janë sekuestruar mbi 28 kilogramë kokainë si dhe rreth 175 mijë paund (rreth 200 mijë euro) para të gatshme. Nga hetimet rezulton se midis qershorit dhe dhjetorit 2024, shqiptari kishte përdorur llogarinë e tij në eBay për të porositur materiale paketimi, sasi të mëdha acetoni dhe pulla druri me dizajne të ndryshme. Disa prej stampave përputheshin me ato të gjetura në blloqet e kokainës të sekuestruara.
    Pas kryerjes së procedurave në zyrat e Policisë Kufitare, 32-vjeçari u dërgua në burgun e Veronës, ku do të qëndrojë në pritje të ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar. Krimi për të cilin akuzohet parashikon dënim maksimal deri në burgim të përjetshëm.

    Top Channel

  • 100 plumba për vrasjen e Gilmando Danit, çfarë dihet deri tani për ekzekutimin e mikut të Emiljano Shullazit

    100 plumba për vrasjen e Gilmando Danit, çfarë dihet deri tani për ekzekutimin e mikut të Emiljano Shullazit

    Përballë aeroportit të Rinasit, në portën hyrëse të Shqipërisë, ku në 10 muaj hynë 10 milionë udhëtarë, që presupozohen të jetë vendi më i sigurt në Shqipëri, rreth orës 14:20 të kësaj të marte ndodhi një atentat tipik mafioz, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt dy personave.

    Pas 4 ditësh qëndrimi në Barcelonë, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri u rikthyen në atdhe dhe me mjetin të cilin e kishin parkuar brenda aeroportit dolën drejt rrethrrotullimit të aeroportit, pa e ditur se do të binin në kurthin e ngritur nga së paku 4 persona të cilët i donin patjetër të vdekur.
    Një mjet Toyota iu vu pas makinës së tyre duke qëlluar me breshëri dhe pa iu dhënë mundësi reagimi. Mbi 100 plumbat e derdhur drejt Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit detyruan makinën të stopohej dhe krijuan panik dhe dëme materiale edhe në bizneset e zonës të mbushura me qytetarë. Autorët u larguan nga vendngjarja vetëm kur u bindën se misioni ishte kryer.
    Nga të shtënat, Gilmando Dani, i cili ishte në vendin e pasagjerit, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Muçi Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe po lufton me jetën në spital.
    Pas krimit, atentatorët u larguan drejt fshatit Halil, ku braktisën makinën e përdorur në ngjarje dhe brenda saj municionin dhe 4 kallashnikovë.
    Policia dyshon se ata kanë pasur informacion të plotë mbi lëvizjet e Gilmando Danit, se kur ai kthehej nga Barcelona dhe me çfarë makine lëvizte.
    Pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Emiliano Shullazit, Gilmando Dani ka një CV të pasur kriminale, mbi të cilën policia do të ndalet për të identifikuar shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje. I arrestuar disa herë për armëmbajtje, kanosje dhe gjobëvënie, Dani kishte veç një vit që kishte dalë nga burgu. Kjo është hera e tretë ndaj të cilit organizohen sulme me armë. Më herët, Dani i ka shpëtuar atentateve të ngjashme në 2011 dhe 2015.
    Ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani, rezulton pa probleme me ligjin. Ai rezulton prej 3 muajsh i punësuar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që presupozohen të pastrojë radhët e policisë, por që udhëtonte dhe shoqërohej me një person me dritëhije kriminale.

    Top Channel

  • Tronditëse në Austri, prindërit torturojnë për vdekje djalin e tyre tre-vjeçar

    Tronditëse në Austri, prindërit torturojnë për vdekje djalin e tyre tre-vjeçar

    Një ngjarje tronditëse ka tronditur Austrinë, pasi Prokuroria e Innsbruck-ut ka ngritur akuza të renda ndaj një çifti 27-vjeçar për vrasje, torturë dhe rrëmbim, lidhur me vdekjen e djalit të tyre trevjeçar në maj të vitit 2024.

    Sipas rindërtimit të gjyqësorit austriak, fëmija ka kaluar muaj të tërë nën dhunë sistematike dhe privim ekstrem ushqimi e uji në banesën familjare në Kufstein, pranë kufirit me Bavarinë.
    Hetimet zbuluan prova të shumta — mesazhe, foto dhe video — që dokumentonin abuzimin e rëndë ndaj të miturit. Rasti, i raportuar fillimisht nga Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka shkaktuar reagime të forta dhe indinjatë të gjerë në vend.
    Sipas aktakuzës, fëmija dyshohet se është rrahur, lidhur dhe mbyllur shpesh në një dhomë të errët, duke u detyruar të qëndronte lakuriq për ditë të tëra brenda një sirtari. Prindërit dyshohet se e privuan me qëllim nga ushqimi dhe uji, duke e çuar peshën e tij në vetëm 7 kilogramë — më pak se gjysma e peshës normale për moshën.
    Prokuroria thotë se provat kryesore përfshijnë komunikime mes prindërve dhe materiale filmike që tregojnë episodet e dhunës. Të dy të pandehurit kanë pranuar përgjegjësinë gjatë marrjes në pyetje.
    Ekspertiza psikiatrike e urdhëruar nga hetuesit ka përcaktuar se çifti ka qenë plotësisht i përgjegjshëm në momentin e ngjarjeve. Megjithatë, specialistët identifikuan një çrregullim të rëndë personaliteti me tipare sadiste.
    Prindërit jetonin në kushte të vështira ekonomike dhe kishin nisur të izoloheshin, duke zhvilluar bindje të rreme. Ata madje pretendonin se djali ishte “i pushtuar nga një demon” dhe ishte shkaktari i fatkeqësive të tyre. Pavarësisht kësaj, mjekët përjashtuan çdo formë paaftësie mendore që do t’u hiqte përgjegjësinë penale.
    Çifti pritet të dalë përpara gjykatës së Innsbruck-ut, ndërsa rasti po trajtohet si një nga më të rëndët e viteve të fundit në Austri.

    Top Channel

  • Mellon Blue, diamanti i rrallë blu shitet për 25 milionë dollarë në ankandin e Christie’s

    Mellon Blue, diamanti i rrallë blu shitet për 25 milionë dollarë në ankandin e Christie’s

    “Mellon Blue”, një diamant blu i gjallë prej 9.51 karatësh që zbukuron një unazë, u shit sot në Gjenevë për më shumë se 25 milionë dollarë, një çmim që përputhej me vlerësimet fillestare për një perlë me “qartësi të jashtëzakonshme”, tha Christie’s.

    Diamanti blu, i cili “është ndër diamantet me ngjyra më të bukura të ofruara ndonjëherë në ankand”, sipas Rahul Kandakiya, drejtor i departamentit të bizhuterive të Christie’s, ishte vlerësuar nga shtëpia e ankandeve të vlente midis 20 dhe 30 milionë dollarëve.
    Ajo u shit në ankand për 17.4 milionë franga zvicerane, me çmimin përfundimtar prej 25,592,269 dollarësh pas taksave, sipas Christie’s.

    I njëjti gur i çmuar, i njohur atëherë si Diamanti Zoe, u shit për 32.6 milionë dollarë në Sotheby’s në Nju Jork në vitin 2014, duke vendosur një rekord botëror për një diamant blu dhe çmimin për karat në atë kohë. Guri i përkiste për dekada Rachel Lambert Mellon, e njohur më mirë si Bunny Lambert Mellon (1910–2014), një dizajnere kopshtesh, filantrope dhe koleksioniste arti amerikane. Në atë kohë, guri zbukuronte një varëse.
    Bunny Mellon njihet më së miri për ridizajnimin e Kopshtit të Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë në vitin 1961 me kërkesë të Presidentit John F. Kennedy. Çmimi më i lartë në një ankand të Christie’s për një diamant blu të thellë u arrit në Gjenevë në vitin 2016, kur “Oppenheimer Blue” (14.62 karat) u shit për 57.5 milionë dollarë.

    Top Channel

  • Nepotizmi i Putin/ Presidenti rus i “shpërbleu” me poste të rëndësishme ish të dashurat e tij, përfituan dhe të afërmit

    Nepotizmi i Putin/ Presidenti rus i “shpërbleu” me poste të rëndësishme ish të dashurat e tij, përfituan dhe të afërmit

    Presidenti rus Vladimir Putin u ka dhënë poste të rëndësishme në qeveri dhe në kompani shtetërore të paktën 20 të afërmve të tij, përfshirë ish-gruan dhe ish-të dashurat.

    Sipas një hetimi të publikuar nga disa media ruse, nepotizmi në rrethin e Putinit ka arritur nivele që tejkalojnë çdo gjë të parë që nga koha e carit Nikolla II.
    Ndër figurat më me ndikim është Anna Tsivilyova, vajza e kushëririt të ndjerë të Putinit, Yevgeny Putin. Ajo u emërua zëvendësministre e mbrojtjes në vitin 2024, vetëm një muaj pasi bashkëshorti i saj, Sergei Tsivilyov, la detyrën e guvernatorit të rajonit të pasur me qymyr të Kemerovës për t’u bërë ministër i energjisë.
    Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase, Tsivilyova është vendosur në Ministrinë e Mbrojtjes për të monitoruar korrupsionin dhe besnikërinë e zyrtarëve, duke raportuar drejtpërdrejt te Putini.
    Djali i saj, Dmitry Loginov, 27 vjeç, drejton kompani të lidhura me Kolmar, firmën e madhe të minierave të qymyrit që kontrollohet nga nëna e tij. Ndërkohë, vëllai i saj, Mikhail Putin, mban një post drejtues në Gazprom, gjigantin shtetëror të energjisë.
    Edhe i biri i Mikhailit, Denis Putin, 28 vjeç, është aksionar në kompleksin e biznesit Sheremetyevo, ku operojnë kompani shtetërore.
    Raporti përmend gjithashtu Igor Putinin dhe Lyubov Kruglovën, kushërinjtë e presidentit, që kanë përfituar pozicione dhe kontrata fitimprurëse. Viktor Khmarin, djali i Kruglovës, është aktualisht drejtues i RusHydro, një nga kompanitë më të mëdha të energjisë elektrike në vend.
    Dy vajzat e Putinit me ish-bashkëshorten Lyudmila, Maria Vorontsova (mjeke endokrinologe) dhe Katerina Tikhonova (menaxhere në sektorin e teknologjisë), janë gjithashtu pjesë e elitës shtetërore dhe morën pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut në vitin 2024. Megjithatë, Putini nuk i ka pranuar kurrë publikisht si bijat e tij, ndonëse kjo është diçka e njohur.
    Raporti përfshin edhe lidhjet e presidentit me Alina Kabaeva-n, ish-gjimnaste olimpike, e cila besohet të ketë dy djem me Putinin. Hetimet e mediave zbuluan se Kabaeva merrte pagesa të fshehta nga një njësi ushtarake e lidhur me Kremlinin (nr. 16660), që datojnë në vitet 2000–2001, periudha kur Putini sapo kishte marrë postin e presidentit.
    Kabaeva, sot 41 vjeçe, është ndër gratë më të pasura në Rusi, me një perandori pronash që vlerësohet mbi 80 milionë paund.
    Pavarësisht kësaj, Putini nuk ka pranuar asnjëherë zyrtarisht marrëdhënien me të apo me Svetlana Krivonogikh, ish-punonjësen e një dyqani që më vonë u bë një nga partneret e tij dhe me të cilën dyshohet se ka një vajzë.
    Raporti i “Proekt” përforcon perceptimin se pushteti në Rusi është i lidhur ngushtë me interesat familjare dhe personale të Putinit, ndërsa Kremlini nuk ka reaguar ndaj akuzave.

    Top Channel