Author: Top-Channel.tv

  • Ministri i Financave pranon se ekonomia e Rusisë është në prag recesioni

    Ministri i Financave pranon se ekonomia e Rusisë është në prag recesioni

    Ekonomia e Rusisë është në prag të recesionit, tha sot Ministri i Ekonomisë rus Maxim Reshetnikov në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.

    Rusia uli normat e interesit këtë muaj për herë të parë që nga viti 2022, duke i ulur kostot e huamarrjes në 20% nga 21%. Por për muaj të tërë bizneset janë ankuar për normat e larta të interesit që pengojnë investimet dhe rritja ekonomike ka filluar të ngadalësohet.
    “Sipas shifrave, ka një ftohje, por të gjitha të dhënat tona janë nga periudhat e mëparshme”, tha Reshetnikov. “Sipas ndjenjës në biznes sot dhe sipas treguesve të biznesit, ne jemi tashmë, në prag të recesionit. Në prag”, shtoi ai.
    Në të njëjtin takim, kreu i bankës qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina, tha se ngadalësimi aktual i rritjes së PBB-së është “një mënyrë për të dalë nga mbinxehja”.
    Alexander Vendyakhin, zëvendësdrejtori i parë ekzekutiv i bankës më të madhe të Rusisë, Sberbank, i tha Reuters këtë javë se politika monetare e shtrënguar krijon rreziqe të mbinxehjes së tepërt dhe shtoi se normat e interesit shumë më të ulëta prej 12% deri në 14% do të ishin të pranueshme për të rifilluar kreditimin e investimeve.
    Sipas Vendyakhin, “ekziston rreziku që ekonomia të mbinxehet dhe ne nuk do të jemi në gjendje të rikuperohemi, dhe rritja e mëtejshme mund të jetë e ulët”.

    Top Channel

  • Droni i policisë ‘pikas’ 11 parcela me drogë në Krujë, dështon plani i vëllezërve!

    Droni i policisë ‘pikas’ 11 parcela me drogë në Krujë, dështon plani i vëllezërve!

    Zbulohen në fshatin Zgërdhesh të Krujës, 11 parcela në të cilat ishin kultivuar 591 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

    Vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër), të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.
    Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë intensifikuar kontrollet në terren.
    Si rezultat i kontrolleve dhe i hetimeve me metoda proaktive u zbuluan në fshatin Zgërdhesh, 11 parcela në të cilat ishin kultivuar 591 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
    Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u identifikuan, u kapën dhe arrestuan autorët e dyshuar, shtetasit:
    M. S., 23 vjeç dhe E. S., 32 vjeç (vëllëzër) dhe K. B., 51 vjeç, të tre banues në fshatin Halil, Fushë-Krujë.
    Vijon puna për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

    Top Channel

  • Bunkeri i pasurimit të uraniumit nën shënjestër! SHBA dhe Izraeli drejt një super-operacioni së bashku, forcat elitare në një mision ekstrem

    Bunkeri i pasurimit të uraniumit nën shënjestër! SHBA dhe Izraeli drejt një super-operacioni së bashku, forcat elitare në një mision ekstrem

    Zhvillimet në Lindjen e Mesme po intensifikohen, ndërsa komandanti i forcave amerikane, gjenerali Kurilla, po përgatit strukturën operacionale në rast se Shtëpia e Bardhë jep dritën jeshile për një ndërhyrje ushtarake.

    Tre aeroplanmbajtëse të SHBA-së, së bashku me skuadrone superbombarduesish strategjikë, kanë mbërritur tashmë në zonë, duke rritur ndjeshëm praninë ushtarake amerikane pranë teatrit të konfliktit, shkruan La Repubblica.
    Sipas burimeve ndërkombëtare, një nga objektivat kryesorë të mundshëm është një kompleks i pasurimit të uraniumit, i vendosur në thellësi nën një mal – objektiv i vështirë për t’u shkatërruar edhe me armë të fuqishme si bombat “Moab” (Mother of All Bombs).
    Në rast se goditja ajrore nuk rezulton e mjaftueshme, skenarët operativë përfshijnë edhe një ndërhyrje tokësore me trupa elitare. Një njësi e specializuar e parashutistëve izraelitë, e mbuluar nga forcat ajrore amerikane, mund të angazhohet në terren për të neutralizuar objektivin.
    Këto lëvizje tregojnë një nivel të lartë përgatitjeje taktike dhe një sinjal të qartë për çdo aktor që kërcënon stabilitetin rajonal.

    Top Channel

  • 67-vjeçarja përfundon te Trauma pas aksidentimit në punë në firmën e materialeve të ndërtimit, arrestohet drejtuesi teknik

    67-vjeçarja përfundon te Trauma pas aksidentimit në punë në firmën e materialeve të ndërtimit, arrestohet drejtuesi teknik

    Një 67-vjeçare është transportuar te spitali i Traumës pas aksidentimit në punë, në një firmë materialesh ndërtimi në Elbasan.

    Pas ngjarjes specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin E. G., 47 vjeç, me detyrë drejtues teknik i firmës.
    Ngjarja ndodhi dje në një firmë për prodhimin dhe tregtimin e materialeve të ndërtimit, në fshatin Bradashesh, ku u  dëmtua aksidentalisht gjatë punës shtetasja I. Ç., 67 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës, Tiranë.

    Top Channel

  • Vend-fshehja e kokainës lë pa fjalë policinë angleze, dënohet shqiptari me 2 vite e 9 muaj burg

    Vend-fshehja e kokainës lë pa fjalë policinë angleze, dënohet shqiptari me 2 vite e 9 muaj burg

    Një trafikant kokaine, Leonard Petku, 25 vjeç, është dënuar me dy vite e nëntë muaj burg në Stafford, pasi u kap duke fshehur drogë brenda enëve të vazelinës.

    Petku, pa adresë të përhershme, u arrestua më 14 maj në Tamworth nga oficerët policorë, gjatë një kontrolli në makinën që po drejtonte.
    Sipas policisë të Staffordshire, të cilës i referohet Top Channel, në lavazhin ku ai kishte ndaluar, policia gjeti tre enë të ndara me vazelinë të mbushura me kokainë, një telefon dhe 620 paund para të gatshme.
    Ai u akuzua për posedim me qëllim furnizimin me drogë të Klasit A, posedim pasurie kriminale, drejtim makine pa leje të rregullt dhe përdorim të automjetit pa sigurim nga një palë e tretë. Gjykata e Kurorës Stafford e shpalli fajtor për këto akuza dhe urdhëroi konfiskimin e parave të gjetura.
    Policia në Staffordshire vijon punën intensive për të goditur krimet e organizuara, duke arrestuar mbi 1,000 persona që nga maji 2023 për veprat penale të lidhura me drogën dhe armët.

    Top Channel

  • Rinumërimi në Tiranë, Tabakut dhe Alimehmetit u janë hequr votat, Xhafajt iu shtuan 32 vota

    Rinumërimi në Tiranë, Tabakut dhe Alimehmetit u janë hequr votat, Xhafajt iu shtuan 32 vota

    Rinumërimi i votave në Tiranë ka zbuluar edhe trafikimin e fletëve të votimit brenda lsitës preferenciale të kandidatëve.

    Në listën e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, pretendonte se shumë vota të tij kishin kaluar te kandidatët e tjerë.
    Por ajo që doli nga 85 kutitë e para ishte fakti që Alimehmetit i mungojnë vetëm 4 vota nga 11 maji.
    Ndërkohë që rivalja e tij për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku ka një mungesë prej 11 votash, të cilat do t’i shtohen pas rinumërimit.
    Disa kandidatë si Petrit Doda, Petrit Gjorgji dhe Edit Harxhi kanë marrë padrejtësisht 10-14 vota nga numëruesit në 11 maj, ndërkohë që Ilda Zhulali ka parë që i janë hequr plot 13 vota në numërimin e parë të bërë.
    Sa i përket Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj ka numrin më të madh të votave që numëruesit ia kanë llogaritur padrejtësisht, ndërkohë që nga 22 vota të padrejta kanë marrë Kejsi Elezi dhe Sofika Lleshi.
    Në listën e hapur të PS-së, në garë deri në fund ishin Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Por rinumërimi deri tani, duket se nuk e ndryshon faktin që Xhaçka vijon të mbajë mandatin e deputetes.
    Ish-ministrja ka marrë vetëm 1 votë më shumë në procesverbal nga sa kishte në kuti, ndërsa Gjylametit i mungojnë 2 vota.

    Top Channel

  • Një javë nga fillimi i bombardimeve! Izraeli godet mbi 1100 objektiva në Iran, Fordow mbetet i paprekur

    Një javë nga fillimi i bombardimeve! Izraeli godet mbi 1100 objektiva në Iran, Fordow mbetet i paprekur

    Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa të dyja palët shkëmbejnë sulme ajrore dhe raketore që kanë prekur objekte strategjike dhe zona të populluara.

    Ushtria izraelite (IDF) ka sinjalizuar se fushata e saj do të vazhdojë për të paktën dy javë të tjera, ndërkohë që Irani ka paralajmëruar ndëshkime të ashpra, duke aktivizuar pjesë të arsenaleve të tij raketorë dhe me dronë.
    Një artikull investigativ i gazetës Haaretz hedh dritë mbi përgatitjet e Izraelit, të cilat nisën me një takim paraprak në nëntor, ku 120 oficerë hartuan një listë provizore objektivash. Situata ndryshoi ndjeshëm në shkurt, kur Tel Avivi mori informacion të rëndësishëm të inteligjencës dhe nisi projektin “Rising Lion”.
    Operacionet u koordinuan mes inteligjencës ushtarake (Aman) dhe forcave ajrore, ndërkohë që Mossadi aktivizoi rrjetin e tij të spiunazhit për sabotime dhe vrasje të synuara.
    Sipas burimeve izraelite, deri tani janë shkatërruar mbi 1,100 objektiva, përfshirë: 70 bateri kundërajrore; 200 pika lëshimi raketash; 100 oficerë të lartë të vrarë; 14 shkencëtarë iranianë të eliminuar.
    Goditje të rënda janë raportuar në Natanz, Karaj, Isfahan dhe Teheran, ku dëmtime serioze janë shkaktuar në centrifugat bërthamore, gjë që është konfirmuar nga IAEA. Megjithatë, impianti i Fordow mbetet funksional, duke forcuar bindjen se vetëm bombat amerikane GBU-57 të lëshuara nga bombarduesit B-2 mund ta shkatërrojnë plotësisht.
    Pavarësisht goditjeve, programi bërthamor iranian nuk konsiderohet i kompromentuar, ndërsa në qarqet e inteligjencës vazhdojnë debatet mbi afërsinë e Iranit me ndërtimin e një bombe atomike.
    Irani ka lëshuar rreth 400 raketa nga arsenali i tij që përfshin rreth 2,000 njësi, duke shënjestruar zonat qendrore dhe veriore të Izraelit, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, selinë e inteligjencës dhe rafinerinë e Haifës. Të paktën 35 raketa kanë depërtuar në sistemin mbrojtës.
    Gjithashtu, janë përdorur mbi 1,000 dronë kamikazë (Shahed 136, Arshad 2), shumica e të cilëve janë rrëzuar. Megjithatë, një dron Hermes 900 i Izraelit, me vlerë 5 milionë dollarë, është goditur.
    Sipas analistëve, intensiteti i sulmeve iraniane ka qenë më i ulët se një vit më parë, çka lidhet si me problemet logjistike, ashtu edhe me strategjinë e “durimit heroik” të përmendur nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, që përjashton dorëzimin.
    Një nga shqetësimet më të mëdha për Izraelin është mungesa e raketave interceptuese “Arrow” që ndalojnë kërcënimet në lartësi të mëdha. Mediat amerikane raportojnë se rezervat mund të shterojnë brenda 10 ditësh, nëse nuk ndërhyjnë furnizimet nga SHBA.
    Sipas vëzhguesve të trafikut ajror, është vënë re një fluks i lartë avionësh transportues të Pentagonit, që mund të sinjalizojnë dorëzimin e ngarkesave urgjente ushtarake në Izrael.
    Ndërsa viktimat mes ushtarëve dhe civilëve rriten, propaganda nga të dy palët vazhdon të ndërtojë narrativa të kundërta. Me një bilanc humanitar të rëndë dhe pa shenja qartësie për një rrugë diplomatike, rreziku për përshkallëzim rajonal mbetet i lartë.

    Top Channel

  • Putin: Armatosja e NATO-s nuk paraqet kërcënim për Rusinë

    Putin: Armatosja e NATO-s nuk paraqet kërcënim për Rusinë

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se përpjekja e NATO-s për të rritur shpenzimet për mbrojtje nuk është “kërcënim” për Rusinë.

    Kjo deklaratë, e bërë gjatë një konference për media në orët e vona të 18 qershorit, vjen disa ditë para se aleanca të nënshkruajë një plan për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake në mbarë Evropën.
    Udhëheqësi rus tha po ashtu se trupat e tij nuk do të ndalojnë avancimin në Ukrainë, teksa tentoi të minonte autoritetin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
    Aleanca ushtarake perëndimore do të mbajë një samit të rëndësishëm në Hagë javën e ardhshme, ku shtetet anëtare të NATO-s do të diskutojnë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht kërkon që anëtarët e aleancës të rrisin shpenzimet.
    Putin e ka paraqitur ofensivën e tij në Ukrainë – që e nisi në shkurt të vitit 2022 – si pjesë e një konflikti më të gjerë mes Rusisë dhe NATO-s, e cila e ka mbështetur Kievin që nga nisja e luftës.
    “Ne nuk e konsiderojmë asnjë riarmatosje nga NATO-ja si kërcënim ndaj Federatës Ruse, sepse ne mund ta garantojmë vetë sigurinë tonë”, tha Putin gjatë konferencës për media në Shën Petersburg.
    Rusia “po modernizon vazhdimisht forcat e armatosura dhe kapacitetet mbrojtëse”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë kuptim që NATO-ja të shpenzojë më shumë para për armë”.
    Megjithatë, ai e pranoi se nëse shtetet e NATO-s do të shpenzonin më shumë, kjo do të krijonte disa sfida “të veçanta” për Rusinë.
    “Ne do t’i përgjigjemi të gjitha kërcënimeve që do të paraqiten”, shtoi Putin.
    Kievi po kërkon garanci të sigurisë nga NATO-ja si pjesë e çdo marrëveshjeje që do të ndalonte luftimet.
    Moska ka shfaqur pak vullnet për të ndalur luftimet, dhe Putin tha se Rusia ka “avantazh strategjik” në fushëbetejë.
    “Trupat tanë po avancojnë në mbarë vijën e kontaktit. Çdo ditë, pak a shumë, por çdo ditë ata po avancojnë dhe do të vazhdojnë të avancojnë”, tha Putin.
    Putin po ashtu tentoi të justifikojë luftën kundër Ukrainës, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyt, teksa mohoi se shteti i tij shënjestron civilët përmes sulmeve të përditshme ajrore.
    Ai tha se është i gatshëm të takohet me homologun e tij ukrainas, por vetëm “në fazën finale” të negociatave për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar.
    Putin po ashtu sugjeroi se Zelensky nuk ka të drejtë të nënshkruajë ndonjë marrëveshje paqeje, pasi tha se i ka skaduar mandati pesëvjeçar si president. Edhe më herët, Putin kishte folur rreth mandatit të Zelenskyt, por Kievi i ka cilësuar këto deklarata si propagandë./REL

    Top Channel

  • “Trump nuk është ideolog, por një rrezik i paparashikueshëm në kohë lufte”/ Analisti i njohur i CNN: Ai po kërkon lavdi, jo paqe

    “Trump nuk është ideolog, por një rrezik i paparashikueshëm në kohë lufte”/ Analisti i njohur i CNN: Ai po kërkon lavdi, jo paqe

    Analisti i njohur i CNN, Fareed Zakaria, shprehet se ish-presidenti amerikan Donald Trump “nuk është në telashe” për shkak të përfshirjes së mundshme të Izraelit ndaj Iranit.

    Sipas tij, Trump duket i vendosur që të shfrytëzojë si rrallë ndonjëherë një mundësi të hapur strategjike.
    “Trump i mbajti duart pas derës: ai priti të shikojë suksesin izraelit, dhe tani dëshiron pjesën e lavdërisë”, tha Zakaria, duke komentuar planet e Trump për të mos përjashtuar opsionin e sulmeve amerikane me bombardues B‑2.
    Zakaria theksoi shqetësimin për “mënyrën se si po merren sot vendimet ushtarake dhe politike në SHBA”, ku “gjithçka varet nga një njeri i paparashikueshëm, një Trumpian i pastër” – jo liberal, jo neokonservator, por i fokusuar në pushtet.
    Zakaria e cilëson regjimin iranian si “i brishtë”, me ekonomi të shkatërruar nga sanksionet dhe korrupsioni, por që qëndron ende falë strategjive tutje ideologjike dhe sistemit të klientelizmit. “Nuk ka udhëheqës të vërtetë opozitarë,” – shtoi ai, duke përjashtuar një kolaps të menjëhershëm.
    Përplasja e vazhdueshme në Lindjen e Mesme pas sulmeve në Gaza, Liban, Siri e te Huthët përshkruhet si një përpjekje e kryeministrit izraelit Netanyahu për të rindërtuar rendin në rajon – në linjë me strategjitë neokonservatore amerikane, edhe pse me një qasje më të ashpër.
    Zakaria vëren se Trump mbështet këtë vizion, sesa synimet demokratike të mëparshme për Lindjen e Mesme, përqendruar në dominim të Izraelit dhe monarkive të Gjirit, pa kërkim të demokracive në Iran, Siri apo Irak.
    Analisti përmend rolin e ardhshëm kyç të Turqisë, si një faktor i tretë në këtë dinamikë strategjike, me interesa të kundërta ndaj Izraelit, sidomos në përplasjet për Sirinë.
    Zakaria vë në dukje qëndrimin mikuros Putin/NATO-t, duke e lidhur atë me nostalgjinë e Trump për rendin bipolar të Luftës së Ftohtë – dhe nxjerr përfundimin se Trump nuk është anti-kinez por është i gatshëm të bëjë lëshime për Rusinë pa kushte.
    Përsa i përket politikës së brendshme, Zakaria paralajmëron një “autoritarizëm i pavetëdijshëm” nën Trump, i ngjashëm me Orbánin, ku demokracia liberale po zëvendësohet me praktika joliberale.

    Top Channel

  • Vihet në pranga një person për kultivim të bimëve narkotike në Librazhd, procedohet kryetari i fshatit

    Vihet në pranga një person për kultivim të bimëve narkotike në Librazhd, procedohet kryetari i fshatit

    Në kuadër të kontrolleve intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e policisë në Librazhd kanë evidentuar dhe goditur një rast të tillë.

    Një shtetas është arrestuar pasi dyshohet se kishte kultivuar në fshatin Spathar rreth 150 fidanë bimë narkotike Cannabis Sativa. Fidanët janë asgjësuar përmes djegies.
    Gjithashtu, për kryetarin e fshatit Spathar është nisur procedim penal për “shpërdorim detyre”.
    Kontrollet dhe hetimet, të mbështetura edhe me teknologji si dronë dhe metoda proaktive, vijojnë në gjithë territorin e rrethit të Librazhdit.
    Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

    Top Channel