Author: Top-Channel.tv

  • Në gjendje të dehur shkaktoi aksident me makinë, prokurori i SPAK kërkon 6 muaj burg për deputetin e PD. Avokati: Ishte në festë

    Në gjendje të dehur shkaktoi aksident me makinë, prokurori i SPAK kërkon 6 muaj burg për deputetin e PD. Avokati: Ishte në festë

    Nis në Gjykatën e Posaçme seanca për deputetin Qani Xhafa, deputeti ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzën e drejtimit të makinës në gjendje të dehur.

    Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se i pandehuri ka kërkuar përmes mbrojtjes gjykim të shkurtuar.
    Në këtë seancë SPAK shpalli pretencën ndaj deputetit i cili mungon në seancë, por përfaqësohet nga avokati i tij Marash Logu.
    Prokurori i çështjes Sotir Kllapi tha se Xhafa ka qenë i dehur gjatë drejtimit të automjetit sa më sipër deputeti duke drejtuar makinën ka konsumuar veprën drejtim të parregullt të makinës.
    Ai ka cënuar marrëdhëniet juridike për qarkullimin rrugor tha prokurori. Prokurori gjatë pretencës u shpreh se Xhafa duhet të deklarohet fajtor.
    Gjykata tha prokurori të marrë parasysh faktin qe ai është deputet dhe është familjar dhe të dënohet me 6 muaj burg por të konvertuara në një vit shërbim prove.
    Avokati siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha tha se klienti i tij ka pranuar akuzën.
    “Sjellja e tij tregon që ai është një njeri i arsimuar, atë ditë ka pasur një festë familjare me miqtë dhe po kthehej në banesë. Kërkojmë dënimin minimum dhe detyrimin me punë me interes publik”, tha mbrojtja e tij.
    Gjykata është tërhequr për vendim.

    Top Channel

  • “Do të fus djalin në punë si inspektor në Fier”, SPAK kërkon dënimin me burg të Dritan Lleshit, si ia mori paratë nënës së të riut

    “Do të fus djalin në punë si inspektor në Fier”, SPAK kërkon dënimin me burg të Dritan Lleshit, si ia mori paratë nënës së të riut

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka paraqitur konkluzionet përfundimtare para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në ngarkim të të pandehurit: Dritan Lleshi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.

    Në bazë të kësaj dispozite, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e tij me një vit burg, por  sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale u propozua ulja e dënimit me 1/3, në 8 (tetë muaj).
    Gjykimi i të pandehurit vjen pas vendimit me nr.717, i datës 14.10.2024, për shpalljen e moskompetencës lëndore të procedimit penal nr.586, të vitit 2020, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier si dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
    Nga hetimi gjyqësor rezulton e provuar se shtetasi A.N, i punësuar në një njësi të shitjes së karburantit, është paraqitur më datën 8.10.2020 në Drejtorinë Vendore të Policisë, në fshatin Gorre të Lushnjës dhe ka bërë një kallëzim.
    Sipas këtij kallëzimi, në vitin 2019, i pandehuri Dritan Lleshi, i njohur prej tij me emrin Dritan Ndreca, me origjinë nga Puka, ose Laçi, banues në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë i ka premtuar A.M, bashkëshortes së A.N, punësimin e djalit të tyre, E.N si inspektor mjedisi në Fier, kundrejt shumës prej 400.000 lekësh.
    I pandehuri i ka thënë se kishte një vëlla në Tiranë, me emrin P.N, i cili punonte në Ministrinë e Brendshme dhe përmes tij do të ndërhynte që djali i kallëzuesit të fitonte konkursin për inspektor mjedisi në Fier ose Lushnjë. Sipas planit të prezantuar prej të pandehurit Dritan Lleshi, , kjo do të realizohej në muajin qershor të 2019, kohë kur A.N i ka dorëzuar edhe një kapar prej 200.000 lekësh Dritan Lleshit, i cili më pas e shtyu mundësinë për punësim në shtator të të njëjtit vit.
    Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, rezulton e provuar se i pandehuri Dritan Lleshi, me lidhje familjare me P.N (djali i xhaxhait), ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.
    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur procedimin penal 16/2025, në ngarkim të shtetasit A.N për veprën penale : Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Top Channel

  • “Kronikë e një konflikti që desh ndezi Europën flakë”/ Satira e Gjekmarkajt për delegacionin në Strasburg: Gaz Bardhi me hungërima, Tao me dy hejbe të mbushura me mish qingji

    “Kronikë e një konflikti që desh ndezi Europën flakë”/ Satira e Gjekmarkajt për delegacionin në Strasburg: Gaz Bardhi me hungërima, Tao me dy hejbe të mbushura me mish qingji

    U pa që në Rinas se delegacionet parlamentare shqiptare ishin tejet të ngarkuara me mërira e zëte!
    Ata u shfaqën gjithë turinj e hundë, në odën e pritjes së aeroportit të mbushur nga dora e Margeritit (ah Margeritnë e gjorë e zëvendësoi një zullap) vite më parë me xhubleta, tirqe, brandavekë e rroba arbëreshe që me zor ja hoqën nga shtati Mamices, e cila bashkë me Babon duan të bëjnë Arbërinë siç i ka hije, bahçe!
    Si më frikacak dhe jo protagonist, duke parë tufanin që frynte, shkova i pari, thoja me vete “këmbët e lehta, faqja e bardhë” dhe u fsheha në kuzhinë, ku herë pas here lagia edhe fytin e tharë me ndonjë gjë e çoku cimbisja nga ku mund të shihja mesele!
    Xha Fatmiri ishte veshur me rroba kombëtare labe: fustanellë, jelek dhe një dyfek lodër në krah; nga pas kishte me vete një orkestër popullore që u binte sazeve për sukseset që ka korrur komisioni i posaçëm! Ashtu në rropulli e sipër, u fut vrik në një kthinë, derisa balona u nis!
    Evis Kushi, mbuluar kuq e zi, dukej si pasaporta europiane 2030, që befas shndërrohej në qilim fluturues!
    Saimir Koreshi u ndal te pragu me një shalqi sa një babunë, ku e çau fët fët e po aq seriozisht ja dha të ngrënës, se ç’të hamë – sokëlliu – mbetet e jona!
    Tao, po aq popullor, erdhi me dy hejbe të mbushura me bukë, djathë e mish qengji të zier; madje nja dy njolla yndyre i kishin mbetur në shpinë të xhaketës.
    Bënte me dorë që kush të mundte të afrohej e të merrte, po Lavdrim Krashi ndalonte secilin: “Më mirë të uritur se bukë haram,” psherëtinte!
    Të gjithë ngrinë kur krisma dëgjoheshin në rrethinat aty pranë! Ishte këshilltari i grupit të PD-së, Everest Dedaj, me dy pistoleta që shtinte në ajër: pau pau – si paralajmërues i qametit!
    Një buzëqeshje triumfi nuk i shqitej!
    Pra, po vinte Gaz Bardhi! Ai vetë u shfaq me hungërima, britma, klithma: “Ku janë, ku janë?!” thërriste kërcënueshëm! Shihja se si deputetët vraponin me shpejtësi drite për t’u fshehur!
    Fat që Jorushi i Tabakeve, si nëpër balada, doli përpara me një dihame që të këpuste shpirtin, me një qarje të butë e madhështore, e i tha: “Pashë hatrin e Zotit, ndalu, se vetëm Eni Xake ka mbetur, se të tjerët ikën me vrap, i mori ushtria dhe po i çon në Zyrih!”
    Oerdi mërmëriste me vete: “Tranzit gloria mundi, tranzit gloria mundi”! Aty për aty u ndal zëzona! Strasburgu na priste!
    Aeroplani u nis me uturimë! Dëgjoheshin aty-këtu vetëm skërmitje dhëmbësh që rrafshoheshin nga meria! Zheni Bebi Gjergji shpërndante melhem, e aspirina!
    Ina Zhupa lexonte një lajm se në Tiranë po festohej ditëlindja e Mbretit Karlo, dhe plot pezëm, Koreshi hodhi idenë: pse nuk festojmë vitet e Jorushit më mirë – e qajme per monë e madh, ka më kontribute dhe ka marrë mbi 20 mijë vota!
    “Jo, jo,” tha Gazi, “duhet diçka më e peshuar, më institucionale – ndoshta ditëlindja e Mamices është më përbashkuese për katër vilajetet!”
    Zbritëm ashtu si dreqër me dorën në çark! Lajmi që përhapte frikë kishte mbërritur para nesh!
    Toni Gogu ishte larë, rruar e qethur për t’i çuar deri në fund vullnetin e Zotit!
    Na priti i veshur si pastor, me librin e shenjtë nën sqetull e ujë të bekuar në dorë, e filloi me të pafetë e partisë së vet, dhe më pas me ne – besimtarët! Na qetësoi dhe kësisoj shpëtoi Europën nga një kataklizmo! Shënjtoret e nisin me gjëra njerzore!

    Top Channel

  • I plagosur tre herë në Irak dhe i besuari i Donald Trump, kush është “Gorrilla”, gjenerali amerikan që po shtyn fort për një ndërhyrje ushtarake në Iran

    I plagosur tre herë në Irak dhe i besuari i Donald Trump, kush është “Gorrilla”, gjenerali amerikan që po shtyn fort për një ndërhyrje ushtarake në Iran

    Një nga figurat më të ashpra kundër Iranit, shumë afër me Izraelin, madje edhe sipas standardeve të zyrtarëve amerikanë, luftarak dhe gjithnjë e më me ndikim.

    Gjenerali Michael Kurilla, shefi i Komandës Qendrore të SHBA-ve (US Central Command), i njohur si “Gorilla”, është një nga figurat kyçe që po ushtron presion mbi Donald Trump për një operacion të përbashkët kundër Teheranit.
    Rritja e prezencës ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme pasqyron ngritjen e Kurillës, kërkesat e të cilit — sipas zërave të brendshëm — janë përmbushur pothuajse të gjitha, pavarësisht skepticizmit nga zëvendësshefi i shtabit, Dan Caine.
    “Gorilla” është gjenerali që kohët e fundit ka kaluar më shumë kohë me Trumpin dhe është një nga ata që Pete Hegseth (një figurë me ndikim në rrethin e Trump) mbështetet për vendime të rëndësishme. Shefi i Pentagonit i ka dhënë Kurillës fuqi dhe autoritet të konsiderueshëm, duke e kthyer në një nga zërat më me ndikim në ekipin e sigurisë kombëtare të presidentit.
    Ekspert lufte dhe armiqësor ndaj medias, Kurilla është i njohur për një karakter shpesh irritues. Por guximi i tij nuk vihet në dyshim, madje as nga kritikët: në vitin 2005 ai udhëhoqi trupat amerikane në një përplasje të ashpër gjatë kulmit të luftës në Irak, pavarësisht se ishte qëlluar tre herë.
    Ky akt heroik i dha atij Medaljen e Yllit të Bronztë. Kurilla është në krye të Komandës Qendrore që nga viti 2022 dhe pritet të dalë në pension së shpejti.
    Nën drejtimin e tij, SHBA ka mbështetur Izraelin në reagimin ndaj sulmit të 7 tetorit nga Hamasi. Që atëherë, ai ka vizituar disa herë Izraelin për të koordinuar ndihmën amerikane në operacionet në Gaza dhe Liban, si dhe për të forcuar mbrojtjen e Izraelit ndaj sulmeve hakmarrëse të Iranit gjatë vitit të kaluar.
    Me afrimin e pensionimit të Kurillës, zyrtarë amerikanë dhe izraelitë pro një ndërhyrjeje ushtarake të SHBA-ve e shohin gjithnjë e më të ngushtë dritaren për një sulm ndaj Iranit — dhe e konsiderojnë një miratim të mundshëm nga Trumpi si shansin më të mirë, ndoshta edhe të fundit, për të vepruar.

    Top Channel

  • Jasir Asani drejt një aventure të re, sulmuesi i Kombëtares shqiptare lë Korenë e Jugut për t’u transferuar në Japoni

    Jasir Asani drejt një aventure të re, sulmuesi i Kombëtares shqiptare lë Korenë e Jugut për t’u transferuar në Japoni

    Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, duket se është pranë një aventure të re këtë verë.

    Siç bëjnë me dije mediat japoneze, 30-vjeçari kuqezi pritet të lërë skuadrën koreane të Gwangju për t’u transferuar te Yokohama F. Marinos.

    According to Japanese media, Yokohama F. Marinos have made an offer to sign Gwangju FC winger Jasir Asani. pic.twitter.com/roWQmkXOaL
    — Korea Football News (@KORFootballNews) June 19, 2025

    Për dy vitet e fundit, Asani ka luajtur në Korenë e Jugut, ku në 74 ndeshje me ekipin e Gwangju ka shënuar 23 gola dhe ka dhuruar 4 asiste.
    Tashmë sulmuesi i Kombëtares po bëhet gati për një aventurë të re në Japoni, ku do të kërkojë gjithashtu të rifitojë sërish besimin e trajnerit Sylvinho, për vendin e titullarit në ekipin e Shqipërisë.

    Top Channel

  • Konflikti me Izraelin, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, viziton Stambollin

    Konflikti me Izraelin, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, viziton Stambollin

    Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, do të jetë në Stamboll fundjavën e ardhshme, si pjesë e takimit të ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC).

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pritet të mbajë një fjalim në takim, të titulluar “Organizata e Bashkëpunimit Islamik në një Botë në Ndryshim”.
    Në takimin, të kryesuar nga Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, pritet të marrin pjesë rreth 1,000 të ftuar nga 57 shtetet anëtare të Organizatës, si dhe organizata të lidhura me Organizatën, vende vëzhguese dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
    Sipas burimeve diplomatike turke, një seancë e posaçme mbi luftën Izrael-Iran do të mbahet si pjesë e takimit. Në fund të takimit, pritet miratimi i “Deklaratës së Stambollit” dhe projektvendimeve të përfshira në axhendën e OIC, kryesisht mbi Gazën dhe çështjen palestineze.
    Kritika ndaj Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, kritikoi sot kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, dhe akuzoi agjencinë e OKB-së se është partnere në një “luftë të padrejtë agresive” të nisur nga Izraeli.
    Në një postim në X, Baghaei iu përgjigj një interviste që shefi i IAEA-së dha për CNN, në të cilën Grossi tha se nuk kishte prova të përpjekjes sistematike të Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.
    “Është tepër vonë, z. Grossi”, shkroi Baghaei, duke shtuar se rezoluta e IAEA-së që e gjeti Iranin në shkelje të detyrimeve të tij sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT) u përdor si pretekst që Izraeli të sulmonte Iranin. “Narrativat mashtruese kanë pasoja të tmerrshme, z. Grossi, dhe kërkojnë llogaridhënie. Ju tradhtuat regjimin e mospërhapjes; ju e bëtë IAEA-në partner në këtë luftë të padrejtë agresioni”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

    Top Channel

  • Raketat e Iranit nuk kursyen as spitalin, ministri izraelit i Mbrojtjes: Khamenei nuk mund të lejohet më të ekzistojë

    Raketat e Iranit nuk kursyen as spitalin, ministri izraelit i Mbrojtjes: Khamenei nuk mund të lejohet më të ekzistojë

    Ministri i mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, tha të enjten se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, “nuk mund të lejohet më të ekzistojë”, pasi spitali Soroka në jug të Izraelit u godit gjatë një sulmi me raketa iraniane, raporton agjencia Agence France-Presse (AFP).

    Israel Katz u tha gazetarëve në Holon, afër Tel Avivit:
    “Khamenei deklaron hapur se dëshiron shkatërrimin e Izraelit – ai jep personalisht urdhrin për të qëlluar mbi spitale. Ai e konsideron shkatërrimin e shtetit të Izraelit si një qëllim.Një njeri i tillë nuk mund të lejohet më të ekzistojë.”

    Top Channel

  • “Çfarë pa kryeshërbëtorja”/ Komedia me regji të Kiço Londos vihet në skenën e Teatrit Kombëtar

    “Çfarë pa kryeshërbëtorja”/ Komedia me regji të Kiço Londos vihet në skenën e Teatrit Kombëtar

    Një punonjës hoteli i përfshirë në intrigat skizofrenike të një psikiatri, me një sekretare të zhveshur e të fshehur pas perdes, një profesor me fantazi surreale që prish rrjedhën e ngjarjeve, teksa një polic ndërhyn papritur.

    Komeida e Joe Orton “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, produksion i Teatrit Skampa vjen në skenën e Teatrit Kombëtar, në interpretimin e aktorëve Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Ëngjëll Hoxha, Mario Elezi dhe Livion Aliaj.
    “Është një komedi vërtet therëse, prek mjaft problematika të karakterit të individit brenda familjes, duke i shpërfaqur për të reflektuar se çfarë duhet të rregullojmë apo të ndryshojmë, çfarë të bëjmë më mirë”, thotë aktori Helidon Fino.
    “Shfaqja është gati frojdiane, të fut në skutat më të errëta të dëshirave njerëzore. Publiku ishte fantastik, ishte një ëndërr”, shprehet aktorja Egla Ceno.
    Vepra trajton pasionet, epshet, shpërdorimin e pushtetit, marrëdhëniet e çuditshme dhe komplekse të gjashtë personazgeve, përmes humorit dhe ironisë.
    “Kaosi më ngacmoi shumë, ajo që fshihet brenda nesh, cenimi i familjes, dashuria  çmenduria në të cilën ne jemi futur si shoqëri”, u shpreh regjisori Kiço Londo.
    “Çfarë pa kryeshërbëtorja” fton publikun në teatër për katër netë rresht, deri në 20 qershor.

    Top Channel

  • Italia na “do më shumë”! Fqinji përtej detit është blerësi dhe shitësi më i madh i mallrave në Shqipëri

    Italia na “do më shumë”! Fqinji përtej detit është blerësi dhe shitësi më i madh i mallrave në Shqipëri

    Themel i tregtisë së jashtme të Shqipërisë mbetet shteti italian, si në shitjen e produkteve “Made in Albania” dhe në blerjen e mallrave të huaj.

    Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në 5 muajt e parë të vitit me shtetin italian eksportuam po aq sa edhe importuam. Në 73.3 mld lekë eksporte dhe 77.5 mld lekë importe.
    Shteti italian na furnizon ndjeshëm me ushqime dhe veshje, por edhe me makineri dhe pajisje. Ndërsa drejt saj italianët i pajisim me tekstile, këpucë dhe materiale ndërtimi.
    Në një këndvështrim më të gjerë, eksportet shqiptare deri në maj u rritën me 2.1%, duke arritur vlerën 168 mld lekë. Teksa kemi shitur më shumë minerale, lëndë djegëse, por edhe ushqime si pasojë e sezonit, si dhe veshje e këpucë.
    Ndërkohë, importet e mallrave arritën vlerën 355 mld lekë, duke u ulur me 2.4%, krahasuar me një vit më parë.
    Me eksportet që ngritën kokë dhe importet në rënie lehtë, bilanci tregtar u mbyll negativisht për vendin muajin e shkuar me 187 miliardë lekë deficit.

    Top Channel

  • “Një vdekje poshtëruese të pret nëse…”/ Zbardhet paralajmërimi i ish-presidenti iranian për Trump përpara se të ndërronte jetë

    “Një vdekje poshtëruese të pret nëse…”/ Zbardhet paralajmërimi i ish-presidenti iranian për Trump përpara se të ndërronte jetë

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të përballet me një “vdekje poshtëruese” në rast se SHBA-të i bashkohen Izraelit në një sulm ndaj Iranit.

    Kështu tha ish-Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, përpara se të vdiste, në një deklaratë të raportuar nga kanali “Iran International”, me seli në Londër dhe i lidhur me opozitën iraniane jashtë vendit.
    Raisi paralajmëronte se Trump ende duhet të japë llogari për vrasjen e ish-komandantit të Gardës Revolucionare Islamike, Qasem Soleimani, i vrarë në Irak në vitin 2020, dhe se hakmarrja e popullit iranian është e pashmangshme.
    “Një vdekje poshtëruese e pret atë dhe ai me siguri do të goditet nga dora e botës së shtypur”, shprehej Raisi, duke i dhënë mesazhin e ashpër Presidentit amerikan nëse ndërhyn ushtarakisht kundër Iranit.

    Top Channel