Author: Kohajone.com

  • Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

    Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

    -Botuar në radion “Europa e Lirë”-
    Një tjetër muaj, një tjetër vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një tjetër moment paqartësie.

    Situatë e përsëritur disa herë këtë vit. I vetmi dallim është që partitë më të mëdha shqiptare nuk e komentuan pothuajse fare vendimin e Gjykatës, e cila tha se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, dhe se kanë mbetur edhe 12 ditë për ta finalizuar procesin, prej momentit kur aktgjykimi të publikohet i plotë në faqen zyrtare të këtij institucioni.

    Nëse i analizojmë faqet zyrtare të partive në rrjete sociale, krerët e tyre duken shumë të zënë me fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, apo me takime me zyrtarë të huaj.

    Por, njohësit e çështjeve politike iu sugjerojnë atyre të ruajnë pak energji, sepse me shumë gjasë do t’iu duhet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
    Sociologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri beson se nuk ekziston asnjë mundësi tjetër për të dalë nga kriza institucionale në të cilën gjendet vendi.
    “Nuk ka asnjë logjikë që të vazhdohet me këtë bllokadë. Për fat të keq, e kemi një absurditet, që as Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve, dhe as partitë tjera, nuk dëshirojnë ta bëjnë shumicën, nuk kanë vullnet, nuk kanë guxim, nuk kanë ide”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
    “Për këtë arsye, opsioni më i mirë është që të shkohet në zgjedhjet e reja, që të rilegjitimohen partitë politike, liderët, deputetët dhe të tentohet një kthim në normalitet”, shprehet Muhaxhiri.
    Për politologun Dritëro Arifi, zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por janë mënyra e vetme për t’u larguar nga ajo që ai e quan “marrëzi politike”.
    “Vendi është, realisht, në anarki, Kosova është në anarki totale. Parlamenti nuk ka kontroll, as mbi Qeverinë, as mbi Policinë, as mbi ushtrinë, as mbi inteligjencën. Realisht është vend pa kontroll”, thotë ai për REL-in.
    Ende pa u formuar institucionet e reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit lindën idetë për zgjedhje të reja, teksa situata është gati e pashembullt prej pavarësisë e këndej.
    LVV-ja fitoi më së shumti vota në zgjedhje, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë. Për pasojë, partitë më të mëdha kanë dështuar që të arrijnë konsensus për koalicion qeveritar, dhe janë bllokuar në një mori procesesh, duke nisur nga konstituimi i Kuvendit.
    Deputetët kanë mbajtur dhjetëra seanca, dhe kanë dalë disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo procesi nuk është finalizuar me sukses.
    Aktgjykimi i fundit ka të bëjë me ankesën e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.
    Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari serb, por Gjykata konstatoi se diçka e tillë nuk qëndron.
    Njohësit e çështjeve politike besojnë se fajin kryesor për situatën e krijuar e ka elita politike, e cila nuk është e interesuar për të gjetur zgjidhje.
    Disa, sikurse Dritëro Arifi, besojnë se fajin më të madh për situatën e krijuar e ka LVV-ja.
    A do të prodhonin rezultat tjetër zgjedhjet e reja eventuale?
    Artan Muhaxhiri beson se po.
    “Sipas logjikës politike, do të duhej të kishte [rezultat tjetër], sepse kjo bllokadë ka ardhur kryesisht si pasojë e mungesës së vullnetit politik nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sërish i dëshironte 50 për qind”, thotë ai.
    “Qytetarët e Kosovës do të duhej të votonin në atë mënyrë që t’ua impononin bashkëpunimin, sepse sistemi politik në Kosovë është i tillë që pa një bashkëpunim nuk mund të ketë rezultat”.
    Si mund të arrihet deri te zgjedhjet?
    Në tekstet e plota të aktgjykimeve të lëshuara këtë vit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me krizën në Kuvend, nuk është përmendur ndonjë masë ndëshkuese nëse nuk respektohen afatet kohore të vendimeve që ajo ka marrë.
    Arifi beson se ajo vepron kësisoj, pasi nuk mund ta paragjykojë vendimin që marrin deputetët.
    “Janë deputetë të zgjedhur, është e vështirë që të penalizohen. Ajo vetëm vlerëson nëse një veprim ka qenë në harmoni me frymën dhe germën e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është krejt çfarë mund të bëjë ajo”.
    Sipas tij, për të ndryshuar situatën do të nevojitet ndërhyrja e presidentes, Vjosa Osmani.
    “Presidentja do të duhet të ishte shumë më aktive, që ta kemi një Kuvend dhe një qeveri, që të lëvizim tutje, sepse jemi në muajin e 10-të që jemi vend i bllokuar, dhe askush nuk mund të jetë krenar për asgjë”, vlerëson ai.
    As Muhaxhiri nuk beson se Kushtetuesja mund ta çojë vendin në zgjedhje, sepse kjo është çështje politike.
    “Gjithsesi, presidentja do të mund t’i ftonte liderët e partive politike dhe në bashkëpunim me ta të arrinte në konkluzion që zgjedhjet e reja janë e vetmja mënyrë që të dilet nga kjo bllokadë katastrofale që e ka pllakosur Kosovën prej 9 shkurtit”.
    Ndërsa gëlojnë diskutimet për zgjedhjet e reja, faktori ndërkombëtar bën thirrje për zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për formim të institucioneve sa më shpejt.
    Ndër më të fundit ishte apeli i ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav: “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni një qeveri”.
    A do të ketë vesh që e dëgjojnë dhe respektojnë këtë lutje? Të shohim…
    Krenare Cubolli

  • Erion Veliaj prapë kërkesë tjetër Gjykatës Kushtetuese

    Erion Veliaj prapë kërkesë tjetër Gjykatës Kushtetuese

    Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë shtesë, duke kundërshtuar dekretin e Presidentit të Republikës që cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Tiranë. Veliaj argumenton se dekreti është “contra Constitutionem” (antikushtetues), pasi sipas nenit 115 të Kushtetutës, vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij është automatikisht i pezulluar deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.
    Në kërkesën e tij, Veliaj kërkon shfuqizimin e dekretit presidencial dhe pezullimin e menjëhershëm të efekteve të tij, duke theksuar se mandati i kryebashkiakut nuk është një privilegj personal, por “shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës” dhe nuk mund të ndërpritet para kohe nga vendime politike të pushtetit qendror. Ai paralajmëron se zbatimi i dekretit pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese rrezikon të prodhojë pasoja të parikthyeshme për demokracinë përfaqësuese dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor.

    SHTIM OBJEKTI

    DHE

    SUBJEKTI TË INTERESUAR
    Duke qenë se ditën e djeshme, rreth orës 16:00, Presidenti i Republikës, në shkelje flagrante të garancive kushtetuese që kërkuesi gëzon ndaj shkarkimit si i zgjedhur vendor, sipas të cilave, në rast se Kryetari Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin e shkarkimit brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, me urgjencë, paraqesim shtimin e subjektit të interesuar dhe objektit të kërkesës së depozituar në Gjykatën Kushtetuese, në të cilin kundërshtojmë shkarkimin nga detyra e Kryetarit të Bashkisë, duke shtuar si më poshtë vijon:
    SUBJEKT I INTERESUAR:​PRESIDENTI I REPUBLIKËS
    OBJEKTI:​Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
    ​Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
    * * *

    Në lidhje me legjitimimin për kërkimin e shfuqizimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, vlerësojmë të theksojmë se z. Veliaj nuk po e kundërshton këtë dekret si një votues dhe as si një formacion politik i prekur nga data e zgjedhjeve, si p.sh. në të drejtën e tij për të zgjedhur ose për t’u zgjedhur; por e kundërshton atë në kuadër të garancive kushtetuese të nenit 115 të Kushtetutës, që kërkuesi, si i zgjedhur vendor, i gëzon në procedurat e shkarkimit nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë.
    Pra kërkuesi e kundërshton dekretin si një akt të dalë në shkelje të garancive kushtetuese që ai i gëzon si i zgjedhur vendor në procedurat e shkarkimit, një ndër të cilat është garancia kushtetuese e parashikuar në paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës, sipas të cilave në rast se Kryetari Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin e shkarkimit brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese. Në rastin konkret, siç do të argumentohet në vijim, Presidenti i Republikës, përmes këtij dekreti që cakton datën e zgjedhjeve ka cënuar garancinë kushtetuese që kërkuesi, si i zgjedhur vendor, gëzonte në rast shkarkimi. Më konkretisht, të drejtën që, për sa kohë kërkuesi, brenda 15 ditësh nga shkarkimi i tij si Kryetar Bashkie ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, Presidenti nuk mund të caktonte datën e zgjedhjeve, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk kishte shqyrtuar ende kërkesën dhe nuk kishte vendosur lënien në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kërkuesit nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese, pyetur nga mediat në datë 30.09.2025 ka konfirmuar se në përputhje me Nenit 115 të Kushtetutës, në rast ankimi, vendimmarrja e mëtejshme lidhur me zgjedhjet në këtë bashki “pezullohet automatikisht”.
    Dekreti i Presidentit që cakton datën e zgjedhjeve në një bashki ku vendimi i shkarkimit është pezulluar në bazë të nenit 115/2 të Kushtetutës, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore, si dhe në integritetin e mandatit të një organi të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët me votë demokratike, si shprehje e ushtrimit të sovranitetit qytetar. Autonomia vendore, siç garantohet në nenin 13 të Kushtetutës dhe në aktet ndërkombëtare për vetëqeverisjen vendore, nuk është një atribut abstrakt, por realizohet konkretisht përmes përfaqësimit legjitim që ka një individ i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë për të ushtruar funksione publike në nivel vendor. Në këtë kuptim, Kryetari i Bashkisë nuk është thjesht një funksionar që mban një post administrativ; ai është shprehja institucionale e sovranitetit qytetar dhe mishërim i drejtpërdrejtë i demokracisë përfaqësuese. Për këto arsye, mandati i tij gëzon mbrojtje të posaçme kushtetuese përballë ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror. Pikërisht për këtë arsye, neni 115 i Kushtetutës sanksionon pezullimin ipso jure të efektit të shkarkimit deri në vendimin të Gjykatës Kushtetuese, si një garanci materiale dhe proceduriale për vazhdimësinë e përfaqësimit vendor dhe për të ndaluar çdo ndërhyrje të njëanshme (interventus unilateralis) që do të zëvendësonte një mandat ende të papërfunduar. Në këtë kuadër, Kryetari i Bashkisë, si mbajtës legjitim i një mandati kushtetues ende të pashfuqizuar, ka jo vetëm një të drejtë, por një interes kushtetues superior dhe të privilegjuar për të kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim ruajtjen e përmbajtjes dhe kuptimit real të mandatit gjatë fazës së pezullimit. Dekreti i Presidentit, që synon të prodhojë pasoja juridike sikur mandati ka marrë fund para shprehjes të Gjykatës Kushtetuese, krijon një gjendje fait accompli (fakti të kryer) që zbraz mandatin nga substanca e tij kushtetuese, duke cenuar ipso facto të drejtën e komunitetit për të qenë i përfaqësuar nga zgjedhja e bërë përmes votës.
    Neni 115 i Kushtetutës, duke sanksionuar qartë pezullimin ipso jure të efekteve të një vendimi për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë deri në shqyrtimin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, vendos një barrierë kushtetuese absolute ndaj çdo akti që paracakton zhvillimin e zgjedhjeve vendore në njësinë përkatëse. Presidenti, përmes dekretit objekt shqyrtimi, ka vepruar sikur kjo garanci të mos ekzistonte, duke e injoruar atë dhe duke e trajtuar shkarkimin si të përfunduar në një moment kur ai ishte pezulluar ipso jure nga vetë norma kushtetuese. Duke shpallur vakancën mbi bazën e një akti të pezulluar (vendimi i Këshillit të Ministrave), Presidenti e ka shndërruar dekretin e tij në një akt nullus effectus– juridikisht të pavlefshëm dhe pa pasoja. Ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në garancitë kushtetuese të një të zgjedhuri me votë të lirë, duke cenuar njëkohësisht: (i) të drejtën themelore për të mos u shkarkuar arbitrarisht dhe për t’iu garantuar një shqyrtim i plotë nga Gjykata Kushtetuese përpara se shkarkimi të prodhojë pasoja të pakthyeshme (due process of laë); dhe (ii) të drejtën për të mos ndërprerë një mandat të prodhuar nga sovraniteti i qytetarëve të Tiranës me një afat kushtetues katërvjeçar, duke cenuar kështu edhe parimin kushtetues të “check and balance”, i shprehur në këtë rast përmes respektimit të kufijve të autonomisë vendore.
    Në këtë kuadër, legjitimimi i kërkuesit për të kundërshtuar dekretin e Presidentit nuk mund të vihet në diskutim. Ai nuk është një qytetar i zakonshëm që shpreh pakënaqësi për një datë zgjedhjesh, as një parti politike që kërkon avantazh elektoral nga afatet e zgjedhjeve; por është Kryetari i Bashkisë i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë, i cili gëzon një status kushtetues të posaçëm dhe mbrohet nga një garanci e qartë juridike kundër ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror në procedurat e shkarkimit. Mandati i tij nuk është një privilegj personal, por një ius proprium populi – një e drejtë e vetë sovranit qytetar, që nuk mund të cënohet pa vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, dekretet presidenciale që cenojnë drejtpërdrejt këtë garanci nuk janë thjesht të paligjshme, por akte contra Constitutionem (antikushtetuese), sepse godasin në zemër vetë demokracinë përfaqësuese – bazën mbi të cilën ngrihet dhe mbahet i gjithë sistemi ynë juridik. Ato bien ndesh me frymën dhe preambulën e Kushtetutës sonë, që përcakton qartë se shteti shqiptar ndërtohet mbi parimet e demokracisë, të ndarjes e balancimit të pushteteve dhe të sovranitetit popullor. Cenimi i kësaj baze nuk është një shkelje formale, por një deformim substancial i asaj që jemi dhe synojmë si shoqëri demokratike.Në rradhë të parë vlerësojmë të sjellim në vëmendjen e Gjykatës Kushtetuese se përmes Opinionit nr.959/2019, datë 14.10.2019 të Komisionit të Venecias “Mbi fushën e kompetencës së Presidentit për caktimin e datave të zgjedhjeve” në Republikën e Shqipërisë, miratuar nga Komisioni i Venecias, në sesionin e tij të 120-të plenar, lidhur me vendimmarrjen e mësipërme të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, në faqen 17, footnote nr. 35, Komisioni i Venecias, me fjalë tjera, rekomandon që Gjykata Kushtetuese pas konstituimit të saj, të mund ta rivlerësojë sërish vendimmarrjen e mësipërme të vitit 2017, lidhur me karakterin e dekretit të Presidentit për caktimin e zgjedhjeve. Më konkretisht:

    Pasi të jetë konstituuar, Gjykata Kushtetuese mund të ketë gjithashtu rastin të vendosë nëse do të mbështesë vendimin e saj të vitit 2017, sipas të cilit caktimi i datës së zgjedhjeve është një akt administrativ individual, apo nëse do të arrijë në përfundimin se ky është një akt normativ, kontrolli mbi të cilin bën pjesë në kompetencën e saj.

    Në këtë kuadër, legjitimimi i kërkuesit për të kundërshtuar dekretin e Presidentit nuk mund të vihet në diskutim. Ai nuk është një qytetar i zakonshëm që shpreh pakënaqësi për një datë zgjedhjesh; nuk është as një parti politike që përpiqet të fitojë avantazh elektoral nga afatet e zgjedhjeve; por është Kryetari i Bashkisë i zgjedhur me votë popullore, i cili gëzon një status kushtetues të posaçëm dhe i cili është i pajisur me një garanci të qartë juridike që e mbron nga veprimet e parakohshme të organeve të tjera të pushtetit, në procedurat e shkarkimit. Prandaj, dekretet e Presidentit, kur cenojnë drejtpërdrejt këtë garanci, janë akte që bien ndesh me vetë arkitekturën kushtetuese të balancës së pushteteve dhe të mbrojtjes së të drejtave të zgjedhura popullore, të cilat garantohen nga neni 115 i Kushtetutës.
    Vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin dhe dekreti i Presidentit për caktimin e zgjedhjeve nuk janë dy akte të pavarura, por dy hallka të së njëjtës çështjeje kushtetuese. Vendimi i parë (shkarkimi) është shkaku juridik, ndërsa i dyti (dekretimi i zgjedhjeve) është pasoja e drejtpërdrejtë e tij. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave është i pezulluar ipso jure nga neni 115, paragrafi i dytë dhe i tretë, atëherë edhe çdo akt pasues që presupozon vlefshmërinë e tij është, po ashtu, i pezulluar ose i pavlefshëm. Kjo krijon një lidhje organike (connexité) ndërmjet dy akteve, e cila nuk mund të copëzohet në gjykata të ndryshme. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa dekreti i Presidentit shqyrtohet nga gjykatat administrative, atëherë kemi rrezik të vendimeve kontradiktore dhe një situatë juridike të pakoordinuar: mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë shkarkimin, ndërkohë që gjykata administrative të lërë në fuqi dekretin për zgjedhjet, duke çuar në një realitet absurd ku një Kryetar Bashkie i rikthyer në detyrë përballet me zgjedhje të reja tashmë të shpallura.
    Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të këtyre kushteve, kompetenca e Presidentit është non nata – ende e palindur juridikisht. Në rastin konkret, Kryetari i Bashkisë e ushtroi në afat të drejtën e ankimit dhe kjo aktivizoi pezullimin ipso jure të efektit të shkarkimit. Ky pezullim është i menjëhershëm, absolut dhe i pavarur nga çdo vlerësim i mëvonshëm. Për rrjedhojë, vendi i Kryetarit të Bashkisë nuk mund të konsiderohet vakant dhe kompetenca e Presidentit për të shpallur zgjedhje nuk ka lindur. Çdo dekret që presupozon të kundërtën është kundra Kushtetutës dhe juridikisht pa efekte.
    Shkelja bëhet akoma më e rëndë në momentin kur Presidenti, duke nxjerrë dekretin, ka marrë rolin e një autoriteti që përcakton kompetencën e gjykatave dhe raportet mes juridiksionit kushtetues dhe atij administrativ, duke vlerësuar në mënyrë të njëanshme se ankimi i Kryetarit të Bashkisë ndaj vendimit të shkarkimit nuk i përkiste Gjykatës Kushtetuese, por një gjykate tjetër, dhe për këtë arsye ai vijon me caktimin e datës së zgjedhjeve. Kjo qasje është ultra vires dhe në kundërshtim flagrant me parimin e ndarjes së pushteteve. Kushtetuta nuk e ngarkon Presidentin me funksione interpretuese apo gjyqësore për të përcaktuar organin kompetent të shqyrtimit; ky rol i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar sikur vendimi i Këshillit të Ministrave ka hyrë në fuqi, duke shpallur vakancën dhe nxjerrë dekret për zgjedhje të reja, Presidenti ka uzurpuar atributet e Gjykatës Kushtetuese, duke vetëvendosur se kjo gjykatë nuk është kompetente – një gjë që Kushtetuta nuk ia lejon. Asnjë organ i pushtetit, sado i lartë në hierarki, nuk mund të marrë vendime që bien ndesh me efektet që lindin ipso jure nga norma kushtetuese dhe që janë rezervuar për interpretim vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
    Në këtë kuadër, dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti për Bashkinë e Tiranës nuk është një akt teknik, por një akt me efekt konstitutiv për përfundimin e mandatit ekzistues dhe nisjen e një cikli të ri përfaqësues. Për këtë arsye, ai nuk mund të ndodhë kurrsesi në një moment kur mandati në fuqi mbrohet ende nga pezullimi ipso jure i parashikuar në nenin 115 të Kushtetutës. Caktimi i zgjedhjeve për një bashki ku vijon të ketë një subjekt të mbrojtur nga ky efekt pezullues, siç është z. Veliaj, është një akt që sfidon drejtpërdrejt parimin e përfaqësimit demokratik, duke ndërhyrë në marrëdhënien juridike midis zgjedhësve dhe të zgjedhurit, marrëdhënie që mund të prishet vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, dekreti presidencial që shpall zgjedhjet pa konsumuar procedurën e kontrollit kushtetues, cenon natyrën substanciale të zgjedhjes demokratike dhe është, në thelb, një akt i rëndë antikushtetues, pasi godet garancitë strukturore të shtetit të së drejtës, të demokracisë përfaqësuese dhe të autonomisë vendore – vetë bërthamën e rendit kushtetues.
    Në këto kushte, zbatimi i dekretit të Presidentit, përpara se Gjykata Kushtetuese të ketë vendosur mbi ligjshmërinë e shkarkimit, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme dhe me ndikim të gjerë, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të një të zgjedhuri vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e fundit me mandat kushtetues katërvjeçar. Krijimi i një vakance të pavërtetuar ligjërisht dhe organizimi i një procesi zgjedhor mbi një bazë juridike të kontestuar minon legjitimitetin e zgjedhjeve, shkakton konfuzion institucional dhe vendos Gjykatën Kushtetuese përballë një situate fait accompli, duke e bërë të pamundur rikthimin e status quo-së që Kushtetuta kërkon të garantojë përmes pezullimit automatik. Pasojat e mundshme janë:

    (1) Organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakancë juridike do të ishte një proces nullus effectus, i paqëndrueshëm juridikisht, që do të cënonte integritetin e sistemit zgjedhor dhe do të vinte në dyshim çdo rezultat të dalë prej tij.
    (2) Institucionet shtetërore, përfshirë KQZ-në, do të detyroheshin të shpenzonin burime njerëzore, administrative dhe financiare për zbatimin e një dekreti potencialisht antikushtetues, duke prodhuar dëm publik të pajustifikuar.
    (3) Qytetarët e Tiranës do të përballeshin me një proces zgjedhor të imponuar politikisht, mbi një mandat ende në fuqi, duke cenuar besimin në rendin kushtetues dhe duke krijuar pasiguri politike e institucionale, përfshirë rrezikun e anulimit të mëvonshëm të zgjedhjeve si të pavlefshme. Çdo ndërhyrje që synon ndërprerjen e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë përpara përfundimit të tij bie ndesh me parimin e demokracisë përfaqësuese, sepse i mohon komunitetit të drejtën për t’u përfaqësuar nga zgjedhja e bërë prej tyre në vitin 2023, kundër vullnetit të tyre të shprehur tashmë për një afat 4-vjeçar. Ky vullnet është pjesë e sovranitetit popullor dhe nuk mund të anashkalohet nga vendime të njëanshme të pushtetit qendror, pa një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
    (4) Vetë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk pezullon menjëherë dekretin, do të gjendej përpara një realiteti të kryer ku edhe një vendim i saj shfuqizues nuk do të mund të rivendoste gjendjen e mëparshme, pasi procesi zgjedhor do të kishte prodhuar pasoja të pakthyeshme, përfshirë zgjedhjen e një kryetari të ri.
    (5) Nëse lejohet kjo praktikë, krijohet një precedent i rrezikshëm: zëvendësimi i një të zgjedhuri vendor përmes zgjedhjeve të reja, përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi vlefshmërinë e shkarkimit. Një mekanizëm i tillë e shndërron procedurën e shkarkimit në instrument politik, në kundërshtim me parimin e separatio potestatum dhe me arkitekturën mbrojtëse të nenit 115, duke cenuar jo thjesht një mandat individual, por vetë rendin kushtetues dhe demokracinë përfaqësuese.
    (6) Ky rast do të krijonte gjithashtu një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm: do të mjaftonte një masë sigurimi personal ndaj çdo të zgjedhuri vendor për të justifikuar shkarkimin e tij nga detyra, duke prodhuar një mekanizëm të institucionalizuar ku tre organe – Këshilli Bashkiak, Këshilli i Ministrave dhe Presidenti – ndërhyjnë në mënyrë të koordinuar për të larguar një të zgjedhur lokal. Një praktikë e tillë do të krijonte perceptimin publik të fajësisë për një person ende të pafajshem dhe do të sillte cenim të rëndë institucional të parimit të prezumimit të pafajësisë, i cili është një prej gurëve themeltarë të due process -procesit të rregullt ligjor.

  • Skandali i korrupsionit që u zbulua nga koncerti i këngëtarit të njohur

    Skandali i korrupsionit që u zbulua nga koncerti i këngëtarit të njohur

    Showbiz E Enjte, 2 Tetor 2025 18:56
    Skandali i korrupsionit në Bullgari doli në pah pas ndalimit të kamionëve që transportonin pajisjet për koncertin e Robbie Williamsit. Inspektorët kërkuan ryshfet nga shoferët, ndërsa disa prej tyre pranuan të paguajnë. Pas reagimeve publike dhe hetimeve, disa zyrtarë u arrestuan dhe u shkarkuan, ndërsa autoritetet premtuan masa kundër korrupsionit.
    “Robbie Williams është më efikas në luftim të korrupsionit sesa institucionet bullgare”. Kjo është vetëm njëra nga shakatë që ka qarkulluar në rrjetet sociale pas skandalit të korrupsionit që është lidhur me koncertin e yllit botëror në Sofje të Bullgarisë, më 28 shtator.

    Autoritetet bënë të ditur se pesë prej 22 kamionëve që transportonin pajisje për skenën e koncertit, u ndaluan nga inspektorë të transportit në Bullgari. Ata pretenduan se duhet paguar gjoba dhe kërkuan ryshfet për të mundësuar kalimin e kamionëve në destinacion.

    U bë e ditur se inspektorët përdorën platformën e gjigantit Google për përkthime, Google Translate, për t’i shprehur kërkesat e tyre, sepse kishin barriera në komunikim. Dy shoferë refuzuan, por tre të tjerë paguan. Njëri pagoi mbi 300 euro. Kryetari i organizatës sindikale, Alexander Ivanov, iu tha mediave lokale se do të ketë greva dhe që duhet shkarkuar i gjithë ekipi menaxhues i agjencisë.

  • Dy të mitur përfundojnë në spital, njëri lufton për jetën. Detaje të reja nga sherri në derën e shkollës

    Dy të mitur përfundojnë në spital, njëri lufton për jetën. Detaje të reja nga sherri në derën e shkollës

    Thikat në duart e fëmijëve kanë shkaktuar një tjetër ngjarje të rëndë, e sërish në perimetrin e institucioneve arsimore. Ngjarja tek shkolla “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku dy nxënës u plagosën me thikë në kraharor. Dy të miturit e plagosur janë të moshës 16-vjeç dhe janë dërguar në Spitalin e Traumës, ku i janë nënshtruar dhe operacionit pas plagëve të marra nga goditjet me thikë. Njëri prej tyre po lufton për jetën, pasi ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa i mituri tjetër ka marrë plagë sipërfaqësore dhe ndodhet jashtë rrezikut.
    Në polici janë shoqëruar disa bashkëmoshatarë të dy të lënduarve për të dhënë sqarime mbi ngjarjen, por ata nuk janë treguar bashkëpunues me policinë. Grupi hetimor ende nuk ka sqaruar zyrtarisht rrethanat dhe dinamikën se si ka ndodhur ngjarja e rëndë.

    Në konflikt janë përfshirë të paktën 5 nxënës. Sherri ka nisur në ambientet e oborrit të shkollës, ku të miturit janë konfliktuar verbalisht dhe më pas kanë dalë jashtë shkollës për ta sqaruar në mënyrën më të keqe të mundshme sherrin mes tyre.

    Konflikti fizik ndodhi në rrugicën përballë gjimnazit, ku të miturit nga grushtat kanë kaluar në përdorimin e armëve të ftohta si thikat. Sherri me thika solli plagosjen e dy 16-vjeçarëve dhe tronditjen tek një komunitet i tërë në zonën e Kamzës.

  • Inteligjenca Artificiale në shëndetësi, ministrja Sala në Londër: Receta elektronike dhe gjurmim digjital i barnave

    Inteligjenca Artificiale në shëndetësi, ministrja Sala në Londër: Receta elektronike dhe gjurmim digjital i barnave

    Digjitalizimi i plotë në shëndetësi, receta elektronike dhe gjurmimi digjital i barnave (track and trace) janë e vetmja rrugë për një shëndetësi bashkëkohore. Këto janë disa nga pikat që synon të realizojë mnistrja e re e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Evis Sala.
    Mjekja e njohur tashmë në postin e mistres, ishte e pranishme në samitin dyditor “Inteligjenca artificiale në shëndetësi”, organizuar në Londër nga “The economist”. Për të shëndetësia globale po hyn në një fazë të re, ku teknologjitë e avancuara do të lejojnë kalimin nga diagnostika tradicionale në një nivel të ri të ashtuquajtur “super-diagnostikë”.

    “Spitali i së ardhmes do të ketë një infrastrukturë të padukshme teknologjike, qendër të unifikuar të të dhënave të pacientit, zero barrë administrative për profesionistët dhe një kulturë bashkëpunimi njeri IA, ku është në qendër kujdesi ndaj pacientit”, u shpreh ajo.

    Në panelin dedikuar integrimit të inteligjencës artificiale në praktikën klinike, krah emrave të njohur ndërkombëtarë, ministrja Sala ndau shembuj konkretë të përdorimit të IA për të ulur lodhjen e klinicistëve dhe ngarkesën administrative në radiologji, përfshirë automatizimin e detyrave të përsëritura, optimizimin e planifikimeve, gjenerimin automatik të raporteve dhe përpunimin e gjuhës natyrore për dokumentacionin mjekësor.

    Në samit morën pjesë 300 pjesëmarrës e 60 folës nga e gjithë bota, ku u paraqitën njohuri ekskluzive dhe studime rastesh nga politikëbërës, përfaqësues të teknologjisë mjekësore, akademikë, organizata që punojnë për të arritur potencialin maksimal të IA-së në shëndetësi.

  • Macron thirrje Europës për rritje të presionit ndaj ”flotës në hije” të Rusisë

    Macron thirrje Europës për rritje të presionit ndaj ”flotës në hije” të Rusisë

    Bota E Enjte, 2 Tetor 2025 16:28
    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i bëri thirrje Evropës që të ndërmarrë veprime të koordinuara ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë dhe të ndjekë shembullin e Francës për të penguar këto anije që përdoren për të shmangur sanksionet perëndimore. Franca aktualisht po heton një anije, të regjistruar në Benin, që dyshohet se është pjesë e qindra cisternave të vjetra, të futura në listën e sanksioneve nga Bashkimi Evropian nën akuza se po ndihmojnë Moskën për shmangien e kufizimeve për eksportet e naftës pas pushtimit të Ukrainës më 2022.
    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rritet presioni për këtë ‘flotë në hije’, sepse qartësisht do të reduktonte kapacitetin financiar për këtë luftë”, tha Macron para udhëheqësve të mbledhur në Danimarkë. Udhëheqësi francez sugjeroi që shtetet evropiane që janë pjesë e “koalicionit të vullnetit” – për mbështetjen e Kievit – duhet të koordinohen me NATO-n “për një veprim të përbashkët” sa i përket kësaj çështjeje.

    Autoritetet franceze kanë arrestuar dy pjesëtarë të Boracay, anijes që gjendet në pjesën perëndimore të brigjeve të Francës, dhe nisën hetimin mbi “dështimin e ekuipazhit për të justifikuar nacionalitetin e anijes dhe refuzimit për të bashkëpunuar”. Të dhënat nga gjurmimi i anijeve tregojnë se cisterna ka qenë pranë bregut danez muajin e kaluar, kur kishte fluturime misterioze të dronëve që rritën shqetësimet për sigurinë dhe detyruan autoritetet e Danimarkës që të mbyllnin aeroporte.

    Mediat e kanë lidhur veprimin e Francës me fluturimet e dronëve, por kjo nuk është konfirmuar nga Parisi. Macron tha se, përveç sigurimit që anijet të respektojnë rregullat ndërkombëtare, ndalime të tilla janë “shumë të rëndësishme” për të rritur presionin ndaj Moskës, për të goditur të ardhurat që i përdorë për luftën kundër Ukrainës dhe për ta detyruar që të negociojë. “Flota në hije”, që besohet se përfshin deri në 1.000 anije, përfaqëson “dhjetëra miliarda euro të buxhetit të Rusisë” dhe “përbën 40 për qind të përpjekjes së saj luftarake”, tha udhëheqësi francez. /REL/

  • Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës hap një kapitull të ri me fluturimin e parë të Wizz Air drejt Maltës

    Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës hap një kapitull të ri me fluturimin e parë të Wizz Air drejt Maltës

    Në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e lidhjeve ajrore dhe zgjerimin e rrjetit të destinacioneve direkte, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi sot me krenari nisjen e fluturimit të parë të linjës së re që lidh kryeqytetin shqiptar me ishullin e bukur të Maltës. Ky fluturim, i operuar nga kompania prestigjioze Wizz Air, shënon një hap strategjik në forcimin e lidhjeve ajrore dhe ofrimin e mundësive më të shumta udhëtimi për pasagjerët vendas dhe të huaj.
    Ceremonia e përurimit u zhvillua në ambientet e TIA-s, ku morën pjesë përfaqësuesit kryesorë të Wizz Air, stafi menaxhues i aeroportit dhe përfaqësues të mediave, duke krijuar kështu një atmosferë festive dhe bashkëpunimi. Tradita u ndoq me përpikmëri: ekuipazhi i fluturimit të parë u prit me buqeta lulesh, simbolikë e respektit dhe falënderimit për bashkëpunimin e frytshëm mes partnerëve ajrorë.

    Sipas planit të ri, fluturimet midis Tiranës dhe Maltës do të kryhen tre herë në javë, konkretisht çdo të martë, të enjte dhe të shtunë. Kjo frekuencë e re synon të përmbushë nevojat e një audience të gjerë, duke ofruar mundësi të reja për turizëm, biznes dhe shkëmbime kulturore mes dy vendeve.

    Me këtë nisje, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës forcon edhe më tej pozicionin e tij si një nyje kyçe rajonale, duke sjellë më shumë lidhje direkte që zgjasin dhe pasurojnë përvojën e udhëtimit për të gjithë pasagjerët.

  • Morën peng të miturin në Tiranë dhe kërkuan para, arrestohen autorët

    Morën peng të miturin në Tiranë dhe kërkuan para, arrestohen autorët

    Finalizohet operacioni policor i koduar “Këmbimi”, identifikohen 4 autorët e 2 rasteve të kanosjes, me qëllim dhënien e pasurisë.
    Autori i rastit të parë u kap në flagrancë, teksa i merrte 5000 euro, një shtetasi, për të mos i publikuar video në rrjete sociale. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori.

    2 autorët e arrestuar të rastit të dytë i hoqën lirinë një të mituri, me pretendimin se kishte vjedhur para në biznesin e tyre.

    Njoftimi i policisë:

    Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të indicieve të ardhura te strukturat e Policisë së Tiranës, për raste të kanosjes, për dhënie të shumave të parave:
    -specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në kuadër të operacionit “Këmbimi”, arrestuan në flagrancë shtetasin J. B., 18 vjeç dhe shpallën në kërkim shtetasin A. Gj., 20 vjeç, pasi dyshohet se kanë kanosur një 21-vjeçar, për t’iu dhënë 5000 euro, me qëllim mospublikimin në rrjete sociale, të një videoje të tij. 18-vjeçari u kap në flagrancë, teksa i merrte 21-vjeçarit, shumën e eurove, ndërsa për kapjen e 20-vjeçarit, Policia vijon punën. Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e eurove dhe 3 celularë;
    -specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Këmbimi”, arrestuan shtetasit S. H., 30 vjeç dhe L. H., 21 vjeç, pasi dyshohet se i kanë hequr lirinë një të mituri, duke e mbajtur në automjet, me pretendimin se kishte vjedhur para në subjektin e tyre. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i përdorur nga 2 të arrestuarit, për rastin. Punohet për dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

  • Bora mbulon me petkun e bardhë bjeshkët magjike të Sharrit

    Bora mbulon me petkun e bardhë bjeshkët magjike të Sharrit

    Kosova E Enjte, 2 Tetor 2025 13:48
    Reshjet e para të borës kanë zbardhur sot disa zona malore në Kosovë, duke krijuar një panoramë të mrekullueshme dimërore, veçanërisht në bjeshkët e Sharrit. Ky transformim natyror ofron një spektakël vizual që ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe vizitorëve, të cilët po shijojnë bukuritë e recetuara nga drita e borës që mbulon fushat dhe pyjet.
    Redaksia jonë ka pranuar disa foto të dërguara nga qytetarët e fshatit Shajnë në Dragash, ku peizazhi i veshur me borë duket si një kartolinë e gjallë nga natyra, duke rikrijuar atmosferën magjike që sjell sezoni i dimrit.Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se temperaturat minimale variojnë ndërmjet 1 dhe 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale luhaten nga 7 deri në 12 gradë Celsius. Kjo periudhë shënon një përzierje të motit të freskët dimëror me ditë të vranëta dhe reshje të ndryshme, që sjellin ndryshime dinamike në peizazhin atmosferik.
    Në kryeqytetin Prishtinë, moti sot paraqitet i vranët me reshje të vazhdueshme shiu, duke krijuar një kontrast me bardhësinë e borës në lartësitë malore, ku natyra fillon të përgatitet për sezonin e dimrit.

  • Mas@kruan në fytyrë Klea Prengën, motrat Berisha paraqiten në Gjykatë

    Mas@kruan në fytyrë Klea Prengën, motrat Berisha paraqiten në Gjykatë

    Antonela Berisha dhe Mariela Berisha janë paraqitur sot në gjykatë, ku edhe pritet të caktohet vendimi ndaj tyre për plagosjen e 26-vjeçares Klea Prenga.
    Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënim me 3 vite burg për Mariela Berishën, e cila ndodhet aktualisht në masën “arrest në shtëpi”, për ngjarjen e rëndë që ndodhi gjatë verën e vitit të kaluar. Nëse kjo e fundit shpallet fajtore, edhe pasi është kërkuar gjykimi i shkurtuar, dënimi mund të ulet në 2 vite burg.

    Ndërsa për motrën e saj, Antonela Berishën, Prokuroria ka kërkuar 3 vite shërbim prove, që gjithashtu mund të ulet në 2 vite në rast të një gjykimi të shkurtuar.

    Dy motrat u vetëdorëzuan në polici në tetor 2024 dhe akuzohen për kryerjen e veprës penale “plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.