Ambasadori në detyrë Malaj takohet me presidenten Justina Shiroka-Pula: Shqipëria mbështet rrugëtimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, të cilën e ka uruar për marrjen e detyrës së re. Përmes një postimi, Malaj ka shprehur urimet për sukses në përmbushjen e përgjegjësive të saj në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Gjatë takimit, ambasadori shqiptar ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. Malaj ka theksuar se konsolidimi dhe funksionalizimi i institucioneve do t’i hapë Kosovës një kapitull të ri përparimi, zhvillimi dhe mirëqenieje për qytetarët e saj. “Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës, në çdo hap të rrugëtimit të saj drejt së ardhmes evropiane”, është shprehur Malaj.
Burimi:
javanews.al