Aksident në aksin Gjirokastër–Tepelenë, shoferi mbetet i bllokuar brenda automjetit

Aksident në aksin Gjirokastër–Tepelenë, shoferi mbetet i bllokuar brenda automjetit

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mëngjesin e kësaj të enjteje në aksin nacional Gjirokastër–Tepelenë. Dy automjete, një “BMW” dhe një “Renault Clio”, janë përplasur pranë një pike karburanti. Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, përfshirë grupin e shërbimit zjarrfikës të Gjirokastrës, i cili ndërhyri për nxjerrjen e drejtuesit të automjetit “Renault Clio”, shtetasin Klevant Vasi. I plagosuri u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal për të marrë ndihmë mjekësore. Autoritetet bëjnë me dije se të gjithë personat e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.