
“Digjet” Turqia! Imamoglu merret në pyetje për 5 orë, priten sërish protesta sonte
Ekrem Imamoglu
STAMBOLL- Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua me akuzën se ishte i lidhur me një grup të përfshirë në korrupsion, ryshfet dhe ndihmë për aktivitetet terroriste, ka përfunduar dhënien e dëshmisë për më shumë se 5 orë në gjykatë. Kur u pyet për pasurinë e tij të paluajtshme, automjetet dhe asetet e tjera, Imamoglu u përgjigj se i kishte deklaruar të gjitha pasuritë në organet përkatëse dhe se paga e tij mujore ishte rreth 6000 euro.
Po ashtu, kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu mohoi akuzat për mbështetje të një organizate terroriste, akuzë që autoritetet turke i kanë atribuar atij, ndërsa foli për akuza dhe shpifje të pakuptueshme.
“Unë as nuk i di emrat dhe as nuk i ndjek deklaratat e organizatave terroriste të përmendura më lart. As jam i lidhur me to, as nuk kam ndonjë interes ta bëj këtë. Unë shoh sot gjatë marrjes në pyetje se unë dhe kolegët e mi po përballemi me akuza dhe shpifje të paimagjinueshme, Këto shpifje do të bien pasi të godasin muret në zemrën e kombit tonë. Është e domosdoshme që vendi ynë të heqë qafe këtë mentalitet sa më shpejt të jetë e mundur, duke u mbështetur tek një njeri i cili beson se ka të drejtë të bëjë gjithçka për të mbrojtur atdheun (të tij),”- tha Imamoglu, duke bërë vërejtje të mprehta kundër Erdoganit.
Imamoglu pritet të dalë para gjykatës sot, kur edhe do të merret një vendim për lirimin ose burgosjen e tij në pritje të gjykimit. Duke qenë se ka informacione se kryebashkiaku do të merret sërish në pyetje sonte, opozita bëri thirrje për protesta të reja.
Autoritetet turke kanë arrestuar 343 persona në protestat që u zhvilluan gjatë natës në qytete të ndryshme të vendit kundër arrestimit të Imamoglu. Ministria tha se arrestimet u bënë për të parandaluar “çrregullimin e rendit publik” dhe paralajmëroi se autoritetet nuk do të toleronin “kaosin dhe provokimet”.
Që nga arrestimi i Imamoglu, mijëra njerëz janë mbledhur në bashkinë e Stambollit për mitingje gjatë natës dhe kanë shpërthyer përleshje mes protestuesve kundër Policisë në Stamboll, Ankara dhe Izmir, atje kur partia e opozitarit ka fituar duke e mundur Erdogan.
Imamoglut, 54 vjeç, u arrestua derisa CHP-ja po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial të dielën. Partia u ka kërkuar njerëzve jashtë partisë të votojnë për të në kutitë e votimit të vendosura në të gjithë vendin, si shenjë e rezistencës publike. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin prej dy mandatesh, nëse vendos të garojë përsëri./REL
Burimi