Në një veprim që ka ngjallur reagime dhe diskutime, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, ka mbajtur së fundmi një pritje private në rezidencën zyrtare Gracie Mansion, ku ka pritur përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Nju Jork.
Pritja, e cila nuk ishte përfshirë në orarin publik të kryebashkiakut, shihet si një shenjë e forcimit të marrëdhënieve të tij me Shqipërinë, ndërsa mandati i Adams si kryebashkiak po i afrohet fundit, shkruajnë mediat amerikane.
Aktivisti dhe politikani shqiptar-amerikan Marko Kepi, i cili ka kandiduar për poste shtetërore dhe lokale në Nju Jork, publikoi foto nga eventi në Instagram, duke thënë për Gothamist se pritja mbahet çdo vit me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor.
Sipas Gothamist, ngjarja është organizuar me kërkesë të vetë Adams dhe është konfirmuar nga Zyra e Bashkisë pas një pyetjeje zyrtare nga mediat.
Në takim morën pjesë zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Megi Fino, dhe ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati.
Pritja nënvizoi lidhjet gjithnjë e më të afërta mes Adams dhe Shqipërisë, një marrëdhënie që është forcuar pas vizitës së tij në vendin tonë, menjëherë pasi ai tërhoqi kandidaturën për rizgjedhje si kryebashkiak.
Sipas deklaratës së Bashkisë, eventi u organizua nga Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane, me synimin për të nxitur bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Megjithatë, ndryshe nga zakonisht, fjala e Adams në këtë pritje nuk u bë publik dhe nuk u shpërnda asnjë transkript zyrtar.
Kjo ngjarje private vjen menjëherë pas vizitës katër-ditore të Adams në Shqipëri, e para udhëtim jashtë vendit pas tërheqjes së tij nga gara për rizgjedhje. Vizita, sipas NY Daily News, kishte për qëllim nxitjen e turizmit dhe mundësive të biznesit, ndërsa shpenzimet e akomodimit dhe transportit ishin të mbuluara nga qeveria shqiptare.
Kryebashkiaku Adams duket se ka krijuar një lidhje të veçantë me vendin tonë, diçka që ndahet edhe me të birin, Jordan Coleman, i cili mori pjesë në një konkurs këngësh në Shqipëri në vitin 2022.
Në lidhje me të ardhmen e tij, Adams ka lënë të kuptohet se mund të punojë me qeveri të huaja, duke deklaruar në ditën e zgjedhjeve:
‘Vendet po më telefonojnë dhe më kërkojnë të shkoj e të bëj atë që bëra në Nju Jork.’
Marrëdhëniet e Adams me komunitetin shqiptar janë thelluar edhe përmes aktiviteteve kulturore, përfshirë paradën e parë shqiptare në Nju Jork këtë vit dhe ceremonitë e ngritjes së flamurit. Pritja në Gracie Mansion thuhet se u ndoq nga rreth 100 persona, mes tyre edhe zv/kryebashkiakja Tiffany Raspberry.
Ndërkohë, është vënë re se administrata Trump nuk ka konfirmuar ende një ambasador të ri amerikan në Tiranë, në mes të këtyre zhvillimeve.
Gjatë një pritjeje në qershor, Adams kishte shprehur entuziazëm të madh për Shqipërinë, duke thënë:
‘Nuk mund të pres të vij në Shqipëri dhe të shijoj lumenjtë, detet, malet dhe gjithë bukuritë që ofroni.’








