Katy Perry e bëri publike në Instagram lidhjen e saj me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Këngëtarja publikoi një seri fotosh dhe videosh nga udhëtimi i tyre në Japoni. Në njërën nga fotot, ata shfaqen shumë afër në një selfie të butë në ambient të jashtëm.
Në një video të karuselit, çifti shihet teksa darkon së bashku, ndërsa pamje të tjera tregojnë momentet intime ku ata shkëmbejnë shikime plot ëmbëlsi.
“Turne në Tokio dhe më shumë”, shkroi Perry në përshkrimin e postimit.
Gjatë qëndrimit në Japoni, që është pjesë e turneut “Lifetimes Tour”, këngëtarja shoqëroi Trudeau në takimin e tij me ish-kryeministrin japonez Fumio Kishida dhe bashkëshorten e tij, Yoko, të mërkurën më 3 dhjetor. Në llogarinë zyrtare të çiftit të ish-kryeministrit në Twitter, Perry përmendet si “partnerja e Justin Trudeau”.
“Ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau vizitoi Japoninë me partneren e tij dhe së bashku me gruan time patëm një drekë të këndshme,” shkruhej në postimin në japonisht. “Gjatë mandatit të tij si kryeministër, u takuam disa herë si kolegë dhe, gjatë vizitës sime në Kanada, punuam së bashku për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë krijimin e ‘Japan–Canada Action Plan’. Jam i lumtur që e ruajmë ende këtë miqësi.”
/vizionplus.tv









